Lajme Shqip Monday, 09 September 2013 16:12

Prishtinë- Ilir Dushi, Kryeshef i AKPM’së dhe Haki Ejupi, Drejtor i Licencimit në AKPM, janë arrestuar sot në mesditë nga Policia e Krimeve Ekonomike.

Aksioni i policisë ndaj Agjencisë Kosova për Produkte Medicinale, sipas burimeve të Gazetës Express, vjen pasi që dy zyrtarët e lartë i kanë bërë presion ish-zyrtarit ligjor Bersan Kolgecit për nënshkrimin e një kontrate me një kompani për produkte medicinave.

Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarët policorë nuk kanë qenë në gjendje të japin sqarime shtesë rreth këtij rasti.

Fotoreporteri i Gazetes Tribuna, Xhemail Sllovinja ka arritur te realizoje nje fotografi gjate momentit kur policia po e arrestonte Kryeshefin e AKPM’se.

 
Lajme Shqip Friday, 17 May 2013 23:33

Autoritetet në Bosnjë e Herzegoivë bllokuan të premtën shtatë prona të patundshme të Naset Kelmendit që përfshijnë katër shtëpi, dy banesa që gjendën në rrethinën e Sarajëvës si dhë hotelin Casa Grand në Iligjë.

Kelmendi gjendet në paraburgim në Kosovë dhe është arrestuar në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Bosnja.

EULEX-i po mban procesin gjyqësor kundër tij pasi që Kosova e Bosnja nuk kanë marrëveshje ektradimi mes vete.

Kelmendi, 55-vjeçar, nga Peja është në listën e zezë të SHBA-së.

Departamentit i Thesarit në SHBA dyshon se Kelmendi ka udhëhequr një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan.

Ai përmendet si një drejtues i një organizate të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 15:36

“The Economist”, shkruan se Kelmendi kishte lidhje politike në të dy vendet. Ai hetohej me vite për krim të organizuar por që deri më tash nuk është dënuar asnjëherë. Sipas gazetës emri i tij po përmendet si i lidhur me politikën dhe i lidhur me trafikun e drogës.

Kelmendi ka mohuar akuzën se ai është marrë me drogë, ndërkaq ai është i vetmi individ nga Ballkani në të ashtuquajturën “Lista e Zezë amerikane” e trafikantëve të caktuar dhe posaçërisht dilerëve të drogës”.

“Arrestimi i Kelmendit, në qoftë se pasohet me një gjykim të drejtë, mund të jetë një pikë e rëndësishme kthese në luftën kundër krimit të organizuar në rajon”, shkruan gazeta britanike.

Kelmendi u arrestua në Prishtinë më 5 maj mbi bazën e një urdhër-arresti të Interpolit. Ai është kërkuar për “vrasje në tentative dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve në Amerikën e Jugut, Turqi, Serbi, Kroaci dhe vende tjera të Evropës Perëndimore”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 March 2013 18:11

Prishtinë – Preportr.com ka kryer një hulumtim rreth korrupsionit në Komunën e Prishtinës. Raporti inkriminon kreun e Prishtinës dhe të LDK’së, Isa Mustafën dhe ish-Presidentin Fatmir Sejdiun. Autorë të tekstin janë Visar Duriqi dhe Qëndrim Bunjaku. Gazeta Express sjell të plotë këtë raport.

Komuna e Prishtinës funksionon si oborr privat i LDK-së. Hulumtimi i Preportr, është bllokuar totalisht nga ana e punonjësve të Komunës së Prishtinës , duke mos ofruar as informacione që do të duhej të ishin publike . Megjithatë, Preportr, ka arritur të hulumtojë shpërndarjen e afro 100 milionë eurove në tenderë publikë nga viti 2007-2012. Hulumtimi nxjerr në pah se afro 35 % e kësaj shume u është ndarë kompanive që kanë pasur borxhe ndaj komunës, e kanë mashtruar atë, i kanë shkelur kontratat me të ose kanë vazhduar të marrin tenderët përkundër faktit që për to u nisën hetime për korrupsion në komunë. Në komunën e krye-opozitarit Mustafa, mbi 13 milionë euro i përfituan financuesit e PDK-së dhe kompanitë e ndërlidhura me këtë parti. Hulumtimi tregon që Komuna e Prishtinës, nuk është aspak imune ndaj keq-përdorimeve me paranë publike dhe favorizon kompani të caktuara që kanë lidhje me kreun e saj. Në këtë hulumtim shihet se kompani ose konzorciume që kanë pasur pronarë të njëjtë kanë konkurruar nëpër tenderë dhe i kanë fituar ato. Madje në rastin e licencës për radio taksin “City Taxi”, kreu i komunës del të jetë shumë ngushtë i lidhur me këtë licencë. Derisa Komuna që tradicionalisht udhëhiqet nga LDK-ja vazhdon të jetë e mbyllur, nën akuzën për korrupsion pritet të gjykohet kryesuesi i kuvendit, Sami Hamit, dhe shefi i deritanishëm i prokurimit, Ekrem Rexha. Në Komunën e Prishtinës hisja e ortakëve të djemve të Fatmir Sejdiut në fondet publike vazhdon e paprekur.

Është ish-funksionar i lartë i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, por që nga nëntori i 2010-së, drejton partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, (LDK), ndërsa kryeqytetin kosovar, Prishtinën, që nga viti 2007.

Isa Mustafa kishte bërë famë kryesisht duke kritikuar liderin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçin, por në komunën që ai drejton, keqpërdorimi me paranë dhe asetet publike është shndërruar në normë.

Preportr ka shikuar mbi 280 tenderë me vlerë të madhe dhe të mesme që nga fundi i vitit 2007 deri në fundin e vitit 2012, vlera e të cilëve është afro 100 milionë euro, dhe të cilat u janë ndarë afro 270 kompanive.

Komuna e Prishtinës ka penguar në vazhdimësi realizimin e këtij hulumtimi duke refuzuar për t’u përgjigjur kërkesave për informatat, të cilat do duhej të ishin në pronësi të publikut.

