12
 
Lajme Shqip Tuesday, 11 February 2014 19:19

Nen kryesimin e KNKK-së, Grupi Punues për persona të zhdukurnë lidhje me ngjarjet e viteve 1998-1999 në Kosovë, u takua sot në Beograd. Përfaqësuesit e Prishtinës dhe ata tëBeogradit gjatë takimit të zhvilluar kanë rënë dakort se duhen shtuar përpjekjet në kërkim të informatave të reja.

Gjatë takimit të sotëm, familjet shprehën shqetësim mbi progresin e kufizuar të arritur vitin e kaluar. Ata u bënë thirrje të dy palëve që të ndërmarrin hapa më të shpejtë.

“Të dy palët, Beogradi dhe Prishtina, pranuan se duhet shtuar përpjekjet e tyre në kërkim të informatave të reja, dhe u zotuan para familjeve që të ndërmarrin hapa konkret me qëllim që procesi i kërkimit të ecë më shpejtë përpara”, theksoi Lina Milner, kryesuese e Grupit Punues.

Në Rudnicë dhe Rashkë, punët do të rifillojnë në pranverën e vitit 2014, duke u bazuar në hapat konkret të propozuar sot nga delegacioni i Beogradit që parashohin largimin e godinës që gjendet në lokacion, zhvarrimin, autopsinë, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore familjeve, si dhe vlerësimin e një lokacioni tjetër në zonën e njëjtë.

Adresimi i çështjes së 351 mbetjeve mortore të paidentifikuara të cilat mbahen në morgun e Prishtinës gjithashtu u nënvizua si prioritet për vitin 2014.

Sipas ligjit ndërkombëtar për të drejta të njeriut, familja e personit të zhdukurka të drejtë të informohet mbi fatin dhe vendndodhjen e familjarit të tyre. Autoritetet dhe ish-palët ndërluftuese mbartin përgjegjësinë kryesore për të dhënë përgjigje mbi fatin e personave të zhdukur. /albeu.com/

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 February 2014 16:34

Nëntë pjesëtarët e formacionit para-ushtarak serb “Çakallët” janë dënuar me 106 vjet burg të martën nga një gjykatë në Beograd.

Sipas medieve beogradase, dy prej të akuzuarve janë liruar nga të gjitha akuzat që i rëndonin për vrasjen e mbi 120 civilëve shqiptarë në fshatrat e Pejës, gjatë luftës në vitin 1999.

Ky njësit paramilitar është gjet fajtor për vrasjen, dhunimin, shkatërrimin dhe plaçkitjen e pronës së shqiptarëve, dhe deportim të popullatës civile për në Shqipëri.

 
Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 19:05

Tribunali i Hagës sot me vendim final e ka dënuar gjeneralin e pensionuar të Ministrisë së brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, me 18 vjet burg për dëbim dhe krime të tjera të luftës kundër shqiptarëve në Kosovë.

Komisioni i apelit i Tribunalit të Hagës, në këtë mënyrë, atij ia zvogëloi dënimin e shkallës së parë me 27 vjet burg. Ky dënim i ishte dhënë më 23 shkurt të vitit 2011.

Gjyqtarët pjesërisht e kanë miratuar ankesën e 64 vjeçarit Gjorgjeviq, dhe e kanë liruar nga përgjegjësia për krime në disa lokacione të theksuara në dënimin e shkallës së parë dhe kanë vlerësuar se dënimi i shkallës së parë ishte tepër i ashpër, raporton agjencia Beta nga Haga, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, me vendimin final është vërtetuar fajësia e Vllastimir Gjorgjeviqit, lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës për zhvendosje, deportim, dëbim dhe vrasje të shqiptarëve të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 1999, kur ai ishte kryeshef i njësisë së sigurimit publik të Ministrisë së brendshme të Serbisë dhe ndihmësministër i brendshëm.

Të gjitha këto vepra penale janë vlerësuar si krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Është vërtetuar se krimet janë bërë në kuadër të ndërmarrjes së bashkuar kriminale, qëllim i së cilës ishte dëbimi i përhershëm i shqiptarëve nga Kosova.

 
Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 13:26

Bjelo Pole – Lirimi nga akuzat të tetë pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Jugosllave për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj pranë Rozhajës në Mal të Zi, ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion.

