Lajme Shqip Monday, 07 April 2014 12:31

Këshilltarja për Ballkanin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, thotë se në Kosovë duhet të konsiderohet ndërprerja e misionit të EULEX-it dhe OKB-së, ndërsa klasa politike të marrë përgjegjësi për zhvillim të vendit para të gjithë popullatës, përfshi grupet e pakicave. Në intervistën me gazetarin Julian Zyla të Zërit të Amerikës, këshilltarja e grupit lobist me qendër në Nju Jork shpreh opinionin e saj dhe për çështjen e Krimesë dhe zhvillimet në Maqedoni.

Zëri i Amerikës:  Çfarë efektesh mendoni se mund të ketë në Ballkan kriza e Krimesë, duke pasur parasysh që situata lidhur me këtë çështje është ende e paqartë sa i përket asaj që mund të ndodhë më pas?
 
Shirley Cloyes DioGuardi: Nuk jam e bindur nëse mund të ketë ndonjë ndikim tek ngjarjet në Ballkan. E di që zoti Putin është përpjekur të krijojë një farë lidhjeje mes Krimesë dhe Kosovës, por të gjithë ne që jemi në botën shqiptare dhe ata që punojnë me çështjet ndërkombëtare e dimë që nuk ka asnjë lidhje mes tyre. Para së gjithash Kosova u aneksua nga Serbia pas luftrave ballkanike dhe më pas pësoi një fushatë spastrimi etnik pothuajse deri në gjenocid nga Sllobodan Millosheviçi. Nuk ishin këto rrethanat që çuan Rusinë të vendoste të hynte në Krime. Unë gjithashtu mendoj se ky është vetëm një episod. Siç e dimë, debati tani po shkon në një nivel tjetër, dhe do të duhet të zgjidhet mes BE-së, SHBA-së dhe Rusisë.
 
Zëri i Amerikës: Në Maqedoni, njerëzit do të votojnë së shpejti për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Cili është mendimi juaj mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe a mendoni se partitë shqiptare do të arrijnë një sukses më të madh këtë vit?
 
Shirley Cloyes DioGuardi: Kam ndjekur nga afër evolimin e Maqedonisë që kur u nënshkrua marrëveshja e Ohrit 13 vjet më parë. Ndërkohë që kjo marrëveshje ishte shumë e suksesshme në dhënien fund të konfliktit të armatosur, ajo nuk ishte aspak e suksesshme në krijimin e barazisë për shqiptarët në Maqedoni. Nuk ishte aspak e suksesshme sa i përket promovimit të të drejtave të njeriut, zbatimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit. Shqetësimi im në lidhje me partinë shqiptare në pushtet, pra me BDI-në e zotit Ali Ahmeti, dhe me atë të kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, është se mendoj se kemi pasur një evoluim tragjik në vitet pas marrëveshjes së Ohrit, gjatë të cilave këto dy parti kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për të arritur përfitime personale në dëm të njerëzve. Ajo që kemi parë ka qenë korrupsioni masiv dhe përdorimi i pushtetit për të fuqizuar vetëm disa individë, familje apo komunitete të veçanta. Si pasojë kemi pasur shtimin e varfërisë dhe pakësimin e vendeve të punës… dhe nuk ka një evolim. Ka pasur gjithashtu një shtim të tensioneve mes etnisë maqedonase dhe asaj shqiptare. Në kuadër të politikës së jashtme amerikane në Maqedoni, nëse nuk i kushtohet rëndësi barazisë mes grupeve etnike, nuk mund të shpresojmë për rritje ekonomike, qëndrueshmëri politike dhe së fundmi paqe në rajon.  Kjo është diçka mbi të cilën Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të përqëndrohet në vazhdim.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ka tani që debat mbi të ardhmen e EULEX-it. Cila mendoni se do ishte zgjidhja më e mirë lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e këtij misioni të BE-së?