Nga ky hulumtim, Preportr nxjerr se afro 35 % e tenderëve, nga vlera totale prej afro 100 milionë eurosh që janë hulumtuar, Komuna e Prishtinës i ka ndarë për kompani që kanë pasur borxhe ndaj komunës, e kanë mashtruar atë, i kanë shkelur kontratat me të, ose ka vazhduar për t’u dhënë tenderë kompanive për të cilat u nisën hetime për korrupsion në këtë komunë. Këtu bëjnë pjesë kryesisht tenderët që iu dhanë biznesmenit Ragip Mustafa, kompanive të familjes Zymberi kryesisht ato me kompaninë“All Zone” dhe kompanitë e tjera të ndërlidhura me mashtrimin e Komunës kur iu shit kamioni i zjarrfikësve për afro 30 herë më shtrenjtë se çmimi i tregut, tenderët e kompanisë “Çlirimi” nga Prizreni e kompanisë “ABC’ nga Podujeva.

Lista e kompanive që përfitojnë nga buxheti komunal, që asnjëherë nuk është nën 57 milionë euro për vit, është e mbushur me kompani financuese të PDK-së. Kështu, nga shuma e nxjerr nga Preportr, del se financuesit e PDK-së nga kjo vlerë prej 100 milionë, kanë marrë mbi 8 milionë euro, kurse kompani të cilat në një formë apo tjetër janë të lidhura me PDK-në, kanë marrë mbi 5.7 milionë euro.

Nga të gjitha hulumtimet e derisotshme të Preportr, ky për Komunën e Prishtinës,ka marrë më së shumti kohë dhe ka qenë më i vështiri. Komuna e Prishtinës është e mbyllur, gati-gati e kthyer në një aset personal të atyre që janë në krye të saj. Përpos që nuk është lejuar qasje në asnjë dokument të kërkuar, as kryetari Isa Mustafa nuk ka pranuar që të intervistohet. Kjo mbyllje, sido që të jetë, nuk ka arritur të fsheh keqpërdorimet në administratën e kryeqytetit.

Derisa Mustafa, lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, nuk pranon të flasë, dokumentet flasin për një dekadë keqpërdorimesh me buxhetin publik në Komunën e Prishtinës, të udhëhequr pa ndërprerë nga LDK-ja, që nga zgjedhjet e para komunale të viti 2000.

Me tenderët, në pjesën më të madhe të kësaj kohe udhëhoqi Ekrem Rexha, tash me aktakuzë të konfirmuar për shpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëpunim edhe me pesë kolegë nga kjo komunë. Përkundër akuzave, ai është avancuar menaxher i projekteve ekonomike.

Në përgjithësi, Preportr ka gjetur se në këta tenderë prijnë kompanitë që në një formë kanë konteste me komunën si dhe kompanitë e ndërlidhura me PDK-në. Por edhe LDK-ja ka përfituar nëpërmjet aseteve tjera publike, sikur te licencat e taksive, favorizimi i kompanive që kanë financuar fushatat elektorale të saj etj.

Zona e muzgut

Që nga viti 2007, tenderët e dhënë nga Komuna e Prishtinës, pareshtur favorizuan kompani të cilat ose janë të lidhura politikisht me ndonjërën nga partitë e mëdha në pushtet, ose janë kompani që tanimë veç kanë dështuar në kryerjen e shërbimeve me tenderët e kaluar.

Kompania “All Zone”, por edhe kompanitë e biznesmenit Ragip Mustafa kanë këto karakteristika dhe kanë marrë shuma të mëdha parash nga ky institucion. Kjo i bënë kompanitë e Mustafës si të jenë kompani të vetë komunës. Madje, baba i Valon Zymberit, pronarit të “All Zone”, Ragip Zymberi, punon në Komunën e Prishtinës, kurse Ragip Mustafa është i shpërblyeri i kësaj komune prej tenderëve për furnizim me xhama e deri te tenderi më i fundit për rreth-rrotullimin në Veternik, rreth të cilit pati shumë ankesa.

“Beni Dona Plast” dhe “Olti Trasing”, kompani të Ragip Mustafës, janë kontraktorë të rregullt të Komunës së Prishtinës. Preportr, ka gjetur se Mustafa me këto dy kompani ka marrë tenderë dhe hise në tenderë, si pjesë e konzorciumeve, shuma që kapin vlerën prej 3.4 milionë eurove. Kompania “Beni Dona Plast”, sipas gjetjeve të Auditorit (ZAP), ka qenë një kohë të gjatë e papërgjegjshme ndaj Komunës së Prishtinës, por megjithatë del që ajo është favorizuar duke iu vazhduar kontrata kundërligjshëm.

Kjo kompani bën edhe ndërtime kolektive pa leje. Ragip Mustafa, në lagjen Ulpiana, rruga “Imzot Nikë Prela”, ka ndërtuar objekt kolektiv pa leje ndërtimi. Ajo ndërtesë është shumë e dukshme, dhe mban mbishkrimin “Beni Dona”. Ky biznesmen, “rrugëtimin e favorizmit” nga Komuna e Prishtinës e kishte nisur që në vitin 2005, kur ishte kryetar Ismet Beqiri, tash kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së në Parlamentin e Kosovës.

ZAP në vitin 2006 gjeti se për parkingjet publike nëpër trotuare, Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar kompanitë “Beni Dona Plast”, dhe “LTG”. Këto dy kompani i mbetën borxh komunës në vlerë prej 164,480 eurosh. “Nga viti 2005, Komuna ka pasur kontratë me ndërmarrjen “Beni Dona” për dhënien në shfrytëzim të vendeve për parkim publik në rrugët e qytetit. Kjo kontratë është vazhduar edhe njëherë deri me 30.06.2006. Nga zyrtarët përgjegjës në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, është thëne se kontrata është vazhduar edhe për vitin 2007. Mirëpo, kjo nuk është ofruar si dëshmi ekipit të auditimit”, shkruajnë auditorët.

Nga raportimet e auditorit del se, sa më i papërgjegjshëm që tregohej biznesmeni Mustafa, ndaj Komunës së Prishtinës, aq më zemërgjerë tregohej komuna ndaj tij. Pagesën prej 7,020 eurosh për muaj që duhej t’ia paguante kompania “Beni Dona Plast” e Mustafës për shfrytëzimin e hapësirës publike për biznes, Komuna ia kishte zvogëluar, derisa borxhet kishin arritur dhjetëra-mijëra euro. Auditorët po ashtu gjetën se kompania ‘’Beni Dona Plast’’, më 2007 e 2008 ka menaxhuar me parkingjet publike pa vazhdim të kontratës dhe borxhi i saj ndaj komunës vlerësohet mbi 50 mijë euro.

