Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 15:00

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer, ka deklaruar se KFOR-i është mision neutral ndaj statusit dhe i paanshëm, i cili nuk është “as në anën e Beogradit as të Prishtinës”, duke shtuar se nuk do të urdhërojë largimin e dhunshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër.
“Paraardhësi im, në pozitën e komandantit të KFOR-it, ka pasur momente të vështira, duke shkuar në heqjen e barrikadave serbe. Unë mendoj se barrikada mbi urë në të vërtetë është simbol politik, ajo paraqet frikën de dëshirat e atij populli atje. Unë e kuptoj këtë dhe nuk do të urdhëroj heqjen e asaj barrikade”, ka thënë gjenerali gjerman.
Halbauer edhe njëherë ka përjashtuar çfarëdo zgjidhje ushtarake për Veriun e Kosovës, duke thënë se dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit tregon se zgjidhja politike është e mundshme.
“Në dialog është ecur shumë përpara dhe kjo është e mirë, kjo jep shpresë për sukses përfundimtar në procesin paqësor në Kosovë”, tha gjenerali Halbauer për gazetën serbe “Politika”.

 
Lajme Shqip Friday, 31 May 2013 11:04

Mbrëmë rreth mesnatës te vendi i quajtur “Ura e gjakut” në Mitrovicë, janë sulmuar veturat e EULEX-it me tre shishe me koktej molotivi. Kështu njoftojnë burimet e agjencisë së lajmeve Kosovapress.

Kjo ngjarje është konfirmuar nga policia në Mitrovicë. Ata konfirmuan që nuk ka të lënduar në këtë ngjarje, në ndërkohë që shishet me lëndë djegëse janë hedhur në oborrin e një shtëpie private në të cilën jetojnë disa pjesëtarë të EULEX-it, nga persona të panjohur deri më tani.

Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti, ka thënë se deri tani nuk ka të arrestuar në lidhje me ngjarjen, dhe se rasti po hetohet.

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 March 2013 15:09

Ky veprim i dhunshëm dëshmon qartë se një grup i caktuar njerëzish janë të gatshëm që ta rrezikojnë sigurinë e komunitetit lokal dhe ta pengojnë zbatimin e sundimit të ligjit.

Këto vepra janë kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes dhe stabilitetit, si dhe ndikojnë thellësisht në qytetarët e rëndomtë.
 
“Ky ishte një sulm i qartë kundër sundimit të ligjit dhe si i tillë është absolutisht i papranueshëm. Policët janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të rëndomtë, prandaj sulmi me granatë dore në stacionin e policisë është sulm kundër qytetarëve. Kjo praktikë duhet të ndalet dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë,” tha Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt, njofton zyra për informim e EULEX-it.(Lajmeshqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 March 2013 11:30

Mitrovicë – Persona të panjohur kanë aktivizuar mbrëmë vonë një mjet shpërthyer në shtëpinë e Tahir Memoviqit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Të lënduar nuk ka pasur e siç njoftojnë medie serbe nga vendi i ngjarjes mjeti shpërthyes ishte vënë në dritaren e shtëpisë ku vërehen dëmet më të mëdha.

Në momentin e shpërthimit në shtëpi kanë qenë shatë persona.

Vendin e ngjarjes e kanë vizituar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të EULEX-it dhe të KFOR-it.

Që nga fillimi i këtij viti në Mitrovicë kanë ndodhur rreth 20 shpërthime.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 26 February 2013 14:13

Prishtinë –  Edhe një sulm tjetër është regjistruar mbrëmjen e së hënës në rrugën Sutjeska në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë gati një plan tjetër reagimi dhe vëzhgimi të situatës në këtë pjesë, ku janë intensifikuar incidentet. Komandanti i policisë së Kosovës Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i ka thënë Radio Kosovës se tashmë janë parandaluar veprimet më të rrezikshme të planifikuara për t’u realizuar në veri. Ai ka thënë se gjërat janë ndërlikuar, por ka garantuar se nuk do lejohet përshkallëzim i situatës.

Inteligjenca e Policisë së Kosovës ka gjetur se sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës po organizohen nga së paku 5 grupe të ndryshme kryesisht të strukturave të sigurisë së Serbisë që operojnë në Kosovë.

