Lajme Shqip Tuesday, 17 June 2014 12:36

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka e ka quajtur “propagandë” aksionin e policisë në fshatin e Lazaratit, megjithëse deri në këto çaste aksioni po has në rezistencën e armatosur të grupeve të trafikantëve.

Ai ka zgjedhur rrjetin social, “Facebook”, duke iu referuar aksionit të jashtëzakonshëm të policisë kundër trafikantëve të drogës në Lazarat, si “maska të filmave të Kinostudios”. 

“Të dashur miq, dje në Lazarat propagandë, maska pranë ministrit e skenarë, si në filmat e Kinostudios, ku sulmoheshin ‘armiqtë e klasës’ dhe ata që s’e duan. EP”, ka shkruar Paloka sot paradite në Facebook.  

 
Lajme Shqip Saturday, 26 April 2014 12:25

Bashkitë e Tiranës dhe të Kamzës si dhe komuna e Pskuqanit kanë bllokuar procesin e legalizimit duke rrezikuar pasuritë e të paktën 13 mijë qytetarëve që kanë ndërtuar shtëpi në këto zona. Alarmi u dha dje nga Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili ka shpjeguar jo vetëm ngërçin e legalizimit në Tiranë dhe përreth saj, por edhe një rrugëdalje, e cila kërkon bashkëpunimin e pushtetit vendor. Kreu i ALUIZNIt akuzoi bashkinë e Tiranës se deri tani ka refuzuar të bashkëpunojë me ALUIZNI- n, por edhe kryetarin e bashkisë Kamëz si dhe të komunës Paskuqan se kanë bllokuar procesin e legalizimit pasi në planet e tyre rregulluese kanë parashikuar ndërtime të larta. “Ligji ekzistues i bashkisë parashikon moslegalizimin e objekteve në ato zona ku studimet parashikojnë ndërtimet mbi 5 kate. Ky ligj i 2006 është ende në fuqi. ” tha dje Artan Lame.  

Përplasja  

Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame shpjegoi dje ngërçin që është krijuar mes ligjit të legalizimeve dhe planeve rregulluese vendore, të cilat parashikojnë që në Tiranë, Kamëz dhe Paskuqan të ndërtohen shumëkatëshe dhe jo shtëpi të thjeshta banimi, të cilat presin legalizimin prej me shumë se 8 vjetësh.

“Çështja është e thjeshtë. Ligji ekzistues i legalizimeve i bërë nga partia e Bashkisë në vitin 2006, parashikon moslegalizimin e të gjithë objekteve të ndërtuara në trojet me pronarë kur në atë zonë parashikohen studime mbi 5 kate. Më vonë, në vitin 2013, Bashkia miratoi një plan rregullues, i cili e parashikon praktikisht të gjithë hapësirën e Tiranës cep më cep me ndërtime mbi 5 kate, duke rrafshuar çdo gjë, duke mos lënë më as zona periferike, as zona të mbrojtura. Në këtë ethe të marrë drejt fitimit, që shkel mbi shtëpitë e njerëzve, megjithatë ka një konkurrent që ja kalon edhe Bashkisë Tiranë dhe ky është Bashkia e Mziut (Kamza), e cila edhe kjo parashikon të bëhet Nju Jork me ndërtime të larta, duke lënë kështu pa legalizuar të gjitha ndërtimet në tokë me pronar. Por edhe të mos mjaftonte kjo, edhe komuna Paskuqan ka miratuar planin rregullues që parashikon të kthehet në Manhatan me ndërtimet e larta, duke përjashtuar nga legalizimi të gjithë ndërtimet në tokë me pronar. Po përmend, jo më kot, disa prej komunave rreth Tiranës, pasi, kur në vitin 2012, Bashkia e Tiranës po hartonte planin rregullues, opozita e atëhershme dhe shoqëria civile denoncuan faktin e rëndë se plani që po hartohej po zhdukte të gjitha hapësirat e gjelbëra të qytetit. Basha është justifikuar atëherë dhe vazhdimisht duke thënë se hapë sirat e gjelbërta dhe zonat e mbrojtura që po zhdukte në Tiranë, do të krijoheshin në komuna përrreth qytetit”- deklaron Lame. 