Ragip Mustafën e gjejmë përsëri te tenderët, edhe në vitin 2012. Këtë vit ishte raportuar që tenderi prej 2.1 milionë eurosh për “Ndërtimi i rrethrrotullimit në dalje të Prishtinës -drejtimi i Veternikut, pjesa e parë ” i ishte dhënë këtij biznesmeni, edhe pse kompania ’Olti Trasing’, sipas dy kompanive ankuese në OSHP, nuk i kishte kryer disa punë të kontraktuara më herët me Komunën e Prishtinës, me gjithë se kjo sanksionohej në kriteret e tenderit. Me këtë pretendim u nisën edhe kompania “Alko Impex” dhe “R&Rrukoilli” që të ankoheshin në OSHP, por e humbën rastin.

Një situatë e ngjashme është edhe me bizneset e familjes Zymberi, veçse ato filluan tek në vitin 2009 me tenderët publik në Komunë., Fillimi dukej të ishte i “mbarë”, pasi që familja Zymberi me kompaninë “All Zone”, i shiti Komunës së Prishtinës një kamion për zjarrfikës për “27 herë më shtrenjtë sesa ishte deklaruar në Doganat e Kosovës”, bazuar në të dhënat e ZAP-it, duke mashtruar kështu këtë institucion.

Valon Zymberi tash është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës për mashtrim të Policisë së Kosovës. EXPRESS shkruan se gjyqtari Faik Hoxha, nga provat e prezantuara ka gjetur se Valon ZYmberi me kompaninë “Idal Solucion” ka mashtruar PK-në duke i shitur një kamion mallrash të modifikuar për top uji për shpërndarjen e protestuesve- autoblindë, vlera e të cilit është mbi 200 mijë euro.

Kështu, “All Zone”, pronë e Bekim, Valon, Besnik Zymberit nga Komuna e Prishtinës, që nga viti 2009 e deri në vitin 2012, ka marrë tenderë si e vetme si dhe duke qenë pjesë e konzorciumeve, vlera që kapin shifrën mbi 11.7 milionë euro. Komuna e Prishtinës, vitin që shkoi, ia besoi kësaj kompanie, në konzorcium me kompaninë “ABC” nga Podujeva, ndërtimin e sheshit “Ibrahim Rugova”, derisa në garë ishte edhe kompania me famë ndërkombëtare në fushën e ndërtimtarisë, “Mabetex”, e krijuar nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli. Pas nisjes së punëve në shesh, “ABC” u tërhoq nga tenderi.

Preportr në hulumtimin “KEK-Korporata e Korrupsionit” gjeti se kompania “Pro Trade” e Suzana Zymberit, që ishte po ashtu njëra nga kompanitë konkurruese në tenderin e kamionit të zjarrfikësve, që doli të jetë i kurdisur, ka marrë tenderë publik në KEK. “Pro Trade”, kompani në pronësi të Syzana Zymberit për person kontaktues ka Valon Zymberin , pronarin e kompanisë përfituese të tenderëve në Komunën e Prishtinës, “All Zone”. “Pro Trade” e Suzana Zymberit, nga viti 2008-2011, ka marrë nga Komuna e Prishtinës tenderë në vlerë prej 883 mijë eurosh.

Në vitin 2010, “Pro Trade” në lagjen më të frekuentuar “Pejton”, ka marrë me koncesion nënkalimin. Nga ndërtimi me koncesion i nënkalimit dhe dhënia me qira e tij, komuna fiton qira mujore prej 160 eurosh.. Edhe pse në ndërtim e sipër, zyrtarët komunalë kishin thënë se ai do t’i ketë 7 lokale dhe disa banjo publike, më pas nuk doli kështu. Nënkalimi sot ka 10 lokale, duke përfshirë këtu edhe lokalin “URBANO & FOOD COFFEE” që është pronë e Besnik Zymberit, po ashtu një nga personat e “All Zone”. Ndërkohë që ky lokal ka zaptuar një pjesë të mirë të pronës publike me vendosjen e karrigeve jashtë lokalit, ani pse zyrtarët komunalë thonë se i ka me leje.

Ka shumë kompani që vazhdojnë të shpërblehen me tenderë nga komuna edhe pse ato kanë bërë shkelje të kontratave me po këtë autoritet. Kompania“ABC” nga Podujeva, pronë e Arben Jetullahut, nga hulumtimi i Preportr, del se ka marrë tenderë dhe hise nga disa të tjerë, duke hyrë në konzorciume, vlera e të cilëve mbërrin mbi 6.2 milionë euro në vitet 2011-2012. Kjo kompani ka vazhduar të shpërblehet me tenderë edhe pse në vitin 2009, nga Drejtoria e Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, ishte futur në listën e kompanive që patën shkelur kontratat publike.

“Eskavatori”, pronë e Isa, Bajram, Ibush e Haziz Ryshajt nga Ferizaj, nga viti 2009-2012 ka marrë tenderë në vlerë prej 3.2 milionë eurosh, nga Komuna e Prishtinës. Kjo kompani në vitin 2008, kur MASHT-in dhe ish-MTPT-në po i udhëhiqnin Enver Hoxhaj, respektivisht, Fatmir Limaj, të dy nënkryetarë të PDK-së, ka marrë tenderë, dhe hise nëpër tenderë, duke qenë pjesë e konzorciumeve, të cilët kapin vlerën mbi 11.7 milionë euro. “Eskavatori”, nga Drejtorati i Infrastrukturës Lokale, ishte futur në mesin e 9 kompanive që i kishin shkelur kontratat me komunën në vitin 2009, por ka vazhduar të shpërblehet nga Komuna e Prishtinës.

Kompanitë që nuk kanë përmbushur kontratat e mëhershme e që kanë marrë sërish tenderë gjatë këtij vitijanë: “Toifor” nga Prishtina, “ABC” nga Podujeva, “Park projekt”, “Euro-Garden” nga Lipjani etj. Arsyetimi i komunës është se atyre “u intereson veç çmimi”.

Bizneset e PDK-së në komunën e LDK-së

Preportr në hulumtimin “100 milionë” gjeti se mbi 100 milionë euro janë shpërndarë nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi për kompanitë që atij ia zgjatën dorën gjatë fushatave zgjedhore. Nga dokumentet zyrtare, ky hulumtim ka gjetur se 43 subjekte të ndryshme, që financuan PDK-në, sistematikisht u shpërblyen nga institucionet që drejtojnë njerëzit e kësaj partie, madje duke mos u kursyer as nga shkeljet e ligjit.

