Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 14:45

“Nuk kemi bërë debat me ndonjë polic të trupave afgane”. Aleksandër Peci, nëntetari që u plagos gjatë misionit paqeruajtës në Kandahar, nuk pranon se sulmi ishte i motivuar nga shkaqe personale.
Megjithatë, ai nuk tregon versionin e plotë të ngjarjes, se çfarë ndodhi në datën 20 shkurt 2012, kur kolegu i tij i misionit “Eagle 4″, kapiten Feti Vogli, ndërroi jetë nga plumbat, si dhe u plagosën 2 komando të tjerë të NATO-s, njëri prej të cilëve vetë Peci. Mungesën e rrëfimit, ai e argumenton duke theksuar se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur. E vetmja gjë që i kujtohet, sipas tij, është dëgjimi i breshërisë së plumbave, por jo pamjet. Nga ana tjetër, Peci duket sikur nuk dëshiron të tregojë, edhe nëse di më shumë. Ashtu si edhe familja e tij, që gjatë intervistës për gazetën “Panorama”, i ndërhynin vazhdimisht dhe i rekomandonin që të mos flasë. Madje, një moment, babai i tij, Jak Peci, kërkoi që të ndërprisnim intervistën, pasi pyetjet i dukeshin provokuese. Po ashtu, edhe vetë Aleksandri nën ndikimin e të atit, la në mes bisedën duke i konsideruar pyetjet si “të padrejta dhe tendencioze”. Në këto rrethana, intervista e mëposhtme vjen e papërfunduar, por mund t’ju sigurojmë se asnjë pyetje nuk ka qenë tendencioze. Janë pyetje që secili prej nesh i ka bërë që nga dita e sulmit të 20 shkurtit. Është e drejta jonë si reporterë që të bëjmë pyetje, ashtu si edhe e drejta e Pecit që të përgjigjet, ose jo. Nga ana tjetër, duhet marrë parasysh edhe kontrata e punës që Peci ka me shtetin shqiptar. Para nisjes së detyrës, komandot firmosin një dokument pune, ku ndër të tjera theksohet se nuk mund të tregojnë asgjë rreth misioneve. Ndërkaq, duket se Peci është këshilluar edhe nga miqtë e tij që të mos rrëfejë. Një natë para kthimit në Shqipëri, ai ndau emocionet me miqtë e tij në rrjetin social në “Facebook”. Mes shumë urimesh, për mirëseardhje dhe shërim të shpejtë, veçojmë një këshillë që komandat Naim Dani i shkroi Aleksandër Pecit: “Një porosi të jap jo si shef, por si më i madh, mos trego se çfarë ka ndodhur me detaje dhe mos merr kontakt me gazetarët, se ata material duan”. Pas kësaj, Peci i ka shkruar: “Nuk ke pse të kesh merak, se unë nuk kam punë me gazetarët”. Pas gjithë kësaj historie, komandat Dani mund të rrijë krejtësisht i qetë…
Si ndiheni pas kthimit në Shqipëri?
Normalisht që ndihem shumë mirë, pasi tashmë jam pranë familjes sime dhe i shoh të gjithë të lumtur. Pas gjithë asaj që kalova, kthimi në shtëpi ishte dëshira ime më e madhe dhe mezi prisja që të vija.
Keni dhimbje në trup akoma?
Dhimbjet janë dhe do të vazhdojnë derisa të shërohem plotësisht. Është normale kjo. E rëndësishme është që jam në shtëpinë time. Me njerëzit e mi.
A e dinit rrezikun para se të pranonit që të shkonit me mision paqeruajtës në Afganistan?
Sigurisht që e dija.
Atëherë pse pranuat?
Të shkoja me misionin paqeruajtës ishte pjesë e profesionit tim. Pas shumë vitesh në ushtri, edhe mua m’u dha rasti që të avancoja në karrierë dhe të përzgjidhesha si komando në misionet paqeruajtëse.
