Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 10:01

TIRANE – Ish-lideri libian, Muamar Gedafi, është ekzekutuar nga një agjent i shërbimeve sekrete franceze. Kjo ishte deklarata e bërë në një televizion egjiptian nga Mahmud Jibril, ish-Kkyeministri i Këshillit të Tranzicionit. Jibril, i cili garonte si kandidat për të drejtuar vendin, tha se “ishte një agjent i huaj i infiltruar mes turmës së rebelëve nga Forcat Revolucionare, i cili ekzekutoi Gedafin”.

Deklarata e tij u bë në një debat televiziv në Kajro mbi Pranverën Arabe dhe efektin e saj në rajon. Ndërsa shumë kanë mbrojtur faktin se lëvizja ishte e nevojshme për të ndryshuar regjimet totalitare në rajon, të tjerë kanë ngritur dyshime të forta se rrëzimi i liderëve që kishin një regjim shumëvjeçar ka shkaktuar paqëndrueshmëri dhe ka krijuar më shumë mundësi për veprimtarinë e militantëve të Al Kaedës. Shumë akuzojnë Perëndimin si ideator të kësaj lëvizjeje që “shkundi” të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, për çështje interesash tregtare. Pas disa muajsh rezistence, Muamar Gedafi, lideri libian prej 42 vitesh, u identifikua dhe u ekzekutua në Sirte më 20 tetor 2011. Edhe pse thirrjet nga Kombet e Bashkuara ishin për një gjykim të drejtë të Gedafit, i cili akuzohej për krime lufte për mënyrën se si trajtoi konfliktin civil gjatë muajve të fundit në vendin e tij, ai u mor zvarrë, u torturua dhe u ekzekutua në një shesh të mbushur me rebelë ku dëgjoheshin vetëm të bërtitura dhe plumba. Vrasjen e tij e mori përsipër një 22-vjeçar libian nga Misrata. Shumë herë versioni zyrtar i vrasjes së Gedafit është hedhur poshtë. Pamjet filmime të hedhura në “YouTube” e tregonin ish-liderin të përgjakur e të hutuar. Pjesë të videove shfaqnin trajtim mizor dhe shokuan të gjithë botën. Jibril, i cili drejtoi Këshillin e Tranzicionit për shtatë muaj e gjysmë gjatë luftës civile, por së fundi humbi përkrahjen për të qenë Kryeministër, tha se vrasja e Gedafit “ishte një komplot i një shteti të huaj”. Zërat për përfshirjen e Francës janë të shumtë.

Ish-presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ishte i pari që kërkoi nga NATO ndalimin e zonës së fluturimit në Libi dhe ndërhyrjen ushtarake kundër regjimit të Gedafit. Franca u akuzua se ishte ndër shtetet që furnizoi fshehtas rebelët libianë me armë. Pas thirrjes së Sarkozisë, në atë kohë President, administrata e Gedafit dhe djemtë e tij kanë deklaruar nëpër televizione se “Sarkozi do të përgjigjet për tradhtinë e tij”, sepse Gedafi i kishte sponsorizuar fushatën elektorale. Gadafi kërcënoi se do të bënte publike detaje të raporteve të tij me Sarkozinë, financimin me miliona dollarë të fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.

Përfshirja e Asad
Teoria u përforcua edhe nga mediat. Prestigjiozja italiane, “Corriere della Sera”, në Bengazi intervistoi Rami El Obeidi, ish-përgjegjësi për raportet me agjencitë e huaja të informacionit, për llogari të Këshillit Kombëtar Tranzitor. Ai ka rrëfyer modalitetet që lejuan NATO-n të gjendet vendi ku ishte fshehur Koloneli, pas marrjes në dorë të Tripolit në gusht të vitit 2011. “Thuhej se Gedafi mund të ishte arratisur në shkretëtirë drejt kufirit jugor të Libisë bashkë me disa mbështetës të tij, për të riorganizuar rezistencën”, tha Rami El Obeidi. Por, në fakt, Gedafi ishte strehuar në Sirte. “Ai u përpoq që të komunikonte përmes valëve satelitore Iridum me mbështetësit e tij, nën mbrojtjen e Bashar al Asad. Mes tyre ishte njëri prej propaganduesve më të mëdhenj televiziv, Jusuf Shakir (i cili besohet të jetë shëndoshë e mirë në Pragë). Asad e kaloi numrin satelitor të Gedafit tek agjentët francezë. Në këmbim ai mori nga Parisi premtimin për të ulur presionin ndërkombëtar mbi Sirinë dhe për të forcuar represionin kundër popullsisë siriane, tashmë në revoltë”, komentoi El Obeidi. Më pas gjetja e Gedafit ishte shumë e thjeshtë për NATO-n.

