Lajme Shqip Tuesday, 01 July 2014 18:00

Rreth 900 persona ka mashtruar një 29-vjeçar nga Fieri në 7 vitet fundit, me një skemë të veçantë mashtrimi si fajdexhi, pasi u merrte lekët që u jepte ai i denonconte më pas duke ngritur padi civile për të marrë lekët e tij, deri tani janë zbuluar 900 kontrata që varionin nga 9000-250.000 euro. 

Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në  Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, sot u konkludua operacioni policor “Gravata e Zezë”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i Ledjan Muçarakut, 29 vjeç.

Pas një hetimi 5-mujor është zbuluar edhe skema e tij e mashtrimit, Muçaraku lekët që kishte dhënë hua përmes akteve noteriale ua merrte në dorë huamarrësve. Më pas me dokumentet që dispononte dhe me llogarinë e tij personale, ku provonte mos derdhjen e lekëve, denonconte huamarrësit se gjoja nuk i kishin paguar. 

Një pjesë të mirë të klientëve të tij arrinte t’i mashtronte sërish duke i bindur të shkonin para noterit e të deklaronin me vullnetin e tyre se ata i kishin marrë para në dorë nga Ledjani dhe ja kishin kthyer atij me bankë dhe se nga ky moment i paraqitjes para noterit nuk ka më asnjë detyrim ndërmjet palëve. Më pas shkonte në bankë dhe printonte gjendjen e llogarisë bankare.

Me akte të tilla ka hapur dhjetëra procedime fiktive dhe ka arritur të fitojë gjyqe civile për kthimin e shumave plus interesin, pavarësisht se realisht ai këto vlera parash nuk i kishte dhënë. 

Gjithashtu hartonte e dërgonte padi civile e penale në prokurori dhe gjykatë, duke falsifikuar dhe dokumentet e padive sikur ishin bërë nëpërmjet studiove ligjore, duke i akuzuar  viktimat padrejtësisht për mashtrim, kërcënim e fyerje dhe dëmtime me dashje.

Sipas policisë arrestimi i Muçarakut është realizuar pas vendimit Gjykatës së rrethit Gjyqësor Fier, e cila caktoi masën e sigurisë arrest në burg për 29-vjeçarin.

Hetimet e policisë

Drejtoria për Krimin Ekomomik e Financiar në Policinë e Shtetit kishte marrë informacion për një rast të dyshimtë të funksionimit të një skemë të pastrimit të produkteve të krimit dhe veprimtarisë kriminale, përmes lidhjes së kontratave të huadhënies me biznesmenë.

Pre e mashtrimit të tij kishin rënë biznesmenë dhe individë nga Fieri, Vlora, Berati, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Lezha, Laçi, Mamurrasi, Burreli, Kukësi, Kavaja, të cilat sipas policisë janë mbi 900 kontrata të tilla me vlera nga 9000 deri në 250.000 euro.

Nga hetimi i kryer u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të autorit të dyshuar shtetasit Ledjan Muçaraku, i cili prej vitit 2007 e në vazhdim kishte krijuar një skemë mashtruese.

 

Skema e mashtrimit

Fillimin e skemës e kishte realizuar  me studentë, duke ju ofruar sasi të vogla parash nga 5000 – 10.000 lekë me interes nëpërmjet llogarive bankare, të cilat jua merrte sërish në dorë dhe më pas me kopje të deklaratës noteriale dhe nxjerrjes pranë bankës të gjendjes së llogarisë së tij bankare dokumentonte fiktivisht moskthimin e shumës nga personat.

Gjithashtu hartonte e dërgonte padi civile e penale në prokurori dhe gjykatë, duke falsifikuar dhe dokumentet e padive sikur ishin bërë nëpërmjet studiove ligjore, duke i akuzuar  viktimat padrejtësisht për mashtrim, kërcënim e fyerje dhe dëmtime me dashje. Po ashtu hapte dhe padi civile që t’i ktheheshin shumat e parave dhe interesat, pavarësisht se ato para realisht nuk ua kishte dhënë. Një pjesë të padive i pushonte me mosparaqitje ose me kërkesë për pushim, duke siguruar para të tjera nga viktimat për të pushuar procesin gjyqësor të hapur ndaj tyre.