Me çfarë pagese pranuat që të shkonit?
Nuk ka lidhje pagesa në këtë intervistë. Pse, ju pa rrogë punoni? Çdokush që bën një punë, sigurisht që edhe merr shpërblimin e saj. Pagesa nuk ka pse të diskutohet dhe nuk ka asnjë rëndësi.
Ka rëndësi, pasi qarkullojnë deklarata se madje jepen dhe ryshfete vetëm për t’u pranuar në këto misione paqeruajtëse, pasi rrogat janë shumë të larta…
Unë nuk kam dhënë ryshfet. Kam shprehur gjithnjë dëshirën të shkoj dhe m’u dha rasti.
Konkretisht, kundrejt çfarë pagese?
Unë jam paguar aq sa të tjerët.
Dhe sa janë paguar “të tjerët”?
Nuk kam pse t’jua tregoj. Gjejeni vetë te Ministria e Mbrojtjes.
Me Ministrinë e Mbrojtjes keni bërë kontratën e punës?
Jo. E kam bërë pranë repartit tim. Te batalioni special në Zall-Herr. Që atje jam dërguar me mision në Afganistan.
Në çfarë vendesh keni qëndruar gjatë misionit atje?
Kemi qëndruar në Kandahar, aty kishim bazën e misionit paqeruajtës.
Nuk keni lëvizur nëpër rajone të tjera, qytete të tjera?
Jo, vetëm në zonën e Kandaharit, fshatrat rreth tij.
A mund të na tregoni diçka rreth ditës së sulmit, çfarë ndodhi konkretisht?
Dëgjoni, unë nuk mbaj mend asgjë se çfarë ka ndodhur atë ditë.
Megjithatë, minutat para sulmit mund t’ju kujtohen. Çfarë po bënit?
Po shoqëronim vullnetarët e një organizate bamirësie, që do të shpërndante mjete shkollore në një lagje të varfër të provincës në Kandahar. Pra, misioni ynë ishte patrullim dhe sigurim personeli. Ishim rrugës së fshatit ku do të shkonim dhe më kujtohet se dëgjova breshëri plumbash, por s’kam parë asgjë. Nuk kam pamje të sulmit në mendje. Dhe siç jua thashë, nuk mbaj mend asgjë tjetër se si kanë rrjedhur ngjarjet.
Pra, sulmi ka qenë i beftë?
Nuk e kam idenë nga erdhi dhe si erdhi sulmi. Derisa nuk kam parë asgjë, nuk kam çfarë tregoj për gjëra me hamendësime.
A është e vërtetë që keni pasur grindje me fjalë me një polic afgan, para se të qëlloheshit?
Jo, nuk është e vërtetë. Të vërtetën e sulmit sapo jua tregova aq sa dija dhe nuk keni pse pyesni më. Nuk jemi grindur me asnjeri. Ne thjesht po realizonim misionin tonë që na ishte ngarkuar.
Megjithatë, në një raport të “CNN” u deklarua se sulmi erdhi pikërisht pas sherrit me këtë polic?
Nuk ka thënë askush asgjë. Këto janë shpifje të medias shqiptare.
Më duhet të këmbëngul, deklarata e “CNN” ishte pikërisht kjo: “Dhuna rezultoi nga një grindje ndërmjet policisë afgane dhe ushtarëve të koalicionit, të cilët ishin duke shpërndarë dokumente për studentët në zonë, tha zyra e medias në Kandahar”. Cili është reagimi juaj?
Nuk jemi në hetuesi të më pyesni për të tilla gjëra.
Edhe Gul Mohammad, shefi i Policisë së zonës ku ndodhi sulmi, ka raportuar zyrtarisht se “kishte shpërthyer një debat midis perëndimorëve dhe afganëve vetëm pak para se të ndodhte sulmi”. Është raporti zyrtar kundër dëshmisë suaj. Si mund të na e vërtetoni të kundërtën?
Nuk flas më për këtë çështje. Nuk mund dhe nuk dua ta vazhdojmë më tej intervistën me të tilla pyetje të padrejta dhe tendencioze.