Komandanti regjional i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi thotë për Radio Kosovën se harta e sulmeve dhe natyra e tyre nuk i takojnë vetëm MUP-it, por edhe disa grupeve tjera.

“Ne kemi bërë një analizë të sulmeve dhe rezultatet na dalin se struktura e viktimave është e ndryshme. Kemi qytetarë shqiptarë, serbë, grupe të biznesit apo të interesave të ndryshme, pjesëtarë të MUP dhe kjo na çon të pista e dyshimit për grupe dhe persona të ndryshëm”, ka thënë Thaçi për Radio Kosovën.

Komandanti regjional ka thënë se informacionet e inteligjencës shpien te sulme të planifikuara në vazhdimësi ndaj të gjitha etniteteve.

“Informatat tona të inteligjencës tregojnë se sulmet nuk janë të drejtuara vetëm ndaj njerëzve që punojnë për institucionet e Kosovës sepse ka shumë raste të sulmeve ndaj qytetarëve serbë që s’kanë të bëjnë asgjë me institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi. Njeriu i parë i policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi nuk ka dhënë garanci aq të madhe për parandalimin sulmeve, megjithatë ka thënë se policia ka plane që evitojnë gjithsesi përkeqësimin e situatës.

 “Ne jemi duke bërë maksimumin. Realisht unë mendoj dhe besoj që kemi arritur të parandalojmë planet madhore të strukturave kriminale për shkak se ua kemi pamundësuar deri në një masë të madhe veprimin”, ka thënë Thaçi.

Ditë jo aq të qeta për veriun e Kosovës ka paralajmëruar edhe vetë ndërmjetësja e bisedimeve më Serbinë Baronesha Cathrine Ashtone. Ajo pas takimit të fundit në Bruksel ka thënë se ditët në vazhdim do të jenë kritike.(KN/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 24 February 2013 17:25

Janë kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, atë që kanë bërë këtë ujdi, gjatë bisedave të zhvilluara në Bruksel nën ombrellën e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton, thotë për Radion Evropa e Lirë, koordinatori i Prishtinës zyrtare në dialogun politik, Blerim Shala.

“…me muaj, më së shumti me muaj, mund të llogaritet periudha kohore e zhbërjes së strukturave serbe të sigurisë. Por, po ashtu po shpresoj që me muaj duhet të llogaritet edhe aftësia jonë, potenciali ynë organizativ, për t’i zëvendësuar këto struktura me strukturat kosovare të sigurisë. Ndërkohë, llogaritet në një përkrahje të fuqishme të EULEX-it dhe KFOR-it, sepse ekziston një vullnet parimor, i Prishtinës dhe Beogradit, që faktori ndërkombëtar ta luaj një rol të rëndësishëm në tranzicionin e veriut të Kosovës”, thotë Shala.

Shefat e dy qeverive në Prishtinë e Beograd, janë takuar të mërkurën në Bruksel për të pestën herë që kur baronesha Catherine Ashton nisi diskutimet e thella për veriun e Kosovës. Pas takimit, zyra e saj për media ka sqaruar se ka pasur përparim thelbësor gjatë dy ditësh bisedime.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka thënë për opinion serb se Beogradi nuk do të lejojë shpërbërje të strukturave të veta në veri të Kosovës, pa qenë i sigurt se kush do t’i zëvendësojë ato.

Bashkërenduesi i palës kosovare, Blerim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se vakum të sigurisë nuk do të ketë në veri të Kosovës, pas largimit të forcave të sigurisë së Serbisë.

“Ne e kemi një polici të Kosovës në veri. I dimë të gjitha të metat. E dimë që lojaliteti  i tyre, i policëve serbë, fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar. Por, ne mendojmë po ashtu, që mund të inkuadrojmë edhe policë serbë të pjesëve tjera të Kosovës në këtë periudhën e parë të boshllëkut, ashtu që të mbulohet vakuumi i sigurisë”, shpjegon Shala.

