Lajme Shqip Sunday, 06 April 2014 16:29

Shaban Terziu, i cili thotë se ka shërbyer si këshilltar i forcave amerikane të KFOR-it, tregon se janë disa lokalitete në Anamoravë ku dyshohet se ka pasur dhunime masive, por që asnjëherë nuk janë hetuar apo bërë publike.

Terziu thotë se vendet me gjurmë gjaku, këpucë e rroba intime të femrave shqiptare ku ai ka parë me sytë e tij së bashku me KFOR-in janë incizuar në Kooperativën Bujqësore në Zhegër, në shkollën e Muqibabës, në një shtëpi private në Radivojc dhe në një tjetër shtëpi shqiptare tek penda e Livoçit në Gjilan. 

Shoqëruesi dhe këshilltari i ushtarëve amerikanë të KFOR-it, Shaban Terziu, pas 15 vitesh, ka vendosur të rrëfejë për disa ngjarje e situata që i ka parë me sytë e tij menjëherë pas luftës.

Thotë se është i brengosur për faktin se gjurmët e shumta të dhunës serbe, që janë gjetur në vende të ndryshme në Anamoravë, nuk janë hetuar e as zbuluar asnjëherë.

Terziu tha se ai, së bashku me një njësit të KFOR-it amerikan,ishte dëshmitar në qershor të vitit 1999 kur ka parë gjurmë gjaku, rroba të brendshme të femrave shqiptare, këpucë, barna-mjete për stimulim.

Këto skena krimi Terziu thotë se i ka parë në Kooperativën Bujqësore në Zhegër.

”Aty kemi parë veshje të shumta të femrave shqiptare, këpucë, gjurmë të gjakut kudo dhe barna për stimulim e qetësim në gjuhën serbe”, tha ai për rajonipress.

Terziu thotë se të gjitha këto skena e dëshmi janë incizuar nga KFOR-i dhe i janë dërguar komandës kryesore në Bondstell.

Një vend tjetër, Terziu së bashku me majorin e KFOR-it amerikan Dentoan Chriss, e ka parë edhe në shkollën e Muçibabës.

”Në shkollën e Muçibabës kemi gjetur veshje intime të vajzave shqiptare, pije alkoolike dhe gjurmë gjaku. Aty ka pasur dhunime masive, por nuk e kam të qartë pse asnjëherë nuk u hetuan këto dyshime” tha Terziu.

Gjurmë të krimit dhe dhunimit Terziu i ka parë edhe në një shtëpi private në Radivojc të Vitisë.

“Ajo shtëpi ishte shfrytëzuar nga rezervistët dhe paramilitarët serb të cilët kishin lënë shenja gjaku nëpër muret e dhomave”, tha ai.

Në rastin tjetër Terziu thotë se ka parë gjurmë gjaku dhe rroba të brendshme në një shtëpi shqiptare afër Pendës së Livoçit.”Edhe këtu kemi parë barna për stimulim dhe qetësim dhe këpucë femrash e rroba të shumta”, tha Terziu./rajonipress/

 
Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 19:05

Tribunali i Hagës sot me vendim final e ka dënuar gjeneralin e pensionuar të Ministrisë së brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, me 18 vjet burg për dëbim dhe krime të tjera të luftës kundër shqiptarëve në Kosovë.

Komisioni i apelit i Tribunalit të Hagës, në këtë mënyrë, atij ia zvogëloi dënimin e shkallës së parë me 27 vjet burg. Ky dënim i ishte dhënë më 23 shkurt të vitit 2011.

Gjyqtarët pjesërisht e kanë miratuar ankesën e 64 vjeçarit Gjorgjeviq, dhe e kanë liruar nga përgjegjësia për krime në disa lokacione të theksuara në dënimin e shkallës së parë dhe kanë vlerësuar se dënimi i shkallës së parë ishte tepër i ashpër, raporton agjencia Beta nga Haga, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, me vendimin final është vërtetuar fajësia e Vllastimir Gjorgjeviqit, lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës për zhvendosje, deportim, dëbim dhe vrasje të shqiptarëve të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 1999, kur ai ishte kryeshef i njësisë së sigurimit publik të Ministrisë së brendshme të Serbisë dhe ndihmësministër i brendshëm.

