Lajme Shqip Wednesday, 10 April 2013 20:40

Bruksel – Komisioni Europian paralajmëroi Spanjën dhe Slloveninë për problemet e tyre në buxhet, duke i kërkuar që të marrin masa të menjëhershme për të zgjidhur mosbalancimin e ekonomive të tyre.

E zhytur në recesion dhe me një borxh të lartë kombëtar, Spanja i është adresuar më parë Brukselit, për një hua madhore shpëtimi, ndërsa Sllovenia pritet që të shndërrohet në vendin e ardhshëm pas Qipros, që të ketë nevojë për paketa shpëtimi.

Në një vlerësim të Komisionit, të publikuar të mërkurën, shkruhej se këto dy shtete janë më të keqpozicionuara, nga 13 vendet e BE-së të marra nën shqyrtim.

Në rekomandimet e tij, Brukseli i kërkonte Madridit një “program radikal reformash”, brenda muajit prill.

Me borxhin që rrezikon të dalë jashtë kontrollit, papunësinë në rritje dhe ekonominë në rënie, Spanja është duke përjetuar një moment dramatik ekonomik.

Së bashku me Greqinë, Spanja është vendi i vetëm europian ku më shumë se gjysma e të rinjve të grupmoshës 18-25 vjeç, që kërkojnë punë, nuk janë në gjendje ta gjejnë një të tillë.

Përsa i përket Sllovenisë, Brukseli evidentoi se bankat janë të zhytura në vështirësi serioze dhe duhet një “veprim urgjent për të drejtuar situatën”.

Komisioni vlerësoi se 11 vende të tjera të ekzaminuara, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Franca, Italia, Hungaria, Malta, Holanda, Finlanda, Suedia dhe Britania po përjetojnë “mosbalanca makroekonomike” të një niveli më të ulët dhe më pak shqetësues.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 09:30

Tirane – Marrëveshja e nënshkruar dy ditë më parë parashikon një paketë financimesh prej 30 miliardë euro për dy vitet e ardhshme që do shkojnë për 18 vende të rajonit, lista e të cilave nis me Shqipërinë. Lajmi është bërë publik nga një deklaratë e përbashkët e tre presidentëve të këtyre institucioneve.

Qëllimi kryesor i paketës do të jetë rigjallërimi dhe rritja ekonomike në rajon, i cili po vuan pasojat më të mëdha nga kriza e Eurozonës. Shumica e vendeve jo vetëm që kanë parë tkurrje të fortë të rritjes ekonomike, por tashmë po përballen me një recesion të dytë. Paralelisht, kriza ka goditur edhe financat publike duke i vënë qeveritë në rrezikun e borxheve të rritura.

Këto kanë qenë arsyet se pse donatorët kanë vendosur të ndërhyjnë me një plan emergjent, i cili bazohet mbi modelin që u përdor në vitin 2009 për të mbështetur me likuditet sektorin financiar në disa vende të Europës Qendrore, që rrezikoheshin nga falimente masive bankash. Këtë herë, plani do të jetë një kombinim kredish të buta për qeveritë, por edhe financime direkte për sektorin privat, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në disa sektorë, përfshirë edhe energjinë e rinovueshme.

Paketa duket një mundësi e mirë për Shqipërinë, jo vetëm për të lehtësuar krizën e financave të qeverisë duke zëvendësuar borxhin e shtrenjtë me kreditë e lira, por edhe për të injektuar kapitale të reja në treg, ku bizneset prej kohësh përballen me mungesë likuiditeti. Por ajo që mbetet për tu parë është se sa do të jetë e aftë Shqipëria të thithë nga paketa 30 miliardë euro. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 04 November 2012 08:05

Berlin -“Duhet të mbajmë frymën edhe për të paktën 5 vjet. Është e nevojshme të jemi të rreptë për të bindur botën se investimi në Evropë është fitimprurës”, ka deklaruar Merkel.

Kancelarja, nën drejtimin e të cilës Gjermania i bëri ballë krizës ekonomike globale, ka shtuar se shumë investitorë nuk besojnë se vendet e BE-së do t’i mbajnë premtimet e tyre.

Një ditë më parë, në një editorial të rrjetit amerikan “CNN” thuhej se vendet europiane vazhdojnë të ndiejnë thellë pasojën e krizës së borxheve dhe të euros, duke kërcënuar rritjen ekonomike në mbarë botën.

Në këtë editorial argumentohej se, pavarësisht rritjes së pandalshme të ekonomisë kineze dhe zhvillimeve pozitive në SHBA, ekonomia europiane po frenon rritjen duke kërcënuar me stanjacion ose reçesion shumë vende të tjera të planetit.