Shpërblimi për kompanitë financues të PDK-së dhe kompanitë e ndërlidhura me këtë parti nuk ka munguar as në komunën e krye-opozitarit, Isa Mustafa.

“Bageri”, pronë e Bujar Shabanit nga Ferizaj, në vitin 2012 është shpërblyer me tenderin “Asfaltimi i rrugëve ne Shkabaj dhe Rimanishtë”, me shumën 124 mijë euro, nga Komunën e Prishtinës. Pronari i saj, në vitin 2009 kishte dhënë 1 mijë euro donacion për PDK-në dhe është kontraktor i disa institucioneve që udhëheq kjo parti, ku vlera që ka marrë nga to është mbi 1.2 milionë euro. Kjo kompani, sipas profilit të saj në internet, si pjesë të saj ka edhe bazën e prodhimit të asfaltit në Komunën e Lipjanit, emri i së cilës është “Kosova Asfalt”. Kjo e fundit, në një publikim të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor është futur në listën e kompanive të cilat me veprimtarinë e tyre e dëmtojnë ambientin. Në këtë publikim, “Kosova Asfalt” e kompanisë “Bageri” thuhet se ndotë ujërat nëntokësore.

“Bejta Comerce”, pronë e Basri dhe Adem Kçikut nga Gjilani, në vitin 2012 është shpërblyer nga Komuna e LDK-së me tre tenderë që peshojnë bashkë mbi 880 mijë euro. “Bejta Comerc”, në dy fushatat zgjedhore, atë të viti 2009 dhe vitit 2010, dha për PDK-në, 1499 euro, ku vetëm nga ish-MTPT-ja, ka fituar kontrata në vlerë prej 7.5 milionë eurosh.

“BENI – COM “, pronë e Ismet Konushevcit, që nga viti 2010-2012, në Komunën e Prishtinës ka marrë tenderë, dhe hise nëpër tenderë si pjesë e konzorciumeve të cilët kapin vlerën mbi 3 milionë euro. “Beni Com” nga Podujeva, që në dy fushatat e fundit zgjedhore dha për PDK-në 3900 euro, ka marrë nga ish-MTPT-ja, 9.4 milionë euro, derisa vlera e tenderëve që ka marrë nga institucionet që drejtojnë njerëzit e partisë së Thaçit, kalon mbi 11 milionë euro.

Në vitet 2011-2012, “Kastrioti”, pronë e Kastriot Fazlijajt nga Shtimja, në Komunën e Prishtinës ka marrë hise nga katër tenderë, duke qenë pjesë e konzorciumeve, vlera e të cilëve peshon mbi 3.6 milionë euro. Këta tenderë i ka marrë në konzorcium, veç e veç me “Ledi Ing” nga Shtimja dhe “Arhiko”.

Kastriot Fazlija, që për PDK-në dha 1 mijë euro donacion në vitin 2010, dhe nga institucionet e drejtuara nga PDK-ja ka marrë afro 800 mijë euro, nga Komisioni për Miniera dhe Minerale ka marrë një licencë për eksploatim të zhavorrit në vitin 2002 -2005 dhe është edhe huadhënëse e 90 mijë eurove për deputetin e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

“Metali”, nga Vitia, të cilës Komuna e Prishtinës nuk ia ka publikuar emrin e personit kontaktues, nga kjo komunë në vitin 2011 është shpërblyer me tenderin “Furnizimi me inventar për shkolla dhe institucione parashkollore”, që peshon afro 140 mijë euro. Preportr, ka gjetur se një kompani me emrin “Metali”, nga Vitia, e që për pronar ka Elbasan Alidemën, është financuese e PDK-së.

“Arberi NS”, të cilës Komuna e Prishtinës nuk ia ka bërë publik personin kontaktues, bashkë me kompaninë “Jehona”, pronë e Hazir Krasniqit ka marrë hise në tenderin “Asfaltimi i segmentit të rrugës Dabishec-Hajkobillë”, që peshon 265 mijë euro. Të dyja kompanitë janë financuese të PDK-së dhe hisedarë të tenderëve të institucioneve që drejtojnë njerëzit e kësaj partie dhe institucioneve të tjera.

“Zuka Commerc”, pronë e Muhadin Zukës,, në vitin 2012 është shpërblyer nga Komuna e LDK-së me tenderin “Asfaltimi i rrugës Busi- Marevc – faza e parë “, që peshon mbi 180 mijë euro. Nga MTPT-ja e kohës së Fatmir Limajt, kjo kompani ka marrë tenderë publik në vlerë mbi 800 mijë euro. Muhadin Zuka është familjar i Florim Zukës, pronar i Kompanisë “Tali” i cili ka aktakuzë për korrupsion nga EULEX-i, si pjesë e “Grupit Limaj”, në hetimet që filluan në vitin 2009.

Kompania “Tali”, për PDK-në, në vitin 2009-2010 dha 11 mijë euro donacione, përderisa në ish-MTPT për këto dy vite ka marrë 8 tenderë publikë, vlera e të cilëve arrin në 7.8 milionë euro.

Edhe “Al – Trade” SH.P.K., pronë e Bajram Gashanit, në vitin 2009 ka marrë nga Komuna e Prishtinës tenderin “Ndërtimi i shkollës së gjelbër në Prishtinë”, që ka vlerë 1.4 milionë euro. Kjo kompani është shumë e pranishme në tenderët publik, pronari i së cilës është me origjinë nga qendër-peshimi i PDK-së, Drenasi. Kjo kompani, vetëm në Ministrinë e Arsimit ka marrë shtatë tenderë me vlerë prej afro 9 milionë euro. Kjo kompani në konzorcium me kompaninë “Ada Consalting Group”, pronë e zyrtarit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Avni Kastrati, ka marrë një tender prej 600 mijë eurosh nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, projekt ky për të cilin ZAP gjeti shkelje. Në këtë kompani, ka qenë i punësuar edhe Fadil Demaku, deputet i PDK-së, ish zyrtar i SHIK-ut.

