Lajme Shqip Saturday, 04 January 2014 18:20

Kjo është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes drejtohet nga një zonjë. Por ajo nuk i druhet sfidave, madje i shikon si forcë e shtuar.

“Është më e bukur puna kur ka sfida të mëdha dhe shpresoj dhe besoj që ky është edhe rasti im”, kështu shprehet ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Në më pak se katër muaj në këtë detyrë, Kodhelit i është dashur të ndërmarrë disa vendime të rëndësishme.

Më i bujshmi ishte denoncimi i aferave korruptive të pasardhësit të saj, Arben Imamit.

Kodheki deklaron se do të zbardhet çdo aferë korruptive në dikasterin që ajo drejton duke paralajmëruar denoncime të tjera, përveç atyre që kishin lidhje me spote publicitare për ushtrinë shqiptare.

“Puna nuk mbaron me kaq. Ky ka qenë vetëm fillimit, dhe është vetëm fillimi. Detyrimi që auditimi i brendshëm ka, apo inspektimi i Ministrisë së Mbrojtjes ka, për të bërë transparencë është një detyrim që rrjedh nga ligji dhe do të vazhdojë të jetë deri sa të zbardhen të gjitha aferat dhe abuzimet që janë bërë në këtë ministri dhe në ministritë e tjera”, shprehet Kodheli.

Një nga arritjet me të cilat Shqipëria krenohet më shumë është anëtarësimi në NATO, por 4 vjet pas këtij moment Forcat tona të Armatosura ende janë larg standardeve të kërkuar nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.

“Ushtria shqiptare ka pasur paratë dhe mundësitë për ta realizuar këtë gjë. Mendoj që ka munguar vullneti politik për të kryer këtë investim le të themi. Paratë për të modernizuar ushtrinë shqiptare kanë shkuar në drejtime të tjera. Në funksion të pushtetit të atëhershëm apo në funksion të interesave personale , që kanë dëmtuar modernizimin dhe transformimin e ushtrisë shqiptare”, nënvizon Kodheli, shkruan shekulli.

Viti 2014 sapo ka nisur dhe Mimi Kodheli duhet të realizoje një sërë reformash e më së pari duhet të reformojë kuadrin ligjor të Forcave të Armatosura që ende funksionojnë me ligje të vitit 2002 apo 2004, por sfidat duket se i përshtaten ministres shqiptare të mbrojtjes. 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 12 December 2013 11:53

Tiranë- Ministra dhe drejtorë të rëndësishëm të Sali Berishës po shkojnë njëri pas tjetrit në prokurori, për të dhënë llogari për shpërdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, kontrabandën, trafiqet, grabitjen e arkës së shtetit dhe favorizimin e kompanive pranë familjes. Pas Arben Imamit, edhe administrata doganore rrezikon burgun. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, së bashku me zinxhirin drejtues të Doganave, është paditur në prokurori për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Ashtu siç edhe ka paralajmëruar, mazhoranca qeverisëse ka vendosur të hapë dosjet e aferave në një nga strukturat më të korruptuara të shtetit shqiptar, siç janë Doganat. Kështu, i gjithë rrjeti drejtues i Drejtorisë së Doganave dhe i degëve doganore është kallëzuar penalisht në prokurori. Lajmi është konfirmuar dje nga drejtoresha e re e Doganave, Elisa Spiropali. Kjo e fundit ka firmosur dje disa kallëzime penale për ish-drejtuesit e Doganave. Spiropali shpjegoi se bëhet fjalë për një zinxhir drejtuesish në dogana që janë të përshirë në këtë abuzime, duke përfunduar tek ish- drejtori i Përgjithshëm i Doganës. Krahas Gjymishkës, në prokuroria janë kallëzuar edhe ish-krerët e degëve doganore. “Ne kemi evidentuar disa raste të abuzimit në dogana, që janë bërë dhe publike, për evazion fiskal në fushën e akcizës, dhe që sigurisht këto persona do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale. Vetëm sot unë kam firmosur një kallëzim penal për punonjës të administratës doganore, ku i gjithë zinxhiri i administratës  është i përfshirë në këto procedura abuzive duke i shkaktuar dëme financiare shtetit shqiptar. Në këtë zinxhirë abuzues të doganierëve është i përfshirë edhe ish- drejtori i Doganave.  Ishte një nga rastet e para ku sasi të konsiderueshme nafte janë zhdukur. Nuk figurojnë të paguara, duke i shkaktuar një dëm prej 4 milion eurosh shtetit shqiptar. Po kështu, ne kemi kallëzuar penalisht edhe firmën që i ka shkaktuar dëmet”, tha Spiropali. Sipas shpjegimeve të Spiropalit, ish- drejtori i përgjithshëm i Doganave është përfshirë në aferën “ADA Petrol”, tha Spiropali. Duke folur për gjendjen e doganave, Spiropali tha se përveç abuzimeve dhe shpërdorimit të detyrës, është konstatuar favorizimi që i është bërë një numri të madhe kompanish, kryesisht të njohura për lidhje me drejtues të lartë të qeverisë para zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

