12
 
Lajme Shqip Sunday, 21 April 2013 11:37

Romë – Giorgio Napolitano është rizgjedhur në krye të shtetit të Italisë. Sipas agjencive italiane të lajmeve, zoti Napolitano ka siguruar 738 vota duke kaluar kuorumin prej 504 dhe është përshëndetur me ovacione në sallën e Parlamentit.

Kundër Napolitanos kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes 5 Yjet, lideri i të cilëve, blogeri Beppe Grillo e ka cilësuar votimin si grusht shteti.

Napolitano, 87 vjeç, është i pari president i Italisë që zgjidhet për të dytën herë rresht. Emri i tij u lakua në raundin e gjashtë të votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit, me mbështetjen e partive PD, PDL, Zgjedhja Civile dhe Lega Nord.

Kreu i shtetit kishte thënë disa herë se nuk dëshironte të përballej me një mandat tjetër, por rrjedha e ngjarjeve të ditëve të fundit, konkretisht dështimi i dy opsioneve që çuan PD-në të propozonte Franco Marini-n dhe Romano Prodi-n, shtynë Napolitanon të ndërronte mendje.

Kështu, pas një serie bisedimesh të zhvilluara gjatë ditës me liderë të ndryshëm politikë, ai tha: “Jam i gatshëm, nuk mund të dorëzohem. Por tani duhet të marrim së bashku përsipër të gjitha përgjegjësitë”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 18:12

ROMË– Beppe Grillo përjashtoi sot perspektivën që Lëvizja 5 Yjet të mbështesë një qeveri teknokrate për të kapërcyer pikën e bllokimit politik pasi zgjedhjet e javës së kaluar në Itali nuk nxorën një fitues të qartë. 

”Lëvizja M5S nuk do to votojë për një qeveri teknokrate, nuk jam shprehur kurrë se do ta bënim këtë”, shkruante ish-komediani në blogun e tij.

Grillo po ashtu kritikoi performacën e qeverisë teknokrate të kryeministrit në detyrë Mario Monti, që ndër të tjera, ndryshoi ligjet e punës në Itali që t’i lehtësonte rrugën kompanive për të pushuar punonjësit.

”Qeveria Monti ka qenë më politikja se cilado e një periudhe post-politike”, deklaronte ai.

”Më parë askush nuk i kishte vënë në dyshim Nenin 18 të statutit të punës 1970, që mbron punonjësit”, theksonte ai.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 18:18

TIRANE-Presidenti i Italisë, Giorgo Napolitano ka anuluar darkën zyrtare në Berlin me kandidatin kryesor për kancelar në Gjermani Peer Steinbrueck, që ishte e programuar paraprakisht. Arsyeja e anulimit ka ndodhur si pasojë e komenteve mbi rezultatin e zgjedhjeve elektorale në vend, që u mbyllën të hënën. Diplomati gjerman ka komentuar duke thënë: “Kanë fituar dy palaço, Grillo dhe Berluskoni, që ka tepricë testosteroni”.

Kreu i shtetit italian, gjatë një vizite në Mynih ka shpjeguar se nuk ka ndërmend ta kryejë takimin zyrtar. “E respektojmë Gjermaninë, por pretendojmë që gjithashtu të na respektojnë”, – ka deklaruar Napolitano. “Unë përfaqësoj bashkimin dhe dinjitetin kombëtar. Mendoj që nuk ishin më kushtet për një takim të mirëfilltë diplomatik, pas deklaratave krejtësisht pa vend që bëri Steinbrueck”, – ka vijuar më tej, presidenti. Njoftimin për anulimin e takimit e dha vetë zëdhënësi i diplomatit gjerman, duke sqaruar se është kërkuar nga pala italiane. Steinbrueck, ish-ministër i Financave, i njohur për mënyrën e tij të drejtpërdrejtë të komunikimit, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është tërhequr aspak nga deklaratat ofenduese. “Ajo që u tha, u tha. E kuptoj vendimin e Napolitanos”, – ka thënë ai gjatë një konference për mediat. Kancelarja gjermane në fuqi, Angela Merkel nuk ka pranuar ta komentojë këtë incident diplomatik midis dy vendeve. “Kjo është një histori interesante, por nuk e komentojmë”, – ka thënë kancelarja. Nga ana tjetër, ajo është shprehur se qeveria gjermanë është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë italiane, cilado qoftë ajo. “Është vetë Italia që duhet të mbajë përgjegjësinë për krijimin e një qeverie të denjë për të vepruar. Presidenti i Republikës, Giorgo Napolitano ka një rol kyç në këtë fazë”, – ka përfunduar Merkel.

