12
 
Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 15:00

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer, ka deklaruar se KFOR-i është mision neutral ndaj statusit dhe i paanshëm, i cili nuk është “as në anën e Beogradit as të Prishtinës”, duke shtuar se nuk do të urdhërojë largimin e dhunshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër.
“Paraardhësi im, në pozitën e komandantit të KFOR-it, ka pasur momente të vështira, duke shkuar në heqjen e barrikadave serbe. Unë mendoj se barrikada mbi urë në të vërtetë është simbol politik, ajo paraqet frikën de dëshirat e atij populli atje. Unë e kuptoj këtë dhe nuk do të urdhëroj heqjen e asaj barrikade”, ka thënë gjenerali gjerman.
Halbauer edhe njëherë ka përjashtuar çfarëdo zgjidhje ushtarake për Veriun e Kosovës, duke thënë se dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit tregon se zgjidhja politike është e mundshme.
“Në dialog është ecur shumë përpara dhe kjo është e mirë, kjo jep shpresë për sukses përfundimtar në procesin paqësor në Kosovë”, tha gjenerali Halbauer për gazetën serbe “Politika”.

 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 17:06

Prishtinë – Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, kërkoi që të bëhet zbatimi i marrëveshjes të cilën e vlerëson historike. Ai ka thënë se  në këto momente duhet durim e mençuri dhe se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Kosovën sikurse ka përkrahur edhe në të kaluarën. Duke shtuar kështu se kjo është mundësia më e mirë në këto katër vitet e fundit që palët të normalizojnë marrëdhëniet.

“Dëshiroj që nga të gjitha palët të tregohet një shkallë fleksibiliteti, mençurie dhe durimi. Pas Marrëveshjes duhet të vijë zbatimi. Ne ishim të të njëjtit mendim se sigurisht kjo është e vështirë, por është e qartë se gjatë këtij procesi duhet të largohen strukturat paralele, kriter kyç ky që ka dal nga marrëveshja e 19 prillit”, kështu u shpreh Kryediplomati gjerman, Westerwelle.

“Gjatë këtij procesi është e qartë që Kosova duhet të vendosë lehtësira”, ka thënë ministri gjerman. Ai ka shtuar se me kryeministrin Thaçi ka biseduar edhe për detaje të planeve kohore dhe planit të zbatimit por ato ka thënë se nuk dëshiron t’i bëjë publike as në Prishtinë, sikurse nuk i ka bërë as në Beograd.

Kryeministri Thaçi ka thënë se drejt Brukselit po niset me shpresë për marrëveshje të planit të zbatimit. “Me kryeministrin serb do të diskutojmë periudhat kohore, aktorët implementues, që sigurisht janë institucionet e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë kryeministri kosovar.

Ministri i Jashtëm gjerman ka përshëndetur privatizimin e PTK-së, duke thënë se kjo do të tërheq investitorë të rinj.

 
Lajme Shqip Wednesday, 20 March 2013 14:32

Bruhksel –  Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mërkurën në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon dhe për perspektivën e këtyre zhvillimeve.

Në komunikatën e Kryeministrisë thuhet se Thaçi ka njoftuar sekretarin Rasmussen me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, proces në të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për krijimin e klimës së mirë ndërfqinjësore në mes të dy shteteve tona.

Thaçi, gjithashtu ka theksuar edhe angazhimin drejt avancimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës pret një vlerësim real nga NATO për këtë proces”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri kërkoi që NATO të ketë rol vendimtar edhe në procesin e implementimit të marrëveshjes eventuale të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka rikonfirmuar angazhimin e aleancës veriatlantike për përmbyllje të suksesshme të misionit të vet në Kosovë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 12:41

Bruksel, 17 janar   – Ministrat e mbrojtjes së vendeve të NAT0-s do të diskutojnë sot për misionin ushtarak në Kosovë.

Këshilli i Ministrave, i cili dje filloi sesionin me temat që kanë të bëjnë me situatën në Afganistan dhe në Lindjen e Afërme, sot do të diskutojnë për Kosovën dhe masat për eliminimin e piraterisë, njoftohet nga selia e NAT0-s.

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 11:19

Prishtine – Katërmbëdhjetë vjet që prej hyrjes së ushtarëve të Aleancës Veriatlantike në Kosovë, për t’i dhënë fund luftimeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, fundi i misionit nuk duket gjëkundi, shkruan në numrin e sotëm Wall Street Journal.