”Në momentin kur ky reçesion do të përfundojë, Europa do të përballet me faktin se nuk është më atje ku ka qenë dhe se përpara se të mendojë për rritje, duhet të bëjë të mundur që të rikthehet atje ku ishte”, deklaroi Kevin Dunning, një ekspert ekonomik në Londër.

Banka Qendrore Europiane ka marrë disa masa për të qetësuar tregjet e lëkundura financiare, por ekonomistët presin që vendet europiane të vazhdojnë të vuajnë efektet e krizës edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, papunësia mesatare e 27 vendeve të BE-së u rrit me 11,6% në tetor, me sektorin industrial që pësoi një rënie për të 15-tin muaj radhazi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 20:06

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha nisi një konferencë për shtyp me mediat rreth orës 18:00 të pasdites, ndërsa u tregua i hapur të përgjigjet para gazetarëve për cdo lloj pyetje dhe për cdo lloj cështje. Greva e ish-të përndjekurve, takimet me nxënësit e shkollave, buxheti, të ardhurat nga privatizimet, statusi në BE ishin disa nga temat që kryeministri preku në këtë konferencë.

Ai u ndal të komentojë ndër të tjera edhe akuzat e vazhdueshme të Partisë Socialiste për Ministrinë e Mbrojtjes, e ministrin Imami lidhur me shitjen e armëve kompanive të dyshmita serbe, e njerëzve që bëjnë pjesë në listën e zezë të OKB-së, sic pretendojnë socialistët. Për Berishën kjo është një fushatë e organizuar shpifjesh, ndërsa akuzoi opozitën se është e përlyer në trafiqe të shumëllojshme. “Është një fushatë e organizuar, e strukturuar shpifjesh, trillimesh banale ndaj një institucioni që përfaqëson vendin me dinjitet edhe në zonat më të nxehta ku vendi operon. Në rast se e keni ndjekur për 2 muaj rresht shpifën dhe trilluan se është përgjuar opozita e amabasadat dhe nuk sollën dot dhe as një fakt të vetëm. E vërteta është krejt tjetër, këtyre iu djeg shumë tregtia transparente se kanë histori lyerjesh dhe përlyerjesh në trafiqe, të përfolura dhe të denoncuara, të shumllojshme”, komentoi ai. 

Kryeministri Berisha shtoi më tej se dokumentat e publikuara nga deputeti Brace përbëjnë sekret shtetëror, prandaj sic tha ai, “Botimi i dokumentave të klasifikuara për llogari të atyre që i paguajnë, ata që e bëjnë kryejnë vepër penale, do përgjigjen para ligjit. Tregtia e armëve është legjitime. Ata që veprojnë për llogari të grupve të trafikut, do përgjigjen para ligjit”, tha ai.

Ish-të burgosurit do marrin c’ju takon me ligj, PS iu tregoi brrylin
Duke folur për grevën e të burgosurve politikë Berisha tha se të gjitha gjërat që i takojnë me ligj të gjithë ish-të burgosurit do t’i marrin, ndërsa nuk nguroi ta cilësojë atë si grevë politike. Berisha komentoi se në një vend demokratik lejohen protestat, ndërsa tha se gjatë gjithë kohës që partia e tij ka qënë në qeveri e ka mbështetur dhe dëmshpërblyer këtë kategori. “Shqipëria vend i lirë, në këtë vend janë të garantuara protestat paqësore. Për sa i përket kapitullit të të përndjekurve politikë që në themelim të saj kjo parti i ka ata aleatë të saj dhe në epiqendër të vëmendjes”, tha Berisha, ndërsa akuzoi të majtët që në 8 vjet qeverisje nuk bënë asgjë për ish-të përndjekurit politikë.

“Në 8 vjet PS i privoi nga të gjitha të drejtat ligjore. Nuk mund të shkruani ju gazetarët as një fakt të vetëm, ndihmë, dëmshpërblim që PS i dha kësaj shtrese të martirizuar. Di që 4 a 5 i bëri konsuj e ambasador për të thënë që i kemi ndihmuar, ndërsa të tjerëve ju tregoi brrylin”, komentoi Berisha. 