Zgjedhjet parlamentare në Itali janë mbyllur me një diferencë tejet të ngushtë midis dy forcave kryesore. Qendra e majtë e Bersanit ka marrë 1% më shumë se Qendra e djathtë e Berluskonit. Asnjëra nga partitë nuk e formon dot e vetme qeverinë. Aludimet për formimin e qeverisë së re janë të shumta. Mediat italiane raportojnë se asnjëra prej palëve nuk po arrin të krijojë një marrëveshje për bashkëpunim. Kërkesës nga Bersani për koalicion, lideri i “Lëvizjes 5 Yjet”, tashmë forcë e tretë udhëheqëse, Beppe Grillo, i quajtur ndryshe edhe si “fituesi moral”, i është përgjigjur me ofendime dhe sharje publike, kundrejt figurës së “fituesit” të zgjedhjeve. “Partia jonë nuk ka në plan të pranojë marrëveshje, as me Bersanin e as me këdo tjetër. Ne do të jemi në parlament, për të votuar ligjet që na duken të arsyeshme, kushdo që t’i propozojë. Bersani prej ditësh vazhdon të na bëjë propozime të padenja, në vend që të japë dorëheqjen”, – deklaroi Grillo. Nga ana tjetër, Bersani i ka bërë thirrje BE-së që rezultatin e zgjedhjeve ta marrin si një mesazh që vjen nga italianët, të cilët votuan në mesin e një krize të rëndë ekonomike dhe duke vuajtur. “BE të mos bëhet e shurdhër”, i ka thënë ai Presidentit të Francës, Hollande, gjatë një telefonate të gjatë shkëmbimi mendimesh. Ndërkaq, Italia jo vetëm që nuk ka një qeveri, por përfaqësuesit politikë nuk kanë ende asnjë plan konkret për të formuar një të tillë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 27 February 2013 11:41

Romë – Rezultati i zgjedhjeve italiane ka rritur edhe më shumë frymën e kundërshtimit të masave të ashpra financiare në Greqi.

Në fillim përfaqësues të së Majtës Radikale dhe më pas ata të partive të tjera opozitare, kanë theksuar se politikat e kursimit, të imponuara nga Berlini e Brukseli, kanë sjellë popujt e Europës së jugut në limitet e tyre dhe se kështu BE nuk mund të ecë përpara, pasi në rradhë të parë ekzistojnë njerëzit, më pas tregjet financiare.

Në shumicën e titujve të gazetave vendase ndihet një gëzim që, atë që nuk bëri dot Greqia e vogël me zgjedhjet e saj, e bëri Italia e madhe.

“Basta” është titulli i opozitares Avriani. “Tërmet italian. Mesazh kundër Merkelit dhe masave të kursimit”, shkruan gazeta “To Ethnos”. “Basta Merkel, votuan italianët”, është titulli i gazetës “6 ditët”. “Shuplakë italiane te Merkel dhe masat e kursimit”, thekson Eleftheros Tipos.

Analistët vendas shprehen se mesazhi i italianëve ndaj Merkelit dhe politikave të Brukselit ishte se, ata mund të jetojnë pa euron, por Europa nuk mund të rrezikojë një Itali jashtë saj, apo për më tepër të paqeverisur, ndaj dhe grekët shpresojnë në një ndryshim të vijës së ashpër të Berlinit.

Duke parë edhe rritjen e protestave në Spanjë e Portugali, shumica e grekëve shprehin kundërshtimin ndaj politikave të kursimit dhe reformave të ashpra, të imponuara nga kreditorët, që nuk po sjellin asnjë rezultat, përveç recesionit të thellë, papunësisë së madhe dhe pabarazisë sociale.

I intervistuar për gazetën greke “Proto Thema”, komiku Beppe Grillo, që ktheu në dramë për Europën zgjedhjet italiane, me përqindjen që siguroi, thekson se i vjen keq që grekët u bënë kaviet e financave botërore.

Sipas tij, Greqia ishte e para që hyri në vorbullën e fuqive botërore ekonomike dhe duhet të jetë e para që do të dalë, duke u bërë qytetarët e saj më aktivë në qeverisjen e vendit.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 February 2013 16:52

Rome – Zgjedhjet parlamentare në Itali kanë përfunduar në një ngërç. Me të gjitha votat e numëruara, qendra e majtë e Pier Luigi Bersani ka mundur ish-kryeministrin Silvio Berlusconi në Dhomën e Ulët, por ka dështuar të sigurojë mazhorancën në Senat.

Nga ana e tij Berlusconi u dorëzua përsa i përket Dhomës së Ulët, por kontrolli në të dyja dhomat është i nevojshëm për miratimin e qeverisë.