 
Lajme Shqip Sunday, 18 March 2012 14:34

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot familjen e nëntetarit Aleksandër Peci, i cili u plagos në Afganistan para disa javësh.

“Aleksandri luftoi si luan në përpjekjen e tij në një fshat të Afganistanit, por luftoi po me kaq heroizëm në të gjithë procesin e mjekimit ndërhyrjeve kirurgjijkale dhe shërimit të tij”, tha kryeministri Berisha.

Berisha shtoi se “ky është gëzim i madh për Aleksandrin, për familjen, miqtë, bashkëluftëtarët e tij dhe për çdo shqiptar që ndjehet krenar me të dhe të gjithë efektivin e ushtarakëve tanë në Afganistan, të cilët operojnë në zonat më të nxehta të planetit, por dhe me misionin më fisnik atë të paqes dhe ruajtjes së saj”.

Kryeministri tha se “në Bibël paqeruajtësit quhen ushtarët e Zotit në kuptimin që kanë mbrojtjen dhe bekimin e tij. Aleksandri është shembulli më i arrirë”.

“Kaloi një situatë shumë të vështirë, por burrëria trimëria kurajoja e tij dhe ndihmesa e Zotit bëri që ky sot të kthehet midis nesh shumë mire”, tha kryeministri, duke iu uruar Pecit suksese, por dhe duke e falenderuar me mirënjohje, respekt për aktin e tij burrëror që bën krenar çdo shqiptar.

Peci falenderoi kryeministrin Berisha për interesimin që në momentin e ndodhjes e ngjarjes, por edhe të gjithë shqiptarët.

Nëntetar Peci u plagos në krye të detyrës gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, Afganistan, në 20 shkurt. Ai është kthyer në Shqipëri katër ditë më parë, pas marrjes së mjekimit në Gjermani.

 
Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 20:08

Landsthul – Nga spitali ushtarak amerikan në zonën e Landstuhlit të Gjermanisë ai vazhdon të përcjellë për miqtë e të afërmit lajme të mira dhe foto ku duket qartë se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar nga dita në ditë.

Në dy fotot e publikuara në faqet e tij zyrtare të rrjetit social të Facebook-ut, njëra tregon situatën e rëndë shëndetësore në të cilën ka qenë më parë nëntetar Peci, që nuk është një foto shumë optimiste, ndërsa në fotot e tjera tregon se ai tashmë mund të qëndrojë edhe në këmbë dhe të pozojë me miqtë e tij.

Gjatë këtyre ditëve ai ka pritur e përcjellë në këtë spital mjaft shqiptarë, të cilën i kanë dhënë atij përkrahje dhe mbështetje për ta përballuar situatën e rëndë shëndetësore. Në fotot ku ai duket më mirë më shëndet, miqtë e tij i kanë uruar mirëseardhjen në Shqipëri, por komenti i Pecit ka qenë se as ai vetë nuk e di se kur do të kthehet në atdhe.

Të njëjtin pohim ai bëri edhe javën e kaluar për “Gazetën Shqiptare”, ku përveç kësaj Peci bëri të ditur se nuk “e mbante mend se si ndodhi sulmi” i së hënës më 20 shkurt 2012. Në këtë sulm gjeti vdekjen pas plagëve të shumta të marra komandant Feti Vogli, i cili u përcoll në Shqipëri me nderimet e një dëshmori të vërtetë. Aleksandri ishte një nga dy ushtarakët e plagosur të forcave ISAF dhe atyre perëndimore, të cilat u gjenden papritur nën flakët e armës së policit afgan.

Autoritetet e konsideruan këtë një incident të rëndë, pasi ishte hera e parë që Shqipërisë i vritej një ushtarak në misione jashtë vendit. Më 20 shkurt, informacionet e shpërndara nga zyrtarët e ushtrisë tregonin se edhe vetë Aleksandri kishte vdekur, por më pas lajmi u ndryshua në “vdekje klinike”.

Sipas informacioneve të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, Aleksandër Peci i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale, një në Kandahar, vendi ku ndodhi sulmi dhe tjetri në Kabul, në kryeqytetin e Afganistanit, ku gjenden trupat shqiptarë nën flamurin e NATO-s. Pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore ai u transportua në Gjermani, ku ka marrë dhe urimet e para nga kryeministri Berisha për një shërim të shpejtë të tij.

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 12:48

Landsthul – Një ditë pas mbërritjes së tij në Gjermani, Aleksandër Peci, ka bërë të ditur se është shëndoshë e mirë dhe se ndihet krenar që është shqiptar.

Këtë e mësojmë përmes faqes së tij të rrjetit social Facebook, ku ai të premten në darkë shkruan tre mesazhe në faqen zyrtare të tij për miqtë e shokët.