Berisha komentoi më tej se qeveria e tij ka hartuar një kuadër të plotë ligjor për këtë kategori. “Kur erdhëm në pushtet hartuam një kuadër ligjor unik në mbarë Europën dhe Botën. Kurrë nuk do gjeni një kuadër ligjor të tillë, e kanë përcaktuar vetë ata. Ka faturë të madhe, por është i drejtë, dëmshpërblimi për ditën e ndëshkimit. Ne parashikojmë dëmshmpërblim të plotë për vitet e burgut, ekzekutimin dhe format e tjera, kemi shpërndarë miliarda lekë, gjatë këtyre viteve, kjo është e vërteta. Kjo shpërndarje, janë mbi 11 mijë dosje, për secilën prej këtyre dosjeve është dhënë kësti i parë, vazhon dhënia e këstit të dytë, është marrë një vendim me këkresën e tyre që të kenë përparësi ata që janë mbi 65 vjec, është marrë edhe një vendim që t’ju jepet e gjithë shuma atyre që janë mbi 85-vjec”, shtoi ai. 

Kryeministri tha më tej se të gjithë ata që kanë hyrë në grevë e kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit, ndërsa tha se një gjë e tillë nuk ka qënë e mundur për ata që s’kanë dorëzuar në kohë, sic përcakton ligji dokumentacionet. “Unë kam respekt për cdo lloj kundërshtie politike ndaj meje, kur këta përdorin kamerat dhe thonë s’kemi marrë asnjë këst, thonë një të pavërtetë të madhe. Unë sot ju them se në mënyë absolute kanë marrë këstin e parë, në përputhje me ligjin edhe të dytin, ligji thotë që duhet të jenë mbi 65 vjec. Kush ka dorëzuar dokumentat në afatn ligjor kanë marrë atë që ju takon, ata që s’kanë dorëzuar dokumentat s’kanë marrë asgjë”, komentoi ai më tej. 

Takimet në shkolla, Berisha: Biseda me nxënësit interesant jo fushatë, do vijojë
Duke iu referuar akuza se kryeministri po përdor një retorikë të ashpër politike me nxënësit gjatë ceremonive të përurimit të shkollave të reja në vend, Berisha vlerësoi se bashkëbisedimi me ta ishte më interesanti, pasi bëhet fjalë për ëndrën jo vetëm të vendit, por ëndrrën e të ardhmes së tyre Europiane. “Diskutimi me të rinjtë është nga më interesantët dhe aspiruesit në jetën time. Unë nuk kam deklaruar se Edi Rama po trillon kur flet për 1 milionë të papunë. Unë nuk ju kam deklaruar se Edi Rama po dezinformon kur thotë se ka një kolaps të biznesit të vogël. Unë kam përzgjedhur të diskutoj një gjë shumë të madhe për ta dhe vendin. Ëndrrën e tyre. Pasi ëndrrat më të pastra i kanë ata. I them Ramës mos u shqetëso fare, në takimet e mija me ta nuk do ketë temë tjetër përvec ëndrrës së tyre evropiane. Sot ata janë shumë larg nga ajo që ne mund të mendojmë me ta. Sot ata në atë moshë kanë një dialog që ne se kemi pasur. Kush mërzitet të fikë televizorin”,- deklaroi Berisha. 

“Fushata fillon sipas kodit midis datës, nga 10 -15 maj ndaj gjer atëherë nuk bëhet fjalë për fushatë elektorale. Ju garantoj se unë do respektoj fushatën. Për herë të parë në historinë e këtij vendi unë dekretova përjashtimin e të gjitha mjeteve të administratës në fushata dhe kjo ndodhi. Se të kujtohet ty, kur unë mora makinë me qera dhe kundërshtarët me thanë ke blerë makinë të rej. Kjo do të ndodhë edhe ne fushatën e ardhshme. Unë mbetem i angazhuar në këtë zotim”,- shtoi Berisha.

Statusi, Berisha: Rama do pazare, as Shesheli me Millosheviçin nuk e bënin
Kur vetëm pak ditë na ndajnë nga marrja e përgjigjes së progres-raportit të bërë nga Shqipëria për rrugën e saj Europiane, kryeministri Berisha theksoi se ai është një proces i cili bazohet tek meritokracia. Numri 1 i ekzekutivit akuzoi kreun e opozitës Edi Rama se po përpiqet të bëjë pazare me statusin në një moment vendimtar, ashtu sic bëri me liberalizimin e vizave. “Unë marr këtë proces si proces të merituar. Se cili do jetë vendimi nuk mund të them, por si qeveri dhe personalisht bëj gjithçka për të përmbushur ato detyrime që rrjedhin nga ky proces që i bën qytetarët shqiptarë më të lirë dhe të begatë. Ndaj i besoj këtij procesi, natyrisht ky është një proces jo vetëm i angazhimit qeveritar, por sic është bërë i ditur kërkon angazhimin e të gjithë faktorëve politikë, nuk është sekret për askënd se në Shqipëri si në asnjë vend të Europës, as Shesheli as partia e Milloshevicit nuk janë ngritur dhe kanë bllokuar reformat sic ka bërë grupi i neobllokmenëve. Në vitin e parë qëndruan jashtë Kuvendit. Vitin e dytë u organizua përpjekja për të rrëzuar qeverinë si në asnjë rast tjetër dhe u rrethua KQZ, për të marrë mandat me dhunë. Unë bënë përpjekje më të papranueshme për bllokimin e vizave me vallen e famshme hap kutitë të cliroj vizat. Këto në gjeografinë politikë të europës nuk ekzistojnë.”,- deklaroi Berisha. 