Lëvizja e komedianit Beppe Grillo ka fituar çerekun e vendeve të Parlamentit, ndërsa blloku i kryeministrit aktual Mario Monti u rendit i katërti me rreth 10 për qind.

Rezultatet e zgjedhjeve, që vijnë në një kohë reçesioni të thellë dhe masash të forta anti-krizë, ishte aq i afërt sa që marzhi i fitores së dhënë nga shifrat e Ministrisë së Brendshme ishte më pak se 1 për qind në të dyja dhomat e Parlamentit.

“Është e qartë për këdo se vendi po përballet me një situatë shumë delikate”, deklaroi lideri i qendrës së majtë Pier Luigi Bersani.

Ndërsa Berlusconi tha se të gjithë tani duhet të reflektojnë për veprimet që duhet të ndërmerren në të ardhmen, ndërsa theksoi se përsëritja e zgjedhjeve duhet të shmanget.

Ai shtoi se nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me bllokun qendror të Mario Montit, duke thënë se rezultati i dobët i arritur nga kryeministri tregon pakënaqësinë ndaj masave anti-krizë të ndërmarra prej tij.

Me numërimin e përfunduar, Ministria e Brendshme dha këto shifra: blloku i majtë i Bersanit 29.54 për qind të votave në Dhomën e Ulët, me një avantazh fare të lehtë ndaj 29.18 për qind të votave të siguruara nga blloku i Berlusconit.

Ndërkohë, votimet e bëra jashtë Italisë duhet ende të llogariten. Zoti Bersani fitoi gjithashtu votën kombëtare për Senatin, por nuk mundi të siguronte 158 vendet e nevojshme për mazhorancën.

Duke qenë se ulëset shtesë në Dhomën e Lartë shpërndahen në bazë të votave rajonale, qendra e djathtë e Berlusconit pritej të fitonte një numër më të lartë vendesh.

Ish-kryeministri italian ka kryesuar me fitore në tre nga katër rajonet më të mëdha të Italisë, në atë verior të Lombardisë, atë të Kampanias në qendër dhe Siçilisë në ekstremin jugor të çizmes.

Bursat ndërkombëtare dëmtohen nga ngërçi

Sondazhet fillestare të së hënës i jepnin bllokut të zotit Bersani një fitore të pastër, duke bërë që vlera e aksioneve në bursën e Milanos të ngrihej me rreth 4 për qind.

Por, teksa diferenca e rezultatit sa vinte e ngushtohej, tregjet ranë sërish. Indeksi i bursës italiane FTSE MIB ra me 4.7 për qind, ndërsa ai i Londrës me 1.5 për qind, bashkë me bursat në Frankfurt dhe Paris që ranë me 2 për qind.

Në Nju Jork, mesatarja industriale e Dow Jones ra me 1.55 për qind, ndërsa tregjet aziatike pësuan një rënie mes 0.7 dhe 2.2 për qind.

Të ardhurat nga bondet qeveritare u rritën papritur, duke lënë të kuptohet se tregjet janë më të kujdesshme për mundësinë e huadhënieve për Italinë.

Ndarja mes së majtës dhe së djathtës në ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës ka gjasa të shkaktojë ankth mes liderëve në vendet e tjera anëtare të BE-së.

Beppe Grillo dhe “lufta e gjeneratave”

Korrespondenti i BBC, Gavin Hewitt thotë se tani do të verifikohet një periudhë tranzicioni, me blloqet politike që do të përpiqen të formojnë një koalicion. Por, me elektoratin e ndarë, shumë besojnë se zgjedhjet do të përsëriten brenda pak muajsh.

Berlusconi, 76 vjeç, la postin në nëntor të vitit 2011, duke u përballur me akuza për keqmenaxhim ekonomik, teksa eurozona përpiqej të frenonte krizën e borxhit në Itali. Italianët kanë më shumë se një vit që drejtohen nga një qeveri teknokratësh të kryesuar nga Mario Monti.

Por përpjekjet e tij për të reduktuar shpenzimet shkaktuan pakënaqësi tek publiku dhe vendimi i tij për të garuar në bllokun qëndror në zgjedhje bëri që ai të siguronte rreth 10 për qind të votave.

“Disa mendonin se do të kishim një rezultat më të mirë, por unë jam shumë i kënaqur. Madje, ne jemi shumë të kënaqur”, tha Monti.

Me një mbështetje në rritje, Lëvizja Pesë Yjet e Beppe Grillo siguroi 25.54 për qind të votave, duke e kthyer atë në partinë më popullore në Dhomën e Ulët që garoi e vetme.