Gradualisht  e zgjeroi skemën e tij të mashtrimit dhe aktivitetit të tij kriminal me biznesmenë të interesuar për të marrë para me interes, të cilëve ju sugjeronte të bëjnë depozitime  paraprake në llogarinë e tij me përshkrimin “shlyerje detyrimi” ndaj Ledjan Muçaraku, në vlerat nga 1000 lekë deri në 500 000 lekë.

Po ashtu hartonte thuajse çdo ditë nga 1-2-3 akte noteriale me vlera marramendëse parash të dhënë me interes, me peng pasuri të paluajtshme shtëpi, troje, lokale etj. Gjatë gjithë kësaj  kohe ju kërkonte para si shpërblim për këtë punë dhe për aktet noteriale në vlera që shkonin nga 15.000  mijë lekë deri në 500.000 pesëqind mijë lekë për kontratë. 

Për t’ju siguruar këto para i dyshuari Ledjan Muçaraku, përveç se u kërkonte t’i depozitonin para në llogaritë e tij bankare, u kërkonte edhe para në dorë dhe shpërblime të tjera gjatë gjithë kohës të të ashtuquajturës përpjekje për tu kaluar shumat në bankë, gjë e cila nuk ndodhte kurrë veç ndonjë vlerë të pa përfillshme, sa për të mbajtur në këmbë skemën e mashtrimit.

Një pjesë të mirë të klientëve të tij arrinte t’i mashtronte sërish duke i bindur të shkonin para noterit e të deklaronin me vullnetin e tyre se ata i kishin marrë para në dorë nga Ledjani dhe ja kishin kthyer atij me bankë dhe se nga ky moment i paraqitjes para noterit nuk ka më asnjë detyrim ndërmjet palëve. Më pas shkonte në bankë dhe printonte gjendjen e llogarisë bankare. Me akte të tilla ka hapur dhjetëra procedime fiktive dhe ka arritur të fitojë gjyqe civile për kthimin e shumave plus interesin, pavarësisht se realisht ai këto vlera parash nuk i kishte dhënë.

 

Hetimet e policisë: Deklarata noteriale deri në 230 mijë euro

Policia e Shtetit dhe Prokuroria vazhdojnë hetimet, ku deri aktualisht janë siguruar dhjetëra deklarata noteriale me vlera nga 6000 euro deri në 230 000 euro, dhjetra procedime penale e civile të hapura fiktivisht nga Ledjan Muçaraku.

Ndërkohë në ambientet e banesës në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, të marrë me qera ju gjetën 51 kontrata noteriale, 28 vendime gjykate, 18 kërkesë padi, 226 fatura bankare, certifikata pronësie, fletëthirrje gjykate, certifikata personale etj.

Vetëm nga hetimet e dy muajve të fundit është dokumentuar se janë mashtruar mbi 30 biznesmenë e shtetas të tjerë, si dhe ka informacione e po hetohet për rreth 900 persona të mashtruar në këtë mënyrë nga kjo skemë sipas policisë është ngritur nga një person i veshur me kostum gri dhe gravatë të hollë të zezë i quajtur Ledjan Muçaraku. 

Personat të tjerë të mashtruar prej tij janë të lutur të denoncojnë ose të njoftojnë pranë Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës shkallës së Parë Fier.

 

Akuzat që rendojnë mbi Muçarakun 

Deri tani Sektori për krimin ekonomik e Finaciar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e rrethit Gjyqësor Fier është vërtetuar se  Ledjan Muçaraku është autori i dyshuar i veprat penale të kryera në dëm të shumë personave, si: 

Ngritja e funksionimi i një skeme mashtruese me qëllim fitimi material, vepër penale e parashikuar nga neni 143/a “Skemat mashtruese dhe piramidale”, e cila dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet,

Kallëzimit të rremë, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal.

Deklaratat e rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore, neni 305 /a  i Kodit  Penal.