Situata e brishtë në veriun e dominuar nga serbët, dështimi i forcës policore të Bashkimit Evropian për të përfituar mbështetjen e popullatës dhe kufizimet në institucionet e Kosovës, të cilat edhe ashtu kanë mjete të pakta, kanë bërë që misioni i NATO-s në Kosovë të numërojë ende mbi 5, 500 trupa, përfshirë këtu edhe 700 rezervë, shkruan gazeta. 

Duke rikujtuar përplasjet në veri në verën e vitit 2011 dhe shqetësimet pas zgjedhjes së Tomisllav Nikolliqit në krye të Serbisë vitin që shkoi, WSJ shkruan se këto ngjarje kanë bërë që NATO-ja të mos e zvogëlojë praninë e saj në Kosovë dhe që madje as bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk kanë arritur të qetësojnë shqetësimet për sigurinë e këtij vendi.

NATO-ja ka folur edhe për ribalansimin e misionit, duke dashur të përqendrohet më shumë në veriun e trazuar, aty ku, siç shkruan gazeta, pakica serbe bllokon rrugët në përpjekje për të penguar çdo lëvizje të autoriteteve në Prishtinë, por edhe të NATO-s.

Ndonëse një vendim më i prerë mbi këtë çështje mund të pritet në takimin e ministrave të NATO-s në muajin shkurt, WSJ citon një zyrtar të ketë thënë se çështja e numrit të forcave në terren nuk pritet të jetë në agjendë.

Gazeta citon zëdhënësen e aleancës, Oana Lungescu, të ketë thënë se “çdo vendim duhet të miratohet në bazë të udhëzimeve që vijnë nga autoritetet ushtarake të NATO-s, e të cilat natyrisht se do të jenë të bazuara në informacionet që arrijnë nga terreni”.

Zëdhënësja e NATO-s ka thënë për gazetën gjithashtu se situata është më stabile, por është qartazi e brishtë, posaçërisht në veri.

Privatisht, disa zyrtarë të NATO-s janë ankuar se një pjesë e problemit është vetë misioni EULEX – ose thënë më mirë vendet anëtare që financojnë misionin prej 2,097 vetash.

Ka pasur pakënaqësi me shkurtimet prej 25 për qind që janë bërë vitin e kaluar në këtë mision, ndonëse gazeta shkruan se ka edhe të tillë që thonë se  qeveritë që qëndrojnë prapa këtij misioni kanë mungesë të vullnetit politik për ta adresuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikimin me njerëz, fenomene këto nga të cilat lëngon Kosova, posaçërisht veriu i saj.

WSJ në fund rikujton se Kosova, e cila pavarësinë e shpalli në shkurt të vitit 2008, është shteti që fiton më së shumti asistencë në botë nga Bashkimi Evropian për kokë banori.(REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 16:13

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it gjenerali, Volker Habauer, thotë se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në dialogun Prishtinë-Beograd, po japin fryte.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Volker Halbauer, thotë se pas fillimit të dialogut Prishtinë Beograd, ekziston mundësia e reduktimit të mëtejshëm të trupave të KFOR-it, nëse dialogu zhvillohet pozitivisht. Në një intervistë për radion gjermane, Deutsche Welle, gjenerali, Halbauer, flet për mungesën e sundimit të ligjit në veri të Kosovës, mirëpo, ai shpreson se kjo cështje do të diskutohet në dialogun Prishtinë-Beograd. “Ajo që ka rëndësi tani është që në vazhdimin e dialogut politik të diskutohet edhe kjo problematikë. Unë jam përgjegjës për një mjedis të sigurt dhe të qendrueshëm. Unë nuk mbaj përgjegjësi për vendosjen e ligjit dhe rendit. Kjo është detyrë e misionit Eulex në bashkëpunim me policinë kosovare, e pranishme edhe në veri të vendit”, thotë gjenerali Volker Halbauer.

Ai  thotë se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare në dialogun Prishtinë-Beograd, pa japin fryte. “Fakti që dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiç javët e kaluara janë takuar dy herë tregon se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare kanë efekt pozitiv. Bisedimet kanë filluar, janë iniciuar grupe pune, dhe pritet së shpejti të shihen veprime konkrete, të cilat e mbështesin këtë dialog”, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjenerali, Volker Halbauer.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 October 2012 21:00

Bruksel – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Aders Fogh Rassmusen deklaroi sot se gjatë muajve të ardhshëm në veri të vendit do të sistemohen më shumë trupa të KFOR-t për arsye të situatës jostabile atje.

“Mendoj që gjatë muajve të ardhshëm do të ketë ndryshime, duke u fokusuar në veri të Kosovës, për arsye të situatës jostabile atje, dëshmitarë të së cilës jemi”, tha Rassmusen pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës veriatlantike. 