Korrespondentët thonë se ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm për komikun xhenovez, turi i të cilit në mbarë vendin gjatë fushatës së zgjedhjeve, ku përdori fjalë fyese ndaj politikës klasike, rezultoi në performimin pozitiv të partisë së tij në të dyja dhomat.

“I kemi dhënë jetë një lufte gjeneratash. Ata janë të tërë dështakë, kanë në politikë 25 ose 30 vjet dhe e kanë kthyer këtë vend në katastrofë”, tha Grillo në një deklaratë audio në faqen e tij të internetit.

Duke qenë se suksesi i tij në këto zgjedhje u bë i qartë mbrëmjen e së hënës, mbështetësit e Grillos në qytetin e tij të lindjes, Xhenova, festuan deri në mëngjesin e së martës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 February 2013 16:29

ITALI– Qendra e majtë e Pier Luixhi Bersanit në Itali udhëheq në Ekxit Pollet e kryera menjëhere pas mbylljes së qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare. Sipas këtyre të dhënave të cilat ende nuk janë zyrtare, Bersani ka fituar 37 përqind të votave, e djathta e Berluskonit 31 përqind të votave, Pepe Grillo 16.5 përqind të votive, ndërsa Mario Monti 9 përqind të votave.

Sipas këtyre ekxit Polleve qendra e majtë e Bersanit kryeson si në senat ashtu edhe për në dhomën e deputetëve. Të gjitha vendet e eurozonëse po ndjekin nga afër zgjedhjet në ekonominë e tretë më të madhe të këtij blloku.

Edhe anketat e realizuara përpara zgjedhjeve i jepnin fitoren qendrës së majtë të Pier Luixhi Bersanit, të cilit mund t’i nevojitet aleancë me partinë e Mario Montit për krijimin e qeverisë së re. 

Nga të dhënat paraprake shënohet pjesëmarrje e ulët për politikat evropiane, ndërkohë rezulton më mirë pjesëmarrja për politikat rajonale. Numërimi do të fillojë nga rezultatet për Senatin, pastaj ato të Dhomës. Të martën parashikohet të vijohet për votimet në 14 rajone të ndryshme në vend. 

Këtë të dielë kutive te votimit iu drejtuan rreth 50 milionë qytetare, se bashku me rezidentet e huaj ne Itali.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 24 February 2013 18:06

ITALI – Mbi 50 milionë italianë votojnë sot për zgjedhjet e përgjithshme në Itali, të cilësuara si vendimtare për të ardhmen ekonomike të këtij vendi, të ndodhur në kushtet e krizës. Qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 22:00 sot, ndërkohë që do të rihapen nesër në orën 7 deri në 15.00.

Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër Mario Monti ka votuar në qendrën e votimit në sheshin ‘Sicilia’ në Milano. Ai mbërriti në këmbë i shoqëruar nga bashkëshortja, vajza dhe nipërit.

Pas votimit, Monti publikoi në Twitter foton duke votuar, si edhe ka shkruar se zgjedhjet janë esenciale për demokracinë e vendit.

Pas tij ka edhe Pier Luigi Bersani ka votuar në Piacenza, në qendrën e votimit të shkollës fillore “Renzo Pezzani” në rrugën Emmanueli. Ai është shoqëruar nga bashkëshortja Daniela Ferrari dhe vajzat Elisa e Margherita, ndërsa nuk ka nguruar të lëshojë edhe batuta për gazetarët.

Sondazhet e fundit kanë parashikuar fitoren e Pier Ligji Bersanit i cili udhëheq koalicionin e qendrës së majtë, por sipas analistëve është e nevojshme bashkëpunimi me Lëvizjen Lista Monti, udhëequr nga Mario Monti, i cili është vlerësuar si teknokrat i orientuar. 61-vjecari është njeriu që ka më shumë gjasa për të udhëhequr qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve.

Shtetet e BE dhe investitorët janë duke ndjekur nga afër gjithë procesin, pasi vendimet që pritet të marrë Italia në muajt e ardhshëm pas daljes së qeverisë së re kanë një impakt të madh për ekonominë europiane. Surpriza e kësaj fushate është shfaqja e Bepe Grillos, komediani popullor i cili ka trembur partitë politike. Ndërsa Silvio Berluskoni udhëheq koalicionin e qendrës së djadhtë. Ai ka apeluar se italianet duhet të votojnë në interesin e tyre, duke akuzuar Mario Montin se politikat e tij kanë dëmtuar imazhin e Italisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 December 2012 22:02

Romë – “Kam bindjen se nuk mund të vazhdohej kështu dhe preferova që vendimin tim ta bëj të ditur menjëherë e kur tregjet ishin të mbyllura”.