Kryeministri Berisha duke ju referuar ‘mollës së sherrit’ e cila nga nxehur gjakrat mes palëve politike, shprehu vullnetin për të zbatuar cdo vendim gjykate, por duke shtuar se Rama do të ndikojë Gjykatën e Lartë me cështjen e Qarkut të Fierit. “Cfarë kërkon ai që ato që ka hedhur poshtë Gjykata e Lartë ti hedh poshtë. Rama kërkon mocionin aktual të qarkut të Fierit, pasi 50 këshilltarët nuk të votojnë ty, por ai kërkon tek unë pazar, sic bënte hap kutitë të liberalizohen vizat. Jam i vendosur të respektoj cdo vendim gjykatash, por parime themelore nuk shkelen. Në ligjet për vendorët në dy nene, sanksionohet të drejtën e këshillave të bashkive dhe komunave për të zgjedhur dhe shkarkuar përfaqësuesit në këshillin e Qarku. Ai përdor këto si pretekst.”,- theksoi Berisha. 

Reklamat shtetërore, qeveria i ndau vetëm për 3 TV kombëtare
Kryeministri Birisha duke theksuar se qeveria e tij 4 deri 6 herë më pak shpenzime për reklama se qeveritë e rajonit, theksoi se ajo i ka shpërndarë reklamat e saj vetëm në 3 TV Kombëtare. “Qeveria ime është e detyruar me Kushtetutë, të informojë qytetarët shqiptarë dhe nëse ka një gjë që e ka lënë mangut është reklama dhe informimi mediatik në shtypin e shkuar dhe mediat elektronike, ne kemi shpenzuar 4 deri 6 ehrë më pak se cdo qeveri e rajonit. Ne i jemi përmbajtur parimit 3 TV Kombëtare, po të kishim para absolutisht secilit prej jush do i jepnim, fryma është e ndarjes së barabartë. Qeveria nuk sulmon asnjë media, respekton cdo media”,- deklaroi Berisha.

Prokuroria, Berisha: I takon presidentit, kam besim tek Nishani
Teksa mandati i kryeprokurores Ina Rama po shkon drejt fundit, shefi i qeverisë theksoi se kreu i ri i organit të akuzës i takon me Kushtetutë Presidentit të Republikës.
“Unë duhet të siguroj qytetatër shqiptarë, se kjo mazhorancë është e vendosur të respektojë ligjet e vendit, pavarësinë dhe ndarjen e institucioneve të vendit, kam besim të plotë tek trajtimi dhe mënyra e ushtrimit të kompetencave nga ana e presidetiti. Sic e dini Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti dhe votohet në Kuvend. Nuk kam asnjë koment tjetër përvec besimit se zoti Nishani do zbatojë me përpikëmëri ligjet dhe Kushtetutën e vendit, që është votuar në Parlament. ”, – theksoi Berisha. 

Zgjedhjet, Berisha: Lajtmotivi i Ramës, të bashkojë fundërrimat kundra meje
Duke iu referuar zgjedhjeve të 2013, sipas kryeministrit Berisha, opozita e ka bërë zgjidhjen e saj thirrjet e fundit kundra qeverisë, ndërkohë shtoi se edhe këtë radhë do marrin disfatën.“Ju e dini se problemi i zgjedhjeve të qershorit Rama e ka zgjidhur, fundërrina bashkoheni të mundim Berishën, të ndalemi tek ky lajtmotiv që kanë zgjedhur, e para kjo është fyerje shumë e rëndë e së matjës, nëse dilet me moton të bashkohemi me cdo fundërrimë të mundim Sali Berishën, imagjinoni se cfarë kënete do ketë përballë Berisha. Së dyti me duhet të them se këta nuk do kenë disfatën, por fshesën. 

