Lajme Shqip Thursday, 05 September 2013 11:23

Ismail Kadare duket se vërtetë kishte përjetuar një periudhë liberale pas largimit nga Shqipëria më 1990.
Shkrimtari më i shquar shqiptar, gjatë udhëtimeve nëpër botë ka guxuar të bëjë edhe ndonjë “mëkat” bashkë me bashkëshorten e tij.
Helena Kadare në Kujtimet e saj të titulluara “Kohë e pamjaftueshme”, e që është publikuar së voni, nuk heziton të tregojë shumëçka mbi jetën bashkëshortore dhe eksperiencat jetësore.
Kështu, ajo shpalos se gjatë një vizite në Amsterdam, bashkë me burrin e saj, gjatë një ndeje me miq, kishin tymosur ngapak marihuanë. Ky episod pa dyshim interesant i jetës së Kadarenjëve, nuk është përmendur deri më tash në mediat shqiptare
“Sa ç’ishte i vrullshëm e plot përshtypje befasuese udhëtimi në Amerikë, aq i shtruar e romantik ishte një tjetër udhëtim, ai Holandës” shkruan Helena Kadare.
E tëra, sipas Helena Kadare kishte ndodhur pas një darke te Japp Jansen, pronar i një shtëpie botuese holandeze.
“Japp Janseni na u drejtua të dyve, Is (Ismailit), dhe mua, për të na thënë se, ndonëse vinim nga një tjetër bote, ai shpresonte se në do ta kuptonim drejt. Shkurt, ai na shpjegoi se në mbarimin e darkës, ata, pra rrethi i miqve të tyre e kishin për zakon të merrnin nga një cigare me pak marihuanë, që e përgatisnin vetë. Po të donim mund ta provonim edhe në, në rast të kundërt nuk besonte se do të ndiheshim të fyer nga një doke e tillë, pakëz e mbrapshtë për mentalitetin tonë….”
Helena tregon se si kishte mbetur paksa e shtangur nga oferta, por jo edhe i shoqi.
“Is e çliroi gjendjen aty për aty me fjalët:”Për mua s’është problem. E kam provuar në Gjermani, madje më 1986, kur Shqipëria ishte ende komuniste. Duke qeshur ai shpjegoi se një mik dhe njëkohësisht botuesi i tij gjerman, ia kishte gjetur, në kohen që ishte i ftuar për daljen e romanit të tij Dimri i Vetmisë së madhe, në Gjermaninë Perëndimore” shkruan në Kujtimet e saj zonja Kadare.
Helena Kadare tregon se si ishte ndjerë pasi e kishte provuar marihuanën gjatë ndejës në Amsterdam.
“Pastaj ai (Jap Jansen) m’u drejtua mua, me po atë përdorim frazash të zgjedhura, që dinte t’i përdorte aq mirë: ” Chere Helene, besoj se do ta ndiqni burrin tuaj në këtë mëkatnim”. Iu përgjigja pa mëdyshje. Për habinë time, pasi e thitha disa herë, tryeza ku ishim shtruar u ngrit perpendikular para syve të mi. Vetëm kaq dhe një gjendje lehtësuese, si njeriu pasi ka pirë pak verë. Kurse unë prisja më shumë se kaq”, ka shkruar ajo.
Shkrimtarja Helena Kadare zbulon edhe efektin që ka kjo lloj droge e butë tek njeriu.
“Më pas më shpjeguan se efekti i saj është krejt personal dhe, me sa dukej, nuk bëja pjesë tek ata që nuk përfitonin sa duhej nga kjo tymosje e këndshme! Is, që me sa dukej, e shijoi atë më mire se unë , kërkoi pas pak një cigare të dytë”.
Në fillim të javës, Ismail Kadare ka qëndruar në Prishtinë ku është nderuar me çmimin “Ali Podrimja”.
Ky çmim është ndarë për herë të parë në kujtim të poetit Ali Podrimja i cili ndërroi jetë verën e kaluar në Francë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 16:59

Prishtinë – Shkrimtari shqiptar me përmasa botërore Ismail Kadare bashkë me bashkëshorten e tij Helena Kadare është pritur sot nga Presidentja Atifete Jahjaga.