Megjithëse zyrtarisht nuk është as financuese e PDK-së, por as e LDK-së, “Alko-Impex”, pronë e Imer Ademit, nga Komuna e Prishtinës, në tenderët që ka shikuar Preportr, del deri më tani të jetë fituese e tenderit “Ndërtimi i rrugës ’Qemajl Stafa’, që kushton mbi 870 mijë euro. Por, kjo kompani është e kontraktuar edhe për rindërtimin e rrugës ”Bill Klinton”, kontratë që e fitoi në vitin 2010, dhe që peshonte mbi 1.6 milionë euro. Në vitin 2008, ZAP kishte gjetur se Komuna e Prishtinës bëri shkelje kur kësaj kompanie i dha tenderin për ndërtimin e rrugës “Slivovë – Viti e Marevcit”. Kjo kompani është kontraktore e rregullt e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), ku merr hise, përveç në tenderët e rregullimit të infrastrukturës, po ashtu edhe në tenderët e mirëmbajtjes dimërore të rrugëve. Sipas gjetjeve të Preportr, në MI, që atëherë quhej Ministria e Transportit dhe Postë-telekomunikacionit (MTPT), “Alko Impex” ka marrë tenderë në vlerë prej afro 6 milionë euro, vetëm deri në vitin 2011.

Kontrata top-sekret me “AMM”-në

Në fushatën parazgjedhore të viti 2010, për dallim të asaj të vitit 2009, Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të publikojë pak emra të financuesve të saj. Preportr, në raportin e auditimit të financave të partive të publikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka gjetur se një pjesë e tyre janë biznesmenë.

Preportr, ka gjetur se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë marrë hise në tenderët publik, por ka edhe nga ata që janë favorizuar për më shumë se një dekadë, siç është rasti i “AMM”, pronë e Gezim Salihut dhe Ahmed Kurtollit, që për LDK-në dha një donacion prej 950 eurosh.

AMM-ja është një kompani e favorizuar nga Komuna e Prishtinës, pasi që ajo që nga viti 2000 mban monopolin e vendosjes së reklamave në kryeqytet, derisa kontrata mbi të cilën ajo punon mbahet si top-sekret nga Komuna e Prishtinës.

Në vitin 2006, ZAP gjeti plotë parregullsi dhe shkelje ligjore në kontratën me kompaninë AMM. Preportr ka publikuar deri më tash dy hulumtime (“Monopoli komunal në reklama” dhe “AMM – Absolut Mustafa Monopol”) për këtë kontratë, por ka hasur në bllokim total nga ana e Komunës së Prishtinës, kur bëhet fjalë për qasje në dokumente publike, respektivisht kontratën e “AMM”-së.

Preportr, pati gjetur se tenderi i vitit 2006, vit në të cilin u ripërtëri kjo kontratë sekrete, ishte i kurdisur, duke qenë se kompanitë/konzorciumet që garonin për këtë kontratë ishin të lidhura me njëra- tjetrën, duke pasur pronarë të njëjtë. Por, çuditërisht, KRPP-ja nuk kishte konstatuar ndonjë shkelje në këtë tender, pos faktit që Komuna nuk i kishte lajmëruar kompanitë që nuk kishin fituar tenderin, ani pse ato ishin me pronarë të ndërlidhur në mes vete.

“Taksit Presidencial” vs “Taksit Komunal”

Fatmir Sejdiu, asnjëherë në deklarimin e pasurisë në Agjensionin Anti-korrupsion, nuk i deklaroi bizneset e djalit të tij, Shqipos. Mirëpo, lidhja me familjen Abazi, më saktësisht me biznesmenin Meriton Abazi, kishte bërë që në në vitin 2009, familjes presidenciale të Sejdiut t’i dilte edhe një biznes që po përfitonte nga asetet publike. Meriton Abazi, ishte ortak në kompaninë “London Taxi”, e cila është në emër të Shqipo Sejdiut, ku aksione kishin edhe Muhamet Berisha, Etrit Zeneli e Luan Berisha.

Ky biznes u pajis me licencë taksie nga Komuna e Prishtinës për të operuar si radio-taxi në kryeqytet, në kohën kur kreu i Komunës, Isa Mustafa, shërbente edhe si këshilltar për ekonomi i presidentit Fatmir Sejdiu.

Por, as Isa Mustafa nuk i qëndroi larg licencës së radio-taxive. Në vitin 2010, Komuna e Prishtinës, dha leje pune për radio-taxin “City Taxi”, pronarë të së cilës ishin Burim Hasani e Gëzim Idrizi. I pari është nga familja Fona, dhe nip i Hazbi Hasanit, i cili ishte ortak me djalin e madh të Mustafës, Arbenin në kompaninë, “Intereuropa Kosova L.L.C.”, përderisa i dyti, vozitës i tashëm i kryetarit Mustafa.

Mustafës i ngjajnë djemtë, i bëhen biznesmenë

Salloni i veturave “Makcar”, kompani e kryetarit Isa Mustafa, gjendet në magjistralen Prishtinë-Shkup, në kilometrin e tretë. Sipas Arben Mustafës, toka ku zhvillon biznesin kjo kompani është e marrë me qira për tri vjet. Kompania ka filluar të punojë vetëm një muaj e pak ditë pasi është konstituuar, pasi që “Makcar” është themeluar më 14 prill të këtij vitit 2010, kurse sipas bashkëpronarit Besnik Mustafa, punën e ka filluar më 17 maj të po atij viti.

BMW-ja është kompani nga Gjermania, ku Isa Mustafa në vitin 2009 kishte pasur një sërë udhëtimesh zyrtare.

Përveç në kompaninë “Makcar”, që në deklarimin e parë të pasurisë, më 2010, Isa Mustafa pati thënë se ka 49% të aksioneve, kryetari i Prishtinës po atë vit ka deklaruar se i ka edhe tri biznese të tjera. Mustafa është bashkëpronar me 20 % të aksioneve në “Universitetin Riinvest”, me 1.6 % të aksioneve në Klubin Futbollistik “Prishtina”, si dhe me 5 % të aksioneve në “Intereuropa Kosova L.L.C.”. Në këtë kompani ai ishte në ortakëri me Hazbi Hasanin dhe “Intereuropa D.D.”, kurse si person i autorizuar në biznes, pos djalit të tij, Arben Mustafa, ishte edhe Andrej Karish.

Në deklarimet e mëvonshme në vitet 2011 dhe 2012, Mustafa specifikonte se pos në “Riinvest”, në kompanitë tjera, aksionet i përfaqësonin të bijtë e tij, Arbeni e Besniku. Ky i fundit në vitin 2010 do të merrte guximin t’i futej edhe sektorit të transportit ku edhe themelon kompaninë “Prime Travel”, derisa fillimin e punës së saj e kishte bërë pa marr licencën nga ish-MTPT-ja, e drejtuar atë botë nga Fatmir Limaj.

