Lajme Shqip Thursday, 27 March 2014 15:14

Politologu dhe ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, ka komentuar aneksimin e Krimesë nga Rusia si dhe paralelizimin e Putinit mes Kosovës dhe Gadishullit të Krimesë, sot e pushtuar nga Ushtria Ruse.

Duke iu referuar precedentit të Krimesë, Koço Danaj ka propozuar nisjen e procedurave urgjente për bashkimin e Luginës së Preshevës për Kosovën dhe Shqipërinë. Njohësi i thellë i çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare, ka dhënë alarmin përse pasardhësit e Millosheviçit, të cilët sot dominojnë në masën 82 për qind të Parlamentin Serb, po përgatiten për spastrimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. 

Në këtë kuadër, Danaj e ka konsideruar si hap urgjent bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën dhe Shqipërinë, hap i cili duhet të ndiqet me hapa të tjerë, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, duke formuar Shqipërinë Natyrale, siç ishte para vitit 1913. 

“Krimea zhvilloi referendum dhe u bashkua me Rusinë, me pretekstin se në Ukrainë erdhën në pushtet forca nacionaliste dhe ultranacionaliste. Ndërkaq në Beograd, në zgjedhjet e fundit parlamentare erdhën në pushtet forcat ultranacionaliste të Vuçiç dhe Daçiç, të cilat zotërojnë 82 për qind të Parlamentit Serb.Këto forca në të kaluarën shumë të afërt janë të njohura për gjenocidin e tyre ndaj shqiptarëve në mbarë trojet shqiptare dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës. Sot synimi i tyre është i ashtuquajturi spastrim “demokratik” i Luginës. Shembulli i qytetit të Medvegjës dhe spastrimi i tij nga shqiptarët pas viteve 2000 e vërteton më së miri strategjinë e ultranacionalizmit serb”, ka deklaruar Danaj. 

Danaj theksoi se të gjitha partitë politike në Luginën e Preshevës, duhet ta mbështesin këtë kërkesë, të gjitha partitë politike në Tiranë dhe Prishtinë duhet t’i japin asaj përkrahje pasi ajo është një kërkesë e mbështetur plotësisht në të drejtën ndërkombëtare. Zhvillimi i Referendumit në Luginën e Preshevës, për t’u bashkuar me Shqipërinë është një kërkesë demokratike që duhet të mbështetet edhe nga Brukseli dhe mbarë bashkësia ndërkombëtare. 

I pyetur lidhur me krahasimet që presidenti Putin i bëri referendumit në Krime me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Danaj u përgjigj se Putin bëri demagogji pa thënë të vërtetën. Sipas tij, presidenti Putin është i pabesueshëm tek shqiptarët lidhur me ato që tha për Kosovën. E drejta ligjore Kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, u shpreh se Lugina e Preshevës ka të drejtë ligjore të bashkohet me Shqipërinë. “Kërkesa e Partisë LPD dhe e kryetarit të saj Jonuz Musliu, është një kërkesë e drejtë, e pjekur dhe në kohën e duhur. 

Ndërsa sulmet kundër kësaj kërkese janë kundërhistorike dhe kundërshqiptare. Lugina e Preshevës është një territor shqiptar që ju shkëput Shqipërisë Natyrale nga e ashtuquajtura Mbledhje e Londrës, së bashku me dhjetëra mijëra kilometra katrorë të tjera, siç ishin Shqipëria Verilindore, Shqipëria Lindore nën Maqedoni, Çamëria dhe trojet shqiptare nën Mal të Zi”, tha Danaj. 

E drejta ndërkombëtare I pyetur se sa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare kërkesa për bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë, Danaj u përgjigj se kjo kërkesë është plotësisht në përputhje me këtë të drejtë. “Franca sot konsideron territore të saj një grup ishujsh mijëra kilometra katrore larg Francës në Amerikën Qendrore, si San Martin, Martinikë etj etj, Britania e Madhe konsideron territore të saj ishuj mijëra kilometra larg si ishujt Malvine afër Argjentinës. Ato i quajnë këto si territore “përtej Detit”. Rusia konsideron territor të saj provincën e Konigsbergut (Kaliningradit), mijëra kilometra larg Rusisë. Dhe kjo është konsideruar në përputhje me marrëdhëniet ndërkombëtare. Përse të mos konsiderohet e tillë edhe kërkesa për bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë?”, ka deklaruar Danaj. 