Shirley Cloyes DioGuardi: Personalisht nuk e kuptoj synimin e një zgjatjeje të misionit. Mendoj se do të kishte si qëllim mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, por ne kemi parë që puna e deritanishme nuk ka dhënë rezultate. Prandaj mendoj se duhet të konsiderohet ndërprerja si e EULEX-it dhe e përfshirjes së OKB-së, pasi tani në Kosovë kemi të bëjmë me një lloj protektorati dhe nuk kemi pavarësi të plotë. Duhet që të ketë një zhvillim të ri në politikën kosovare, e cila të marrë përgjegjësi para të gjithë popullatës, duke përfshirë shumicën shqiptare, serbët dhe minoritetet e tjera, në lidhje me përparimin vendit. Nëse nuk veprohet kështu, do të kemi një konflikt të ngrirë që mund të zgjasë për vite me radhë, duke bërë që popullata në Kosovë, me moshë mesatare mjaft të re, të mos ketë një të ardhme. Mjafton të shihet se sa të rinj kërkojnë të largohen nga vendi. Por në anën tjetër ka edhe shumë njerëz nëpër botë, një diasporë mjaft e përgatitur, që do të dëshironte të kthehej në Kosovë dhe ne duhet ta bëjmë realitet këtë mundësi.  

Zëri i Amerikës: Mund të na tregoni se me çfarë po punon tani Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane?

Shirley Cloyes DioGuardi: Ne ndodhemi këtë javë në Uashington në kuadër të takimit vjetor, të Shoqatës së Ish-anëtarëve të Kongresit Amerikan, pjesë e së cilës është dhe Joe DioGuardi. Ajo është një darkë ku marrin pjesë gjithashtu dhe ligjvënës të tanishëm të Kongresit. Ne do të përqëndrohemi tek çështjet shqiptare, duke biseduar me njerëz si ligjvënësit Dana Rohrabacher, Chris Gibson, Michael Grimm etj. Siç mund ta dinë shumë prej shikuesve tuaj, në vitin 2013 organizata jonë ishte e vetmja strukturë në Perëndim që u shpreh kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë si një zgjidhje e shpejtë e cila nuk do të trajtonte problemet siç duhej. Ndaj nesh pati kritika në atë kohë, dhe nga vetë Departamenti i Shtetit, por rezultatet fatkeqësisht duket të na kenë dhënë të drejtë. Në vitin në vijim ne do të përqëndrohemi të shohim se si do të vazhdojnë gjërat lidhur me Kosovën. Gjithashtu do të ndjekim nga afër dhe zhvillimet në Maqedoni, për arsyet që thashë pak më parë, si dhe ngjarjet në Mal të Zi e Preshevë, vende në të cilat unë mendoj se çështja më e rëndësishme mbetet barazia ndëretnike. Ne nuk mund të ndryshojmë vendimet politike në këto vende, por mundemi dhe kemi detyrim të ndikojmë politikën e jashtme amerikane në rajon.   

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 April 2014 11:50

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se qëndrimi i Kosovës karshi krizës në Ukrainë “është i qartë dhe përkon drejtpërdrejt me qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Kemi një qëndrim të përbashkët me Brukselin dhe Uashingtonin”, ka thënë zoti Thaçi, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në Prishtinë, gjatë një vizite që i bëri Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Muajin e kaluar, Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë. Një veprim i tillë është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 April 2014 11:44

Federata e Futbollit të Kosovës dhe përfaqësuesja e Kosovës në futboll, janë duke bërë të gjitha përgatitjet për dy takimet e ardhshme miqësore ndërkombëtare, me përfaqësuesen e Turqisë dhe Senegalit, që priten të zhvillohen në javën e katërt të muajit maj. 

 
Me 21 maj, përfaqësuesja e Kosovës do të jetë nikoqire për përfaqësuesen e Turqisë, ndërkohë që takimi me përfaqësuesen e Senegalit, me 25 maj, pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës.
 