Deklarimi i rremë para prokurorit , neni 305/b i Kodit  Penal.

Dëshmisë së rremë para gjykatës, dhe 306 i Kodit Penal.

Njoftimi i rremë në organet e rendit, parashikuar nga neni 272 i Kodit Penal.

Falsifikimit kompjuterik të dokumenteve parashikuar nga neni 186/a, i Kodit Penal.

“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të përfituara nëpërmjet veprës penale bazë të mashtrimit, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pika “dh” paragrafi i parë dhe pika “c” paragrafi i fundit, thirrje ndihme për pastrim parash dhe vetëpastrim parash.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 26 June 2014 11:00

Vritet me armë zjarri bankieri dhe biznesmeni i njohur Artan Santo. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut rreth orës 09:30 të mëngjesit. Biznesmeni Santo, është qëlluar me plumb në kokë nga 2 persona të maskuar që ishin me motor, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Santo ka qenë duke dalë nga banka Credins, në momentin kur është qëlluar 6 herë me pistoletë nga atentatorët.

Sipas informacioneve paraprake autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë në drejtim të zonës së Liqenit.

Policia dhe grupi hetimor të mbërritur në vendngjarje, kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të bankës në rrugën “Ismail Qemali” në zonën e ish-bllokut. Në të gjitha rrugët e Tiranës janë ngritur postblloqe për të mundësuar kapjen e autorëve. Policia bën me dije gjithashtu dhe llojin e motorit, i cili ishte tip ‘Scooter’ me dy numrat e fundit të targës, 09 dhe gjithashtu ka listuar dy emra dhe ka dy fotot e personave që dyshohen për atentatin ndaj biznesmenit.

Sipas burimeve të policisë, atentaorët janë me banim nga Fushë-Kruja, ndaj dhe drejt këtij qyteti është nisur një grup i Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe sektori i krimeve të Rënda. 80 oficerë janë në terren duke u marrë me provat materiale dhe shoqërimet e personave, të cilët ishin dëshmitarë në vendngjarje.

Roja i sigurisë i bankës Credins, i cili ka parë të gjithë ngjarjen është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ai ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve, të cilët e kishin ndjekur me motor. Ka qenë e pamundur për të ndërhyrë me ndihmën e parë, pasi biznesmeni ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Biznesmeni 58-vjeçar, babai i dy fëmijëve, ishte aksioner i bankës Credins, i televizionit News 24 dhe i televizionit Scan.

Dëshmitarja: Santo ishte i vetëm, pranë tij vetëm roja i sigurisë

Ndërkohë, një luleshitëse në trotuarin përballë bankës Credins ku u ekzekutua biznesmeni Artan Santo, rrëfen për mikrofonin e A1 REPORT, se e pa të ndjerin Santo t’i drejtohej bankës ashtu siç bënte çdo mëngjes. Ajo tregon se 58-vjeçari ishte i vetëm, dhe se pranë tij, në kabinën në hyrje të bankës ndodhej roja i sigurisë. 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 22 June 2014 16:17

Një shtetas shqiptar pas 21 viteve që ishte në kërkim u arrestua në pikën kufitare Jazhincë midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Autoritetet e Maqedonisë theksuan se kanë ndaluar shtetas shqiptar me inicialet D.H, 45 vjeç nga Shqipëria, ndaj të cilit ishte shpallur fletëarrest që nga viti 1993, për shkak të kryerjes së vrasjes dhe vepra të ndryshme penale.

Autoritetet theksuan se shtetasi shqiptar po tentonte të hynte në vend nga ana e Kosovës.

 
Lajme Shqip Thursday, 12 June 2014 17:20

Edlira Dobrushi, 37-vjeçarja shqiptare, e cila më 9 mars të këtij viti vrau 3 vajzat e saj, ka tentuar vetëvrasjen në burgun e Komos, ku ndodhet që prej ngjarjes së rëndë. 

37-vjeçarja është shpëtuar nga një agjent sigurie, i cili pasi kishte vërejtur diçka të çuditshme në qeli ishte afruar më pranë dhe kishte kuptuar atë që po ndodhte, e burgosura po tentonte të mbytej me çorape.