Vritet libiani që mori përgjegjësinë e vrasjes
Atributet për gjetjen dhe vrasjen e ish-liderit libian 20 tetorin e kaluar, i kishte marrë 22-vjeçari Omran Shaaban. Ditën e vdekjes torturuese të Gedafit, Shaaban u shfaq para mediave perëndimore duke treguar edhe pistoletën me të cilën kishte qëlluar plumbin që i dha fund jetës së Gedafit. 22-vjeçari i njohur si hero në Libi, vdiq të martën e kësaj jave në spitalin amerikan në Francë, 57 ditë pasi ishte rrëmbyer, qëlluar e torturuar nga mbështetësit e Gedafit në qytetin Bani Ualid, në juglindje të Libisë. Omran ishte liruar një javë më parë, pas negociatave të Mohamed al Magarief, President i Kongresit Gjeneral Nacional. Omran u lirua në Misrata me shenja torture në trup dhe një plumb afër shtyllës kurrizore. Ai u dërgua menjëherë në Paris, por vdiq pak ditë më pas. Vdekja e Omran u komentua si “hakmarrja e Gedafit nga varri”. Në kryeqytetin Tripoli u mbajtën protesta për të kërkuar një funeral heroi për të. Rreth dhjetë mijë njerëz u mblodhën për të nderuar në ceremoninë mortore të Omran.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 17:40

Tripoli – Djali i Moamer Gadafit, Seif al Islam është arrestuar në jug të Libisë, deklaroi ministri i Drejtësisë dhe Të drejtave të Njeriut në këshillin kalimtar kombëtar Mohamed al Algi.

Seif al Islam (39), i kërkuar nga Gjykata ndërkombëtare penale, është arrestuar në afërsi të Obarit në pjesën jugore të Libisë, deklaroi Alagi. Ai theksoi se Seif al Islami ka udhëtuar në një kolonë të automjeteve me një grup të truprojave. Pas arrestimit të tij me helikopter është dërguar në qytetin Zintan, prej ku do të dërgohet në Tripoli.

Shefi i operacioneve të KKK-së nga Zintani Bashir Tulaib në pres-konferencë në Tripoli, deklaroi se njerëzit e tij e arrestuan Seif al Islamin dhe tre bashkëpunëtorët e tij në rajonin e Obarit, teksa tentonte të largohej për në Niger. Në pyetjen nëse djali i Gadafit do t’i dorëzohet Gjykatës ndërkombëtare penale, ai u përgjigj se ky vendim duhet të sillet nga Këshilli kalimtar kombëtar.

Televizioni “Libia e Lirë” publikoi një xhirim nga Seif al Islam pas arrestimit të tij në të cilin duket se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Më 27 qershor Gjykata ndërkombëtare penale ka dhënë urdhër për arrestimin e Al Islamit pas akuzës për krime kundër njerëzimit.

Zëdhënësi i Gjykatës ndërkombëtare penale kumtoi se sot ka marrë vërtetim për arrestimin e djalit të Gadafit nga Ministria e Drejtësisë së Libisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 13:58

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se është arrestuar Saif Al Salam Gadafi, i biri i diktatorit të vrarë të Libisë, Muamer Gadafi.

Zyrtarët e ministrisë së drejtësisë në Libi citohet të kenë thënë se i biri në arrati i Gadafit është zënë në pjesën jugore të shkretëtirës së vendit.

Ata thanë se Saif Al Salam dhe disa truproje të tij janë arrestuar në afërsi të qytetit Obari nga luftëtarët e bazuar në pjesën perëndimore të Zintanit.

