12
 
Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 15:00

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer, ka deklaruar se KFOR-i është mision neutral ndaj statusit dhe i paanshëm, i cili nuk është “as në anën e Beogradit as të Prishtinës”, duke shtuar se nuk do të urdhërojë largimin e dhunshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër.
“Paraardhësi im, në pozitën e komandantit të KFOR-it, ka pasur momente të vështira, duke shkuar në heqjen e barrikadave serbe. Unë mendoj se barrikada mbi urë në të vërtetë është simbol politik, ajo paraqet frikën de dëshirat e atij populli atje. Unë e kuptoj këtë dhe nuk do të urdhëroj heqjen e asaj barrikade”, ka thënë gjenerali gjerman.
Halbauer edhe njëherë ka përjashtuar çfarëdo zgjidhje ushtarake për Veriun e Kosovës, duke thënë se dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit tregon se zgjidhja politike është e mundshme.
“Në dialog është ecur shumë përpara dhe kjo është e mirë, kjo jep shpresë për sukses përfundimtar në procesin paqësor në Kosovë”, tha gjenerali Halbauer për gazetën serbe “Politika”.

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 15:59

Mitrovice – Një grup serbësh ka sfiduar sërish të mërkurën institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare, duke penguar doganierët dhe policët kufitarë që përmes rrugëve tokësore të lëvizin në pikat kufitare.

Ata kanë kthyer mbrapsht rreth mesditës automjetet e EULEX-it në fshatin Rudarë afër Zveqanit, përkatësisht në vendin ku është i vendosur kryqi, në të cilat ishin edhe doganierët kosovarë.

“Përkundër insistimeve të EULEX-it të cilat kanë zgjatur rreth dhjetë minuta për t’i bindur serbët që të mundësojnë lëvizjen e automjeteve të tyre në drejtim të Jarinjës, një gjë e tillë nuk është arritur”, kanë thënë burime të Kosovapress-it, duke shtuar se doganierët pastaj janë bartur me helikopterë në Jarinjë.(K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 12:49

Mitrovice – Forcat paqeruajtëse të NATO-s larguan sot një barrikadë në komunën e Zveçanit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Barrikada ishte ngritur nga banorët lokal serbë për të penguar vendosjen e policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për opinion, forcat paqeruajtëse thanë se “qëllimi i operacionit ishte të largojë pengesat ne rrugë për të përmirësuar lirinë e lëvizjes jo vetëm për KFOR-in por gjithashtu edhe për organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Operacioni i forcave të NATO-s për largimin e barrikadës kaloi pa incidente.

Përfaqësues të serbëve në veri thanë se operacioni i sotëm ishte “demonstrim i hapur i forcës”. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin u tha mjeteve serbe të informimit se edhe KFOR-i edhe serbët në veriun e Kosovës duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, meqë dhuna sipas tij, u shkon për shtati vetëm atyre që nuk duan zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Forcat paqeruajtëse thanë se “misioni i tyre është të kontribuojë për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë këtë mision në mënyrë të vendosur, kujdesshëm dhe në mënyrë të paanshme në përputhshmëri të plotë me mandatin e tij”.

Mijëra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan të mërkurën në veriun e Mitrovicës kundër marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe fillimit të funksionalizimit të doganave në vendkalimet kufitare ndërmjet dy vendeve në veri.

Përfaqësuesit e tyre, thanë se nuk do të pranojnë asnjëherë të jetojnë në Kosovën e pavarur, ndërsa i cilësuan marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian si përpjekje për t’i detyruar me dhunë serbët e veriut të Kosovës që të integrohen në institucionet e Prishtinës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 December 2012 09:00

SHBA – Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka kërkuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, që forca paqeruajtëse e NATO-s të mos tërhiqet nga territori i Kosovës.

“Popullata serbe nuk ka besim në institucionet e përkohshme të Kosovës”, ka thënë Vucic, raportojnë mediat serbe.

Vuçic është takuar me Panettan në Pentagon, transmeton REL.