Pasuria e Isa Mustafës, me aksionet dhe profitet e paragjykuara të bizneseve të të bijve, e deklaruar vullnetarisht në AKK, është mbi 700 mijë euro.

Hisja e ish-presidentit Fatmir Sejdiu

“Toifor”, kompani në pronësi të Enver dhe Isuf Zymerit, në vitin 2011-2012, është gjetur se ka marrë tenderë nga Komuna e Prishtinës në vlerë mbi 670 mijë eurosh. Këta biznesmenë të familjes Zymeri, që në kompaninë e importit të kafes “Empire” janë ortakë biznesi me djalin e ish-presidentit dhe ish-kryetari të LDK-së, Fatmir Sejdiu, janë dhe hisedarë të tenderëve për mirëmbajtje të rrugëve nga Komuna e Prishtinës, që nga viti 2007.

Në “Empire” aksione ka pasur edhe Meriton e Teuta Abazi, të afërm të familjes së Sejdiut. Meriton Abazi është aksionar në kompaninë “Media Press” që botonte gazetën “Prishtina Post”.

Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve, duket “Copy-Paste”, pasi që fitohet nga kompani të njëjta, të lidhura në ortakëri me të bijtë e Fatmir Sejdiut. Kështu në vitin 2007, tenderin e njëjtë e fitoi kompania “V.Z.Company” për 7914 euro dhe kompania “Dardania” për 8870 euro, në një tender që krejt ishte 11,250 euro.

Në kompaninë e parë ishte aksionar Isuf Zymeri, që tash është po ashtu si bashkë-aksionar në “Toifor”. Kjo kompani ka vazhduar të merrte hise nga fondet publike për mirëmbajtjen infrastrukturore të kryeqytetit, ani pse është pjesë e listës së kompanive që në vitin 2009 u patën ndëshkuar nga vetë komuna për shkelje të kontratës. Kjo kompani ka marrë para nga fondet publike edhe në vitin 2011, si dhe në vitin që lamë pas.

“Çlirimi”, Ekrem Rexha dhe “SHIK”-u

Kompania “Çlirimi “, pronë e Salih Dakajt nga Prizreni, nga tenderët e vlerës së madhe dhe të mesme që ka shikuar Preportr, del se nga Komuna e Prishtinës, nga viti 2009-2012, kjo kompani ka marrë tenderë në vlerë mbi 8.6 milionë euro. Kjo kompani, nga MASHT-i dhe ish-MTPT-ja në vitin 2008 ka marrë tenderë në vlerë afro 3 milionë euro.

Për tenderët që lidheshin me këtë kompani në vitin 2011 ishin arrestuar një numër i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, duke përfshirë këtu edhe shefin e prokurimit, Ekrem Rexha.

Para se hetuesia të merrej me Ekrem Rexhën, ishte ZAP-i që gjeti shkeljen te kolektori atmosferik, që i ishte dhënë kompanisë “Çlirimi” nga Prizreni, pronë e Sali Dakaj dhe gjeti se në projektin “Ndërtimi i kolektorit atmosferik” në shumë prej 3,045,674 eurosh, kompanisë po i paguheshin paratë ende pa i kryer punët.

Tash për tash, është konfirmuar aktakuza për këtë rast, e ngritur nga koordinatorja e prokurorëve kundër korrupsionit në Prokurorinë Speciale, Drita Hajdari, që i ngarkon Ekrem Rexhën, Ridvan Shahinin, Refik Sadikun, Halil Fejziun, Hazir Krasniqin dhe Qazim Bajramin me veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimeve në ekonomi. Zyrtarët në fjalë , në krye me ish-shefin e Prokurimit, Ekrem Rexha pritet së shpejti të përballen me prokuroren Hajdari në gjykatë.

Kur këtë punë e mori në duar Prokuroria Speciale, i pari i Prishtinës, Isa Mustafa, e pati akuzuar Policinë dhe Prokurorinë se po punonin për Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

Tender për ish-kolegun e partisë

“HIDROTERM”, pronë e kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi, nga komuna e Isa Mustafës në vitin 2011, në konzorcium me kompaninë “Unicom”, pronë e Muharrem Elshanit, ka marrë tenderin “Ndërtimi i rrugës “B”-faza e dytë”, i vlefshëm mbi 2.8 milionë euro. Kjo kompani është kontraktore edhe e një sërë institucionesh të qeverisjes qendrore e lokale, por edhe kontraktore e projekteve të financuara nga fondet e BE-së, siç është Pallati i Drejtësisë, ndërtimi i të cilit ka vlerë mbi 28 milionë euro, dhe ku kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi ka një hise të tenderit. Kuçi vazhdon të bëjë biznes, edhe për kundër legjislacionit kosovar në fuqi, që ndalon zyrtarët të jenë aktiv në biznese private, e edhe përkundër faktit që është i dënuar, dhe ka mbajtur një muaj burg, për injorim të gjykatës, i thirrur të dëshmojë nga Prokuroria e EULEX-it në rastin e njohur si “Kleçka” kundër deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj.

Preportr, ka gjetur se në kohën sa ish-MTPT-në po e drejtonte Fatmir Limaj, Blerim Kuçi pati marrë tenderë në vlerë afro gjysmë milioni euro. AI kishte qenë pjesë e LDK-së, që nga paralufta, ku edhe në luftën e fundit ishte ndër të arrestuarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Për një kohë ka qenë i angazhuar nga ish-kreu i LDK-së, dhe ish-presidenti, Fatmir Sejdiu që të bëjë reforma brenda kësaj partie, por pasi që kishte pranuar që nuk ia ka dalë mbanë me punën që i ishte ngarkuar, bëri transferim në AAK-në e Ramush Haradinajt, ku është ende pjesë e saj.

Shpërblehet kompania e ortakut të Blerim Thaçit

“ALMAKOS “, pronë e Milaim Cakiqit, ka marrë në Komunën e Prishtinës në vitin 2012 tenderin “Furnizim me kamion dhe me makina për kositje të barit dhe largimin e borës”. Këtë tender e ka marrë bashkë me kompaninë “Profitech”, pronë e Basri Asllanit, që është edhe kontraktor i KEK-ut, në kohën kur me tenderët e kësaj korporate publike po udhëhiqte kushëriri i kryeministrit Hashim Thaçi, Njaziu. Gjithashtu, Basri Asllani ka privatizuar ndërmarrjen shoqërore “Llamkos”, në procesin që më vonë ka dalë të jetë i dështuar.

