Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 22:43

Më shumë se 100 tifozë të ekipit të futbollit të Tiranës kanë protesuar pasditen e sotme para bashkisë së kryeqytetit, për gjendjen ku ndodhet ekipi, pasi Tirana ndodhet në vendin e fundit të Superligës së futbollit shqiptar.

 
Protesta ka nisur rreth orës 17:00 të pasdites dhe ka zgjatur deri në orën 17:30, kohë gjatë së cilës, tifozët kanë akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, si njeriun që ka prishur ekipin e futbollit.
 
“Basha t’i shkatërrove ekipin e futbollit”. “Basha mbaji premtimet e bëra”. “Basha të zgjidhë krizën e ekipit të futbollit”, janë disa nga parrullat që kanë hedhur tifozët gjatë protestës së tyre.
 
“Këtu vetëm për Tiranën, nuk e meritojmë vendin e fundit”, është një tjetër prej parrullave që tifozët kanë hedhur gjatë protestës së tyre. Ndërkaq që gjatë 30 minutave të protestës (që zhvilluan para bashkisë), asnjë zyrtar i Bashkisë së Tiranës, nuk ka dalë që t’i takojë tifozët.
 
Gjatë kohës kur tifozët ishin duke protestuar, ka pasur një përplasje me policinë e kryeqytetit, në momentin kur ata kanë kaluar në trotuarin pranë institucionit të bashkisë, duke bllokuar qarkullimin për rreth 1 minutë. Ndërkaq gjatë kohës tjetër të protestës qarkullimi i makinave ka vazhduar normalisht.

Pas protestës para bashkisë së kryeqytetit, tifozët i janë drejtuar qendrës dhe kanë ndjenjur disa minuta edhe para Teatrit të Operas dhe Baletit. Tifozët kanë bërë të ditur se, do të mblidhen sërish të Premten e kësaj jave për të protestuar.
 
Sipas tyre, të premten kreu i Bashkisë, Lulzim Basha u ka premtuar një takim për të diskutuar gjendjen ku ndodhet ekipi i futbollit.
 
Aktualisht ekipi i futbollit të Tiranës, ndodhet në vendin e fundit të renditjes së Superligës. Për momentin janë dy donatorët Refik Halili dhe Lulzim Morina, të cilët po afrojnë shumë futbollistë gjatë merkatos së janarit me qëllim shpëtimin e ekipit dhe qëndrimin në Superligë./Shqiptarja/