Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 07:00

9 nëntor 2011

Në datën e sotme, ndër vite kanë ndodhur ngjarje të ndryshme.


1456 – Një letër e Markez Devarez, që mban datën 9 nëntor, flet për politikën pragmatiste dhe armiqësore të Venedikut ndaj Gjergj Kastriotit. Senati i Republikës kishte urdhëruar fshehtas vartësit e tij në trojet arbërore që të luftonin kundër Skënderbeut për të mos lejuar forcimin e aleancës së tij me Aragonën.

1689 – Në Prizren vdiq Xhovani Pikolomini, ushëheqës austriak i ushtrisë, me urdhër të të cilit ushtria austriake e dogji Shkupin më 26 tetor të vitit 1689. Ka lindur në vitin 1650.

1818 – Lindi Ivan Sergejeviç Turgeniev, romancier poet dhe dramaturg rus. Ai u bë i njohur për portretizimin e jetës në fshatin rus, veçanërisht me romanin “Etër dhe bij” dhe me dramën “Një muaj në fshat”.

1828 – Pas Kuvendit të Beratit iu kërkua Portës së Lartë dëbimi i Mehmet Reshid Pashës dhe të funksionarëve osmanë nga Shqipëria Jugore. Kjo shënoi fillimin e lëvizjes feudale shqiptare për vetëqeverisjen e vendit.

1912 – Filluan operacionet e armatës së III serbe në drejtim të Lumës (Kukës).

1912– Pas turneut të tij nëpër Europë, Ismail Qemali njofton parinë e Vlorës se e ardhmja e Shqipërisë është e sigurt si dhe për arritjen e tij të shpejtë në atdhe. 

1919 – 99 atdhetarë nga e gjithë Shqipëria, përmes një letre të adresuar ministrave të jashtëm të Italisë, Francës, Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, protestuan kundër ngritjes në bashkinë e Shkodrës të flamurit serb.

1921 – Me këmbënguljen e Anglisë dhe të Italisë, Konferenca e Ambasadorëve vendosi ta njihte Shqipërinë shtet të pavarur me kufijtë e 1913-ës. Po atë ditë qeveria e Britanisë së Madhe ngarkoi përfaqësuesin e saj në Shqipëri të njoftojë qeverinë e Tiranës se Anglia e njeh zyrtarisht “de juro” dhe “de facto” qeverinë shqiptare. Të njëjtën gjë bëri Franca dhe Italia.

1921 – Përfundoi fushata ushtarake rreth 7 mujore e Ahmet Zogut kundër forcave separatiste të Mirditës. Operacioni parandaloi ndarjen e mundëshme të Mirditës nga Shqipëria.

1937 – Kostaq Kota zgjidhet kryeministër i Shqipërisë, post që e mbajti deri më 7 prill 1939. Ai kishte kryesuar Qeverinë e parë mbretërore. Ajo periudhë mbahet mend pasi u ndërmorën reforma të mëdha të organizimit të mbretërisë, të shtetit shqiptar dhe të zhvillimit të vendit.

1938 – Krijohet shoqëria kolektive “Vllazën Shijaku”, me qendër në Durrës dhe degën e saj në Korçë për bluarjen dhe tregtimin e miellit brenda dhe jashtë Shqipërisë. 

1938 – Mbas vrasjes së një oficeri gjerman në Paris, në Gjermani ndodhën trazira anti-çifute. Rrugët e qyteteve kryesore u mbushën me xhama të thyer dhe kjo natë njihet si “Nata e kristaltë”.

1951 – Vdiq Zigmund Romberg, kompozitor operetash me origjinë hungareze. Ai u bë i njohur me veprën e tij “Princi student”.
1953 – Vdiq mbreti Ibn Saud, udhëheqës fetar musliman që krijoi mbretërinë e Arabisë Saudite në vitin 1932.

1963 – Një shpërthim gazi në një minierë qymyri në Omuta, Japoni, shkaktoi vdekjen e 448 minatorëve dhe plagosjen e më shumë se 470 të tjerëve. Në të njëjtën ditë, 161 vetë gjejnë vdekjen gjatë përplasjes së një treni pasagjerësh, në drejtim për në Tokio, dhe një treni mallrash pranë Namamugi. Në këtë përplasje u përfshi dhe një tren tjetër pasagjerësh që po vinte në drejtim të kundërt.

1965 – Një defekt i rëndë në një central elektrik lë në errësirë rreth 30 milion vetë në New York City, pjesë e 8 Shteteve verilindore të SHBA-së dhe Kanadasë.

1967 – Nga qendra hapësinore ‘Kenedi’ lëshohet raketa e parë Saturn V, e cila mbante me vete anije kozmike, pa njeri, “Apollo 4”.

1968 – Lindi në fshatin Llaushe, komuna e Skënderajt, Selman Vojvoda, ndër dëshmorët e parë të demokracisë dhe të lirisë së Kosovës. U diplomua për Teknologji në Prishtinë dhe u inkuadrua në lëvizjen e atëhershme studentore. U solidarizua me minatorët e Trepçës, të cilët ishin vetëngujuar. Ishte në kreun e demonstruesve të 20 shkurtit 1990, kur edhe humbi jetën mbi “Urën e Gjakut”. 

1970 – Vdiq në moshën 79- vjeçare Sharl De Gol, ushtarak dhe politikan francez. Ai simbolizoi rezistencën franceze ndaj pushtimit nazist dhe udhëhoqi qeverinë franceze në mërgim, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbas çlirimit ai bëhet kryetari i qeverisë së parë franceze dhe nga viti 1958 deri 1963 qëndroi si President i Republikës.

1990 – Mbreti Birendra i Nepalit shpall kushtetutën e re, që rikthen demokracinë shumëpartiake në mbretërinë e Himalajës dhe e largon mbretin nga pushteti absolut.

1991 – U nda nga jeta Artisti i Popullit Nikolla Zoraqi. Kompozitori i madh gjatë karrierës së tij dha një kontribut të veçantë në zhvillimin e muzikës së re shqiptare. Provoi me sukses thuajse në të gjitha gjinitë muzikore, që nga kënga tek opera, nga miniatura instrumentale tek koncerti, baleti e simfonia. Këtu mund të përmendim vepra të tilla si “Shota e Azem Galica”, “Cuca e maleve”, “Gjorg Golemi”, etj.
 
1993 – Ura e famshme Otomane në Mostar, në jugperëndim të Bosnjes, e cila kishte duruar luftra dhe pushtime për mbi 4 shekuj, shembet nga serbët mbi lumin Neretva.

1995 – Shefi i OÇP, Jaser Arafat, kryen vizitën e parë në Izrael dhe bën ngushëllime në shtëpinë e gruas së kryeministrit të vrarë izraelit, Jitzhak Rabin, në Tel-Aviv.

1999 – Kuba shprehet se do të kërkojë një dëmshpërblim prej 100 milion dollarë ndaj SHBA. Kjo për arsye të embargos ekonomike 40- vjeçare të Uashingtonit ndaj Havanës.

2003 – India teston me sukses versionin e saj detar të raketës supersonike antianije cruise “Brahmos”. Raketa, e prodhuar në bashkëpunim me Rusinë, ka një rreze veprimi prej 290 kilometrash dhe është e aftë të mbajë një mbushje bërthamore konvencionale prej rreth 300 kilogramësh.

2005 – Komisioni Evropian dha mendim pozitiv për kandidaturën e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe i rekomandoi Këshillit evropian që t’i japë status kandidat.

2006 – Në sulmin ajror të forcave të NATO-s në provincën Kandahar në jug të Afganistanit, humbën jetn 28 ekstremistë talebanë.