Lajme Shqip Thursday, 18 July 2013 11:52

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë të enjten për kërkesat ankimore të dy partive, PS dhe PD, pas administrimit dje të 16 kutive të qarkut Lezhë.

Në orët e vona të së mërkurës përfundoi në KQZ rinumërimi i votave i 10 kutive, që i përkasin qytetit të Lezhës, për të cilat PD kërkonte rivlerësim të tabelave të rezultateve të tyre, pasi mungonin tabelat origjinale.

Në mbyllje të rinumërimit rezultoi mospërputhje e votave, edhe mes atyre të raportuara nga grupet e numërimit në sistemin elektronik të KQZ-së për këto qendra, mbi bazën e të cilave u bë edhe ndarja e mandatit.

Nga ana tjetër, PS kërkonte pavlefshmëri në 6 qendra të votimit në këtë qark, pasi, sipas tyre, fletët e votimit ishin më të shumta në numër se sa ai i votuesve që kishin marrë pjesë në proces.

Vendimi i KQZ-së i 10 korrikut ndryshoi raportin e mandateve mes koalicioneve, 4 me 3, në favor të koalicionit të djathtë.

 
Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 13:22

Tiranë – Komisioni Qendror Zgjedhor u mblodh për të vendosur nxjerrjen e tabelave të rezultateve për Qarkun e Tiranës. 

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti ngriti shqetësimin për disa papërputhshmëri të rezultateve në disa qendra votimi në Tiranë, sipas të cilit grupet e numërimit kanë raportuar një numër të caktuar votash për subjektin partia Demokratike ndërkohë që sistemi nuk i ka llogaritur. 
“Qendra e Votimit 21/41 sipas tabelës së rezultateve PD ka 31 vota në sistem janë shënuar zero. Qendra e votimit 18/02 sipas grupeve të numërimit PD ka 181 vota sipas grupit në numërimit, ndërkohë në sistem janë shënuar zero.. Qendra e votimit 17/90, PD ka 137 vota, sistemi shënon zero. Qendra e votimit 17/85 PD ka 150 vota, sistemi shënon zero. Qendra e votimit 17/06 98 vota, ndërkohë sistemi shënon zero. Qendra e votimit 17/45, PD ka 112 vota sipas grupeve të numërimit ndërkohë sistemi shënon zero. Qendra e votimit 17/05 PD ka 95 vota, sistemi shënon zero. Qendra e votimit 170 PD ka 77 vota sistemi shënon zero. Qendra e votimit 16/87 PD ka 112 vota, sistemi shënon zero. Qendra e votimit 15/82 PD ka 248 vota sistemi shënon 276. Qendra e votimit 15/42 PD sipas grupit të numërimit ka 127 vota, sistemi shënon 95 vota”, u shpreh Kosovrasti. 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 15:24

Tiranë – Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi zhvilloi një takim me kreun socialist Edi Rama, ku në qendër të tij ishte shkëmbimi i pikëpamjeve lidhur me procesin zgjedhor, por edhe cështja e KQZ-së. 

“Diskutuam për KQZ-në, i cili aktualisht është e përbërë nga katër anëtarë. Por për të marrë vendime, ky Komision duhet të ketë më shumë se katër anëtarë”, tha Sequi, raporton top channel.
Ambasadori theksoi se BE dhe SHBA ndajnë së bashku opinionet dhe vizionin e tyre, ndërsa foli për një takim që do të zhvillohet mes tij dhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Sequi theksoi se takimi me Ramën, ishte në kuadër të takimeve të tij me krerë të politikës shqiptare në këtë moment kulmor të fushatës elektorale në vend.