Verdikti i sjellë nga Gjykata e Lartë e Bjelo Poles , u cilësua si legalizim i krimit dhe i politikës gjenocide, por edhe si një krim kundër njerëzimit, ku aktorët kryesor mbesin të pandëshkuar dhe në liri.
Avokati i viktimave, Velija Muriq në një deklaratë të dhënë për “Zërin e Amerikës”, për lirimin e të akuzuarve, e cilësoi si shqetësues dhe fajësoi gjyqësorin për politizim të skajshëm.
Muriq tha se, “ky fakt sinjalizon që Mali i Zi nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën. Dështimet ligjore dhe pasiviteti i prokurorisë dhe gjykatave vendore kanë bërë që në Mal të Zi të mos ketë asnjë dënim për krime lufte”. 
Velija Muriq , i cili njëherësh është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Malit të Zi, paralajmëroi se për qëndrimin e gjyqësorit në rastin e vrasjes së refugjatëve kosovarë do t’i njoftojë të gjitha institucionet ndërkombëtare, duke apeluar tek ata që të ndikojnë që krimet e luftës në Mal të Zi të trajtohen në mënyrë të drejtë.
Ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Bjelo Poles reagoi Bashkësia Demokratike Boshnjake , e cila në një letër të hapur kritikon gjyqësorin në vend , i cili, sipas tyre, po legalizon krimin dhe po mbështetë politikën gjenocide.
Ndërkaq, partitë politike shqiptare si dhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi nuk reaguan ndaj këtij rasti, edhe pse shoqatat e shoqërisë civile disa herë kanë protestuar ndaj zvarritjes së aktgjykimit dhe ndaj pavarësisë së gjyqësorit.
Komandanti Predrag Strugar dhe shtatë oficerë të tjerë të ish-Ushtrisë Jugosllave janë paditur për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë nga Kosova dhe për plagosjen e pesë të tjerëve në prill dhe maj të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-së në zonën e Husajt afër kufirit të Malit të Zi me Kosovën.
Gjyqi për rastin e refugjatëve kosovarë ka filluar në vitin 2009 dhe është gjyqi i vetëm për krime lufte në Mal të Zi ku aktgjykimi për lirimin e të akuzuarve u dha këto ditë. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 November 2013 23:56

Beograd- Pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”, të cilët më 26 dhjetor 2008 u arrestuan nga xhandarmëria serbe me urdhër të Prokurorisë serbe për krime të luftës, janë liruar sot pas më se pesë vjetëve nga aktakuza e cila i rëndonte ata për krime  gjoja të kryera në rrethin e Gjilanit, në verën e vitit 1999, ndaj serbëve dhe jo shqiptarëve.

Procesi i stërzgjatur me një mori dëshmitarësh të mbrojtur ka përfunduar sot me lirimin e grupit të fundit të mbetur në burg, meqë një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të këtij grupi të akuzuar, në mungesë faktesh, ishin liruar më herët.

Si njofton Presheva News, Agush Memishi, Ferat Hajdari dhe Faton Hajdari aktualisht janë rrugës për në shtëpi, përderisa avokati i tyre mbrojtës Novica Zdravkoviq i ka thënë kësaj agjencie të lajmeve nga Presheva se të të gjithë të akuzuarit (11 të akuzuar), janë liruar nga aktakuza e mëtejme.

Ndryshe, Gjykata serbe për Krime Lufte kishte dënuar këtë grup me gjithsejtë 116 vjet heqje lirie, duke akuzuar të njëjtit se kishin vrarë 47 civilë serbë e joshqiptarë, ndërsa  37 qytetarë sipas Gjykatës për Krime Lufte udhëhiqeshin si të zhdukur. Prokuroria i akuzonte për krime monstruoze, përderisa asnjë dëshmitar nuk doli të kishte të drejtë.

