Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 16:02

Tiranë- Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri janë pezulluar nga detyra dy nga shefat kundër krimit ekonomik në Tiranë dhe Korçë. Sipas policisë, rezultoi se ne aksionin e një dite më parë për bllokimin e lojërave të fatit nuk kryen detyrën e tyre, ndërsa bashkëpunuan me vetë pronarët për t’i fshehur policisë makineritë e lojërave të fatit.

Dy kryeinspektorët Olsi Muçi, shefi i krimit ekonomik në Korçë, dhe Ervin Dalipaj, shefi i krimit ekonomik në Tiranë, siç raporton TCh, u pezulluan dhe do të shkojnë për ndjekje penale, të akuzuar për implikim me vetë bizneset e palicencuara të lojërave të fatit.

Sipas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia ata lajmëruan vetë disa nga pronarët e këtyre pikave që të mbyllnin lokalet përpara se të vinte aksioni i policisë. Burime të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se vetë policia krahas aksionit të madh ishte duke kryer me anë të një rrjeti informativ, edhe një tjetër aksion brenda radhëve të policisë se kush do ta dekonspironte atë.

Të gjithë shefat kryesorë të policisë dhe ata të krimit ekonomik ishin nën mbikëqyrje policore nëse do të dekonspironin apo jo. Rezultoi se dy prej 12 shefave të qarqeve dekonspiruan këtë aksion. Ndërkohë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministri ka filluar një hetim të mëtejshëm për ta, për të dalë në përfundim se deri në çfarë pike ishin të përfshirë në biznesin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Ndërkohë që aksioni i koduar “Fundi i Marrezisë” ka vijuar edhe më tej me sekuestrimin e të gjitha makinerive të cilat kanë qenë të palicencuara. Ky është hapi i dytë i këtij aksioni. Qindra makineri të subjekteve të palicencuara u sekuestruan që herët mëngjesin e së martës.

Sipas të dhënave policore hapi i tretë i këtij aksioni do të jetë bllokimi i atyre lokaleve që kanë licencë por nuk kanë paguar detyrime tatimore. Për momentin ato do të qëndrojnë të mbyllur deri në verifikimin e plotë të dëmit që i kanë shkaktuar shtetit. Ne bashkëpunim edhe me Policinë Tatimore do të mendohet se cila do të jetë masa që do të ndërmerret ndaj tyre. Por me urdhër edhe të ministrit të Brendshëm është kërkuar nisja e hetimeve për inspektorë dhe drejtues të Drejtorisë së Lojërave të Fatit apo edhe zyrtarë të tjerë të policisë të cilët kanë lejuar lulëzimin e këtij biznesi të paligjshëm në vend. Të dhënat zyrtare tregojnë për më shumë se 600 lokale të bllokuara deri më tani dhe një situatë tejet kaotike.