 
Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 09:27

Pretoria – Ish-lideri libian Moamer Gadafi humbi jetën afër vendlindjes Sirte, pasi që mercenarët e Afrikës Jugore, të cilët është dashur ta shpëtojnë, janë sulmuar nga aviacioni i NATO-s pas informatave të pjesëtarëve të Këshillit Kalimtar Kombëtar.

Versionin e tillë publikoi dje javorja afrikane City Pres, e cila i referohet burimeve të zbulimit të Afrikës Jugore.

Sipas gazetës mercenarët kanë pasur detyrë që ta shpëtojnë Gadafin. Në muajin gusht me ta u lidhën nga kompania libiane për siguri të cilët kanë kërkuar që të lirohet Gadafi nga Sirte dhe ta sjellin deri në Afrikën Jgore ku ai ka kërkuar që të jetojë në tendë në shkretëtirë.

Afrikanojugorët kanë hyrë në Libi me pasaporta fals. Pasi që është formuar një kolonë e automobilave me detyrë që ta brakrisin Sirten, ata u sulmuan nga aeroplanë të NATO-s, pas çka luftëtarët e KKK-së e arrestuan dhe vetë e gjykuan ish liderin libian.

Burime për gazetën konfirmojnë se mes bashkëpunëtorëve nga kompania e sugurimit drejt të cilës është nisur Gadafi, ka pasur agjentë të KKK-së të cilët i informuan autoritetet e reja libiane për operacionin për shpëtim të ish liderit nga Sirte.

 
Lajme Shqip Sunday, 30 October 2011 19:56

Pekin – Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, Luis Moreno Okampo deklaroi se posedon “dëshmi substanciale që Saif Al Salam Gadafi, i biri në arrati i presidentit të vrarë të Libisë, Muamer Gadafi, ka ndihmuar në angazhimin e mercenarëve për të sulmuar protestuesit libianë që po kundërshtonin regjimin e të atit të tij.

“Kemi dëshmitarë të cilët sqaruan se në cilën mënyrë Saif mori pjesë në planifikimin e sulmeve ndaj civilëve, e posaçërisht në angazhimin e transportit të mercenarëve nga vendet e huaja”, tha Okampo në Pekin, ku po merr pjesë në punën e një tubimi shkencor.

“Kjo do të thotë se kemi dëshmi konkrete, por gjithsesi do të konsiderojmë se Saif është i pafajshëm përderisa faji i tij nuk dëshmohet, kështu që do të shkojmë në gjykatë, ku gjykatësit do të vendosin për tërë atë”, shtoi Okampo.

Al Salam Gadafi thuhet se është nisur për në Niger, derisa një kohë të gjatë besohej se ndodhet diku në zonën kufitare me këtë shtet.

 
Lajme Shqip Friday, 28 October 2011 10:31

Dakar – Ish-shefi i zbulimit të Gadafit, Abdullah el Senusi, për të cilin Interpoli ka shpallur urdhër arrest, ka ikur në Mali përmes Nigerit, ku disa ditë është fshehur në shkretëtirën e veriut të vendit, deklaruan përfaqësues të Nigerit.

Një këshilltar i paemëruar i presidentit të Nigerit, tha se Senusi ka hyrë në territor të Malit ditën e mërkurë, vonë në mbrëmje, përmes zonës Kidal, e cila kufizohet me Nigerin.

Senusin e mbron një njësi prej dhjetë personave, ndërsa ka ardhur me konvoj, në të cilin gjendeshin pjesëtarë të fisit Tuareg nga Mali.

Sipas këshilltarit, Seif al-Islam, djali i liderit të vrarë Momaer Gadafi, gjithashtu gjendet në rrugë për në Mali.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 19:10

Tripoli – Një zyrtar i lartë i ushtrisë së Libisë tha se djali në arrati i Muamer Gadafit, Saif al Salam, dhe ish-shefi i inteligjencës së këtij vendi, Abduallah al Senusi, propozuan të dorëzohen para Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në Hagë.

Saif Al Salam po kërkohet nga kjo gjykatë, ndërsa është lëshuar tashmë fletarresti edhe për Senusin.

“Nuk ndihen të sigurt të qëndrojnë aty ku janë apo të largohen në ndonjë vend tjetër”, tha Abdel Maxhid Mlegta, zyrtar ushtarak në Këshillin Kombëtar Tranzicional të Libisë.