Zgjidhja e ngërçit 

Legalizimi i ndërtimeve në Tiranë, Kamëz dhe Paskuqan kërkon jo vetëm miratimit e ligjit të ri për legalizimet, që po diskutohet në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe pritet që në fillim të muajit të ardhshëm të kalojë në kuvend, por edhe një mirëkuptim mes qytarëve që kanë ndërtuar shtëpi dhe pronarëve të tokës. “Tani shihet qartë që ky ishte thjesht një mashtrim për të justifikuar plaçkitjen e çdo hapësire të mbetur në qytet. T’i rikthehemi edhe njëherë problemit të krijuar nga ligji i vitit 2006. Ju bëj thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga deklaratat e Bashkisë, por të rrinë të qetë, sepse ne e kemi gjetur zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të krijuar prej tyre dhe të ngatërruar keqazi po prej tyre. Në komisionet paralamentare, ku deri tani është diskutuar projektligji, kemi prashtruar zgjidhjen tonë për këtë ngërç dhe çuditërisht qenë pikërisht deputetët e zotit Basha që dolën kundër. I ftoj që minimalisht të merren vesh me njëri tjetrin, se kështu e vetmja gjë që merren vesh është që nuk merren vesh as midis tyre”-deklaroi Lame.

 

Përplasja me Bashkinë, zgjidhjet që ofron ALUIZNI 

Sa familje janë të prekura nga kjo përplasje? 

Artan Lame: Për këtë fashë, që në rang qarku është rreth 13 mijë ndërtime, situata do të zgjidhet duke u bërë presion edhe pronarëve të truallit edhe atyre që kanë ndërtuar, duke u dhënë hapësirë sipas objektit që kanë ndërtuar. Situata e sotme është e qartë, ai që ka truallin nuk e merr dot se mbi të është ndërtuar, ai që ka ndërtuar nuk merr dot tapinë se është në tokë të huaj dhe e kanë lënë kështu për 8 vjet. Ne kemi gjetur zgjidhjen e cila është funksionale, sepse kemi folur me ish-pronarët dhe banorët e zonave, kemi folur me shoqatat e ndërtuesve, të cilët janë gati të hyjnë edhe ndërmjetës për zgjidhjen e kësaj çështje, pra zgjidhja është. 

Zgjidhja juaj mos hap konflikt mes palëve? 

Artan Lame: Deri sot nuk ka pas asnjë zgjidhje. Deri sot jemi në kushtet e konfiktit midis palëve. Ata ishin lënë siç ishte traditë në 8 vjet: zgjidheni me njëri –tjetrin dhe, kur të zgjidhet, merrni letrat. Ne po bëjmë pikërisht atë që ka për detyrë të bëjë të shteti, i cili ekziston për të hyrë mes palëve që kanë konflikt dhe për ta zgjidhur atë, për një zgjidhje të përbashkët. 

Kur do të miratohen ndryshimet në ligjin për legalizimet? 

Artan Lame: Unë ju them se ligji ose javën tjetër ose pas dy javësh kalon në kuvend. Nga sot deri në ditën e fundit u themi hajde të gjejmë zgjidhjen. Në rast se ata nuk vijnë për të zgjidhur çështjen e planit rregullues unë jam gati të shkoj në Bashki dhe të diskutoj për të zgjidhur çështjen. 

 

Bashkia refuzon bashkëpunimin  

Bashkia e Tiranës ka refuzuar t’i bashkohet tryezave për ndryshimet në ligjin për legalizimet. Artan Lame bën të ditur se janë një mori letrash, me të cilat i kërkohet Bashkisë së Tiranës, bashkëpunim dhe informim për këtë çështje, pra të planit rregullues, i cili bllokon legalizimet në zonat e përmendura më sipër.