Nga mesazhet e shkruara, duket se i ka shkruar shpejt dhe tejet i emocionuar, pasi teksti ka gabime shtypi. Mesazhi i parë është: “Ju flm te gjfve pr urimin un jam shum zoyi beri mrekull e jam shendeosh e mir ju dua te gjithavfe”, premte 20:59. Ai me këtë mesazh përshëndet miqtë e tij të rrjetit social, i thotë që është mirë me shëndet, i do të gjithë, e mbi të gjitha, duke qenë besimtarë i mirë, e quan si mrekulli të Zotit rastin e vet.

Aleksandri shkruan edhe një tjetër mesazh në faqen e rrjetit social, sërish i emocionuar: “Un ndjehem krenar qe kam kam gjak shqpitat skam ma mir se me kkan shqiptatt”, premte 21:36, ai u kujton të gjithëve se është krenar që ka gjak shqiptari dhe s’ka më mirë se të jesh shqiptar.

Aktualisht, Aleksandër Peci gjendet në një spital ushtarak amerikan në Landstluh të Gjermanisë dhe siç shihet edhe nga mesazhet në rrjetin social, është mirë me shëndet.

 
Lajme Shqip Saturday, 25 February 2012 23:55

Tiranë- Komandanti i Skuadronit të Dytë të Ushtrisë së SHBA që operon në kuadër të misionit ISAF në Afganistan, me të cilin Forcat Speciale shqiptare kryejnë misionin e tyre në Kandahar, i ka dërguar familjes së kapitenit Feti Vogli dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura një letër ngushëllimi në të cilën sqaron edhe rrethanat e rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, kapitenit Feti Vogli.

Lajmin e bëri të ditur zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes. sipas saj, nënkolonel David Jones shprehet në këtë letër se kapiteni Feti Vogli ra pre e një zjarri të befasishëm të një efektivi të policisë afgane në pikën e kontrollit, ndërsa ai iu përgjigj këtij zjarri me trimëri e kurajë.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e të dashurit tuaj. Fetiu po kryente një mision humanitar jashtëzakonisht të rëndësishëm në ditën që ndodhi incidenti tragjik. Ai po eksploronte mënyrat se si mund të ndërtohej një shkollë dhe një qendër shëndetësore në një zonë të quajtur Robat, ku komuniteti lokal ka nevoja jetike për arsimim më të mirë dhe infrastrukturë shëndetësore më të mirë.

Fetiu po kryente një mision rikonicioni në Distriktin Spin Boldak, në Afganistanin Jugor së bashku me kontingjentin e tij të Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4”, si dhe me trupa nga skuadroni i Kavalerisë e anëtarë të policisë afgane.

Gjatë operacionit, një polic i pabesë afgan, në mënyrë krejt të befasishme hapi zjarr dhe plagosi Fetiun dhe dy ushtarë të tjerë të koalicionit. Një komandant afgan i Pikës së Kontrollit u përpoq të reagonte shpejt për të neutralizuar agresorin, por gjithsesi plagët e Fetiut rezultuan shumë të rënda.

Ata që ishin të pranishëm në këtë ngjarje e përshkruan të gjithë reagimin dhe sjelljen e Fetiut pas këtij sulmi të befasishëm, si heroik. Pa asnjë dyshim, ai luftoi me një kurajo absolute, me nder e dinjitet duke dhënë dhe jetën e tij.

Ai u qëllua ndërsa përpiqej që të bënte jetën e të tjerëve më të mirë. Për këtë arsye, ju siguroj që Fetiu është për ne një hero, që do të nderohet e do të ketë nderimet tona më të larta, ndërsa vazhdojmë misionin tonë në Afganistan.

Ai ishte një luftëtar trim e i respektuar, ndaj dhe do të mbetet gjithnjë në mendjet dhe zemrat tona, ndërsa ne do të mbarojmë punën që ai filloi në Provincën e Kandaharit.

Qëllimi im është që Fetiu të jetojë gjithnjë në zemrat tona nëpërmjet fitoreve të vazhdueshme ndaj Talibanëve, dhe nëpërmjet paqes që ne po arrijmë për popullin afgan të drobitur nga lufta. Sakrifica e tij do të jetojë gjithnjë në shpirtin e një partneriteti të qëndrueshëm e të pashkatërrueshëm që ekziston ndërmjet ushtarëve të skuadronit tim dhe operatorëve special të Forcave Speciale Shqiptare.