Kryeministri Berisha theksoi se i takon financimit kodi elektoral ka rregulla transparente, ndërkohë vlerësoi se beteja do jetë shumë e bukur, pasi PD qëndron me kuotat më të larta të mbështetjes ndër vite sipas tij. “Nga një anë kam thirrjen e tyre bashkohuni kundër Berishës, nga ana tjetër kam Partinë Demokratike në kuatoat me të larta në historinë e saj. Beteja që vjen do jetë betejë e shkëlqyer e bukur, më vjen keq që kundërshtari im i lejon vetes, motive nga zëdhënësit e saj më besnikë, e fyen të majtën që i thotë të bashkohemi me cdo fundërrimi, duke i thënë bashkohuni me Berishën. Kodi i ri ka përcaktaur rregulla me transparente sa i përket financimit. Më detyrove të bëj analizë të hershme të një problemi, por nuk mund të mos bëhem edhe njëherë avokat i së smajtës. Mbase nuk më takon, por kur fyen të majtën duhet t’aa transmetoj”,- tha Berisha. 

Të ardhurat e privatizimeve, destinacion qytetarin
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se, të ardhurat e privatizimeve do të kenë si destinacion kryesor qytetarin. “Ato do të shndërrohen në rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime, në rritje të re të rrogave dhe pensioneve, politikë kjo konstante e jona”, u shpreh Kryeministri. “Shqiptarët e kanë të qartë, ne nuk i largohemi detyrimit tonë. Ato do të shndërrohen në mbështetje të fuqishme të biznesit dhe zhvillimit rural. Të mos harrojmë që investimet kolosale janë bërë në Shqipërinë rurale”, tha Berisha.

Në lidhje me buxhetin 2013, Kryeministri theksoi se, “buxheti 2013 do të jetë më i madhi në histori. Shqipëria do të vijojë axhendën e saj për të qenë një vend i zhvilluar brenda vitit 2017. Buxheti do të garantojë rritje makorekonomike. Buxheti mbetet një megabuxhet që vendi nuk e ka njohur më parë”. Sipas Kryeministrit, gjithçka synojmë është nxitje e rritjes ekonomike dhe të punësimit. “Qëllimi përfundimtar i të gjitha reformave tona, është punësimi. Dhe kjo po funksionon. Nuk them se nuk ka të papunë, por papunësia po ulet sipas të gjitha statistikave”, tha kreu i qeverisë.

FMN nuk ka vënë në diskutim rritjen ekonomike në Shqipëri
“FMN nuk ka vënë në asnjë rast në diskutim rritjen ekonomike të shpallur në Shqipëri, por në shumë raste ka korrigjuar parashikimin e saj”, deklaroi sot Kryeministri Sali Berisha. Berisha tha se, “ka një histori 6 vjeçare të një diskordance madhore mes parashikimit të FMN-së dhe rritjes së vërtetë ekonomike në Shqipëri”. “FMN është një institucion shumë serioz, gjigand dhe shumë i rëndësishëm me vështrim global, i cili nuk pretendon të ketë monopolin e të vërtetës, por ka meritën që kur nuk parashikon saktë e korrigjon”, tha Berisha. Ai theksoi se “nuk është qeveria shqiptare që ka korrigjuar aq shumë parashikimin e saj, por FMN ka korrigjuar parashikimin e tij për Shqipërinë”. “FMN nuk ka vënë asnjëherë në diskutim rritjen ekonomike të shpallur, sepse në çdo rast është e ftuar të marrë dokumentacionin dhe ta shqyrtojë dhe ka patur raste që e ka bërë këtë. Midis parashikimeve të FMN-së dhe rritjes konkrete në Shqipëri ka patur dallime disa herë”, tha Berisha.

Përsa i përket taksës së biznesit, Berisha kujtoi se “kjo taksë sot është 67 mijë lekë ndërsa Edi Rama e kishte vendosur 147 mijë lekë”. “Sot ne morën një vendim që kushton shumë më tepër për buxhetin siç është heqja e TVSH-së për makineritë. Kjo për buxhetin do të thotë 3 herë më shumë humbje, por në fakt kjo masë nxit punësimin, inkurajon sipërmarrjet dhe instalimin e ndërmarrjeve prodhuese”, tha Berisha.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 11:43

TIRANË – Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi të martën se, ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës globale, por parashikimi për një rritje ekonomike prej 4.3 % bie për shkak të presioneve të saj.