“I ftuam në tryezën e oraganizuar me të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me legalizimet dhe nuk erdhën. Sot po jua kërkoj sërish faqe të gjithëve, ose të vijnë kur të duan në institucionin tonë, ose të na thonë ne kur të duan në Bashki. E rëndësishme është të bien dakord për të zgjidhur problemin e krijuar prej partisë së tyre në vitin 2006 dhe prej Bashkisë së tyre në vitin 2013, sepse nuk mund të vazhdojnë të mbulohen, duke u përpjekur të lënë gjithmonë kopilin e tyre në derën e tjetrit. Në instancë të fundit, megjithatë, ne kemi parashikuar ta zgjidhim problemin edhe sikur të mos duan, duke vazhduar thjesht të bëjnë deklarata politike. Se sa besim u ka mbetur qytetarëve tek bashkia, e shpreh edhe një tjetër lajm. Një tjetër lajm i mirë për qytetarët, është çështja e pallateve të pahipotekuara. Shoqata e Ndërtuesve e shpalli në komision parlamentar se e kërkon zgjidhjen me ne dhe jo me Bashkinë. Më qartë se kaq nuk mund të shfaqet paaftësia e tyre për të zgjidhur probleme”-deklaron Lame. 

 

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 April 2014 12:43

Partia Demokratike vazhdoi serinë e denoncimit të zyrtarëve, që sipas saj këta të fundit zotërojnë poste drejtuese në institucionet vendore.

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, gjatë një deklarate për shtyp theksoi se, kryeministri Rama është duke thyer Kodin Etik për 3 emërimet që ka bërë ky i fundit në institucionet vendore.

Deklarata

“Po ju paraqesim sot tri raste se si funksionon meritokracia e kësaj qeveria, kodi etik dhe shanset e barabarta pikërisht në Korçë. 

Drejtor i Metrologjisë është emëruar Muharrem Meko, ish-kryetar i PS-së në Korçë, i dënuar nga gjykata për veprën penale të pengimit të vendimit gjyqësor.

Në krye të kualifikimit profesional është emëruar Anxhela Taho, kryetarja e FRESSH-it, e cila është e përfshirë në hetimet e prokurorisë si organizatorja e blerjes së votave për zgjedhjet lokale në Korçë, e kapur në flagrancë me zë e me figurë.

Drejtor i Shërbimit Pyjor në Korçë është emëruar Arsen Selimi, ndaj të cilit një gjykatë në Amerikë ka vendosur t’i refuzojë qëndrimin atje dhe ta kthejë në Shqipëri me akuzën e dhunës në familje dhe të mashtrimit.

A mund të na thotë Rama se cilin nen të Kodit të Etikës ka zbatuar në këto tre emërime? Në Kodin e Etikës, Rama është angazhuar për transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj publikut. 

A mund t’i thotë kryeministri publikut, se cilin nen të kodit ka respektuar ai, në rastet që ne kemi denoncuar e denoncojmë çdo ditë me emërimet e personave me precedent penalë, në zyrat e punës, në CEZ, në sektorët kyç të ministrive, në drejtoritë rajonale, nga Korça, Kavaja, Tropoja e kudo në Shqipëri”.

 

 
Lajme Shqip Friday, 04 April 2014 15:42

Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të fundit të ish- kryeministrit Sali Berisha, duke i cilësuar ato  si rruga e rrënimit të vazhdueshëm post-elektoral.

“Sulmi i sotëm i liderit të vjetër në Facebook dhe zëdhënëses së re në ekran, flasin më shumë se çdo koment për dëshpërimin e partisë më të madhe në opozitë. Sharje, shpifje, trillime dhe përgojime personash krejt të pafajshëm që akuzohen si kriminelë vetëm pse i shërbejnë shtetit nën uniformën blu, janë vazhdë e trishtueshme e rrënimit që ka përfshirë PD ”,  theksohet në një deklaratë nga selia e PS.

Deputeti i Partisë Demokratike ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, se ky i fundit sulmoi dhe akuzoi median si fajtore për gjuhën e përdorur nga ai dhe mashtrimet e bëra publikisht.

Këto deklarata ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë në një postim në rrjetin social “Facebook”.