Paralajmërimi

 

Gazeta “SOT” ka paralajmëruar prej disa muajsh ndjekjen penale të Flamur Gjymishkës, arkitektit të korrupsionit dhe kontrabandës në Dogana. Tatimet dhe doganat, edhe për shkak të natyrës së detyrës që kanë, konsiderohen dy arteriet më të korruptuara të shtetit shqiptar. Dëmi i aferave dhe manovrave në tatime dhe dogana është i pallogaritshëm. Vetëm disa javë më parë, u denoncua një tjetër rast flagrant i evazionit fiskal në dogana, ku përfitues ishte një njeri pran familjes Berisha. Dokumentet doganore faktuan mospërputhje të mëdha në vlerën financiare të importeve të ngjyruesve nga kompania koncesionare “Global Fluids”.

 

Administrata Doganore

Administrata Doganore përbëhet nga Drejtoria e Përgjithshme, nga Drejtoritë Rajonale dhe nga degët doganore. Ajo varet nga Ministria e Financave dhe është nen mbikëqyrjen e saj. Drejtoritë Rajonale varen nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe janë nen mbikëqyrjen e saj. Ato përbëhen nga një ose disa dege doganore, mbi te cilat ushtrojnë kontroll. Kompetencat dhe organizimi i Administratës Doganore përcaktohen ne aktet nënligjore ne zbatim te këtij Kodi. Në strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave krijohet organi i luftës kundër kontrabandës dhe trafikut të paligjshëm, i cili kryen funksionet e policisë gjyqësore.

Rama: Paratë e ndihmës ekonomike në labirintet e korrupsionit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në qytetin e Elbasanit projektin pilot “Modernizimi i sistemit të asistencës sociale”. Rama, në një fjalën, e tij ka përsëritur edhe njëherë se nuk janë njerëzit ata të cilët korruptojnë sistemin, por sistemi që korrupton njerëzit. Kreu i qeverisë, Rama, ka qenë i pranishëm në Elbasan së bashku me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, si dhe me drejtoreshën e BB, Aylin Isik Dikmelik. Projekti në fjalë financohet nga Banka Botërore. “Ne sot nisim një punë nga themelet për të përmbysur sistemin që bëri për vite me rradhë t’ju hahet haku atyre që ju takon realisht pagë si invalidë apo ndihmë ekonomike dhe të marrë atë që i takon pa u zvarritur më në rrugët e korrupsionit, qoftë një invalid, qoftë një familje me ndihmë ekonomike”, tha kryeministri Rama. Sipas kryeministrit, sistemi i ndihmës ekonomike ka qenë një sistem i përfshirë nga një skemë mashtruese ku goditeshin individët e dobët të shoqërisë. “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën që trashëgojmë, është një situatë ende më e rëndë se ç’e kemi paraparë, tani që e shohim nga brenda dhe shohim gjithë labirinthin e korrupsionit në të gjithë sektorët. Në këtë aspekt është një situatë më shumë se shqetësuese, pasi këtu korrupsioni ka goditur ata që janë më të dobëtit”, tha më tej Edi Rama. Kreu qeveritar ka thënë se në skemën ekonomike ka patur emra të cilët në të vërtetë nuk kanë patur nevojë për ndihmë ekonomike dhe janë dënuar ata të cilët vërtetë kanë nevojë për këtë ndihmë. Sipas tij, sistemi ka qenë në dorën e një burokrati dhe e kontrolluar nga politika. Rama ka sqaruar se vonesat për pagesat për ndihmën ekonomike janë bërë për shkak të këtij sistemi burokratik të kaluar. Ai ka siguruar se do të punohet për rregullimin e listave për të shmangur drastikisht korrupsionin. “Dhe nëse sot njerëzit më në nevojë dhe në radhë të parë invalidët, janë në kushte dramatike pas disa muajsh pa pagesë, kjo vjen pikërisht sepse sistemi ishte i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të luante çdo ditë me fatin e tyre për t’ju marrë votën, apo për t’ju ngrënë hakun, duke futur në skemë njerëzit të cilët nuk ishin as invalidë as në nevojë për ndihmë ekonomike. Përmes këtij kantieri duke filluar nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi, ne do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për çdonjërin nga njerëzit në nevojë të mos jetë më në dorën e një administratori, burokrati apo qoftë edhe e një kryetari komune, që merr prej hunde një komunitet të tërë, duke vendosur kë të dojë në këtë skemë. Kjo skemë do të jetë transparente, objektive dhe do të shmangë në mënyrë drastike korrupsionin dhe të gjithë pasojat e prodhuara me korrupsion. Jam i vetëdijshëm që invalidët një orë e më parë do të fillojnë të paguhen dhe ne këtë do ta realizojmë një orë e më parë”, tha kryeministri Rama në një konferencë për shtyp për mediat. 

