Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 16:06

Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, dhe 16 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shumë shpejt do të përballen me akuza për krime lufte.

Pohimet e publikuara disa ditë më parë, se EULEX po heton  mbi të lartëpërmendurit nuk janë komentuar nga Misioni Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë.

 “EULEX-i nuk ka koment për këtë çështje”,  ishte përgjigja e vetme zyrtare e dhënë nga Prokuroria e EULEX’it përmes postës elektronike për Express.

Ndryshe, ditë më parë ishte publikuar lajmi se Sylejman Selimi po hetohet nga një Prokuror i EULEX’it nën dyshimin për torturim, dhunim dhe keqtrajtim të civilëve, ngjarj etë cilat janë zhvilluar në Drenicë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Aktualisht, Selimi është ambasador i Kosovës në Tiranë.

 
Lajme Shqip Monday, 13 May 2013 16:04

Autoritetet e Bosnje e Herzegovinës kanë dorëzuar tek  EULEX-i kërkesën për ekstradimin e narkobosit ballkanik Naser Kelmendit nga Peja.“Ka mbërri kërkesa. Menjëherë ia kemi përcjellë Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës që e ka kompetencë ekstradimin e personave të kërkuar nga Interpoli”, ka pohuar Irina Gudelevich zëdhënësja e këtij misioni.

Ajo ka shtuar se EULEX-i është i gatshëm t’u asistojë institucioneve të Kosovës për ekstradimin e  Kelmendit, nëse ministri Kuçi e kërkon këtë.

 Policisa e Kosovës  ka arrestuar Naser Kelmendin më 5 maj në Prishtinë.

Policia e EULEX-it më 9 maj ia ka caktuar Naser Kelmendit 30 ditë paraburgim.

Kelmendi ngarkohet për vepra penale për krim të organizuar e trafikim droge.

Kelmendi u akuzua fillimisht nga prokuroria për tentim vrasje të rëndë, të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiq.

Në ndërkohë djali i Naser Kelmendit, Elvisi, është dënuar të hënën në Prishtinë më 4 vjet burgim për vrasje në tentativë.

Ai akuzohej për tentim vrasje të rëndë, të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiq. Elvisi pranoi fajesinë gjatë gjykimit të tij.

 

 
Lajme Shqip Friday, 26 April 2013 11:48

PRISHTINE – Hetuesit e EULEX-it kanë ngritur akuza kundër 17 serbëve të Gjakovës, për përfshirje të tyre në krime ndaj shqiptarëve në fshatin Mejë dhe rrethinë. Njoftimi është bërë dy ditë më parë, por mediat kosovare e kanë publikuar sot lajmin, ku thuhet se prokurorët e EULEX-it po hetojnë krimet e kryera më 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat Mejë, Orizë, dhe fshatra të tjera të Luginës së Rekës së Keqe.

Në këto akuza përfshihet edhe vrasja e 372 viktimave gjatë një sulmi të kryer kundër civileve shqiptarë, ndaj të cilëve është ushtruar dhunë, trajtim çnjerëzor, largim dhe zhvendosje, konfiskim i pasurisë dhe plaçkitje. Shumica e viktimave ishin zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë, Serbi.

Masakra e Mejës dhe e rrethinës besohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Ndërkohë që sipas bashkëdrejtuesit të komunës së Gjakovës, Gjokica Stanojevic, këto akuza janë ngritur me qëllim frikësimin e serbëve.

 
Lajme Shqip Friday, 08 March 2013 15:13

Prishtine – Të dala nga një ndër fatkeqësitë më të mëdha të luftës, me familjarët meshkuj të vrarë e të zhdukur, grave të Krushës së Madhe e të Vogël iu desh kohë e gjatë që të rimerrnin veten.

Masakra e 26 marsit e 1999-s, ku forcat paramilitare serbe vranë më shumë se 200 persona, kryesisht  burra e të rinj nga mosha 12 deri në 90 vjeçare, bëri që Krusha e Madhe dhe e Vogël, të njihen si fshatrat pa burra.

Zonjat, që papritmas u bënë kryefamiljare dhe morën barrën e mbajtjes së familjes, kujtojnë se si një numër i madh i të vrarëve ishin mbyllur në një shtëpi në Krushë të Vogël, ku ishin ekzekutuar nga dritarja, e më pas ishin djegur nga zjarri.

Ato tregojnë se para se të ndodhte një veprim i tillë, forcat serbe i kishin urdhëruar ato, që së bashku me fëmijët e vegjël, të iknin për në Shqipëri.

Katërmbëdhjetë vjet pas, pasojat e luftës vërehen në Krushën e Madhe, megjithëse përgjatë këtyre viteve u ngritën shtëpi të reja, të cilat në 99-n ishin rrafsh me tokë.

Ajo çka ka ndodhur në Krushën e Madhe me rrethinë gjatë luftës, ishte një fatkeqësi e madhe, thotë Fahrie Hoti, e cila as sot nuk di asgjë për fatin e bashkëshortit të saj, Bashkimit.

Ajo tregon për rifillimin e jetës pas luftës

“Fillimisht themeluam një shoqatë ‘Gratë e veja’, për hulumtimin e personave të pagjetur. Ka qenë një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, e pamë që ishte një rrugë e gjatë, vrapuam shumë dhe nuk kishte asgjë. Askujt nuk iu bë vonë pse nuk është kthyer Bashkimi. Vendosem që t’i kthehemi jetës, të punojmë“, tregon Hoti.

Gratë të veja të Krushës më pas filluan ta mbillnin tokën dhe të ringjallnin jetën si para luftës, kur gjëra të tilla kishin bërë bashkëshortët.