Edhe një herë, ngushëllimet e mia më të thella për ju dhe familjen tuaj. Do të ndjejë mungesën e kapitenit Feti Vogli dhe ndikimin e tij pozitiv në mjedisin e luftës në Afganistan” përfundon letra e Jones.

Kapiteni Feti Vogli, i cili ndodhej me mision në afganistan humbi jetën në krye të detyrës në 20 shkurt, kur në Kandahar të Afganistanit u qëllua pabesisht një polic i pabesë vebdas. Kapiteni Feti Vogli u varros i mbuluar me flamurin shqiptar dhe me nderimet më të larta. Po në këtë mision mbeti i plagosur edhe nëntetar Aleksandër Peci, i cili fatmirësisht arriti të shpëtojë.

 
Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 14:30

Tiranë – Ka përfunduar ceremonia shtetërore e përcejlljes për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit ku do të prehet përjetësisht kapiten Feti Vogli i cili u vra katër ditë më parë në Kandahar të Afganistanit. Zyrtarët më të lartë të shtetit të shqiptarë kanë parakaluar përpara arkivolit që u vendos në mesditë ne hollin e Pallatit të Kongreseve.

Më pas akrivoli me trupin e kapiten Feti Voglit është drejtuar për të Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Pjesë mjaft prekëse e ceremonisë ka qenë momenti i apelit të fundit kur është thirrur tre herë emri i kapiten Feti Voglit. Komandanti i togës së pranishme në apel njoftoi se “Kapiten Feti Vogli mungon. Ai nuk është më. Ra në krye të detyrës duke mbrojtur shokët e tij”.

********************************************

Tiranë (PLOTESUAR 24 shkurt 11:00) Trupi i pa jetë i kapiten Feti Voglit, i vrarë më 20 shkurt gjatë misionit paqeruajtës në Afganistan, pas ceremonisë mortore në shtëpinë e tij në fshatin Baldushk të Tiranës, po përcillet drejt Pallatit të Kongreseve, ku do të zhvillohen edhe homazhet në nderim të tij.

Në këto homazhe do të marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore.

Në banesën e kapiten Feti Voglit, në Baldushk të Tiranës kanë zhvilluar vizita ngushëllimi personalitete të shumta në nderim të komandos së Forcave të Amatosura Shqiptare, i  vrarë më 20 shkurt gjatë misionit paqeruajtës në Afganistan.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, duke shprehur ngushëllimet për komandon e vrarë tha se raste të tilla na sjellin në vëmendje se sa afër është lufta dhe sa përpjekje duhen për të arritur paqen dhe shtetin e së drejtës. Wollfarth gjithashtu i uroi shërim të shpejtë nëntetarit të plagosur, Aleksandër Peci. 

Trupi i kapiten Feti Vogli mbërriti në atdhe në orën 3.04 minuta në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të Tiranës, me një avion ushtarak amerikan. Nën tingujt e muzikës funebre, arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar u nxorr nga avioni, ndërsa në pistën e aeroportit, ku ishte shtruar një tapet i kuq prisnin për t’i bërë nderimet, përveç familjarëve edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare.

Makina e funeralit ku u vendos trupi i pajetë, la aeroportin e Rinasit në orën 3.35 për t’iu drejtuar banesës së tij në fshatin Baldushk të Tiranës.

Ceremonia mortore familjare nisi në orën 10 të paradites dhe më pas arkivoli me trupin e tij do të vendoset në hollin e Pallatit tëKongreseve ku do të zhvillohen dhe homazhet në nderim të tij. Në këto homazhe është paralajmëruar pjesëmarrja e autoriteteve më të larta shtetërore.

Kapiten Vogli është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe trupi i tij do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ceremonia funerale pritet të mbyllet rreth orës 15.

****************************

Tiranë- Mbërriti në orë 03:05 të  mëngjesit të së Premtes në aeroportinë “Nënë Tereza” aeroplani ushtartark amerikan me në bord trupin e kapitenit Feti Vogli i cili humbi jetën gjatë një sulmi të befasishëm “mik” nga policia afgane.

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe Gjenerli Xhemal Gjunkshi ishin ndër zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe ushtarakë mes dhjetra forcave dhe pranisë civile që u mblodhën në aeroport për të nderuar kujtimin e Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli.