 
Lajme Shqip Saturday, 20 April 2013 12:01

Tiranë – “Korrupsioni i përhapur në të gjitha hallkat e qeverisë, dhe veçanërisht në sistemin juridik, mbetet një problem serioz në Shqipëri”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut, për vitin 2012 në të gjitha vendet e botës, përfshi edhe Shqipërinë.

“Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të 2013. I korruptuar mbetet sistemi arsimor apo ai shëndetësor, ku mjekët kërkojnë parà për të garantuar atë që duhet të ishte një shërbim gratis për të gjithë.

Gjithashtu, në këtë pjesë, ku flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë, përmendet edhe vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e tregon atë të diskutojë për rryshfet.

Sa i takon korrupsionit në sistemin e drejtësisë, shumë gjykatës – thotë raporti – lëshojnë vendime, që duket se nuk kanë asnjë bazë në ligj apo fakte.

“Institucionet shtetërore thellësisht partiake, përfshi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejtë ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit nga partia në pushtet, gjatë kësaj periudhe – shkruhet në raport – grryu edhe më tej besimin e publikut në pavarësinë e institucioneve të vendit”.

Sa i takon zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes politike, raporti ndalet te parlamentarët e vitit 2009, që nuk përmbushën potencialin e vendit për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike.

Për zgjedhjet e majit 2011, raporti ndalet te vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të përmbysur rezultatin fillestar për Bashkinë e Tiranës, i perceptuar gjerësisht si partiak dhe që minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

Sa i takon partive politike, raporti përmend braktisjen apo ndryshimin e partisë së tyre, pa humbur vendin e tyre në parlament. Përmenden gjithashtu edhe ankesat e zyrtarëve të Aleancës Kuq e Zi, për sulmet fizike të policisë ndaj vullnetarëve të tyre, apo për mosdhënien e lejes nga zyrtarët e koalicionit qeverisës, për të zhvilluar protesta apo grumbullime të tjera publike.

Raporti nënvizon edhe gjyqin e Top Channel me ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango, ku thotë se në 18 qershor 2012, Gjykata e Tiranës gjobiti televizionin me 51 milionë lekë për transmetimin e kamerës së fshehtë, që çoi në dorëheqjen e ish-ministrit. Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin, ndërsa Gjykata e Lartë kërkoi kthimin e çështjes në shkallën e parë. Avokatët e Pangos apeluan vendimin – thekson raporti – dhe Gjykata e Lartë nuk është marrë me këtë çështje deri në fund të vitit të shkuar.