Përkrah Shefit të Misionit të FMN-së për Shqipërinë dhe Guvernatorit të BSH-së Ardian Fullani, pas rreth 10 ditë bisedimesh mbi zhvillimet ekonomike shqiptare, Bode pranoi se rritja ekonomike për vitin 2012 do të bjerë me 1.3 % duke e çuar atë në 3 % nga 4.3 % që ishte objektivi në këtë fillimvit.

Rritja ekonomike, sipas Bodes, pësoi ritme rënie për shkak të një niveli më të ulët të kërkesës së brendshme vetëm 5.7 %, rritjes jo në nivelet maksimale të eksporteve, por edhe një pjesëmarrjeje më të ulët të sistemit bankar në treg.

Por ai vlerësoi se politikat e ndjekura nga qeveria ishin adekuate, koherente me zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe në rajon e më gjerë, por dhe të kujdesshme. Bode tha se objektiv i qeverisë edhe gjatë vitit 2012 mbeti ruajtja e stabilitetit makroekonomik. “Synimi ynë ka qenë ruajtja e nivelit të borxhit publik prej 60 % dhe e defiçitit buxhetor në të njëjtat parametra”, tha Bode. Ai pohoi se, në terma real borxhi publik shqiptar vërtet është më i larti në rajon, por tha ai, është më i parrezikshmi, pasi shërbehet me instrumenta tërësisht të brendshme dhe pëmes kredive të zhvillimit me terma afatgjata dhe norma të buta interesi, por gjithsesi ritmet e rritjes së tij përgjatë periudhës së krizës ishin ndër më të ulëtat . “U rrit vetëm 3-4 %, kur vendet e rajonit ose e kanë dyfishuar atë, ose vijojnë me shpejtësi të kapërcejnë limitet”, tha Bode.

Viti 2012, nënvizoi Bode, përkoi edhe me komunikimin e presionit të krizës edhe përmes një tjetër kanali, atij të sistemit bankar ku një prej bankave më të mëdha të ekonomisë shqiptare shënoi një ulje të ekspozimit të saj në ekonominë shqiptare çka ngadalësoi ritmet e kreditimit për ekonominë reale por edhe ritmet e mbështetjes së pjesëmarrjes në tregjet e bonove të thesarit në tregun financiar shqiptar.

Ky vit, sipas tij, ka edhe faktorë të tjerë që nuk lidhen me ekonominë dhe zhvillimet e saj, por që ka të bëjë me situatën energjetike që lidhet me situatën e reshjeve hidrike ku bazohet edhe prodhimi ynë i energjisë elektrike, ashtu si me performancën e hallkave të këtij sistemi, e cila kushtëzon shumë këtë zinxhir energjetik që funksionon në ekonominë shqiptare dhe që me mosfunksionimin e tij korrekt, ka impakte mbi zhvillimet e ekonomisë sot dhe në të ardhmen.

Kreu i financave publike tha se, reforma strukturore është një tjetër element i ndërmarrë nga qeveria për të krijuar një axhendë rritjeje dhe për të suportuar ritme të larta rritje, kur mundësitë e tjera ekonomike e financiare e stimujt fiskal bëhen gjithnjë e më të kursyer.

Kjo reformë, tha ai, përfshiu një sërë fushash që kanë të bëjnë me lehtësi ndaj biznesit, mundësitë për të tërhequr investitorët e huaj, kapacitetet për të gjeneruar punësim, dhe një sërë aspektesh të tjera.

“Kemi një axhendë intensive për privatizimet në sektorë energjetik të cilët do të mundësonin hapësira të reja për mbështetjen ekonomike në periudhën afatmesme “, u shpreh Bode.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 09:02

TIRANË- Çdo shqiptar duhet të paguajë 2 mijë e 70 euro që vendi të mos ketë më borxh. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të qershorit stoku i borxhit publik të vendit arriti në 800, 9 miliardë miliardë lekë, ekuivalent me 5,8 miliardë euro. Duke e pjesëtuar këtë shifër me numrin e popullsisë prej 2.8 milionë banorë në bazë të censusit të INSTAT, rezulton një borxh prej 2070 eurosh për secilin prej nesh.

Kjo shifër është shumë e lartë po të krahasohet me të ardhurat për frymë, që sipas kuadrit të ri makroekonomik të miratuar në gusht nga qeveria, rezultojnë mesatarisht 3200 euro në vit. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë qartë rritjen e vazhdueshme të borxhit krahasuar me fundin e vitit 2011, pra vetëm në 6 muaj borxhi është thelluar me 28.2 miliardë lekë. Ajo që vihet re është një rritje më e madhe e borxhit të brendshëm, pra qeveria gjatë këtij viti ju ka marrë më shumë borxh qytetarëve të saj sesa partnerëve të huaj.