Dobrushi është dërguar menjëherë në spitalin Sant’Anna të Komos edhe pse nuk kishte mbetur e plagosur.

Më 9 mars, atëherë e sapo divorcuar, Edlira Dobrushi masakroi tri vajzat në një mënyrë çnjerëzore, ndërkohë që fjalët e saj pas krimit makabër ishin vetëm: ‘Kam qenë e dëshpëruar’.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të publikuar në atë kohë rezultatet ishin rrëqethëse, nëna kishte qëlluar mbi 30 herë me thikë mbi secilën prej vajzave të saj.
/ Top Channel

 
Lajme Shqip Thursday, 12 June 2014 13:15

Në saj të një operacioni antidrogë nga Policia e Shtetit, sot është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie të madhe heroine, kokaine dhe marijuane. Mësohet se është bërë e mundur arrestimi në pikën Kufitare të Morinës, shoferi i një mjeti, nga Tirana, me 7 kilogramë kokainë.

Ndërkohë, po sot në qytetin e Laçit janë sekuestruar 18 kilogramë heroinë dhe 150 kg hashash. Po gjatë këtij operacioni, në Laç, janë gjetur dhe 9 armë, 3 snajperë dhe disa granata. Siç u përmend dhe më parë, operacioni i antidrogës nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka bashkëpunuar me strukturat policore të Kosovës, duke bërë të mundur dhe arrestimin e tre shtetasve kosovar. Bëhet me dije se në Kosovë u sekuestruan 50 kg heroinë dhe kokainë.

“Është operacion që ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Është arrestuar një shofer, në pikën kufitare të Morinës, e më pas operacioni është shtrirë në zonën e Fushë-Krujës. Operacioni po vijon dhe në Kosovë. Fal zbulimit të trafikut, në Kosovë është bllokuar 50 kg heroinë.”-kështu raporton për News24, gazetari Spartak Koka. Ky operacion, është shtrirë në disa qytete, Tiranë, Laç, duke kaluar kufirin, drejt Kosovës. /BalkanWeb/.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 04 May 2014 15:36

Policia kufitare në Korçë, në bashkëpunim me policinë greke kanë ndërmarrë një aksion në orët e para të ditës së sotme. Mësohet se, është bërë i mundur sekuestrimi i 97 kg lëndë narkotike, në pikën kufitare të Kapshticës dhe është arrestuar një person. 

Lënda narkotike ishte e ndarë në gjashtë çanta dhe po transportohej nga pesë persona, drejt shtetit fqinj Greqisë. Pasi policia shqiptare dhe ajo greke është vënë në dijeni të trafikut të dogës, që po bëhej në kufirin e gjelbër është vënë në ndjekje të trafikantëve. Mësohet se vetëm njëri nga transportuesit është arrestuar, ndërsa katër të tjerët kanë mundur t’i shpëtojnë policisë, si pasojë e terrenit të vështirë dhe errësirës. 

 “Pas disa orësh operacioni të përbashkët, policia e Korçës dhe policia greke kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Ylli Tango, 40 vjeç, banues në Plase Korçë. Shtetasit të lartpërmendur i janë kapur dhe sekuestruar gjashtë çanta me lëndë narkotike, të dyshuar si kanabis sativa, i cili ndodhej në drejtim te piramidës 32 (kufiri i gjelbër), se bashku me katër persona të tjerë të cilët kanë arritur të largohen duke përfituar nga errësira dhe moti i keq”,- thuhet në njoftimin e policisë. 

Ndërkohë policia po punon për kapjen e 4 personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 03 May 2014 14:24

Hetimet disa mujore kanë çuar në pranga Shefin e Antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, me akuzën e përfshirjes në trafikun e hashashit nga Lazarati drejt Italisë. Në kuadër të këtij hetimi të zhvilluar nga Prokuroria për Krime të Rënda është bërë i mundur dhe arrestimi i 5 shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në total janë arrestuar 6 persona ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi ka mundur t’i shmanget operacionit të arrestimit të kryer orët e para të mengjesit të kësaj të shtune, nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme.