Debatin për Kosovën e ka kërkuar Gjermania, e cila në vendin tonë ka 1 300 trupa, nga gjithsej 6 140 sa janë në përbërje të KFOR-it, njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Gjermania kërkon që një numër më i madh i ushtarëve të sistemohet në veri të Kosovës, ku shumicën e përbëjnë banorë të pakicës serbe.

Një sistemin tjetër fare i trupave do t’iu mundësonte 700 trupave gjermane, austriake dhe italiane nga batalioni rezervë i KFOR-it që të tërhiqen nga Kosova, konsideron Berlini zyrtar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 08:16

Bruksel – Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, javën e ardhshme në Bruksel, do ta shqyrtojnë situatën në Kosovë dhe veprimin e misionit KFOR, ka thënë sot sekretari i përgjithshëm i aleancës veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen.

Ai theksoi se ministrat e NATO-s dhe të vendeve partnere, më 9 dhe 10 tetor do të diskutojnë për “temat kryesore të misioneve të NATO-s në Afganistan dhe Kosovë”, transmeton REL.

Megjithqë nuk janë dhënë detaje të tjera në selinë e NATO-s për këtë takim, pritet që ministrat e mbrojtjes do ta analizojnë situatën e sigurisë në Kosovë dhe do të diskutojnë për planet e mëtejshme lidhur me misionin paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që aktualisht i ka 6 mijë ushtarë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 15:33

Prishtinë -Komandanti i ri i misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë, prej sot është gjeneralmajori Volker Halbauer, për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit, i cili zëvendëson gjeneralmajorin Erhard Drews.

Në ceremoninë zyrtare të ndërrimit të komandës, të mbajtur në Kampin Film City në Prishtinë, Presidentja e Kosovës, Atifete  Jahjaga,  tha se Aleanca Veri-Atlantike, me forcën paqeruajtëse të saj në Kosovë, KFOR, kanë luajtur rol transformues në Kosovë në misionin e tyre.

“Kjo forcë, e përbërë nga mijëra burra dhe gra, të ardhur nga mbi 40 vende të botës, ka ofruar paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë të ardhmen në një mjedis të qetë dhe të sigurt, të cilin kjo gjeneratë e Kosovës nuk e kishte njohur më parë”, u shpreh ajo.

Presidentja kosovare, me dekret të veçantë e nderoi gjeneralin Drews me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij, ndërsa gjeneralit Halbauer i uroi mirëseardhje dhe përmbushje të suksesshme të misionit, në bashkëpunim  me institucionet e Republikës së Kosovës, në ruajtjen e rendit dhe ligjit, paqes, sigurisë, stabilitetit, mirëqenies dhe mirëkuptimit në mes njerëzve, duke u shprehur e sigurt në përkushtimin në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.

“Askush nuk mund të minojë investimin tonë të përbashkët, për një të ardhme më të mirë për të gjithë në Kosovë – sakrificën e gjeneratave të tëra të qytetarëve të Kosovës dhe mijëra ushtarëve të NATO-s.  Do të vazhdojmë të punojmë në përmbushjen e vizionit dhe misionit tonë të përbashkët që ta bëjmë Kosovën një vend stabël dhe gjithëpërfshirës, në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Gjeneralmajori Erhard Drews para një viti mori komandën nga gjeneralmajori Erhard Bühler. Halbauer është komandanti i gjashtë i KFOR-it, që nga vendosja e trupave ndërkombëtare në Kosovë, në 1999.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 13 September 2011 20:01

Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneral major Erhard Drews, u shpreh i kënaqur me arritjet e Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, si dhe me punën që po bëhet në plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale. Ai premtoi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në mes të KFOR-it dhe  Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së. Ministri Agim Çeku së bashku me Komandantin e FSK-së gjeneral/lejtënant, Sylejman Selimin, pritën sot Komandantin e ri të KFOR-it, gjeneral majorin Erhard Drews, njofton Ministria e FSK.

Ministri Çeku, pasi i uroi emërimin në detyrën e komandantit të KFOR-it, gjeneralin Drews e njoftoi me arritjet e FSK-së, në përmbushjen e detyrave, misionet dhe të obligimeve kushtetuese, si dhe për punën e vazhdueshme që po bën Ministria dhe FSK-ja, për plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale. 
Ministri Çeku është shprehur i bindur se do të vazhdojë bashkëpunimin e mirë edhe me komandantin e ri të KFOR-it, dhe ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej, në mes FSK-së dhe KFOR-it.
Kjo ishte vizita e parë e Komandantit të ri, në detyrë, të KFOR-it në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

12