Lajme Shqip Wednesday, 26 March 2014 13:36

Debatet në Komisionin e Ligjeve për heqjen nga rendi i ditës së diskutimeve për amendamentet në Kodin Penal, kanë bërë që opozita të largohet nga salla, duke braktisur kështu mbledhjen. Sipas deputetit të PD-së, kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, theu rregulloren pasi në rend dite ishte diskutimi i amendamenteve për Kodin Penal, ndërsa, sipas Bylykbashit, kryetari Xhafaj futi në axhendë një çështje tjetër pa u konsultuar më parë me opozitën.

“E papranueshme të shtyhen amendamentet e Kodit Penal. Sillet në axhendë një çështje pa u konsultuar. E disata herë që thyeni rregulloren. Rast flagrant ishte edhe thyerja e rregullores me ILDKP-në”, -tha Bylykbashi.

Ndërsa kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, ka sqaruar se shtyrja e diskutimeve për Kodin Penal u bë pasi nuk kanë ardhur mendimet nga komisionet e tjera. Bylykbashi ka kërkuar që të shtyhet mbledhja, por pas rrëzimit të kërkesës nga mazhoranca, opozita është larguar nga Komisioni i Ligjeve.