Po sipas mediave serbe, Panetta ka shprehur kënaqësinë me bashkëpunimin ushtarak me Serbinë dhe është zotuar se në takimin e Këshillit të NATO-s, në shkurt të vitit të ardhshëm, “do të angazhohet për mbetjen e trupave amerikane në përbërje të KFOR-it”.(REL)

 
Lajme Shqip Thursday, 23 August 2012 16:17

Prishtinë (PLOTESUAR 23 gusht 20:30)- Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, tha sot se janë në zhvillim e sipër negociatat për zhbllokimin e rrugëve te fshati Zupçe, ku serbët sot kishin vënë barrikada.

Siç raporton agjencia Beta, Novicki e ka vërtetuar se janë arrestuar dy vetë. Serbët në pjesën veriore të Kosovës sot e kishin bllokuar kalimin e makinave të misionit EULEKS, me shpejgimin se ky mision nuk po e mbanë neutralitetin ndaj statusit.

Novicki tha se KFOR-i ka reaguar menjëherë dhe e ka vendosur një pikë kontrolli në afërsi të Zupçes. (LajmeShqip.com)

*******************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 23 gusht18:30)- Përfaqësues të serbëve në veri të Kosovës e kanë cilësuar veprimin e sotëm të heqjes së barrikadës në Zupç si “synim për të nxitur incidente”.

Njëri prej tyre, Radenko Nedelkoviq i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Beta se “KFOR-i jo vetëm që ka dalë nga mandati që ka, por nuk dëshiron as të sigurojë paqen  për të gjithë qytetarët, por me provokime synon të nxisë serbët që të reagojnë”. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Mitrovicë – Misioni i EULEX-it në bashkëpunim me pjesëtarët e KFOR-it janë duke zhvilluar një operacion në afërsi të fshatit Zupç që shpie për në Zubin Potok, konfirmoi zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi.

“Momentalisht është duke u zhvilluar një operacion për të siguruar qasje të policëve të EULEX-it në stacionin e Policisë së Kosovës Zubin Potok, në mënyrë që ata të kryejnë detyrat e tyre të monitorimit, monitorimit dhe këshillmit” ka bërë të ditur Krasniqi.

Operacioni sipas Krasniqit ku janë përfshirë EULEX-i dhe KFORI, “është duke u zhvilluar afër fshatit Zupç, rrugës për Zubin Potok ku një grup i vogël kriminel janë duke e penguar lirinë e qasjes”. Krasniqi thekson se “EULEX-i do të vazhdojë të punojë ngushtë me KFOR-in për rivendosjen e lirisë së qasjes”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 15:52

Zubin Potok – Një eskortë e makinave të EULEX-it është bllokuar të mërkurën pas mesdite nga ane e grupeve të caktuara serbësh në qytetin veri-perëndimor të Kosovës.

Burime jo zyrtare kanë njoftuar se e një eskortë e makinave të EULEX-it është bllokuar në Zubin Potok, pasi që sipas burimit EULEX-i ka tentuar që të shtojë prezencën e tij në stacion e policisë së këtij qyteti si dhe në pikën kufitare G31 në Bërrnjakë.

Pas rreth 2 orë qëndrimi në rrugë, makinat e EULEX-it janë detyruar që të kthehen  në jug të Mitrovicës,  ndërsa që grupi i caktuar i qytetarëve serbë është shpërndarë i qetë, ka njoftuar burimi. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka theksuar se policia e Kosovës nuk ka informacione se ka ndodhur ndonjë bllokim të misioneve ndërkombëtare në Zubin Potok. (K.N)

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 August 2012 14:30

Mitrovicë – Serbët të cilët prej kohësh kujdestarojnë në Zupç të Zubin Potokun kanë bllokuar disa automjete të KFOR-it dhe tri automjete të EULEX-it, të martën rreth 11:00, kanë njoftuar mediet lokale serbe në Mitrovicës.

Sipas tyre, serbët kanë bllokuar KFOR-in dhe EULEX-it, me paramendimin se ata kanë mësyrë bllokimin e rrugëve alternative në komunën e Zubin Potokut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, toger Besim Hoti, duke e konfirmuar bllokadën e serbëve, tha se rruga është bllokuar, por ka shtuar se trafiku në këtë pjesë të rrugës në drejtim të Bërnjakut është ndërprerë edhe disa herë të tjera, njofton ‘Zëri’.