Kështu, borxhi i brendshëm arriti në fund të qershorit nivelin e 453,1 miliardë lekëve duke shënuar një rritje prej 14.6 miliardë kundrejt fundit të 2011-ës. Ndërsa borxhi i jashtëm llogaritet 347.7 miliardë lekë me një rritje prej 13.8 miliardë për pjesën e parë të këtij viti.

Mbajtja nën kontroll e borxhit brenda kufijve të 60% të PBB është shndërruar në një sfidë për qeverinë. Në kushtet kur të ardhurat nuk po realizohen sipas planit, për shkak të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, qeveria është detyruar të shkurtojë shpenzimet, ndërkohë që shpresa e vetme për të mbushur buxhetin mbetet privatizimi i kompanisë Albpetrol. Niveli i lartë i borxhit është edhe në qendër të diskutimeve që misioni i FMN, prej disa ditësh po zhvillon me qeverinë shqiptare.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 23 August 2012 14:34

Vilnus – Gjermania dhe tre shtetet baltike e paralajmëruan BE-në për rrezik nga ndarja e Evropës Veriore dhe Jugore në momentin kur kriza debitore po e minon besimin midis shteteve-anëtare, thuhet në mesazhin ministror të publikuar sot në Vilnus.

“Besimi midis fqinjve evropian dhe besimi në Evropë – projekti ynë i përbashkët, është në bazën e bashkësisë”, theksojnë ministrat e punëve të jashtme Guido Uestervele (Gjermani), Audronjus Azhubalis (Lituani), Edgars Rinkeviçs (Letoni) dhe Urmas Paet (Estoni).

“Bashkëpunimi në Evropë nuk është diçka që mund të themi se tashmë është vërtetuarm siç na përkujton kriza debitore. Tani kemi krizë të thellë të besimit dhe bazat për besim”, theksojnë ata.

“Disbalanci nuk rrezikon vetëm ekonomitë kombëtare ng eurozona. Gjithnjë e më fuqishëm po largohen edhe debatet kombëtare për Evropën”, konstatojnë ata. Dy delada pas rënies së Murit të Berlinit kontinenti është nën kërcënim për ndarje të re – kësaj here midis veriut dhe jugut”, konsideorjnë ministrat.

Pritet që ata sot në Rigë të bisedojnë për çështje rajonale midis të cilave edhe sektori sigurisë dhe mbrojtjes. Ministrat i përshëndetën reformat e suksesshme në shtetet baltike.

Autorët e mesazhit e kritikuan paktin për mossulmim të lidhur para 73 vjetëve nga Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik. Në shtator të vitit 1939 BRSS-ja e sulmoi Poloninë dhe pasatj i anektoi shtetet baltike në vitin 1943. Ky pakt “hapi rrugë për politikë të padrejtë dhe jonjerëzore e cila shkaktoi varfëri katastrofike në Evropë”, theksojnë ministrat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 11:16

Ankara -Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë. Ahmet Davutoglu, vlerësoi sot gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha, arritjet e rëndësishme të Shqipërisë, në veçanti performancën e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se ekonomia shqiptare, falë politikave dhe reformave të suksesshme të qeverisë i ka qëndruar kësaj kohe të vështirë për ekonominë globale. 

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, ministri Davutoglu uroi Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në takim u vlerësua edhe rritja e madhe e shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis dy vendeve gjatë këtyre 5 viteve, e cila ka kapërcyer vlerën e 400 milionë dollarëve dhe e investimeve turke në Shqipëri, të cilat i kanë kapërcyer një miliardë dollarë. Sipas tyre, kjo dëshmon për besimin që investitorët dhe biznesi turk kanë në ekonominë shqiptare dhe politikat e qeverisë, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznes e investime.

Ministri Davutoglu i shprehu Kryeministrit Berisha gatishmërinë e ministrisë dhe shërbimit diplomatik të Turqisë për të zhvilluar modelet më të shkëlqyera të bashkëpunimit me shërbimin diplomatik shqiptar, përfshi edhe ofrimin e shërbimeve konsullore apo të tjera për qytetarët shqiptarë në përfaqësitë turke nëpër botë, në ato vende ku nuk ndodhen përfaqësi diplomatike shqiptare.