Në pranga kanë rënë J. Naçi (E. Brahimi), N. Brahimi, S. Shosha, E. Latifi dhe A. Malaj ku këta shtetas sëbashku me shefin e Antidrogës Fier trafikonin lëndën narkotike nga Lazarati drejt portit të Vlorës e më pas për në Itali.

Hetimet kanë nisur në nëntor të vitit 2013 ku nga policia e Vlorës u sekuestrua një sasi prej 1 ton hashash e gatshme për tu trafikuar drejt Italisë.

Prokurorët e Krimeve të Rënda sëbashku me oficerët e SHKB-së kanë arritur të zbardhin skemën e trafikimit dhe rolin e Zaganit në këtë bandë, çka është tashmë e provuar si bashkëpunëtor i trafikantëve.

Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se “trafikantët që transportonin këtë ngarkesë lënde narkotike kanë komunikuar me “burimin” e zyrtarit të Policisë Zagani, pasi e konsideronin si bashkëpunëtor të tyre”.

Më tej shkruan njoftimi, “shtetasi Dritan Zagani i raporton për operacionin një shtetasi të huaj duke shkelur etikën, detyrën dhe sekretin hetimor dhe me papërgjegjshmëri flet për detaje të cilat nuk i ka bërë prezent as tek eprorët e tij dhe nuk gjejnë pasqyrim në asnjë dokument të firmosur prej tij dhe të administruar në përmbushje të detyrës”.

Me akuzën “shpërdorim detyre” gjykata e Krimeve të Rënda ka vnedosur “arrest me burg” për shefin e Antidrgoës ndërsa në total janë 6 të arrestuar dhe një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike e sekuestruar. 

 
Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 14:25

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën arrest me burg për Edison Kajtazin, personi që mori përsipër autorësinë e vrasjes me dy plumba të biznesmenit Aurel Zenka në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, para 6 ditësh. 

Ne seancën që zgjati rreth 20 minuta gjyqtari Julian Haxhiu vendosi ta lërë në burg të dyshuarin kryesor si autor të ngjarjes, për akuzën vrasje me paramendim, por çështja në fjalë është ende në hetim. 

Të arrestuar rezultojnë të gjithë personat e grupit me të cilin u konfliktua Zenka dhe miqtë e tij. Ata janë Agron Goxhaj, 36 vjeç, i ndaluar falë një operacioni të specialëve të RENEA-s, Policisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit. Artan Hasani, i dënuar më parë për “krimet ndaj jetës” dhe “prodhim për shitje municionesh luftarake”, Enton Sada (Ibrahimi), 41 vjeç, i dënuar më parë për “vrasje me paramendim”, dhe Alket Halitaj, të cilët u gjetën në një banesë në zonën e Durrësit, pranë vendit të njohur si Kali i Trojës. 

“Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, së bashku me shtetasin Edison Kajtazi, janë bashkëautorë të vrasjes së shtetasit Aurel Zenka. Nga hetimet e kryera dyshohet se motiv i kësaj ngjarjeje është një llogari e pashlyer mes viktimës dhe autorëve”. Nga hetimet e para rezulton se bëhet fjalë për një shumë prej 10 mijë eurosh, që miqtë e viktimës i kishin Goxhajt. Zenka, sipas hetuesve kishte ndërhyrë që të bindte Goxhajn, që t’u shtynte miqve të tij afatin e shlyerjes së borxhit, çka ka çuar në përplasje dhe konflikt. 

Ndaj të gjithë të ndaluarve rëndojnë akuzat e “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”./ballkanweb/

 
Lajme Shqip Thursday, 01 May 2014 12:10

Shtetasi Gentian Peta, gjeti vdekjen ditën e 19 prillit teka ishte duke udhëtuar me tragetin e linjës Bari-Durrës. Edhe pse kanë kaluar 13 ditë që prej vdekjes në rrethana tronditëse të 39-vjeçarit, ende nuk është dhënë përgjigje nga ekuipazhi i tragetit.