Megjithatë, toger Hoti, ka siguruar se gjendja në Zupç është e qetë dhe nuk janë shënuar incidente.

Në anën tjetër, nënkryetari i Zubin Potokut, Sergjan Gjuroviq, ka paralajmëruar se mosmarrëveshjet në mes të qytetarëve serbë që e kanë bllokuar konvojin e pjesëtarëve të EULEX-it dhe të KFOR-it do të zgjidhet, ndërsa komunikacionit do të normalizohet. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 August 2012 10:53

Mitrovicë  – Mjetet lokale serbe të informimit në Mitrovicë kanë njoftuar se, pas dhjetë ditëve të bllokadës së rrugës alternative nëpërmjet Tresavës në veri të Kosovës, KFOR-i është tërhequr dhe tani po lejohet qarkullimi i të gjitha automjeteve përfshirë edhe ato me peshë mbi tre tonë.

Kryetari i Leposaviqit, Dragisha Vasiq, u ka thënë medieve serbe, se komunikacionit në atë pjesë po zhvillohet pa kurrfarë pengesash, ndërsa edhe serbët i kanë larguar pengesat nga rruga në pjesën neutrale, në mes të Jarinjës dhe punktit policor në Rudnica.

“Serbët, të cilët në pjesë neutrale në mes të Jarinjës dhe Rudnicës kanë mbajtur të bllokuar njërën korsi dhe nuk kanë lejuar kalimin e kamionëve, i kanë larguar pengesat nga rruga dhe tani komunikacioni po zhvillohet normalisht edhe në atë pjesë, për vetura të udhëtarëve, autobusëve dhe kombi-automjeteve”, ka thënë Vasiq, sipas të cilit kamionët me mallra komerciale edhe më tutje lëvizin rrugëve alternative, për t’u ikur pagesës së doganës institucioneve kosovare. (Z.I)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 20:29

Mitrovicë – Persona të panjohur sot kanë sulmuar dhe dëmtuar rëndë një makinë të misionit EULEX në pjesën veriore në komunën e Zubin Potokut, por fatmirësisht asnjë nga pjesëtarët e misionit në makinë nuk janë lënduar.

Sipas misionit EULEX, sulmi ka ndodhur sot pasdite, kur makina e tyre po lëvizte në drejtim të stacionit policor, ndërsa brenda saj ishin pjesëtarët e misionit të cilët ishin nisur në detyrë për të kryer detyrimet e tyre në këtë stacion policor në pjesën veriore të Kosovës. 

“Sulmi ndaj EULEX është sulm ndaj Bashkimit Evropian dhe ne këtë e dënojmë ashpër”, ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hoton. 

Sipas Policisë së Kosovës, sulmi ka ndodhur në qendër të Zubin Potokut, kur një grup qytetarësh janë grumbulluar kanë rrethuar makinën dhe kanë filluar ta godasin dhe të thyejnë atë me mjete të forta. Policia theksoi se ka ndërmarrë të gjitha hetimet për të zbardhur sulmin. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 14:35

Zveçan -Rreth 400 serbë, që ishin tubuar në Rudar të Zveçanit, pasi automjetet e KFOR-it janë nisur në drejtim të barrikadës së betonuar në këtë zonë, janë shpërndarë pas një bisede që kishte zhvilluar komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s, Joseph Lynch, me kryetarin ilegal të Zveçanit, Dragisha Milloviç.

Komandanti i KFOR-it ka kërkuar Milloviç heqjen e barrikadës, por ai i ishte përgjigjur se pengesa rrugore nuk mund të hiqet nëse për një gjë të tillë nuk vendosin përfaqësuesit e serbëve, që e kanë vendosur.

Milloviç, sipas medieve serbe, ka propozuar që qytetarët të zhbllokojnë automjetet e KFOR-it dhe ushtarët të kthehen në drejtim të Leposaviçit. KFOR-i mësohet të ketë pranuar këtë dhe qytetarët janë shpërndarë.

Situata në këtë pjesë të Kosovës aktualisht thuhet të jetë e qetë. Barrikadat në veri janë vendosur në fund të korrikut të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve 1 dhe 31, në kufi me Serbinë. (LajmeShqip.com)

12