Lajme Shqip Thursday, 19 July 2012 17:37

Prishtinë – Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet kusht kyç për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës, mesazhe këto që janë konfirmuar edhe nga zyrtarët më të lartë evropianë si dhe nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Qeveria Thaçi, përveç që nuk ka treguar vullnet për luftimin e këtyre dukurive, ka kontribuar në rritjen e tyre, sidomos në institucionet që do të duhej të ishin shembull i luftimit të dukurive negative, vlerëson partia më e madhe opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në fakt, siç theksohet në një komunikatë të LDK-së, Qeveria e Kosovës vazhdimisht shfrytëzon agjendën evropiane si mjet për fuqizim të pushtetit, e jo si nxitje për zhvillim dhe reformë.

“Rritja e rasteve te dyshuara për korrupsion në vitin 2011 dhe 2012, në krahasim me vitin 2010, po e minon funksionimin efikas të institucioneve. Për më tepër, kjo po e zbehë kredibilitetin e tyre para qytetarëve dhe para institucioneve e partnerëve ndërkombëtarë si dhe po e bllokon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Për më tepër kjo Qeveri, veçse forcon gjetjet e raportit të Freedom House – ‘Kombet në Tranzicion’, ku Kosova cilësohet si regjim autoritar gjysëm i konsoliduar”, thekson LDK.

Procesi i liberalizimit të vizave dhe integrimi i Kosovës në BE, në përgjithësi, sipas LDK-së, po dëmtohet seriozisht duke pasur parasysh që numri i zyrtarëve të dyshuar për falsifikim të dokumenteve është signifikant, duke dëmtuar kështu procesin e sigurisë së dokumenteve si një nga komponentët kyç në këtë proces.

Skandalet e shumta në institucionet që kanë rol kyç në procesin e integrimit evropian, sipas kësaj partie, dëshmojnë mosgatishmërinë e kësaj Qeverie për të avancuar interesat e Kosovës në proceset euro-atlantike. Ndërsa bllokimi i punës së Kuvendit nga ana e Qeverisë – siç thekson LDK – ishte edhe një alarm se kjo Qeveri përfaqëson anti-vlera evropiane.

“Me veprime që nuk ndodhin askund, dhe për të mbrojtur interesa që po e dëmtojnë zhvillimin ekonomik të vendit, Qeveria bënë që Kosova të dështojë në zbatimin e reformave ekonomike dhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për biznes”.

Qeveria përmes sabotimit të punës së Kuvendit, sipas LDK-së, bllokoi edhe kalimin e një sërë vendimesh që janë konsideruar parakushte për reflektim të progresit në Studimin e Fizibilitetit. “Këtu përfshihen emërimet në Bordin e KPM-së dhe RTK-së si dhe një sërë ligjesh që do të dëshmonin vullnetin e institucioneve për një vlerësim pozitiv nga institucionet e BE-së në vjeshtë të këtij viti”.

“Me këto veprime Qeveria dëmton edhe Studimin e Fizibilitetit i cili pritet të publikohet, si dhe bënë që Qeveria e Kosovës të jetë shkaktari kryesor i stagnimit të proceseve integruese”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Qeveria e Kosovës vazhdon politikat kontradiktore, me spektakle televizive, krijime te grupeve punuese, duke lënë anash zbatimin konkret të detyrimeve që dalin nga Plan Veprimi për Partneritet Evropian. Kjo lloj politike rrezikon seriozisht momentumin pozitiv të Brukselit ndaj rajonit në përgjithësi”.

Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të adresojë seriozisht obligimet që dalin nga agjenda Evropiane, e posaçërisht ato që ndërlidhen me fushën e sundimit të ligjit, me reformën e administratës publike, me përmirësimin e ambientit biznesor dhe shtrirjen e sovranitetit në veri.