Mlegta tha se informacionet për këtë gjë i ka marrë nga burimet e inteligjencës.

Saif Al Salam është në arrati që kur forcat opozitare në Libi morrën kontrollin mbi Sirten-vendlindjen e babait të tij.

Aktualisht, ai besohet të qëndrojë diku në afërsi të kufirit jugor me Nigerin.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 18:32

Paris – Familja e Moamer Gadafit planifikon të parashtrojë padi kundër NATO-s në Gjykatën ndërkombëtare penale, duke konfirmuar se Aleanca ka kryer krim të luftës me vrasjen e ish liderit, kumtoi avokati francez i familjes Gadafi, Marsel Sekaldi.

Në intervistë për radion franceze “Jurop 1”, Sekalldi e akuzoi NATO-n për vrasjen e Gadafit më 20 tetor.

“Helikopterët e NATO-s e bombarduan karvanin me të cilin ai ka lëvizur. Karvani nuk ka shfaqur rrezik për popullatën civile. Pastaj pasoni vrasja e planifikuar nga ana e NATO-s”, tha ai.

“Sulmet ajrore nuk e kanë shkaktuar vdekjen e Gadafit, por vetëm e kanë plagosur ish liderin, i cili më vonë ishte i ekzekutuar nga forcat e Këshillit kalimtar kombëtar (KKK)”, konfirmon avokati.

Gadafi ishte i qëlluar të enjten e javës së kaluar, pasi që u kap nga forcat e KKK-së, përderisa tentonte të ikë nga vendlindja Sirt.

KKK-ja kumtoi se Gadafi ka vdekur nga lëndimet, pasi që u qëllua në kokë gjatë këmbimzjarrit pas kapjes së tij. Por videoinçizimet, në të cilat shihet se Gadafi është i gjallë, pa vetëdije, i mbuluar me gjak menjëherë pas kapjes, i përforcuan shpekulimet se ai pas pak u ekzekutua.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 08:57

Los Angeles – Vdekja e liderit të rrëzuar libian Moamer Gadafi, në javën e kaluar, është një porosi e fuqishme për diktatorët, deklaroi në një intervistë për televizionin BBC, presidenti amerikan Barak Obama.

“Gadafi është një njeri, i cili në periudhë prej 40 viteve e ka terrorizuar vendin dhe e ka përkrahur terrorin. Gjatë kohës së Pranverës Arabe kishte mundësi të vendosë ndryshime në qeverisje dhe të mundësojë kalim të qetë drejt demokracisë”, theksoi Obama në emisionin e Xhej Lenos.

“Ne i dhamë një fushë të gjerë veprimi me qëllim që ta shfrytëzojë këtë mundësi, por ai nuk e bëri këtë. Është e qartë se nuk dëshirojmë të shikojmë se si dikush përfundon në këtë mënyrë, por konsideroj se kjo ngjarje është një porosi për diktatorët në mbarë botën, se njerëzit dëshirojnë të jenë të lirë, ndërsa liderët janë të obliguar që t’i respektojnë të drejtat dhe synimet e tyre themelore njerëzore”, theksoi presidenti amerikan.

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 18:30

Tripoli – Djali i ish-liderit libian Moamer Gadafi, Seif al Islam është në afërsi të kufirit me Nigerin, deklaroi një përfaqësues nga autoritete lokale në Nigerin verior.

“Ende nuk ka hyrë në Niger, por është afër kufirit. Si duket është i shoqëruar nga mercenarët, por nuk mund ta konfirmoj këtë informacion”, deklaroi një përfaqësues i autoriteteve lokale, i cili kërkoi anonimitet.

Seif al Islam (39) dhe ish shefi i zbulimit libian Abdula as Senusi janë në listën për arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Të shtunën një burim qeveritar nigerian deklaroi se ish-krahu i djathtë i Gadafit, Abdula as Sensusi është vërejtur në rajonin verior të Nigerit në afërsi të kufirit me Libinë. Deri më tani 32 bashkëpunëtorë të afërt të Gadafit midis të cilëve edhe djali Sadi janë pranuar nga autoritete të Nigerit zyrtarisht për arsye humanitare.