Cakiqi i “ALMAKOS”, është biznesmen që në kompani të ndryshme është bashkë-aksionar me vëllain e vogël të kryeministrit Thaçi, Blerimin. Cakiqi e Blerim Thaçi janë bashkaksionarë në kompaninë ndërtimore “Iliria Building”, kurse Cakiqi me kushërinj e vëllezër ka edhe kompanitë “Liria F.C” Sh.p.k., si dhe kompaninë “Ndërmarrja e re Metamb” Sh.p.k . Zyra e Auditorit të Përgjithshëm pati konstatuar se ka pasur manipulime në një proces privatizimi të ndërmarrjes “Kosova Elektro”, ku fitues ishte shpallur kompania “Liria FC” pronë e Fazli Cakiqit, i afërm i Milaim Cakiqit, më 19 nëntor 2008.

Cakiqi kishte qenë aksionar edhe në kompaninë “Boxon”, që më vonë ndërron emrin në “OVE Group”. Kjo kompani është kompania që u ankua kundër KEK-ut për tenderin e datës 14.03.2012 për “Shitja e Thëngjillit” që i ishte dhënë konzorciumit “NTN GERGURI – ZYSKENTRANS”. Ishte ankesa e “OVE Group”, në OSHP që anuloi këtë tender. Tenderi është rishpallë, por më 2 korrik 2012 është anuluar përsëri, tash nga vetë KEK-u, me arsyetimin se mungojnë kompanitë e përgjegjshme. Kjo kompani është e lidhur me bizneset e familjes së kryeministrit Hashim Thaçi, jo vetëm nëpërmjet ortakut të Blerim Thaçit, Milaim Cakiqit, por edhe me babain e Visar Banjicës, Hajatin. Ky i fundit është bartës licence për “Geo-Mineral” që operon në Astrazup të Malishevës, derisa për këtë kompani në disa furnizime me naftë në ‘Kosova Petrol”, të Bedri Selmanajt, figuron emri i vëllait të kryeministrit Thaçi, Idriz Thaçi, ka raportuar Gazeta JNK. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 02 March 2013 14:10

Prishtinë – Aktivistë të Lëvizjes Studentore për Barazi Studim Kritik Veprim, kanë ndërmarrë të shtunën një aksion simbolik para Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku kanë ndarë ‘çmimet’ “Oscar për Korrupsion”, e që në këtë rast aktorët ishin zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit.

Egzon Kongjeli, aktivist i kësaj Lëvizje studentore ka pohuar se kryeministri Hashim Thaçi, me servilet e tij, për vite me radhë, kanë dëshmuar se janë mjeshtër të praktikave korruptive, prandaj edhe i meritojnë këto çmime.

“Kryeministri, me servilet e tij, për vite me radhë ka dëshmuar se është mjeshtër i praktikave korruptive. Ai ka perfeksionuar kaq shumë këtë zhanër sa që ne besojmë se meriton çmimet më të larta ndërkombëtare. Në Kosovë korrupsioni nuk është spontanë por është i organizuar e i orkestruar. Ky organizim shihet më së miri në procesin i cili po quhet ‘privatizimi i ndërmarrjeve publike’. Në emër të privatizimit qeveria fali dhe pritet t’i falë ndërmarrjet publike më vitale në vendin tonë, të cilat janë shpresa e vetme për punësimin e qytetarëve tanë”, ka thënë ai. (K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 December 2012 15:25

Prishtine – Avokati i popullit gjatë vitit 2012, ka pranuar rreth 1650 ankesa nga qytetarët ku 40% prej tyre janë ankesa për ekzekutivin e shtetit ndërsa 36% prej tyre për gjyqësorin, transmeton KTV .

Avokati i popullit Sami Kurteshi në konferencën e fundvitit ka pranuar se bashkëpunimi me ekzekutivin ende nuk është në nivelin e duhur, porse thotë se pas raportit të studimit të fizibilitetit raportet në mes të avokatit të popullit dhe ekzekutivit kanë filluar të zbutet.

Kurteshi thotë se institucioni që ai drejton si shqetësim kryesor e ka mos përfilljen dhe mos implementimin e ligjeve. Ai thotë se shkeljet e ligjit që bëhen në institucionet më të larta të shtetit kanë bërë që qytetarët të humbin besimin tek ato.(K.N/LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 07:20

Prishtinë – Agjencia Kadastrale e Kosovës akuzohet për keqpërdorime të shumta. Madje kryeshefi i kësaj agjencie akuzohet nga disa punëtorë të larguar së fundi nga puna për përfitime milionëshe. Kryeshefi Murat Meha i mohon akuzat, por denoncuesit pretendojnë se kanë fakte të mjaftueshme që Mehën, sipas tyre, duhet ta dërgojnë në burg. Rasti është denoncuar edhe në organet e drejtësisë, raporton KTV.

Për korrupsion, zhvatje dhe keqpërdorime të tenderëve akuzohet Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Dy persona të larguar së fundmi nga kjo agjenci akuzojnë personalisht kryeshefin ekzekutiv, Murat Meha, për përfitime milionëshe.

Ish-zyrtari i lartë ligjor në këtë agjenci, Ali Sefaj, thotë të jetë në njohuri për keqpërdorimet e Mehës.

Sefaj përmend disa tenderë, për të cilët thotë se ka fakte të mjaftueshme të cilat pretendon se vërtetojnë keqpërdorimet.

Megjithatë të pakuptimta dhe jorelevante akuzat i cilëson vetë kryeshefi Meha, derisa nuk frikësohet të përballet me organet e drejtësisë.

Meha konsideron se agjencia po bën punë të rëndësishme, gjithnjë duke respektuar ligjin.

Por Ali Sefaj nuk është i vetmi që pretendon se ka dëshmi për keqpërdorimet e Mehës.

Dukagjin Venhari deri vonë ka punuar si përkthyes në AKK dhe thotë të jetë sulmuar fizikisht nga kryeshefi Meha, të cilin e quan okupues të agjencisë.

Sipas Venharit, Meha kishte urdhëruar përkthimin e disa materialeve, me gjithë faktin se ato ishin përkthyer një herë në vitin 2006.

