Lajme Shqip Tuesday, 29 April 2014 12:53

Policia e Dibrës ka vënë në pranga 23-vjeçarin Fatmir Çeka, pedagog i Jashtëm në Universitetin ”Aleksandër Moisiu”.

Bëhet fjalë për 9 raste kur pedagogu ju kishte marrë studentëve të këtij universiteti shumën prej 15 mijë lekë të reja duke i premtuar një notë kaluese. Ndalimi i pedagogut është bërë rreth orës 23:30 nga strukturat e Sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar.

23-vjeçari akuzohet nga autoritet lokale për ”Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrim”, parashikuar nga nenet 259 dhe 143/2 të Kodit Penal 

Institucionet arsimore publike ose jo, janë kthyer tanimë në objekt biznesi ku jo vetëm merret me shumë lehtësi një notë kaluese por edhe diploma, në shkëmbim të një shumë të konsiderueshme të hollash.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 April 2014 14:10

Në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Përgjithshme, ka vendosur shtimin e prokurorëve në disa prej Njësive të Përbashkëta Hetimore Task-Force kryesore në Shqipëri.

Duke e konsideruar luftën kundër korrupsionit si prioritet kryesor të punës së prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla vlerëson të domosdoshme forcimin e Njësitë e Përbashkëta Hetimore me kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore.

Në Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Force, Tiranë, shtohen dy prokurorë të komanduar, ndërsa në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 10 prokurorë. Në Njësinë e Përbashkët Hetimore Durrës Task-Force, shtohen dy prokurorë të komanduar, në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 5 prokurorë.

Në Njësinë e Përbashkët Hetimore Vlorë Task-Force, shtohet një prokuror i komanduar, në këtë Njësi do të ushtrojnë funksionet 3 prokurorë. Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan do të strukturohet Njësia e Përbashkët Hetimore Task-Force. Krijimi i njësisë në Elbasan është deklaruar nga Prokurori i Përgjithshëm gjatë analizës vjetore për viitn 2013, e cila u zhvillua në muajin Shkurt 2014. 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 12 December 2013 11:53

Tiranë- Ministra dhe drejtorë të rëndësishëm të Sali Berishës po shkojnë njëri pas tjetrit në prokurori, për të dhënë llogari për shpërdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, kontrabandën, trafiqet, grabitjen e arkës së shtetit dhe favorizimin e kompanive pranë familjes. Pas Arben Imamit, edhe administrata doganore rrezikon burgun. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, së bashku me zinxhirin drejtues të Doganave, është paditur në prokurori për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Ashtu siç edhe ka paralajmëruar, mazhoranca qeverisëse ka vendosur të hapë dosjet e aferave në një nga strukturat më të korruptuara të shtetit shqiptar, siç janë Doganat. Kështu, i gjithë rrjeti drejtues i Drejtorisë së Doganave dhe i degëve doganore është kallëzuar penalisht në prokurori. Lajmi është konfirmuar dje nga drejtoresha e re e Doganave, Elisa Spiropali. Kjo e fundit ka firmosur dje disa kallëzime penale për ish-drejtuesit e Doganave. Spiropali shpjegoi se bëhet fjalë për një zinxhir drejtuesish në dogana që janë të përshirë në këtë abuzime, duke përfunduar tek ish- drejtori i Përgjithshëm i Doganës. Krahas Gjymishkës, në prokuroria janë kallëzuar edhe ish-krerët e degëve doganore. “Ne kemi evidentuar disa raste të abuzimit në dogana, që janë bërë dhe publike, për evazion fiskal në fushën e akcizës, dhe që sigurisht këto persona do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale. Vetëm sot unë kam firmosur një kallëzim penal për punonjës të administratës doganore, ku i gjithë zinxhiri i administratës  është i përfshirë në këto procedura abuzive duke i shkaktuar dëme financiare shtetit shqiptar. Në këtë zinxhirë abuzues të doganierëve është i përfshirë edhe ish- drejtori i Doganave.  Ishte një nga rastet e para ku sasi të konsiderueshme nafte janë zhdukur. Nuk figurojnë të paguara, duke i shkaktuar një dëm prej 4 milion eurosh shtetit shqiptar. Po kështu, ne kemi kallëzuar penalisht edhe firmën që i ka shkaktuar dëmet”, tha Spiropali. Sipas shpjegimeve të Spiropalit, ish- drejtori i përgjithshëm i Doganave është përfshirë në aferën “ADA Petrol”, tha Spiropali. Duke folur për gjendjen e doganave, Spiropali tha se përveç abuzimeve dhe shpërdorimit të detyrës, është konstatuar favorizimi që i është bërë një numri të madhe kompanish, kryesisht të njohura për lidhje me drejtues të lartë të qeverisë para zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

Paralajmërimi

 