 “Të dashur miq, dje, në të gjithë intervistën e tij, Edvin Kristaq Rama hoqi maskën dhe u vërsul me urrejtje të paparë ndaj mediave, të cilat sipas tij ishin tashmë fajtorë direkt për fjalët prej halabaku ordiner si: maskara, rrotë k… që kishte regjistruar mikrofoni i tyre në seancën parlamentare, mbasi ato ai i kishte thënë duke folur me vete dhe kundër askujt”, theksohet mes të tjerash në reagimin e ish-kryeministrit Berisha. 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 30 March 2014 15:32

Krijohet ngërçi i parë i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike. Pas nisjes së procesit të anëtarësimeve të reja brenda strukturave të Partisë Demokratike, procesi i reformimit të PD-së, duket se ka ngelur në vend pasi strukturat organizative të partisë nuk kanë nxjerrë ende një udhëzim për datën përfundimtare të këtij procesi. Shkaku kryesor duket se është bërë reformimi i PD-së në Tiranë. Në udhëzimin e tij të parë, Basha theksoi se procesi i reformimit të Partisë Demokratike do të bëhet nëpërmjet delegatëve, por duke përjashtuar Tiranën, duke pohuar se për kryeqytetin do të ndiqet një procedurë specifike. Por që nga muaji janar kur nisi edhe procesi i anëtarësimeve të reja, për kryeqytetin nuk ka ende një udhëzim se si do të funksionojë kjo gjë.

Burime nga selia blu bënë me dije për gazetën “Shqiptarja.com”, se është vet kreu i Partisë Demokratike që po e vonon këto proces, pasi nuk ka ndarë ende mënyrën se si do të reformojë degën më të madhe të forcës politike që ai drejton, degë e cila ka të gjitha strukturat organizative. Fillimisht Basha vendosi që të dërgonte delegat që përbëheshin nga ish-deputetë të PD-së në vite, në mënyrë që të nisnin procedurat për të rifreskuar listat e anëtarësisë në të gjitha degët e selive të Partisë Demokratike. Por nga ky proces u përjashtua PD-ja e Tiranës, e cila aktualisht drejtohet nga deputetit Aldo Bumçi. Por këtu lind edhe problematika e parë për procesin e zgjedhjeve brenda partisë më të madhe opozitare e cila do të çojë në një zgjatje edhe më të madhe të këtij procesi.

Pavarësisht se në rrethe anëtarësimet e reja janë pothuajse në mbarim, për Tiranën kjo nuk ka nisur ende, çka do të thotë se do të kërkojë edhe më shumë kohë që të përcaktohen strukturat e reja drejtuese të PD-së. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se fillimisht Bashës do t’i duhet të skedojë të gjithë anëtarët e PD-së në Tiranë, ashtu si në rrethet e tjera për të kapur “tradhtarët” të cilët nuk dhanë votën për demokratët në 23 qershor. Por krahas kësaj, kjo listë do të hasë edhe problemet më të mëdha. Duke qenë se anëtarësia e demokratëve në kryeqytet u fry në mënyrë fiktive nga punonjësit e ish-administratës Berisha, skedimi i saj do të kërkojë një kohë edhe më të gjatë, pasi një pjesë e punonjësve janë etiketuar si “tradhtarët” e partisë.

Kësisoj, që të përfundojë i gjithë ky proces, do të duhet edhe një hark kohor së paku edhe për një muaj, çka do të thotë se forca më e madhe opozitare do të vijojë që të jetë Partia individ, pasi që prej 8 muajsh ka vetëm një kryetar formal dhe asnjë zyrtar tjetër me mandat të plotë. Konkretisht, në PD ka vetëm një kryetar grupi që është i komanduar, një nënkryetar grupi të komanduar, një sekretar grupi të komanduar dhe një zëdhënëse të grupit parlamentar të komanduar. Ndërsa Kryesia, Këshilli Kombëtar, Kuvendi Kombëtar, kryetari i FRPD etj, nuk kanë mandat të ligjshëm në bazë të statutit të PD-së, pasi nuk janë bërë ende zgjedhjet e paralajmëruar nga Basha.
(shqiptarja)

 
Lajme Shqip Monday, 10 March 2014 12:06

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nisi sot me një minutë heshtje për nder të ish-Zv.ministrit të brendshëm Ferdinand Poni i cili ndërroi jetë të shtunën si pasojë e një ataku kardiak. Kreu i PD-së LulzimBasha vlerësoi kontributin qëPoni kishte dhënë gjatë këtyre viteve për PD-në por edhe vendin.