Kryeministri Berisha e falënderoi ministrin Davutoglu për këtë gatishmëri bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe shfrytëzoi rastin për t’i përsëritur mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vijimësi Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 13:24

Tiranë – Industria rezulton sektori më i prekur direkt nga kriza ekonomike botërore gjatë vitit 2011 në ekonominë shqiptare, pasi degët kryesore të saj lidhen direkt me tregun e huaj, ndërsa sektorët e tjerë shënuan rritje.

Sipas INSTAT-it, grupi i industrive pati rënie ekonomike me 7.8% në 3-mujorin e katërt 2011 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Rënia e shoqëroi këtë sektor edhe në 3-mujorin e fundit 2011 dhe krahasuar me tremujorin e tretë, llogaritet me 5.8%.

Ndryshe prej saj, degët si bujqësia, transporti, postë-telekomunikacioni, shërbimet dhe ndërtimi në vitin 2011 patën tregues ekonomikë në rritje edhe pse me oshilacione nga një 3-mujor në tjetrin. Në tërësi, në vitin 2011 Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit 3.1% ndaj vitit 2010.

Aktiviteti bujqësor në 3-mujorin e katërt 2011 krahasuar me të njëjtin tremujor të 2010-tës u rrit me 1.9% dhe 0.9 % kundrejt 3-mujorit të tretë 2011. Ndryshe nga viti 2010, sektori i ndërtimit në 3-mujorin e katërt 2011 u rrit 1.2%, por u ul me 2.6%, krahasuar me 3-mujorin e tretë 2011.

Pavarësisht krizës ekonomike, rritje shënuan aktivitetet ekonomike për grupin “Tregti, Hotele dhe Restorante”  gjatë vitit 2011. Ky grup u rrit 8.8% në 3-mujorin e katërt 2011, krahasuar me të njëjtin tremujor të 2010-tës dhe 2.7% në krahasim me tremujorin e tretë.

Aktiviteti ekonomik në sektorin e transportit në 3-mujorin e fundit 2011 pësoi rritje të ndjeshme, krahasuar me vitin 2010, e cila llogaritet nga INSTAT në 15.4% më shumë. Por nga ana tjetër, rritja e çmimit të karburanteve ndikoi në uljen e aktivitetit, çka krahasuar me 3-mujorin e tretë, llogaritet me 1.7% më pak.

Rritje të aktivitetit ekonomik shënoi në 3-mujorin e fundit 2011 edhe dega e post komunikacionit, me 3.8%,  krhasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Rritja e aktivitetit ekonomik në këtë sektor vijoi përgjatë  tremujorëve, ku llogaritet me 3.3% më shumë edhe ndaj 3-mujorit të tretë 2011. Gjithashtu dhe dega e shërbimeve në tremujorin e fundit 2011 u rrit me 5.4%, kundrejt të njëjtës kohë të 2010-tës dhe 1.6% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë 2011. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 17:15

Beograd- Kroacia dhe Sllovenia janë më shumë të goditura nga kriza ekonomike botërore nga shtete e ish Jugosllavisë, ndërsa më pak Mali i Zi dhe Maqedonia.

Siç njoftoi Tanjug duke ju referuar analizës të dorëzuar nga analisti ekonomik Zdravkoviç prej fillimit të krizës ekonomike botërore në vitin 2008 numri i përgjithshëm i të punësuarve në Kroaci u ul për 9,9 për qind, që është më së shumti.

Në Slloveni numri i të punësuarve është ulur  për 9,2 për qind, në Serbi 6,4 për qind, në Mal të Zi 3,1  për qind  dhe në BeH 2,6 për qind.

Numri i përgjithshëm i të punësuarve në administratën shtetërore, shëndetësi dhe arsim është ulur vetëm në Malin e Zi 2,5 për qind, ndërsa më shumë në BeH -7,7 për qind.

Në Serbi në këto tre sektore ka rritje për 3,1  për qind, në Kroaci 3,7 për qind në Slloveni pesë për qind.

Rritje më të madhe të pagës në këtë periudhë ka Mali i Zi-12, 8 për qind dhe vijojnë Sllovenia 10,4, Serbia tetë për qind dhe BeH 6,8 për qind dhe Kroacia 0,1 për qind.

Rritje më të madhe e fitimit mestar pa tre veprimtaritë ka në Mal të Zi 13,7, Slloveni 11,7 dhe Serbi 11,3 për qind. BeH ka pasur rritje prej 7,1 për qind dhe Kroaci 0,8 për qind.

Fondi i fitimit të paguar është rritur në Mal të Zi 9,3 për qind  në BeH 4,1 për qind, Serbi 1,5 për qind, Slloveni 0,3 për qind derisa anë Kroaci është ulur 9,1 për qind. (LajmeShqip.com)