 Pasi u ul në pistë avionic, 8 ushtarakë të Gardës së Republikës të veshur me uniformat përkatësee u futën në bordin e avionit dhe dolën që andej me arkivolin e Voglit.

Më pas nën tingujt e marshit funebër të luajtur nga banda e ushtrisë arkivoli u trasportuar deri tek automjeti i shërbimit funeral.

Pas përfundimit të të ceremonisë në orën 03:25 automjeti u largua në drejtim të morgut të Tiranës për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore sipas procedurave dhe më pas arkivoli mbërriti në shtëpimë e familjes së Feti Voglit në Baldushk.

************************************************

Pjesa tjetër e ceremonialit të parashikuar

Një ditë përpara mbërritjes së trupit të “Dëshmorit të Atdheut” Feti Vogli nga Afganistani, Ministria e Mbrojtjes publikoi në një njoftim për shtyp, detajet e ceremonisë mortore që do të zhvillohet në nderim të tij.

 

Ceremonia mortore e Voglit, rënë në krye të detyrës në misionin në Kandahar, më 20 shkurt të këtij viti do të vijojë si më poshtë:
E Premte, 24 shkurt 2012
Ora 03:15                   –  Pritet mbërritja e avionit që mbart trupin e të ndjerit                         
Ora 03:20                   – Trumpetat njoftojnë për daljen e arkivolit nga avioni  
Ora 03:20 – 03:25      – Përgatitja për fillimin e lëvizjes për tek automjetet  
Ora 03:25 – 03:30      – Ecja me arkivolin mbi supet e ushtarakëve për 200 m deri tek makina e funeralit.
Ora 06:45 – 10:00      – Ceremonia mortore familjare  

Ora 10:00 – 10:45      – Lëvizja e arkivolit me trupin e të ndjerit për në Pallatin e Kongreseve  
Ora 10:45 – 11:00      – Vendosja e arkivolit në vendin ku do të zhvillohen homazhet në Hollin e Pallatit të Kongreseve

Ora 11:00 – 12:15      – Zhvillimi i homazheve

Ora 12:15 – 12:20      – Zhvillimi i homazheve nga Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit  
Ora 12:25 – 12:30      – Zhvillimi i homazheve nga Kryeministri
Ora 12:30 – 12:35      – Zhvillimi i homazheve nga Kryetarja e Kuvendit
Ora 12:35 – 12:40      – Zhvillimi i homazheve nga Presidenti
Ora 12:45 – 13:00      – Zënia e vendeve për fillimin e ceremonisë mortore
Ora 13:00                   – Fillimi i ceremonisë zyrtare
Ora 13:00 – 13:05      – Himni Kombëtar
Ora 13:05 – 13:10      – Fjala e lamtumirës
Ora 13:10 – 13:11      – Trumpetat njoftojnë për përfundimin e ceremonisë
Ora 13:11 – 13:25      – Rreshtimi i pjesëmarrësve në ceremoni për lëvizjen drejt Varrezave të Dëshmorëve

Ora 13:25 – 13:50      – Lëvizje e kortezhit për në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut
Ora 13:50 – 14:00      – Grumbullimi i pjesëmarrësve në ceremoninë e varrimit
Ora 14.00 – 14.07      – Zhvillimi i Ceremonisë së Apelit të Fundit nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, Kolonel Dritan Demiri
Ora 14.07 – 14.17      – Lëvizja e arkivolit të mbajtur në krahë nga grupi i ushtarakëve për në vendin e varrimit Ora 15.00     – Përfundimi i ceremonisë  
Ora 15.00 – 15.30      – Lëvizje për në Qendrën Kulturore të Ushtrisë
Ora 15.30                   – Dreka e përmortshme

*********************************************

Tiranë (PLOTESUAR 23 shkurt, 13:00) Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë njoftoi se nëntetar Aleksandër Jak Peci, i shoqëruar nga një ekip mjekësh të specializuar, është transportuar nga Spitali Amerikan i Bazës Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit drejt Gjermanisë.

Në orën 8 45 minuta ka mbërritur në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani.