Në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Turqinë dhe për krijimin e mundësive që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, të martën, me 1 prill, kanë zhvilluar takim të përbashkët me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.
 
Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në takim janë shqyrtuar mundësitë e rregullimit të stadiumit të  Prishtinës dhe mundësitë që ai të bëhet gati deri më 21 maj.
 
“I ka hije çdo shteti që të luajë ndeshjet në kryeqytet dhe dihet se çfarë efekti do të ketë edhe për kryeqytetin. Plus, infrastruktura përcjellëse, parkingjet dhe të tjerat janë të favorshme. Mund të them lirisht se pjesa më e ndritshme ishte ajo që takimi ka qenë i hapur”.
 
“Ministri Memli Krasniqi, dërgoi këshilltarin e tij Shasivar Haxhijaj, i cili tha menjëherë ‘ja, i keni 500 mijë euro, në tavolinë. Urdhëroni, bëjeni projektin dhe ne jemi të gatshëm të investojmë në stadiumin e Prishtinës’. Ndërsa, kryetari Shpend Ahmeti tha se ‘sigurisht që edhe komuna do marrë pjesë, varësisht nga nevojat që do të jenë’ për një intervenim të shpejtë”, thotë Salihu.
 
Salihu shton se, megjithatë, në rast se nuk arrihet që stadiumi i qytetit të Prishtinës të jetë gati deri me 21 maj, atëherë ndeshja me përfaqësuesen e Turqisë do të zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, aty ku edhe u zhvillua, me lejen e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA, takimi i parë ndërkombëtar miqësor, me përfaqësuesen e Haitit, me 5 mars.
 
Në anën tjetër, ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll,Muharrem Sahiti, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se përfaqësuesja e Kosovës, është duke i bërë përgatitjet për dy ndeshjet e paralajmëruara, me përfaqësuesen e Turqisë dhe atë të Senegalit.
 
Sipas tij, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki po i vëzhgon për së afërmi futbollistët, për të cilët mendohet se mund të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, por që luajnë në ekipet e ndryshme evropiane, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë të drejtë për secilin prej tyre.
 
Sahiti vlerëson se takimet me përfaqësueset e Turqisë dhe Senegalit, përfaqësuesja e Kosovës do t’i ketë më të vështira se sa takimin  që ka zhvilluar me Haitin.
 
“Po shpresoj që do të bëjmë paraqitje të mirë edhe pse tash, nëse bazohemi në kualitetin e Turqisë dhe Senegalit, duhet ta kuptojmë që niveli i tyre është më i lartë se sa i Haitit. Prandaj, në këtë rast, edhe ne duhet ta ngrehim nivelin e përfaqësueses, për të pasur një paraqitje të mirë”.
 
“Sidoqoftë, ne nuk brengosemi shumë për rezultatin e ndeshjeve se sa brengosemi për atë vazhdimësinë e ndeshjeve që do ta kemi në të ardhmen. Do të thotë, këto ndeshje miqësore do të na shërbejnë për më vonë, që të kemi një pasqyrë shumë më reale se në cilët lojtarë duhet të bazohet Kosova në të ardhmen”, thekson Sahiti.
 
Pas takimit me Haitin, drejtuesit e përfaqësueses së Kosovës, janë ballafaquar me kritika, qoftë nga njohësit e futbollit qoftë nga dashamirët e futbolli, përmes rrjeteve sociale, pse në përfaqësuesen e Kosovës nuk ka pasur edhe një numër të futbollistëve nga Super-liga e futbollit të Kosovës.  
 
Përveç një futbollisti të kësaj lige, në përfaqësuesen e Kosovës ishin përfshirë futbollistë me prejardhje nga Kosova, që luajnë në ligat e ndryshme evropiane.
 
Ndihmës trajneri Sahiti thekson se në përfaqësuesen e Kosovës janë dyert e hapura, por, sipas tij, të gjithë duhet ta meritojnë me punën e tyre.
 