Raporti nënvizon edhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve, ndërsa nënvizon me shqetësim mënjanimin dhe abuzimin e bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve, gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për t’u nxjerrë rrëfime.

Raporti thekson se probleme të tjera përfshijnë dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave.

Sa i takon 21 janarit, raporti i referohet gjykimit të tre të akuzuarve,  ish-komandatit të Gardës, Ndrea Prendi, shoferit të tij, Margarit Kume, dhe Armando Kasajt, që punonte në zyrën e informatikës në Kryeministri. Më 26 korrik – shkruan raporti – gjykata shpalli të pafajshëm Kasajn, ndërsa gjyqi ndaj të dyshuarve të tjerë vazhdoi më tej.(T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 February 2013 11:22

TIRANË– Ambasadori Amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu kërkon intensifikimin e punës në luftën kundër korrupsionit. Gjatë një vizite në Prokurorinë e Tiranës, ku ishte i pranishëm dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ambasadori amerikan theksoi se është koha e duhur për të luftuar korrupsionin.

Ambasadori Arvizu, duke kujtuar se parlamenti tashmë e ka votuar ligjin për kufizimin e imunitetit ka kërkuar përkushtim e angazhim nga prokurorët në luftën pa kompromis kundër korrupsionit.

“Nuk ka punë të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit. Zyrtarët amerikan dhe komisionerët e BE flasin për korrupsionin. Shpresojmë të shohim më shumë arrestime.”- deklaroi Arvizu.

Nga ana e tij, kryeprokurori Llalla deklaroi se korrupsioni është një pengesë e kapërcyeshme që kërkon impenjim në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional. Sipas tij, kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë ka krijuar lehtësira në këtë drejtim.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 January 2013 15:59

TIRANE – Me akuzen e falsifikimit te dokumenteve dhe shperdorimit te detyres, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori dy ish kontrollorë të tij për shkelje të kryera në vitet 2009-2010.

Sipas nje njoftimi te KLSH-se, dy personat e kallezuar jane F.D dhe J.P. Në lidhje me kallëzimin penal ndaj ish-kontrollorit F.D, KLSH sqaron se ky person në kundërshtim të plotë me Rregulloren dhe Kodin Etik të KLSH-së, ka mbajtur më datë 16.6.2009 aktverifikimin në ish-Zyrën Rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave – Qarku Durrës, në mënyrë të parregullt, duke nënshkruar e firmosur në emrin e njërit prej kolegëve të tij i cili nuk ka qenë në grupin e punës dhe nuk ka marrë pjesë në kontrollin e mësipërm.

 

Si rrjedhojë e këtij falsifikimi, janë nxjerrë tre shkresa me objekt: “Për kompetencë e veprim” drejtuar AKKP-së, Bashkisë Durrës dhe ZRPP – Durrës, në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, veprime këto që kanë sjellë si pasojë bllokimin në mënyrë të kundërligjshme të së drejtës së posedimit të pronës së një subjekti privat, për një periudhë disa vjeçare.

 

KLSH sqaron më tej se në lidhje me kallëzimin penal të bërë ndaj ish-kontrollorit me inicialet J.P, KLSH sqaron se nga shqyrtimi i këtyre dosjeve të mëparshme të kontrollit të vitit 2009 të ushtruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore, Tiranë (Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj), janë evidentuar shkelje të procedurave të kontrollit që konsistojnë në trajtimin e ndryshëm të të njëjtit fenomen nga një subjekt tatimpagues tek tjetri dhe mospasqyrimin e detyrimeve të konstatuara në procesverbalet e kontrollit në Projekt Raportin dhe Raportin Përfundimtar të kontrollit.

 

Kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektet tatimpaguese me aktivitet në ndërtim objektesh banimi (pallate), nga grupi i kontrollit të KLSH-së, është shmangur evidentimi në Raportin Përfundimtar të kontrollit të detyrimeve që disa prej këtyre subjekteve private duhej të paguanin në favor të shtetit, veprime këto që kanë shkaktuar një dëm ekonomik të përllogaritur në vlerën 13,231,358 lekë. (LajmeShqip.com)