Shefi i Qeverisë në Prishtinë, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se në takimin e radhës, më 4 mars në Bruksel, do të dihen shumica e detajeve rreth periudhës kalimtare të nevojshme për masat e reja të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të shprehë përkrahje për palën kosovare që brenda këtij viti të zhvillohen zgjedhje të reja në katër komunat matanë Ibrit.

Një klimë e tillë, besohet se do të ndihmonte në relaksimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe veriut, e që për garantues do të kishte edhe Beogradin.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 14:06

MITROVICE – Banesa e një polici të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës ka rënë pre e sulmit të radhës me mjet shpërthyes. Ky është sulmi i dytë brenda 24 orëve, në veri të Mitrovicës, e cila është shndërruar në një zonë të shpërthimeve të shpeshta.

Sipas forcave të rendit, shtëpia e kolegut të tyre që gjendet në rrugën Mesha Selimoviq, është sulmuar rreth orës 01:30, ndërsa fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.

Zëdhënësi i policisë, Avni Zahiti, tha për Radion Evropa e Lirë, se polici i nacionalitetit boshnjak ka qenë në gjumë gjatë kohës së incidentit.

Ai sqaroi se shpërthimi është shkaktuar nga “një mjet me mbushje” e jo granatë dorë. Zahiti tha se polica ende nuk ka një motiv për këtë incident.

“Nuk mundemi me u thirr në atë drejtim, se a ka qenë qëllimi frikësim apo diçka tjetër, derisa nuk kemi një motiv zyrtar që e sjellin hetimet. Por,ky [sulm] dallon prej atyre që kanë qenë paraprakisht, për faktin se është pjesëtar i policisë në veri,” tha Zahiti.

Prona e policit të sulmuar gjendet në afërsi të konvikteve të studentëve të Universitetit të veriut të Mitrovicës veriore.(lajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 12:53

Prishtine – Pjesa veriore e Mitrovicës, sërish tronditet nga një shpërthim.

Cak i sulmit ishte një serb, të cilit iu hodh një granatë dore në oborr, të dielën mbrëma.

Policia e Kosovës thotë të ketë pranuar informatën rreth orës 19 e 30, nga vet ankuesi, i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se fatmirësisht nuk ka të lënduar nga ky incident.

“Policia ka dalë në vendngjarje, dhe pas vlerësimeve të para hetimore, ka vlerësuar se një granatë dore e tipit M-75, prodhim Jugosllav, besohet të jetë hedhur në këtë oborr. Ndërsa me rëndësi është që nuk ka të lënduar në njerëz,” tha ai.

Pronari i shtëpisë, ka njoftuar për dëme të vogla materiale, kryesisht të shkaktuara në xhamat e banesës.

Reagimi i parë për këtë incident ka ardhur nga Beogradi, ku zyra e tij për Kosovën, e ka cilësuar këtë sulm si “urim për ditën e Pavarësisë së Kosovës.”

Zona matanë lumit Ibër në Mitrovicë, e banuar me shumicë serbe, ka qenë arenë e disa shpërthimeve gjatë ditëve e javëve të fundit.

“Ajo që është shqetësuese, gjithsesi janë rastet e tilla që vazhdojnë të përsëriten, dhe kohët e fundit kryesisht në veri të Mitrovicës,” tha Hoti.

Policia vlerëson se shpërthimet e shpeshta kanë ngritur një dozë pasigurie në popullatë dhe shqetësim tek forcat e rendit, të cilat kanë arritur që të lidhin disa shpërthime, me motivin e njëjtë.

Mirëpo, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, ende nuk është gjet një lidhje për rastin e mbrëmshëm me shpërthimet e kaluara. Përveç se është përdor i njëjti mjet shpërthyes, granatë dore e prodhimit jugosllav.

“Disa tjera më herët e kemi ndërtuar një motiv të mundshëm, për faktin se kanë qenë individ të punësuar në institucionet e Republikës së Kosovës, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, dhe kryesisht prona dhe pasuria e tyre ka qenë cak i sulmit. Ndërsa ky i fundit është i paqartë,” tha ai.

Autoritetet në Prishtinë, kryesisht akuzojnë strukturat paralele serbe të sigurisë që veprojnë në veri të Mitrovicës për incidentet që ngjajnë atje.