“Varet , pikërisht, nga puna dhe forma e secilit futbollist. Pse t’ mos kemi edhe futbollist nga Kosova (që luajnë në Kosovë)? Por, duhet ta kuptojnë të gjithë që përfaqësuesja do nivel tjetër nga kampionati i Kosovës. Sidoqoftë, unë po them se secilit ka për t’i ardhur mundësia që ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës”.
 
“Por, t’i plotësojë, fillimisht, ato kritere që janë për përfaqësuesen e Kosovës e sidomos aspektin fizik, që është kriteri numër një, ngase tashmë e dimë se çfarë niveli i kemi edhe përfaqësuesen e Turqisë, por edhe atë të Senegalit”, thotë Sahiti.
 
Ndryshe, Eroll Salihu ka theksuar se javën e ardhshme, përfundimisht do të caktohet stadiumi se ku do të zhvillohet ndeshja me Turqinë.
 
Ndërkaq, sipas tij, qysh tash, Federata e Futbollit të Kosovës është duke shqyrtuar afatet e FIFA-s, për të siguruar edhe takime të tjera miqësore gjatë këtij viti.
 
Siç ka theksuar ai, ekzistojnë mundësitë reale që në muajt shtator, tetor dhe nëntor, përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë edhe tri ndeshje të tjera miqësore ndërkombëtare./Radio Evropa e Lire/ 

 
Lajme Shqip Monday, 17 February 2014 13:23

Shteti më i ri në Evropë kremton sot gjashtë vjetorin e pavarësisë. Në mbarë territorin e Republikës së Kosovës zhvillohen sktivitete festive.

Mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës, homazhet tek varrezat e dëshmorëve, parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë etj, janë disa nga aktivitetet shtetërore, me të cilat shënohet Dita e Pavarësisë së Kosovës.
Festimet kanë filluar tre ditë më parë dhe do të zgjasin deri në orët e vona të natës.

 
Lajme Shqip Sunday, 02 February 2014 14:56

vaKosova konsiderohet i vendi më i varfër në rajon. Por, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, edhe në Kosovë ka qytetarë milionerë. 

Disa përfaqësues të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qoftë qendrore apo lokale, janë milionerë dhe të tjerë vlerësohen shumë të pasur.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.

Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shpesh kanë ngritur këtë çështje, madje duke e vlerësuar shqetësuese këtë fakt, në një vend ku një pjesë e qytetarëve mezi sigurojnë bukën.  

Në Kosovë, ku paga mesatare është deri në 400 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion, Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.

Ai thotë se diferenca e krijuar në shoqëri në vitet e pasluftës është e pajustifikueshme.

Preteni thotë se nuk është problem të jesh milioner, por më rëndësi është që të gjenden ata që kanë krijuar milionat, për një periudhë të shkurtër kohore, duke mos e respektuar ligjin. 

“Është e vërtet se është vështirë të përballohet me zyrtarë të  lartë të cilët kanë deklaruar vlera të lartë monetare apo kanë pasuri të patundshme që përkojnë të jenë milionerë. Ndoshta nuk janë të tillë, por janë shuma të larta të cilat vështirë të besohet se në Kosovë për një kohë të shkurtë janë fituar”, tha Preteni.

Në vitin 2011, Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit kishte bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner.

Paradoks e quan këtë situatë Fidan Kalaja, nga organizatat joqeveritare “Fol”.

Aspekti më i tmerrshëm, sipas tij, është se në Kosovë rreth 20 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, kurse rreth tre për qind e popullatës, siç thotë ai, të instaluar në institucione të ndryshme publike, pasuria e tyre llogaritet të jetë deri në një miliard euro.

“Burimi i krejt kësaj pasurie është shumë i thjeshtë – abuzimi më pushtetin ka bërë që të kemi politikan që kanë pasuri milionëshe apo edhe miliardshe.