Të gjitha këto vepra penale janë vlerësuar si krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Është vërtetuar se krimet janë bërë në kuadër të ndërmarrjes së bashkuar kriminale, qëllim i së cilës ishte dëbimi i përhershëm i shqiptarëve nga Kosova.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 21:30

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daciq, ka hezituar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në Graçanicë nëse shteti serb duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë. Ai me leje të institucioneve kosovare ka marrë pjesë në premierën e një filmi, ndërsa më pas ka vizituar manastirin në këtë komunë. Daçiq ka folur për tema të ndryshme politike, duke thënë se Serbia është shumë e interesuar të vazhdojë dialogun e nisur në Bruksel, raporton KTV. 

Daçiq ka thënë se me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton nuk është diskutuar asnjëherë për çështjen e statusit, ndërkohë që ka siguruar qytetarët serbë se dialogu është neutral. Ai ka thënë se edhe zgjedhjet në Kosovë është dashur të mbahen duke respektuar parimin e neutralitetit. Sipas tij, të dyja delegacionet janë pajtuar në Bruksel që edhe ceremonitë e betimit nëpër komunat e pjesës veriore të zhvillohen në frymë neutrale. Duke vazhduar deklarimin e tij, Daçiq ka thënë se Serbia nuk do të njohë asnjëherë shtetin e Kosovës.

Daçiq në Kosovë ka ardhur me leje të institucioneve kosovare, ndërsa është përcjellë nga kufiri në Merdar drejt Gracanicës nga policia e Kosovës. Në krijimin e sigurisë për kryeministrin serb kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarë të EULEX-it./koha/

 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:32

Prishtinë – Qeveria e Serbisë është duke kërkuar publikimin e regjistrave me emra të qytetarëve serbë të dyshimtë për krime lufte në Kosovë. Duke folur në emër të Qeverisë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ka theksuar se Serbia është e interesuar të publikojë emrat e të gjithë personave të dyshimtë. KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka pranuar një kërkesë të tillë zyrtare nga Qeveria e Serbisë apo edhe nëse Kosova po bëhet gati të dorëzojë listën me emra të të dyshimtëve serbë për krime lufte. Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka rekomanduar që përgjigjet të kërkohen nga përgjegjësja kryesore për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë kryenegociatorja, Edita Tahiri.
Në një përgjigje të shkurtër zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se Serbia nuk e ka bërë këtë kërkesë asnjëherë në procesin e dialogut në Bruksel.
Publikimi eventual i emrave do të shkaktonte efekte negative në zbardhjen e drejtësisë, konsideron Fondi për të Drejtën Humanitare. Bekim Blakaj nga ky fond, thotë se Serbia nuk është marrë asnjëherë seriozisht me krime lufte.

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 16:59

Beograd – Misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë toleruar vrasjen e serbëve gjatë luftës, thotë kreu i komisionit qeveritar të Serbisë për personat e pagjetur Velko Odalloviq, i cili argumenton këtë akuzë me faktin se asnjë institucion i huaj në Prishtinë nuk ka procesuar përgjegjësit për kidnapimin dhe vrasjen e serbëve.

Gjatë tribunës së organizuar në Beograd për “Ditët e Kujtimit”, Odalloviq tha se ky fakt është një njollë e zezë në punën e atyre që ishin garant për paqen dhe sigurinë, raporton REL.

“Përgjegjësit nuk janë procesuar [sjell para drejtësisë], kjo është një njollë e madhe në mandatin e bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-it dhe UNMIK-ut, por edhe institucioneve të Prishtinës, të cilat e quajnë veten shtet, dhe të cilat e projektojnë shtetin sipas krimeve”, citon beta Odalloviqin.

“Ditët e Kujtimit” në Serbi, sipas medieve beogradase, këtë vit kujtuan 15 vjetorin e asaj që thuhet se ishin kidnapimet dhe vrasjet e para masive të serbëve në Kosovë, gjatë periudhës kohore 11 deri më 22 korrik 1998 në komunën e Rahovecit.

Odalloviq shtoi se hetimet e deritashme të transplantit të organeve serbe nuk kanë dhënë rezultate të mëdha, por shtoi se nuk do të heqet dorë, dhe se çdo gjurmë po hetohet, për të zgjidhur fatin e 520 serbëve të zhdukur.

“Koha e ka bërë të veten”, nënvizoi Odalloviq ndërsa shtoi se është humbur rasti kur ekipet ndërkombëtare dhe ato të Tribunalit të Hagës, “përkundër kapaciteteve të mëdha, nuk ndërmorën të gjitha hetimet”.

Shefi i komisionit qeveritar për personat e pagjetur ka shprehur dyshimin se ekipi i cili po heton trafikimin e organeve në Kosovë, do të arrij tek kryerësit dhe organizatorët e këtyre krimeve.