Pasagjerët thanë se, 39-vjeçari u la të mbytej duke mos i ofruar as procedurat standarde nga personeli i tragetit.

 “E lanë njeriun në det, asgjë s’i hodhën..ai kërkonte ndihmë, asnjë mjet për ta shpëtuar …”, – tha një pasagjer.

Deklarata e fundit: “Vinçat nuk kanë punuar” … 

“Normalisht raste të tilla janë të dhimbshme por komanda e anijes ka gjithë përgjegjësinë ligjore që të vazhdoje procesin e kërkim-shpëtimit. Doli mjeti i rojës së financës por u rikthye për një problem mekanik.  Presim që sërish ata të shprehin gatishmërinë për tu kthyer në rajonin e kërkim-shpëtimit”, – deklaroi kapiteneria më 19 prill.

 Përkundrazi u hodhën poshtë dyshimet e pasagjerëve duke thënë se ekuipazhi ka vepruar sipas rregullave detare duke marrë të gjitha masat për shpëtimin e tij. Por një video e publikuar në media, tregon atë që panë pasagjerët, faktin se trageti nuk disponon as mjetet minimale të kushteve teknike për të shpëtuar një jetë që kërkonte ndihmë, shkruan “shqiptarja.com”. 

 Prokuroria dhe policia e Durrësit kanë nisur një hetim për të cilin ende nuk ka rezultat përfundimtar edhe pas dëshmive nga një numër i konsiderueshëm pasagjerësh, për mungesën e gatishmërisë së mjeteve të operacionit të kërkim- shpëtimit për 39-vjeçarin Gentian Peta. Zyrtarisht, policia e Durrësit ka bërë me dije se do të hetohet me kujdes mënyra e kryerjes së veprimeve nga stafi drejtues i tragetit dhe ekuipazhi, nëse kanë përmbushur apo jo procedurën standarde. “Skafi ishte i shpuar, barka e shpëtimit ishte pa karburant; kur i hodhën karburant, nuk punonte vinçi që ta zbrisnin në ujë”, – kanë deklaruar pasagjerët.

 Trageti që bën linjën e përditshme Durrës-Bari dhe anasjelltas, është me pronar dhe ekuipazh grek. Kapitaneria e portit të Durrësit sqaron se, pas ngjarjes së datës 19 prill, trageti është lejuar sërish të kryejë lundrimet e parashikuara. 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 April 2014 11:14

Policia e Shkodrës ka identifiko autorin e ekzekutimit me snajper të Kol Drinit mëngjesin e 23 prillit në fshatin Vukatanë të Komunës Gur i Zi. Kol Drini ka mbetur i vdekur pasi qëlluar është me snajper nga një automjet që ka kaluar në rrugën kryesore, teksa 61-vjeçari ka qenë duke punuar në sera. Sipas policisë, pas kryerjes së krimit, autori është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Pista kryesore e kësaj vrasjeje mbetet ajo për qëllime hakmarrjeje, pasi familja e të ndjerit ka qenë në gjak me një familje tjetër në komunën Gur i Zi. Mësohet se vëllai i viktimës ka kryer një vrasje kohë më parë dhe ka emigruar në SHBA.

Policia thotë se autori i vrasjes ai është Eduart Arra i datëlindjes 1981. Policia po kryen kontrolle në zonë për arrestimin e autorit të vrasjes. Familjet Drini dhe Arra prej 1993 ishin në gjak, kur Mark Drini i vëllai i viktimës ekzekutoi Eduart Arrën, i cili ishte xhaxhai i 31-vjeçarit të shpallur në kërkim. Mësohet se Mark Drini kishte vuajtur dënimin dhe më pas ishte larguar drejt Amerikës, ku dhe jeton aktualisht.

Sipas grupit hetimor, dyshohet se vrasja është kryer me snajper, kjo edhe për shkak se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë përveç 2 predhave të plumbave në trupin e 61-vjeçarit.

Sipas policisë autorët kanë qëlluar brenda automjetit nga rruga kryesore që lidh fshatin Vukatanë me Gurin e Zi, ndërsa janë larguar menjëherë të pashqetësuar nga askush.