Pas më se pesë vjetësh, me vendim të Gjykatës serbe për Krime Lufte janë liruar nga aktakuza e më tejme Agush Memishi i dënuar me 12 vite burgim, Samet Hajdari me 15 vjet, Nazif Hasani me 13, Ahmet Hasani me 13, Burim Fazli me 12, Selimon Sadiku me 12, Faton Hajdari me 10, Ferat Hajdari me 8, Kamber Sahiti me 8, Sadik Aliu me 8 dhe  Shefket Musliu me 5 vjet heqje lirie. Ndërkaq, në shtator të 2012 ishin liruar nga aktakuza edhe Fazli Hajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliu, Ramadan Halimi dhe Shemsi Nuhiu, i cili në maj të 2012 ishte ekstraduar nga Zvicra në Beograd.

Lirimi i të akuzuarve ka gëzuar jo vetëm familjarët e të burgosurve por të gjithë shqiptarët e Luginës dhe viseve tjera.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 10:32

Prishtinë – Qeveria e Serbisë është duke kërkuar publikimin e regjistrave me emra të qytetarëve serbë të dyshimtë për krime lufte në Kosovë. Duke folur në emër të Qeverisë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ka theksuar se Serbia është e interesuar të publikojë emrat e të gjithë personave të dyshimtë. KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka pranuar një kërkesë të tillë zyrtare nga Qeveria e Serbisë apo edhe nëse Kosova po bëhet gati të dorëzojë listën me emra të të dyshimtëve serbë për krime lufte. Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka rekomanduar që përgjigjet të kërkohen nga përgjegjësja kryesore për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë kryenegociatorja, Edita Tahiri.
Në një përgjigje të shkurtër zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se Serbia nuk e ka bërë këtë kërkesë asnjëherë në procesin e dialogut në Bruksel.
Publikimi eventual i emrave do të shkaktonte efekte negative në zbardhjen e drejtësisë, konsideron Fondi për të Drejtën Humanitare. Bekim Blakaj nga ky fond, thotë se Serbia nuk është marrë asnjëherë seriozisht me krime lufte.

 
Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 17:30

Prishtinë – Marte Tunaj është gruaja e vetme në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës. Ajo tani ka 65 vite dhe merr një ndihmë prej 96 eurove. Është e befasuar se si tani pas 15 vitesh ende Qeveria, Parlamenti dhe deputetet kanë hamendje se a duhet apo jo të ndihmohet kjo kategori. Po më vije turp kur po i shoh tek shtyhen se a ka apo jo buxhet për të kompensuar gratë edhunuara shprehet ajo për Rajonipress.
Marte Tunaj me prejardhje nga Gjakova është e martuar në Verban të Vitisë dhe ka një histori interesante. Ajo më 30 maj të vitit 1999 ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Milos Jokic ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti.

Në veçanti deklarata e Marte Tunajt se ishte dhunuar nga Jokici ishte aq e guximshme dhe trimëruese saqë Jokic urgjentisht nga forcat e KFOR-it ishte arrestuar.

Por nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t’i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokicin.

“E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokicin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokici. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund” rrëfen ajo për Rajonipress.

Tunaj thotë se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fala Kosovës, djalit tim Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe ishte i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Ajo së bashku me burrin e saj Vebih Selmanin dhe djemtë ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit. Lufta me të mirat e me të këqijat asaj i solli një ngjarje tronditëse. Për shkak të aktivitetit në UÇK të burrit të saj dhe djemve ajo dhunohet nga paramilitarët serb.

Martja tani ka 65 vite dhe merr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjellë me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk i vije mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. “Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas 15 vitesh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara”, shprehet Martja.

Ajo thotë se gjatë luftës së fundit e ka fituar diabetin dhe vetëm për një muaj shpenzon mbi 80 euro vetëm për barna.

“Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat. E kam bërë me vullnet e dëshirë, por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua”, thotë ajo e revoltuar.

Martja thotë se e ka guximin të flas në emër të të gjitha grave të dhunuaraqë shteti të mendoj dhe të bëjë të pamundurën që tua mundësojë një pagesë dinjitoze.

“Është gjynah që femrat e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretman të ndryshëm mjekësore”, shprehet ajo.

Ndryshe Marte Tunaj është femra e vetme në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer nga ana e Milosh Jokicit.

Tunaj ka dëshmuar në prezencë të burrit dhe publikut në sallë dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokic ishte dënuar me 20 vite burgim.

Në gjykimin kundër Milosh Jokicit patën dëshmuar 40 dëshmitarë në mesin e tyre edhe Marte Tunaj nga Verbani i Vitisë. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues që udhëhiqej nga Patrice de Charette, shumë fakte dhe prova bindëse.