Gazeta “SOT” ka paralajmëruar prej disa muajsh ndjekjen penale të Flamur Gjymishkës, arkitektit të korrupsionit dhe kontrabandës në Dogana. Tatimet dhe doganat, edhe për shkak të natyrës së detyrës që kanë, konsiderohen dy arteriet më të korruptuara të shtetit shqiptar. Dëmi i aferave dhe manovrave në tatime dhe dogana është i pallogaritshëm. Vetëm disa javë më parë, u denoncua një tjetër rast flagrant i evazionit fiskal në dogana, ku përfitues ishte një njeri pran familjes Berisha. Dokumentet doganore faktuan mospërputhje të mëdha në vlerën financiare të importeve të ngjyruesve nga kompania koncesionare “Global Fluids”.

 

Administrata Doganore

Administrata Doganore përbëhet nga Drejtoria e Përgjithshme, nga Drejtoritë Rajonale dhe nga degët doganore. Ajo varet nga Ministria e Financave dhe është nen mbikëqyrjen e saj. Drejtoritë Rajonale varen nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe janë nen mbikëqyrjen e saj. Ato përbëhen nga një ose disa dege doganore, mbi te cilat ushtrojnë kontroll. Kompetencat dhe organizimi i Administratës Doganore përcaktohen ne aktet nënligjore ne zbatim te këtij Kodi. Në strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave krijohet organi i luftës kundër kontrabandës dhe trafikut të paligjshëm, i cili kryen funksionet e policisë gjyqësore.

Rama: Paratë e ndihmës ekonomike në labirintet e korrupsionit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në qytetin e Elbasanit projektin pilot “Modernizimi i sistemit të asistencës sociale”. Rama, në një fjalën, e tij ka përsëritur edhe njëherë se nuk janë njerëzit ata të cilët korruptojnë sistemin, por sistemi që korrupton njerëzit. Kreu i qeverisë, Rama, ka qenë i pranishëm në Elbasan së bashku me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, si dhe me drejtoreshën e BB, Aylin Isik Dikmelik. Projekti në fjalë financohet nga Banka Botërore. “Ne sot nisim një punë nga themelet për të përmbysur sistemin që bëri për vite me rradhë t’ju hahet haku atyre që ju takon realisht pagë si invalidë apo ndihmë ekonomike dhe të marrë atë që i takon pa u zvarritur më në rrugët e korrupsionit, qoftë një invalid, qoftë një familje me ndihmë ekonomike”, tha kryeministri Rama. Sipas kryeministrit, sistemi i ndihmës ekonomike ka qenë një sistem i përfshirë nga një skemë mashtruese ku goditeshin individët e dobët të shoqërisë. “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën që trashëgojmë, është një situatë ende më e rëndë se ç’e kemi paraparë, tani që e shohim nga brenda dhe shohim gjithë labirinthin e korrupsionit në të gjithë sektorët. Në këtë aspekt është një situatë më shumë se shqetësuese, pasi këtu korrupsioni ka goditur ata që janë më të dobëtit”, tha më tej Edi Rama. Kreu qeveritar ka thënë se në skemën ekonomike ka patur emra të cilët në të vërtetë nuk kanë patur nevojë për ndihmë ekonomike dhe janë dënuar ata të cilët vërtetë kanë nevojë për këtë ndihmë. Sipas tij, sistemi ka qenë në dorën e një burokrati dhe e kontrolluar nga politika. Rama ka sqaruar se vonesat për pagesat për ndihmën ekonomike janë bërë për shkak të këtij sistemi burokratik të kaluar. Ai ka siguruar se do të punohet për rregullimin e listave për të shmangur drastikisht korrupsionin. “Dhe nëse sot njerëzit më në nevojë dhe në radhë të parë invalidët, janë në kushte dramatike pas disa muajsh pa pagesë, kjo vjen pikërisht sepse sistemi ishte i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të luante çdo ditë me fatin e tyre për t’ju marrë votën, apo për t’ju ngrënë hakun, duke futur në skemë njerëzit të cilët nuk ishin as invalidë as në nevojë për ndihmë ekonomike. Përmes këtij kantieri duke filluar nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi, ne do të bëjmë të mundur që fati dhe vendimmarrja për çdonjërin nga njerëzit në nevojë të mos jetë më në dorën e një administratori, burokrati apo qoftë edhe e një kryetari komune, që merr prej hunde një komunitet të tërë, duke vendosur kë të dojë në këtë skemë. Kjo skemë do të jetë transparente, objektive dhe do të shmangë në mënyrë drastike korrupsionin dhe të gjithë pasojat e prodhuara me korrupsion. Jam i vetëdijshëm që invalidët një orë e më parë do të fillojnë të paguhen dhe ne këtë do ta realizojmë një orë e më parë”, tha kryeministri Rama në një konferencë për shtyp për mediat.