Këta zyrtarë kanë shfrytëzuar pushtetin që krijojnë miliona dhe kanë shfrytëzuar pushtetin që të formojnë biznese, biznese këto që më pas kanë përfituar nga pushteti”, thotë Kalaja për Radion Evropa e Lirë.  

Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.

Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” shprehet i çuditur me faktin se në Kosovë milionerë nuk janë biznesmenët, por një pasuri të tillë e kanë politikanët. 

Me standardet e jetesës dhe më pagat e administratës publike, Abdixhiku konsideron se ka një shpërputhje të madhe  më pasurinë e politikanëve në vend.

“Është e pakuptimtë se si politikanët kosovarë gjenerojnë kaq shumë pasuri me një pagë simbolike në relacion pasurinë e tyre. Duhet të ketë resurse apo burime tjera të financimit të kësaj pasurie jashtë politikes”.

“Me nivelin e lartë të korrupsionit dhe më gjithë këtë perceptim të keqpërdorimit të parasë publike është e drejtë të ngrihet dyshimi që ka keqpërdorime të mëdha, të cilat në fund të përfundojnë te pasuria individuale e politikanëve të Kosovës”, shprehet Abdixhiku. 

Sidoqoftë, Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave janë të përkushtuara që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike. 

 
Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 16:44

Futbollistët kosovarë që luajnë në Europë, vazhdojnë t’I përgjigjen me “po” Përfaqësueses së Kosovës. Pas lejes nga FIFA për të luajturndeshje miqësore, Kosova po mirëpret bijtë e saj, të cilët po ia zbardhin çdo ditë e më shumë fytyrën, duke korrur suksese me klubet ku po zhvillojnë karrierën. Qindra lojtarë kosovarë janë dukeluajtur me Përfaqësuese të tjera, por që tani po e mendojnë seriozisht rikthimin për ta përfaqësuar vendlindjen e tyre, pasi sipas tyre e ndjenjë obligim këtë gjë.

Në një intervistë për “Arena”-n, mesfushori sulmues i Luzernit, Haxhi Neziraj, i cili aktualisht luan për Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, ka pranuar se do t’i bashkohet menjëherë Kosovës nëse merr një ftesë nga trajneri Albert Bunjaku. 20-vjeçari ka deklaruar se ndihet i lumtur me vendimin e FIFA-s, dhe do të luajë me gjithë dëshirë për vendin e tij.

“Më është bërë shumë qejfi që FIFA ia ka lejuar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Ky është një hap shumë i rëndësishëm. Sa I përket asaj, nëse unë do të luaj, atë e them pa asnjë dyshim. Unë jam kosovar dhe normal, nëse Kosova interesohet për mua, do të vij të luaj për vendin tim, siç besoj që do ta bënte çdo bashkëvendës i imi”, u shpreh talenti shqiptar.

Më tej Neziraj ka deklaruar se shpreson që sa më parë vendi i tij të pranohet me të drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit, ndërsa tregoi se ende nuk ka kontaktuar me askënd për të luajtur me Kosovën.

“Vendi im ende nuk është pranuar me të drejta të plota, por shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt. Sa i përket ndonjë kontakti ende nuk kam pasur që të luaj për Kosovën, por nëse marr ftesë e thashë edhe më parë që do ta pranoj me gjithë dëshirë dhe do të vij të luaj”, u shpreh Neziraj, i cili konsiderohet si ndër lojtarët më të talentuar të skuadrës së Luzernit. /albeu.com/

 
Lajme Shqip Sunday, 05 January 2014 17:56

 

Seancat e përbashkëta të qeverisë së Maqedonisë me qeverive të dy shteteve fqinje, Shqipërisë dhe Kosovës janë ende në përgatitje e sipër.

 

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë Muhamet Hoxha thotë se, nuk ka pengesa për organizimin e seancave të përbashkëta me qeveritë e dy shteteve, por tani janë krijuar kushtet duke pasur parasysh faktin se në të dyja shtetet ishin në proces zgjedhor.