“Nëntetar Peci është pritur nga Përfaqësuesi ynë Ushtarak në Shtabin e NATO-s në Bruksel, Kundëradmiral Kristaq Gerveni dhe Përfaqësuesi Ushtarak në Komandën e ACO, kolonel Pirro Ahmetaj”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas kësaj të fundit Aktualisht nëntetar Aleksandër Peci është nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të mjekëve të Spitalit Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjermani.

 ***************************

Tiranë- Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se ushtari i qëlluar dy ditë më parë në Afganistan, Aleksandër Peci, ka kryer një ndërhyrje tjetër gjatë ditës së sotme, e cila ka zgjatur disa orë. Pas kësaj ndërhyrje, gjendja e Pecit është e mirë dhe mund të thuhet që ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Por, Ministria e Mbrojtjes vazhdon që të japë njoftime kontradiktore, të cilat përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën. Dje bëri me dije se Peci u transferua në Gjermani, ndërkohë që kjo gjë nuk ka ndodhur.

Në njoftimin e sotëm, mësohet se Peci ndodhet edhe në Afganistan, ku dhe ka kryer ndërhyrjen dhe do të transferohet në Gjermani vetëm pas përmirësimit të gjendjes. Më poshtë njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së bëjnë me dije se:

Nëntetar Aleksandër Peci, është transferuar në Spitalin Ushtarak Amerikan në Bazën Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit, një spital me personel shumë të kualifikuar për ndërhyrje kirurgjikale të vështira.

Nëntetar Peci i është nënshtruar edhe një operacioni tjetër, i cili ka zgjatur disa orë.

Operacion ka dalë me sukses të plotë dhe aktualisht gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë. Ai tashmë ndodhet tërësisht jashtë rrezikut dhe funksionet e tij jetësore janë duke u kthyer në normalitet.

Pasi gjendja  e tij shëndetësore të jetë në nivel të qëndrueshëm për të përballuar kushtet e udhëtimit, ai do të transferohet për një trajtim mjekësor më të gjatë dhe më të hollësishëm në Gjermani”.

 Qeveria, një minutë heshtje për Feti Voglin

Ministrat kanë mbajtur një minutë heshtje për ushtarin shqiptar, të vrarë në Afganistan. Berisha tha se ai ra në krye të detyrës si një burrë. Berisha tha se ai ishte në një mision hyjnor.

“Ra në krye të detyrës kapiten Feti Vogli dhe mbetën të plagosur dy ushtarakë tjerë, një shqiptar dhe një amerikan.

Duke iu uruar shërim të shpejtë dhe të plotë dy komandove të plagosur në këtë ngjarje, unë ju ftoj ju të nderojmë me një minutë heshtje kapiten Feti Vogli, që ra si burrat në krye të detyrës, në një mision sa njerëz aq dhe hyjnor, pasi paqja është hyjnor është kushti më themelor i jetës, i zhvillimit, në një vend mik, ku në kuadrin e Aleancës së Atlantikut, Shqipëria ka një prezencë për frymë ndër më të lartat.

Rënia e kapiten Voglit shton detyrimin tonë për të bërë gjithçka për paqen në këtë vend, i cili ka rëndësi shumë të veçantë për sigurinë në Europë e botë,” tha Berisha.

 
Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 14:22

Tiranë- Kryeministria, me anë të një njoftimi, pohon se Berisha ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me nëntetar Aleksander Peci, i cili ndodhet për një trajtim më të specializuar në spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl, në Gjermani.

“Kryeministri Berisha i shprehu Aleksandrit urimin e tij më të përzemërt, të qeverisë shqiptare dhe mbarë shqiptarëve, për shërim të shpejtë e të plotë dhe kthimin shëndosh e mirë në familje dhe në atdhe.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë dhe krenarinë e tij, të qeverisë dhe mbarë qytetarëve shqiptarë për misionin fisnik të paqeruajtjes që Aleksandri dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e tjerë kryejnë në Afganistan, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me burrëri, profesionalizëm dhe dinjitet të veçantë.

Nëntetari Aleksandër Peci u plagos 4 ditë më parë gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit ku mbeti i vrarë edhe Kapiteni Feti Vogli”, thuhet në njoftim.

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 07:00

Tiranë -Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ishte sot pasdite në familjen e kapitenit Feti Vogli, për të ngushëlluar të afërmit për humbjen e të dashurit të tyre.