E këtë e vërteton edhe ky dokument i nënshkruar nga vetë kryeshefi Meha.

Si Venhari, ashtu edhe Ali Sefaj u janë drejtuar organeve të drejtësisë, për të denoncuar menaxhmentin, përkatësisht kryeshefin Meha.(K.N/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 December 2012 14:57

Prishtinë – Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, UNDP dhe Agjencia Kundër Korrupsionit, shpërblejne gazetarët për raportin më të mirë anti-korrupsion.

U ndanë sot pesë shpërblimet për raportimet me të mira në kuftë kundër korrupsionit për gazetaret e mediave  elektronike të shkruara si dhe portale. Gjatë ndarjes se shpërblimeve, u tha se gazetaret janë duke berë punë të madhe në luftimin e kësaj dukurie. Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Asociaciot të Gazetarëve Profesionist të Kosovës.

Mediat nuk ta fitojnë luften kundër korrupcionit , mirëpo nuk mund t,I ikin pamjeve të korruptuara. Sivjet kemi pasur shume aplikime është një ndër vitet ku kemi pasur me së shumti aplikime.

Për raportimin me të mirë me televizion është shpërblyer gazetari Kreshnik Gashi,  “Drejtësia në Kosovë” si dhe Alban Selimi “Jeta në Kosovë”.

Për shkrimin me të mirë në internet është shpërblyer Parim Olluri, nga portali “Jeta në Kosovë”. E nga mediat e shkruara, Jeton Llapashtica Zëri, Vehbi Kajtazi dhe Besnik Krasniqi nga e përditëshmja Koha ditore.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 December 2012 16:19

Prishinë – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër-korrupsion – 9 dhjetori, ka organizuar një aktivitet simbolik, duke i dhënë Qeverisë së Kosovës një ‘dhuratë’ me raporte vendore e ndërkombëtare.

Raportet e Transparency International, Freedom House, KDI-së, etj, përmbajnë vlerësime rreth nivelit të korrupsionit në Kosovë.

“Në të gjitha këto raporte, Kosova cilësohet si një shtet me nivel të lartë të korrupsionit, e sidomos në ndërmarrjet publike, ku dominon edhe punësimi në bazë të nepotizimit. Ndërkaq, kemi edhe një administratë publike të politizuar. Gjithashtu, në këto raporte cilësohemi si një vend me shkallë të lartë të ekonomisë informale, ndërkohë që kemi mungesë të kapaciteteve për ta luftuar atë. Funksionimi i sistemit gjyqësor, i cili është qenësor për sundim të ligjit, ende cilësohet si jo i pavarur”, thuhet në një komunikatë për media të KDI-së.

“Duke e parë injorancën që ka treguar Qeveria ndaj këtyre raporteve, KDI/TIK, sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër-korrupsionit, dëshiron që edhe njëherë t’i bëjë thirrje Qeverisë, që të reagojë dhe të marrë për bazë të gjitha këto raporte, për të nisur punën drejtë luftimit të korrupsionit, i cili tani e tutje duhet të jetë nga prioritet kryesore të vendit”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.(REL)

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 16:14

PRISHTINE–Organizata “Transparency International” publikoi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, duke renditur 176 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Nga rezultatet tregohet se korrupsioni vazhdon të sfidojë shoqëritë në mbarë botën.

Sipas këtij indeksi, Kosova sivjet ka shënuar përmirësim të lehtë. Ndryshe nga viti 2011 kur ka zënë vendin e 112-të, këtë vit ajo renditet e 105-ta.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 113-të. Shqipëria ka pësuar rënie të madhe nga viti i kaluar, kur është renditur në pozitën numër 95. Me një vlerësim më të dobët sivjet përballet edhe Mali i Zi, duke rënë nga vendi i 66-të, ku ka qenë vitin e kaluar, në vendin e 75-të.

Nga vendet e rajonit, përmirësime ndërkaq kanë shënuar edhe Kroacia, nga pozita numër 66 në pozitën numër 62, Bosnja nga 91 në 72 dhe Serbia nga 86 në 80. Maqedonia ka mbetur në vendin e njëjtë, numër 69, ashtu si edhe vitin e kaluar.

Dy të tretat e 176 vendeve kanë më pak se 50 pikë, në tabelën prej 0 deri në 100, çfarë tregon se institucionet publike duhet të jenë më transparente dhe zyrtarët më përgjegjës.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012, Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë me 90 pikë, duke u ndihmuar nga qasja në sistemet e informacionit dhe rregullat që caktojnë sjelljen e atyre që mbajnë poste publike.

Afganistani, Koreja e Jugut dhe Somalia, ashtu si edhe në vitet paraprake, ndodhen në fund të listës. Në këto vende, mungesa e një udhëheqjeje të përgjegjshme dhe e institucioneve efektive publike nënvizon nevojën për të marrë një qëndrim shumë më të fortë kudër korrupsionit.

Pozicionet e shumë vendeve të tjera të botës, ku qytetarët kanë sfiduar liderët e tyre për të ndaluar korrupsionin – nisur nga Lindja e Mesme deri në Azi dhe Evropë – kanë ngecur po ashtu ose janë përkeqësuar.

“Qeveritë duhet të integrojnë veprimet anti-korrupsion në të gjitha vendimmarrjet publike. Përparësitë përfshijnë rregulla më të mira në financat politike dhe më shumë transparencë në shpenzimet publike”, ka thënë kryetarja e organizatës “Transparency International”, Huguette Labelle.

Performancat jo të mira në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 përfshijnë edhe vendet e Eurozonës, të prekura nga kriza financiare dhe ekonomike.

“Transparency International” ka paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme Evropën që të adresojë rreziqet e korrupsionit në sektorin publik, për të trajtuar krizën financiare.

“Korrupsioni është problemi më i përfolur i botës”, ka deklauar Cobus de Sëardt, drejtor menaxhues në “Transparency International”.

“Ekonomitë kryesore në botë duhet të jenë shembull, të sigurojnë se institucionet e tyre janë plotësisht transparente dhe se udhëheqësit e tyre mbahen përgjegjës. Kjo është vendimtare, pasi institucionet e tyre luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e korrupsionit nga lulëzimi global”, ka thënë de Sëardt.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit është indikatori kryesor i korrupsionit në sektorin publik, i cili ofron një pamje vjetore të problemit të korrupsionit në gjithë botën.(LajmeShqip.com)