“Dje ne i dhamë lamtumirën e fundit mikut dhe shokun tonë të dashur, demokratin e vendosurFerdinand Ponin që ia kushtoi jetën një çështje madhore për Shqipërinë siç janë zgjedhjet. Ferdinand Poni u nda nga jeta kuri duhej më shumë se kurrë familjes, Partisë Demokratike dhe vendit. Humbja e tij është e madhe por puna dhe vepra e tij do të jetë e gjallë” tha Basha.

Duke folur për diskutimet e nivelit të lartë Shqipëri –BE, Basha i cilësoi konkluzionet e takimit si të njëanshme.

“Ky takim u përgatit për fat të keq me inercinë e arrogancës me të cilën u instalua në pushtet qeveria Rama-Meta. Ishte një paradoks më vete që opozita kërkoi me shkrim një pjesëmarrje në një takim të tillë, një pjesëmarrje sipas standarteve të vendit të vendosura kur ne ishim në mazhorancë dhe të respektuara për opozitën e atëhershme ndërkohë që kryeministri kishte që në fillim një ngulmim për një pjesëmarrje simbolike të opozitës. Paradoksi është i dyfishtë. Me kë donin ta bënin këta dialogun e nivelit të lartë kur nuk donin opozitën në takim? Me veten e tyre. Monologjet tashmë janë bërë një praktikë e mërzitshme dhe e padurueshme e kryeministrit Rama. Konkluzionet ishin gatuar në kuzhinën propagandistike të qeverisë dhe ishin totalisht të njëanshme pasi nuk e vinin gishti në plagët e vërteta. Janë retorikë që nuk thonë asgjë thelbësore ne lidhje me reflektimin dhe korigjimin që kërkohet” tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi në fjalën e tij se grupi parlamentar demokrat do të vijojë të mbajë marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin. /albeu/

 
Lajme Shqip Saturday, 08 March 2014 17:44

Ka ndërruar jetë Ferdinand Poni, ish-zv.ministër i Brendshëm. Poni ka pësuar atak kardiak ndërsa ndodhej në Prizëren.

Poni ishte i diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë. Pas vitit 1999, ai ishte funksionar pranë Partisë Demokratike dhe ka mbajtur një sërë funksionesh.

Në periudhën 1993-95 ka qenë ndihmës i Kryeministrit për pushtetin lokal. 1995-1997, Drejtor i Përgjithshëm i Pushtetit Lokal në Ministrinë e Brendshme. Në 2005 u emërua zv.ministër i Brendshëm, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2013. Ai ka mbajtur postin e kreut të Këshilltarëve të PD-së në Bashkinë e Tiranës.

Poni ka lindur në Berat më 16 mars të vitit 1965. 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 March 2014 13:01

Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka dalë  kundër kryetarit aktual të  PD-së , Lulzim Basha.

E ftuar në  emisionin “Channel One”, Topalli u shpreh: “Basha është  kryetari i ri i PD-së . Është  tjetër gjë  Partia Demokratike dhe tjetër gjë  është  kryetari”.

E pyetur se çmendim ka për kryetarin Basha, Topalli përsërit: “Për organizimin unë  dhashë opinionin tim personal për zotin Basha. Është  tjetër gjë  Partia Demokratike dhe tjetër gjë  është  kryetari. Berisha është  personaliteti që  rrëzoi diktaturën që  udhëhoqi proceset demokratike dhe ishte fryma e PD-së ”. Topalli lë të kuptohet se nuk e ka fort “qejf” kryetarin aktual dhe se do të preferonte që të ishte Berisha sërish në krye të PD-së. 

Topalli tha gjithashtu se protesta e 20 shkurtit nuk ishte e PD-së , por e qytetarë ve sepse PD-ja i organizoi ndryshe protestat.  Më  tej ish-kryeparlamentarja tha se nuk do ta pranonte kurrë një  koalicion me LSI-në, edhe në  qoftë  se kjo e fundit do të  shkëputej nga koalicioni aktual./shekulli/

 
Lajme Shqip Sunday, 23 February 2014 16:29

Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë, se ka tejkaluar me 8 ditë afati ligjor i botimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare të aktit normativ për nëpunësin civil, i cili u shpall antikushtetues. Deputeti i kësaj partie, Oerd Bylykbashi, tha se ky vendim po mbahet peng me urdhër të kryeministrit, me qëllim që ky vendim të mos marrë fuqi derisa mazhoranca të votojë edhe anulimin e këtij vendimi. Ai thotë se mijëra vetë janë larguar nga puna më nënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme me pretendimin se ligji nuk ka hyrë në fuqi.