” Në një bisedë shumë miqësore, Presidentja Jahjaga dhe shkrimtari Ismail Kadare biseduan për çështje të ndryshme politike, shoqërore e kulturore dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova sot” thuhet në një njoftim të Presidencës.

Sipas Jahjagës, Kadare vazhdon ti frymëzojë gjeneratat me veprat e tij.

“Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe duke e përgëzuar për marrjen e çmimit ndërkombëtar “Ali Podrimja”, Presidentja Jahjaga theksoi se është një nder i madh për gjithë Kosovën vizita e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit vazhdon të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat” thuhet në njoftim.

Ndërkohë në njoftimin nga Zyra e Presidencës, thuhet se Kadare e ka lavduar Jahjagën

“Shkrimtari Ismail Kadaree përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën dhe angazhimin e saj, me theks të veçantë në kontributin që ajo ka dhënë në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë. Shkrimtari Ismail Kadare foli edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e natyrshme për secilin vend të rajonit”, theksohet në njoftim./express/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 11:19

Prishtinë – Ai nuk pajtohet që kombi ynë është me fat të munguar dhe të hidhur. Ai e quan kombin shqiptar si fitimtar që sot zë rrënjë të vjetra në Evropë, e nuk është radhitur në mesin e maratonës së popujve e kombeve që u dorëzuan e u zhdukën nga faqja e dheut.

Ismail Kadare, autori më i madh i letrave shqipe thotë se të gjitha kombet kanë humbje dhe nuk është e vërtetë që nuk janë të pavdekshme. Kombet vdesin, por të gjallë si shqiptarët duhet të ndihen krenarë, thotë Kadare.
Fituesi i dy çmimeve prestigjioze letrare “Man Booker Prize” dhe “Prince of Astoria” të hënën në mbrëmje ka marrë çmimin ndërkombëtar “Ali Podrimja”, çmim ky i ndarë nga Universiteti AAB në nder të figurave që i dhanë kontribut madhor letrave dhe kulturës shqiptare.
“Që kombi shqiptar është gjeografikisht në Evropë, ky është fakt. Kjo nuk ka të bëjë me mburrje apo me luks. Ne i ngjajmë Evropës ndoshta si pikënisje me ashpërsi, e ndoshta do të përfundojë me butësi”, thotë Kadare, kur merr çmimin e kujton bisedat e vjetra me dy miqtë e tij që sot nuk janë dhe kanë braktisur atë, Ali Podrimën e Azem Shkrelin.
Vetë Kadare do të donte që këtë çmim mos ta pranonte kurrë në jetën e tij. “Jam i prekur thellësisht, sepse ikja e parakohshme e Ali Podrimës ma jep mua këtë çmim. Kjo festë nuk do të ndodhte po të ishte ai gjallë, dhe unë nuk do ta merrja çmimin. Ky titull ka burim një hidhërim, humbjen e një miku tim të shtrenjtë”, shton Kadare./Zëri/

 
Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 15:21

Këln – Në fundjavë (15.06) në Këln ishte i ftuar shkrimtari Ismail Kadare i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe shkrimtarja e njohur Helena Kadare. Kadare foli ndër të tjera për raportin Shqipëri – Europë – Perandori osmane.

Bashkëbisedimi me shkrimtarin u fokusua më shumë në librat më të fundit të Kadaresë dhe veçanërisht në temat më aktuale që preokupojnë shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Duke u nisur nga jehona që ka bërë libri më i fundit i tij “Mosmarrëveshja”, pjesë e të cilit u lexuan në sallë shqip dhe gjermanisht, interesimi i publikut u ndal më së shumti në temën mjaft delikate të raportit mes Shqipërisë dhe Europës, apo të raportit të Shqipërisë me kohën e pushtimit turk, për të cilën kohët e fundit ka pasur shumë diskutime.