 

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se ka gatishmëri nga të gjitha palët dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e të dyja vendeve, për të caktuar datën dhe temat e diskutimit që do të kenë karakter rajonal ndërsa do të jenë në shërbim të qytetarëve, shkruan shekulli.

 

Mbledhjet e përbashkëta të qeverive të vendeve të rajonit realizohen në kuadër të bashkëpunimit rajonal si parakusht për euro integrimin.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 29 December 2013 17:56

Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA, e ke pranuar kërkesen e Federatës së Futbollit të Kosovës, që përfaqësuesja e jonë të zhvilloj ndeshje miqësore ndërkombëtare prej 10 janarit të vitit 2014.

Kjo është kërkesa e vetme e palës kosovare aktualisht për të cilën u bisedua disa herë muajt e fundit në mes të krerëve kosovarë, serbë dhe botëror të futbollit.

Ndërkohë jo zyrtarisht mësohet se kombëtarja e Kosovës ndeshjen e parë historike miqësore ndërkombëtare do ta zhvilloj me përfaqësuesen e Kroacisë pikërisht në Prishtinë.

Ky vendim i FIFA-së, pritet që të bëhet zyrtar me 10 janar në Zvicër kur edhe do të mbahet mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv i FIFA-së. /Zëri/

 
Lajme Shqip Saturday, 21 December 2013 20:37

Sot në hapësirat e Lidhjes së Prizrenit, në Prizren u nënshkrua kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. Kontratën e nënshkruan 

kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Naim Bejtullahu me përfaqësuesit e kompanisë kroate Dalekovod e cila do të realizojë ndërtimin e linjës në pjesën e Kosovës, ndërkaq Engjëll Zeqo, Administrator i Përgjithshëm i OST Shqipëri, nënshkroi kontratën me përfaqësuesit e kompanisë Energoinvest nga Bosna dhe Hercegovina e cila do të realizojë ndërtimin e linjës në pjesën e Republikës së Shqipërisë. Të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Fadil Ismajli, ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë Damjan Gjiknuri, dhe Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë Peter Blomeyer. 

Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonektive e cila lidhë nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) më një gjatësi totale prej 241.5 km. Ndërsa LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OST).

Financimi i projektit për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT, për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milion Euro, nga e cila €16.5 milion grant + €17 milion kredi. Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë. 

Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese,  si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike. 

Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.  Derisa Kosova dhe Shqipëria aktualisht janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, kapaciteti i transferit të interkoneksionit me Shqipëri nga aktualisht rreth 200MW, me vënjen në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400kV Tirana –Podgoricë do të ngritet në rreth 900MW. 

Nga momenti i fillimit të punimeve, ndërtimi i linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri parashihet që të përfundojë në afat prej 24 muajsh derisa kontraktuesit do të jenë tërësisht të koordinuar gjatë procesit të implementimit. /koha/ 

 
Lajme Shqip Thursday, 24 October 2013 12:07

Një parrullë ku kërkohej nga UEFA që ta pranojë Kosovën në gjirin e saj, i ka çmendur serbët. Madje, mediat e Beogradit e kanë quajtur këtë veprim si skandaloz. Sipas tyre, ky është një incident dhe provokim politik, dhe që me të duhet të merren më seriozisht organet kompetente.

“Një grup tifozësh të Bayern Munchen, në ndeshjen e mbrëmshme të Chamopions League ndaj Viktoria Plzen kanë shpalosur një parullë me mesazhin: “Pranojeni Kosovën në UEFA”. Kjo ka ndodhur në minutën e 80-të dhe ky transparent mund të shihej për disa minuta në tribunën e veriut. Ky është incident me prapavijë politike dhe nuk është hera e parë që ndodh”, kanë shkruar mediat serbe.

Sezonin e kaluar, pas fitimit të treofeut të Champions Leahue, Xherdan Shaqiri festoi me flamurin e Republikës së Kosovës, duke u konsideruar si veprimskandaloz nga mediat serbe. /albeu/