Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 09:59

Rinovimi i kombëtares shqiptare të futbollit duket se nuk do të përfshije repartin sulmit, ku titullar do të vazhdojë të jetë 34 vjeçari Erjon Bogdani.

Vetëm dy ditë më parë, trajneri Xhani De Biazi deklaroi për mediat italiane se kishte si qëllim të rinovonte kontingjentin e “plakur” të kombëtares kuqezi. Por ashtu si paraardhësit e tij, ai shumë shpejt e ka kuptuar se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për sa kohë që nuk ka alternativa të vlefshme për lojtarët që do të largohen.

Si rrjedhojë, De Biazi ka kthyer sytë edhe njëherë nga lojtarët e vjetër duke grumbulluar që në ndeshjen e tij të parë me përfaqësuesen Erjon Bogdanin, sulmuesin veteran të kombëtares. Ky i fundit pritet të jetë titullar ndaj Gjeorgjisë së bashku me Salihin, i cili ka shtyrë udhëtimin për në SHBA pikërisht pas përfundimit të miqësores së 29 shkurtit.

Bogdani, i cili në prill mbush 35 vjeç, ishte mes futbollistëve të cilët priteshin t’i jepnin lamtumirën përfaqësueses pas përfundimit të eliminatoreve të Euro 2012. Por mungesa e alternativave dhe fakti që ai vazhdon të aktivizohet me sukses në një kampionat të fortë si Seria A, ka bërë që FSHF të lërë në plan të dytë rinovimin dhe të nxitë trajnerin De Biazi t’i besojë përsëri rekordmenit të përfaqësueses me 15 gola të shënuar me fanellën kuqezi.

Nga ana e tij, De Biazi e ka bërë të qartë se do t’i besojë këtij futbollisti, ndërsa e ka takuar atë në Itali ku kanë diskutuar jo vetëm për kombëtaren në përgjithësi, po edhe për mënyrën se si lojtari mund të japë maksimumin në repartin e sulmit të përfaqësueses. (LajmeShqip.com)