Sipas Kadaresë, problemi thelbësor mbetet raporti i Shqipërisë me Europën „Nuk ka problem të Ballkanit, ballkanas – ballkanas ose problem të Shqipërisë, shqiptar – shqiptar. Nuk ka asnjë problem të asnjë populli të Gadishullit pa qenë i lidhur me Europën”, transmeton DW.

Për Kadarenë shqiptarët janë një ndër tri popujt më të rëndësishëm në Ballkan. Pra këta janë: shqiptarët, grekët dhe serbët. Por, sipas tij, ka mbi një shekull që pati lindur një teori që vetëm dy nga këta popuj duhet të qëndrojnë në Europë, ndërsa një duhet zhdukur.

S’mund të ketë Shqipëri jashtë qytetërimit europian

“Populli i dëbuar që është populli shqiptar, duhej të dëbohej me forcë, me ndarje, me shpërngulje, me denatyrim, duke provuar të gjitha mënyrat. Madje për parantezë: gjuha shqipe në Europë është e vetmja e ndaluar me ligj për shekuj të tërë. Nuk ka një gjuhë tjetër indo-evropiane që është e ndaluar si shqipja dhe kjo ende nuk është shpjeguar nga historiografia shqiptare”.

Duke u nisur nga këto fakte, sipas Kadaresë shqiptarët megjithatë kanë një lloj përkushtimi disi të habitshëm për Europën, për qytetërimin europian. “Ata e kanë kuptuar se s’mund të ketë Shqipëri jashtë komunitetit europian, jashtë qytetërimit europian”.

Në librin “Mosmarrëveshja”, Kadare heq një paralele mes shqiptarëve dhe Europës duke theksuar se ngjajnë për nga ashpërsia. Këtë Kadare e konkretizon me faktin se ky kontinent (Europa) ka lindur dy përbindëshat më të rrezikshëm të shekullit të 20 e këtej: Fashizmin dhe bolshevizmin. Por po vetë kjo Europë i ka mbytur ato.

“Nuk e mbytën fashizmin dhe komunizmin as popujt e Afrikës, as Kina dhe as India apo ndonjë kontinent tjetër. Dhe këtu është forca e qytetërimit europian, që ai edhe kur pjell të keqen di ta mbysë atë. Besoj se tashmë të gjithë e kujtojnë parullën tonë pas rënies së komunizmit: E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Një tjetër temë me të cilën u përball shkrimtari Kadare në mbrëmjen letrare në Këln ishte edhe periudha e sundimit osman në Shqipëri, për të cilën pati një sërë pyetjesh nga të pranishmit. Dihet tashmë se në Kosovë, por edhe në Shqipëri është vënë në diskutim raporti i Shqipërisë së atëhershme dhe pushtimit osman. Shumë debate kanë nisur edhe mbi ndryshimin e teksteve të historisë për periudhën osmane. Ka shumë teza që vënë në diskutim këtë periudhë historike. Kadare me një gjuhë të ashpër u shpreh mjaft kritik ndaj kësaj teme.

“Thelbi dhe baza e historisë nuk mund të ndryshohet, ajo mund të interpretohet sipas interesave të ditës, por kurrsesi nuk mund të ndryshojë. Këtë “teori” që ka dalë tashmë në skenën shqiptare Kadare e quajti “filozofi e robërisë”.

Pushtimi osman nuk i ka mbrojtur shqiptarët nga sllavët

Sipas kësaj teorie, “pushtimi osman ka pasur diçka pozitive për kombin shqiptar, sepse e ka mbrojtur kombin shqiptar nga një rrezik më i madh që ishte rreziku sllav”. Por kjo, sipas Kadaresë është e gjitha krejtësisht e pavërtetë. Kjo është një fantazi makabër, shpifje, një doktrinë e sajuar.