Për këto institucione, shefat e qeverive në Kosovë e Serbi, do të diskutojnë gjatë takimit të tyre që pritet të zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Bruksel.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 15:00

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës po përcjell me vëmendje situatën në veri dhe njëkohësisht dënon incidentin e fundit në pjesën veriore të Kosovës, thuhet në Deklaratën e saj.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët për qetësi  dhe maturi, si dhe të mos bien në ndikim dhe të bashkëpunojnë me grupet që po tentojnë të tensionojnë situatën në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Qeveria njëkohësisht iu bënë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe ligjit dhe t’u ndihmojnë atyre në kapjen e shkaktarëve të këtyre incidenteve. Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithashtu kërkon angazhim dhe përkushtim të lartë të organeve të rendit dhe ligjit që të ruajnë rendin dhe qetësinë, dhe që sa më shpejt të vihen para drejtësisë autorët e këtyre incidenteve, thuhet në Deklaratë. (LajmeShqip.com)

**************************************************

Prishtinë – Shefi i misionit të UNMIK Farid Zarif ka dënuar incidentin e së hënës ku janë lënduar dy fëmijë të komunitetit serb. Me anë të një komunikate për media, shefi i UNMIK-ut është shprehur se është djerë i shokuar nga lajmi për incidentin.

“Jam ndjerë thellë i shokuar pas dëgjimit të lajmit për sulmin në një shtëpi në pjesën veriore të Mitrovicës nga i cili janë lënduar dy fëmijë nga eksplozivi i cili ishtë hedhur në shtëpinë e tyre që ndodhët në lagjen Mahalla e Boshnjakëve.Ky është një veprim qyqar i cili nuk është i pranueshëm nga asnjë shoqëri”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e shefit të UNMIK-ut, duke shtuar se shpërthimi i fundit vije pas disa të tjerëve të ndodhura gjatë javës së fundit në pjesën veriore të Mitrovicës.

UNMIK ka mirëpritur fillimin e hetimeve nga Policia e Kosovës dhe EULEX, dhe ka kërkuar nga të gjithë që në rastë se kanë informacione lidhur me këto raste të bashkëpunojnë me organet e rendit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 12:07

Mitrovicë (plotesuar)- Kërstimir Pantiq, pas plagosjes së dy fëmijëve serbë në veri të Mitrovicës, kërkon armatosjen e mbrojtjes civile serbe si dhe largimin e KFOR-it dhe EULEX-it nga veriun i Kosovës.

I ashtuquajturi kryetar  veriut të Mitrovicës Kërstimir Pantiq,  ka theksuar se ka gjetur edhe akterët e sulmit që kanë hedhur granatën e dorës në shtëpinë e një serbi e ata janë ‘terroristët shqiptarë’, njofton nga Mitrovica korrespondenti i Kohës Ditore.

Pantiq ka kërkuar që për shkak të pamundësisë së KFOR-it dhe EULEX-it që të mbrojnë popullatën serbe në veri të Mitrovicës komandanti i KFOR-it në Kosovë si dhe shefi i EULEX-it të japin menjëherë dorëheqje dhe të largohen nga Kosova.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës të ndërprenë çdo komunikim me pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët i ka quajtur forca okupuese, dhe ka kërkuar në emër të komunës në veri të Mitrovicës që këto forca ta braktisin menjëherë veriun e Kosovës.

*******************************************************

Mitrovicë – Sërgjan Stojanoviq është arrestuar pas plagosjes së dy fëmijëve në Mitrovicë. PK gjatë bastisje ka gjetur në banesën tij një bombë dore.

Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës Besim Hoti ka deklaruar se pas sulmit në Lagjen e Boshnjakëve ka bastisur objektin banesor të familjes Stojanoviq, e cila jeton në katin përdhes ku mbrëmë ndodhi shpërthimi

Hoti për Tanjugun deklaroi se gjatë bastisjes janë gjetur edhe 50 fishekë të kalibrit 7. 72 mmm dhe një kallashnikov. Fëmijët e plagosur janë në gjendje të mirë.(LajmeShqip.com)