“PD denoncon para opinionit publik mbajtjen peng dhe mosbotimin nga qeveria të vendimit të gjykatës Kushtetuese të datës 5 shkurt që shpalli si antikushtetues aktin normativ për nëpunësin civil. Kushtetuta përcakton se vendimi hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare, ligji detyron qendrën e botimeve zyrtare ta botojë atë brenda 10 ditësh, gjykata kushtetuese e ka dërguar vendimin të zbardhur që në datën 5 shkurt. Sot kanë kaluar 8 ditë nga skadimi i afatit 15 shkurt dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të Kryeministrit, ndërkohë që janë botuar akte me datë më të vonshme se vendimi i gjykatës. Qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi derisa mazhoranca të votojë edhe anulimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë anulim ta bëjë me ligj. Ndërkohë, që mijëra vetë janë larguar nga puna në mënyrë antikushtetuese, qeveria vazhdon me largimet e paligjshme me pretendimin se vendimi i gjykatës nuk ka hyrë në fuqi”, tha ai.

Duke e cilësuar një pengmarrje mafioze të shtetit dhe gjykatës, Bylykbashi tha se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Ai siguroi se PD-ja do të kërkojë vënien para drejtësisë të përgjegjësve dhe urdhëruesve të këtij skandali të paprecedentë.

 

“Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, Kushtetutës, ligjit dhe gjykatës nga kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Kushtetueses dhe gjyqësorit në përgjithësi. Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës është pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës, përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Përgjegjësi direket për këtë mban drejtoresha e qendrës së botimeve zyrtare dhe Ministri i Drejtësisë që e ka atë në varësi. Përgjegjësi mban kryeministri dhe qeveria e tij që janë dirigjent të këtij skenari të shëmtuar antiligjor dhe antikushtetues në realizimin e planit të tyre për ta vënë administratën nën kontroll partiak. PD i siguron personat përgjegjës direkt, por dhe urdhëruesit e tyre se do të kërkojmë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedentë”, përfundoi deputeti demokrat./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 February 2014 14:05

Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama, lidhur me emërimit në Policinë e Vlorës. Sipas kreu të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, denoncoi skandalin e emërimit në Policinë e Vlorës të anëtarit të bandës së vitit ’97.  Sipas Palokës lufta kundër drogës në vendin tonë tashmë është lënë në duart e ushtarit të Zanit.

“Sot jemi këtu për të denoncuar një prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie në këto 4 muaj.  Nëse doni të dini se si rilind Policia e Shtetit me këtë qeveri, shihni kush është emëruar së fundmi specialist i antidrogës në Vlorë.  Ardian Lici, ky emër mund të mos tregojë gjë për publikun masiv. Po për vlonjatët do të thotë shumë, sepse ata ende nuk i kanë harruar kohët e vështira të vitit 1997. Ardian Lici ka qenë një nga ushtarët e Zani Çaushit, dhe kushdo mund të futet në “you-tube” e ta verifikojë këtë që po themi ne.  Ky person me xhupin e zi të lëkurës, që Zani e urdhëron të kontrollojë makinat në urën e Mifolit, në postbllokun që banda e Vlorës ka ngritur, është Ardian  Lici, dhe është vlerësuar nga ministri i Brendshëm, dhe nga drejtuesit e policisë si specialist i përshtatshëm për të luftuar trafiqet e drogës”, tha Paloka, raporton shekulli.

 “Por kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët.   Mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit 97, por është   shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u   gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë.  Tani, me Edi Ramën, erdhi koha që ushtari i Zanit të rilindë. Dhe rilindi, në radhët e antidrogës së Vlorës. Tashmë nuk ka asgjë për t’u habitur pse sasia e drogës së kapur në vendet fqinje me ne, që vjen nga Shqipëria, është rritur.   Sepse luftën e drogës në vendin tonë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri ia kanë besuar ushtarit të Zani Çaushit. Kjo është rilindje e vërtetë”.