Zonja Hoti thotë se pas organizatës “Gratë e veja”, që u themeluan në vitin 2005, filluan të merreshin edhe me konservimin e ushqimeve dimërore.

Pas suksesit dhe kërkesave nga qytetarët, kjo organizatë ka rritur kapacitetet e saj prodhues dhe njëkohësisht edhe ka rritur numrin e të punësuarave.

Kështu në vitin 2010 u shndërruan në kooperativën bujqësore “Krusha”.

“Sot jemi në një biznes shumë të mirë. Njëzetepesë punëtore jemi që punojmë rregullisht. Këto janë kryefamiljare si subjekt i punës, ndërsa atje ku punohet, ajo anëtare punon komplet me familjen, atëherë trefishohet numri i punëtoreve”.

“Unë mund të prezantoj numrin si 25, por mund ta prezantoj edhe 100, se vazhdimisht janë të angazhuara familjet, konservojnë dhe i sjellin konservimet në kooperativë nga ku produktet nisen për në treg”, shpjegon zonja Hoti.

Kooperativa “Krusha” tashmë është e njohur në Kosovë.

Produktet e saj bëhen mbi bazën e recetave tradicionale. Me produktet e veta, kjo kooperative furnizon rreth 28 markete të mëdha në qytetet e Kosovës.

Prodhimet e tyre më të kërkuara janë ajvari dhe specat me kos.

“Është një punë me të vërtetë e befasishme edhe për mua, që në një moshë të shtyrë edhe vështirësitë që kemi përjetuar, tmerrin, të mbajmë tregun paralel me djemtë e ri. Kjo është për t’u çuditur”, shprehet zonja Hoti, për të shtuar se kooperativa “Krusha”, me prodhimet dhe produktet e saj, arrin të mbulojë 70% të kërkesave në treg.

Suksesi i punës dhe kërkesat e shumta të qytetarëve për prodhimet e tyre ushqimore, kanë forcuar në masë të madhe gratë, tregon zonja Hoti.  Ajo shton se me të ardhurat e fituara, kryefamiljaret mbajnë familjen dhe shkollojnë fëmijët.

Megjithatë, vuajtjet dhe lufta, thotë ajo, nuk harrohen asnjëherë.

“Normal që nisin dhe përfundojnë punën, sigurisht me obligimet për punë dhe kujdesin a është ajvari i mirë, a ka krip më pak apo më shumë, por mendoj që ato çdo gjysmë ore e kanë edhe bisedën për luftë, do të thotë si ndodhi, ku janë, si u bë, pse na lanë. Por, kanë edhe kohë kur ato argëtohen”, thekson Hoti.

Njëra nga punëtoret e kooperativës, Sadbere Hoti, shprehet e kënaqur me punën që bën, pasi që sipas saj, prodhimet e tyre janë shumë të kërkuara.

“Në radhë të parë jemi të kënaqura që puna po na lavdërohet shumë, dhe punën po e bëjmë mirë, por edhe prodhimet me kualitet”, thekson ajo.

Fshati Krushë e Madhe, banohet kryesisht nga fëmijë që kanë humbur babanë, dhe me gra të veja të cilat duhet të mbajnë familjet e tyre dhe të rrisin fëmijët pa bashkëshort, duke kultivuar perime; speca, domate e të tjera, nga të cilat shpeshherë edhe nuk mund t’ia dalin, pa ndihmat mujore sociale, sado të vogla që janë.

Sido që të jetë, gratë nga Krusha e Madhe thonë se pavarësisht nga përjetimet shumë të rënda që kanë që nga paslufta, ato janë të përkushtuara për të mbajtur familjen dhe për t’u kujdesur për të ardhmen e fëmijëve të tyre.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 14:16

Rahovec – Në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, të mërkurën janë gjetur eshtra njerëzish. Lajmin e ka bërë sot të ditur Kadri Dellova, kryetar për hulumtimin e krimeve serbe të luftës në Krushë të Madhe.

Sipas tij, në shtëpinë e djegur të Murat Krasniqit, gjatë rrënimit të saj, eskavatoristi Milit H.Duraku ka hasur në disa eshtra të mbetura, që supozohet të jenë të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Stacionit Policor në Rahovec.

Prizren, 27 shtator – Në fshatin Krushë e Madhe disa qytetar derisa po rrëzonin një shtëpi të djegur gjatë luftës kanë hasur në disa eshtra që dyshohet se janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, por që deri tashti lajmin nuk e ka konfirmuar askush.

Kadri Dellova banor i këtij fshati ka thënë për KTV-në se sipas disa dëshmitarëve, këto eshtra mund te jenë të djemve të këtij fshati, të vrarë më 26 mars të vitit 1999 nga paramilitarët serbë. Ai ka thënë se në po të njëjtin vend pas luftës ekipi i patologëve nga Tribunali i Hagës ka gjetur disa varreza masive.

“Neve në Krushë po na habit fakti se edhe pse janë lajmëruar Policia e Kosovës dhe ekipi i Mjekësisë Ligjore deri tani nuk ka ardhur askush për të bërë hapjen, zhvarrimin dhe kërkimin e eshtrave të tjerë, e as të bëjë ekzaminimin”, ka thënë Dellova.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 June 2012 09:35

Prishtinë – Një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria e Qarkut në Prizren ka filluar zyrtarisht hetimet për krime të luftës, të kryera në fshatin Krushë e Vogël, më 25 dhe 26 mars të vitit 1999.

“Deri tani, prokuroria ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm, të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë vrasjen e gjithsej 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës”, thuhet në komunikatën e misionit evropian për sundimin e ligjit.

Masakra në Krushë të Vogël pretendohet të jetë një nga vrasjet më masive që ka ndodhur gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. (LajmeShqip.com)