Shqipëria e Madhe Danaj ka sqaruar edhe dallimin mes Shqipërisë Natyrale dhe Shqipërisë së Madhe. “Shqipëria e Madhe, e para është një apelacion nazisto-fashist, që lindi pas marrëveshjes Çiano-Ribetrop të tetorit të 1941-it, pasi ishte pushtuar i tërë Ballkani. Sipas kësaj marrëveshjeje, u vendos që një pjesë e trojeve shqiptare, si Presheva, Bujanovski, Kumanova, Kaçaniku, t’i jepeshin Bullgarisë së Madhe. Veriu i Kosovës t’i jepej Serbisë. Pjesa tjetër u quajt Shqipëria e Madhe. E para, nuk është Shqipëria e Madhe në kufijtë e saj natyrorë. E dyta, është një apelacion nazisto-fashist. Ndërsa Shqipëri Natyrale, do të thotë, Shqipëria të jetë në kufijtë e saj natyrorë, të cilën e shpallën zyrtarisht, me akt juridik ata 40 burra në Kuvendin e Vlorës, më 28 Nëntor 1912”, ka deklaruar ai. 

Shqipëria Natyrale Danaj ka deklaruar se vetë përbërja e qeverisë së Vlorës, ku përfshiheshin gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare, të Shqipërisë Natyrale, është domethënëse e shprehëse e aktit juridik të Pavarësisë së Shqipërisë së Madhe. 

“Dhe këtë akti juridik të Nëntorit 1912 nuk është çështja që Fuqitë e Mëdha e diskutuan dhe e hodhën poshtë. Përkundrazi. Nuk e mori fare parasysh, nuk e injoroi. Ne kërkojmë një të drejtë, si çdo komb tjetër; që hajdeni, të ulemi e ta diskutojmë. Nëse ky akt juridik, ju, bashkësia ndërkombëtare, nëse keni dokumente, le ta hidhni poshtë dhe ne le të pranojmë këtë Shqipëri artificiale që është sot. Por, nëse argumentet janë në favorin tonë, atëherë, do të na jepni ne, shqiptarëve të drejtën. Eduard Grej thotë në kujtimet e tij: “Ne i copëtuam kufijtë e Shqipërisë me të drejtën e forcës të së madhit, mbi të voglin”. Sot jemi në një kohë tjetër e flasim me forcën e së drejtës, forcën e argumenteve. Për forcën e fakteve. Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta lejojë Shqipërinë Natyrale, dhe ta ketë të qartë, që vetëm kjo Shqipëri Natyrale e qetëson dhe e stabilizon paqen në Ballkan”, ka pohuar ai. /Sotnews/

 

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 14:57

Peticionin për Shqipërinë Natyrale deri më tani e kanë nënshkruar 37 deputetë shqiptarë. Kjo nismë është mbështetur edhe nga deputetë shqiptarë të parlamentit të Maqedonisë.

Përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), kanë preferuar të heshtin lidhur me pretendimin se anëtarët e parlamentit të Maqedonisë e kanë nënshkruar peticionin. Ndryshe, deri në nëntor të këtij viti mbi 1 milionë nënshkrime do t’i dorëzohen Uashingtonit, Berlinit, Vjenës, Parisit, Londrës dhe Brukselit, ku do të pasqyrohet vullneti i shqiptarëve në të gjitha trojet ku jetojnë si dhe i diasporës shqiptare në perëndim, që shqiptarët e Ballkanit perëndimor të jetojnë në një shtet të vetëm, me kryeqytet Tiranën. “Deri më 28 nëntor të këtij viti, do të befasoheni se sa shumë nënshkrime do të grumbullohen në mbështetje të idesë për bashkimin e shqiptarëve në një territor – në kufijtë e paraparë më aktin e para 100 vjetëve, në kohën e parlamentit të Vlorës më 1912”, ka deklaruar Koço Danaj, kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale. Danaj, kohë më parë filloi të grumbullojë nënshkrime nga shqiptarët kudo që jetojnë në mbështetje të kësaj ideje. Ndërkohë, ende nuk janë bërë publik emrat e deputetëve shqiptarë në Maqedoni të cilët kanë firmosur peticionin për një Shqipëri Natyrale. /INA/