Kapiteni Feti Vogli ishte efektiv i forcave të kontigjentit paqeruajtës “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra dje në krye të detyrës gjatë një misioni në Kandahar.

Në një prononcim për median, Rama tha se rënia e kapitenit Vogli në krye të detyrës, është një arsye më shumë për të vazhduar betejën krah për krah me SHBA-në dhe të gjithë aleatët tanë të mëdhenj.

“Sigurisht që për familjen është një dhimbje e jashtëzakonshme, por është padyshim një dhimbje e madhe sot për të gjithë kombin tonë. Kjo humbje është një arsye edhe më e fortë, një arsye më shumë për të vazhduar betejën krah për krah me SHBA-në dhe të gjithë aleatët tanë të mëdhenj, kundër një të keqeje të madhe që synon të terrorizojë dhe gjunjëzojë botën”,  u shpreh Rama.

Kryesocialisti Edi Rama shoqërohej nga deputetët Arta Dade, Artan Gaçi dhe Xhemal Qefalia. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 01:02

Tiranë-  Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leon Panetta, telefonoi sot pasdite ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami për të shprehur ngushëllimet e tij dhe të qeverisë së SHBA-së për humbjen e jetës së Kapiten Feti Voglit, gjatë një misioni të përbashkët të trupave speciale shqiptare dhe atyre amerikanë në Kandahar, Afganistan, ku mbeten të plagosur gjithashtu dhe nëntetar Aleksandër Peçi dhe një ushtarak amerikan.

“Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit”, tha Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Leon Panetta, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë e qeverisë amerikane, për çdo ndihmë në rast nevoje.

“Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për tu vlerësuar thellë”, tha z. Panetta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar.

Ministri i Mbrojtjes, Imami falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e SHBA-ve dhe populli i madh amerikan ka dhënë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.

“Jemi krenar që ushtarët tanë dhe amerikanë luftuan së bashku me kurajë dhe profesionalizëm të lartë”, u shpreh z. Imami. “Ne jemi krenarë që ndodhemi bashkërisht në disa operacione në Afganistan. Dua të konfirmoj angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë”, tha ai.

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 22:30

Tiranë-Kryeministri Berisha vizitoi sot në mbrëmje, familjen e Nëntetarit Aleksandër Peci, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4”, në Afganistan, i cili u plagos një ditë më parë në Kandahar.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se në bisedën me familjarët, kryeministri Berisha u shpreh gjendja  se Aleksandrit është përmirësuar dhe të dhënat e deritanishme japin shpresë se Aleksandri do të bëhet mirë.

Duke vlerësuar misionin fisnik që Aleksandri dhe kolegët  e tij po realizojnë në Afganistan, kryeministri tha se në këtë detyrë të rëndësishme ata përfaqësojnë me dinjitet vendin dhe kombin shqiptar.

Kryeministri u përcolli familjarëve përshëndetjet e Komandantit të ISAF, Gjeneralit John Allen, i cili nëpërmjet telefonatës me kryeministrin Berisha shprehu vlerësimin për aftësinë e ushtarakëve shqiptarë në përmbushjen me sukses  të detyrave të ngarkuara.

Kryeministri Berisha u shpreh për familjarët se Gjenerali John Allen e siguroi se, ata që kryen këtë akt të shëmtuar kriminal do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.    

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për familjen e Aleksandër Pecit, por edhe për të gjithë familjet, bijtë e të cilëve përfaqësojnë vendin në detyra dhe misione të rëndësishme, në mbrojtje të sigurisë dhe paqes, kudo në botë.

“Ne ju jemi mirënjohës familjes suaj, të gjithë shqiptarët ju janë mirënjohës, por dhe të gjithë familjeve te tjera, sepse këta djem shkojnë në fushë betejë dhe pa mbështetjen e familjes, detyrën do ta kishin shumë të vështirë” tha kryeministri.

Nga ana  e tyre, familjarët  e Aleksandrit, duke falënderuar kryeministrin Berisha për vizitën shprehën mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen dhe kujdesin e treguar nga ana e strukturave shtetërore në përballimin e kësaj situate. Në këtë vizitë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Kamzës, zoti Xhelal Mziu dhe deputeti i zonës, zoti Myqerem Tafaj. (LajmeShqip.com)