Kryeministri italian Mario Monti shpjegon me pak fjalë vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Pas një takimi me Presidentin e Republikës, Giorgio Napolitano, dje në mbremje, ai bëri të ditur se do të lërë postin menjëherë pas aprovimit të ligjit për stabilitetin, që me fjalë të tjera do të thotë përpara festave të fundvitit.

Në këtë mënyrë zgjedhjet do të mund të zhvillohen që në shkurt dhe jo në prill siç ishin të planifikuara nëse Silvio Berlusconi nuk do të kishte luajtuar edhe njëherë një nga gurët e tij politikë duke vënë sërish kandidaturën si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, pak kohë pasi pati thënë se do të tërhiqej.

Fillimisht partia e tij i hoqi mbështetjen qeverisë në Parlament, duke hapur praktikisht një krize politike, e më pas kryetari i Popullit të Lirisë, Silvio Berlusconi deklaroi “hyj në garë për të fituar, kërkuam një lider tjetër në gjirin e së djathtës, por nuk e gjetëm dhe jam i detyruar nga ndjenja e përgjegjësisë që të kandidoj për kryeministër”.

Tani shqetësimi mbetet për reagimin e tregjeve kur të hapen ditën e hënë. Nga ana tjetër një pjesë e mirë e eksponentëve politike të qendrës dhe të së majtës italiane e konsiderojnë kthimin e Berlusconit si një rrezik për Italinë.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 16:23

Tiranë -Punonjësit në të gjithë Bashkimin Europian janë bashkuar ditën e mërkurë në një seri protestash dhe grevash, kundër rritjes së papunësisë dhe masave shtrënguese.

40 grupime, nga 23 vende të ndryshme, janë përfshirë në këtë ditë proteste.

Grevat e përgjithshme në Spanjë dhe Portugali kanë paralizuar transportin, aktivitetin ekonomik dhe u shoqëruan me mbylljen e shkollave dhe universiteteve.

Në Madrid, përplasje të dhunshme ndodhën midis protestuesve dhe policisë.

Greqia, Italia dhe Belgjika gjithashtu po dëshmojnë manifestime popullore, të punëtorëve të irrituar nga masat e vazhdueshme shtrënguese, shkurtimet dhe rritja e papunësisë.

Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe disa vende të Europës Lindore janë bërë gjithashtu dëshmitare të manifestimeve sindikaliste.

Greva ka sjellë probleme të rëndësishme edhe me qarkullimin ajror, me disa qindra fluturime që janë ndërprerë gjatë ditës në Europë, për shkak të solidarizimit me grevën të punonjësve të disa aeroporteve të rëndësishëm.

Manifestimi i së mërkurës u organizua nga Konfederata Europiane e Tregëtisë. ”Masat shtrënguese janë një rrugë pa krye”, shkruhej në një deklaratë të publikuar nga KET-i, që kërkon politika më të fuqishme pro punësimit dhe stimulimit të rritjes ekonomike.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 November 2012 17:24

Madrid – Sindikatat e punëtorëve për nesër kanë lajmëruar për herë të parë mbajtje të protestave të përbashkëta kundër politikave të qeverive të cilët parashikojnë masa ekonomike për kursime.

Në Spanjë dhe Portugali greva e përgjithshme për herë të parë do të organizohet në të njëjtën ditë.

Greva do të ketë në Itali, Greqi, Maltë, dhe në pjesën e Greqisë të Qipros.

Në thirrje të Konfederatës të Sindikatave Evropiane me titull Dita e Evropës e solidaritetit dhe protestave, demonstrata do të mbahen në 23 shtete.

Greqia nga fillimi i vitit 2010 gjithsej 26 ditë ishte paralizuar nga grevat e përgjithshme të të punësuarve në sektorin publik.

Për herë të parë në histori Spanja në të cilën papunësia është 25 për qind, do të ballafaqohet me dy greva të përgjithshme për një vit.

Greva e nesërme e përgjithshme do të jetë e treta në 16 muajt e kaluar në Portugali, ku janë zvogëluar rrogat, ndërsa çmimet për transport, shërbime shëndetësore, tatime dhe harxhime të regjisë janë rritur.

Sekretarja e përgjithshme e Konfederatës Bernadet Segol paralajmëroi  protesta në 23 shtete në Evropës. Ajo tregoi në rëndësinë nga veprimi i përbashkët i qytetarëve nga të gjitha shtetet evropiane ku politikat për kursim kanë nxitur dobësim të ekonomive, ndërsa Unioni Monetar është në  prag të shkatërrimit.(LajmeShqip.com)

12