Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 12:26

Prishtinë – Kroacia është miku më i mirë i Kosovës dhe kjo miqësi është tradicionale, ka thënë kryeministrja kroate sot në Prishtinë. “Ne e mbështesim plotësisht Kosovën në rrugën drejt BE-së”, ka thënë ajo.

Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, ka deklaruar sot në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se e vetmja zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë është dialogu.

Ajo ka thënë se pajtohet plotësisht me kancelaren Merkel, se të dyja palët duhet të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e çështjeve midis tyre.

Ndërkaq, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës do ta shtrijë autoritetin në tërë vendin.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Kroacisë, kanë nënshkruar sot dy marrëveshje bashkëpunimi, atë në fushën e integrimeve dhe atë në fushën e transportit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 11:09

Prishtinë – Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, ka arritur për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Udhëheqëses së lartë nga Kroacia para selisë së Qeverisës së Kosovës iu bë një pritje shtetërore.

Pas ekzekutimit të himneve të të dy vendeve, kryetarët e qeverive bënë revistën e nderit të gardës së rreshtuar për këtë rast.

Pastaj kryeministri Thaçi ia prezentoi kryeministres Kosor bashkëpunëtorët e tij.
Kryetarja e Qeverisë së Kroacisë ka filluar takimin me kryeministrin nikoqir Hashim Thaçi, për të vazhduar takimet edhe me zyrtare të tjerë të lartë shtetërorë.

Kosor do të bëjë edhe një vizitë në fshatin Janjevë dhe do të takohet me qytetarë të komunitetit kroat si dhe do të vizitojë ushtarët kroatë të KFOR-it.

Me zonjën Kosor, në Kosovë arriti edhe një grup i biznesmenëve kroatë, të cilët do të marrin pjesë në forumin ekonomik Kosovë-Kroaci. (LajmeShqip.com)