Milos Jokic sipas Marte Tunajt më 30 maj 1999 nën kërcënimin e thikës ka kryer marrëdhënie seksuale. Jokic ishte i armatosur deri në dhëmbë.

“Ai së pari i mori të gjitha të hollat nga banorët dhe mua më qoi në kuzhinë ku më urdhëroi të zhvishem. Refuzova me tërë forcën time , por ai nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës, kreu marrëdhënie seksuale”, kishte rrëfyer Tunaj. 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 14:29

Prishtinë – Kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, ka deklaruar në Prishtinë se askush dhe asgjë nuk mund ta njollos luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se çdo përpjekje për njollosjen e saj, ka në thelb paragjykimet ndaj shqiptarëve.

Por Basha ka pranuar se ka pasur krime lufte dhe se ka punuar në Kosovë për ti zbardhur këto krime derisa ka punuar në Kosovë, si staf i UNMIK’ut.

“Askush dhe asgjë nuk mund të njollos luftën e drejt të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Nga ana tjetër ka pasur krime lufte, ka pasur një punë për t’i evidentuar ato dhe unë ndjehem krenar që kam qenë pjesë e kësaj përpjekje. Çdo përpjekje për të demonizuar këtë luftë është primitive dhe ka në thelb paragjykime ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai, raporon Express.

Ka pasur krime lufte, ka pasur një punë për t’i evidentuar ato dhe unë ndjehem krenar që kam qenë pjesë e kësaj përpjekje”.

Basha, këto komente i ka bërë me rastin e ndarjes së çmimit “Qytetar nderi i Komunës së Prishtinës”, nga kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Në fund të kësaj ceremonie ai është lutur nga gazetarët të komentonte, përmendjen e emrit të tij, në mesin e atyre që kanë kontribuuar në mbledhjen e dëshmive kundër pjesëtarëve të UÇK-së, në kohen sa ai punonte si përkthyes i misionit të UNMIK-ut në Kosovës

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 10:55

Beograd- Në Gjykatën speciale në Beograd sot do të vazhdojë gjykimi i pjesëtarëve të njësitit famëkeq paramilitar nga formacioni rezervist i policisë dhe i mbrojtjes territoriale “Çakallët” (Shakalli) të cilët ngarkohen për vrasjen e mbi njëqind civilëve shqiptar gjatë vitit 1999 në rrethinën e Komunës së Pejës, njofton Prokuroria për krime të luftës e Serbisë. Aktakuza e saktësuar nga dhjetori i vitit të kaluar të fajësuarit i ngarkon me vrasjen e mbi njëqind civilëve shqiptarë në katundet Qyshk, Lubeniq, Pavljan dhe Zahaç gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, raporton K.Press.

Të akuzuarit për këto vrasje janë Toplica Miladinoviq, Sreqko Popoviq, Slavisha Kastratoviq, Boban Bogiqeviq, Radoslav Brnoviq, Vidoje Koriqanin, Veljko Koriqanin, Abdulah Sokiq, Milojko Nikoliq, Zoran Obradoviq, Ranko Momiq, Sinisha Mishiq dhe Dejan Bulatoviq.

Me aktvendimin e gjykatës, e me propozim të Porkurorisë për krime të luftës prë këto rasted po zhvillohet procedimi unik penal, rikujtohet në kumtesën e Porkurorisë në fjalë.

Të rikujtojmë se procesi gjyqësor për krime lufte -vrasjen e 44 civilëve shqiptarë, për keqtrajtim, plaçkitje, djegie e deportim me dhunë të popullatës për në Shqipëri në katundin Qyshk ka nisur para tre vitesh por tani aktakuza kundër këtij njësiti famëkeq paramilitar është shtri edhe në krimet makabre mbi civilët shqiptarë në katundet Lubeniq, Pavlja e Zahaç.

 
Lajme Shqip Thursday, 23 May 2013 13:49

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit njoftoi sot se pesë persona po hetohen për krime lufte.

 “Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skënderajt)”, theksohet në komunikatën e EULEX-it.

Në mesin e tyre është edhe kreu i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku i cili është duke u marrë në pyetje nga një prokuror i EULEX-it.

12