“Të gjithë popujt e Ballkanit pësuan një dramë të përbashkët dhe në këtë dramë nuk ka pse populli shqiptar të bëjë befas një përjashtim, sepse nuk ka pasur kurrfarë përjashtimi në fatin e tij. Populli shqiptar ka qenë më i ashpri kundër Perandorisë Osmane, për vetë faktin se shqiptarët u bënë pengesë kryesore për depërtimin e Perandorisë Osmane deri në Itali. Sllavët vetë ishin për faqe të zezë, gjendja e tyre ishte më e defavorizuar se e shqiptarëve. Atëherë: nga cilët sllavë na mbrojti Perandoria Osmane? Si na mbrojtën ne turqit nga sllavët? Kjo është e pabesueshme, nga ana logjke, nga ana psikologjike. Për mua e gjitha është groteske, e paimagjinueshme, nga fillimi deri në fund”, shtoi Kadare.

Në fund të takimit u diskutua me shkrimtarin edhe pozicioni i Shqipërisë lidhur me hapjen e arkivave, me zbardhjen e së kaluarës duke iu referuar shembullit të Gjermanisë e cila e kapërceu këtë akt në mënyrë të shkëlqyer. Për Kadarenë ky problem nuk mund të anashkalohet se paska probleme të tjera në Shqipëri më të rëndësishme se sa ky. Ai i quajti të pajustifikueshme të gjitha zvarritjet që bëhen në këtë drejtim.

Sipas tij, kjo detyrë morale për hapjen e arkivave të fshehta, të ndërgjegjes së një populli është numër një dhe përsa i përket profecisë se po u hapën arkivat e fshehta do të ndodhi katastrofë, kjo sipas tij nuk është e vërtetë.

“Përkundrazi asnjë katastrofë nuk i erdhi as Gjermanisë, madje një nga arsyet që eci përpara ishte edhe kjo: pastrimi i ndërgjegjes”, theksoi Ismail Kadare.

 
Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 08:31

BRITANI– Gazeta londineze The Independent, boton sot listën e shkurtër, prej 6 shkrimtarësh, që janë në garë për marrjen e çmimit The Independent Foreign Fiction Prize 2013. 

Në këtë listë bie në sy emri i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, që me romanin “Darka e gabuar” (në anglisht The Fall of the Stone City , nga shqipja e John Hodgson) ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe shtypit britanik. 

The Independent Foreign Prize, është i vetmi çmim britanik për letërsinë e huaj të botuar gjatë një viti në Britaninë e Madhe. Nga lista e gjatë prej 16 shkrimtarë dhe 13 gjuhë, kjo listë është shkurtuar në 6 autorë dhe 4 gjuhë: (Darka e gabuar) e Ismail Kadare, Dublinesque e Enrique Vila-Matas (Spanjë), The Detour e Gerrband Bakker (Danimarkë), Traveller of the Century e Andrés Neuman (Spanjë), Bundu e Chris Barnard (Afrikë), dhe Trieste e Dasa Drndic (Kroaci). 

Bien në sy skualifikimi nga kjo garë e nobelistit Orhan Pamuk, me librin e tij “Silent house”.
Shkrimtarja Elif Shafak, një nga anëtarët e jurisë së këtij viti, tha se lista e shkurtër e gjashtë titujve, “reflekton një larmi magjepsëse stilesh, zhanresh dhe gjuhësh nga e gjithë bota.” 

Ndërsa Antonia Byatt, drejtore e Arts Council England tha, “Ky shortlist i fortë nxjerr në pah pasurinë dhe larminë e letërsisë nga i gjithë globi, të cilën lexuesit këtu mund ta shijojnë dhe eksplorojnë falë aftësive të pabesueshme të përkthyesve”.

Fituesi i këtij çmimi do të nderohet në Royal Institute of British Architects, në Londër, në 20 maj 2013. Vlera e tij është £10.000 dhe ndahet në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 15:30

TIRANË- Ismail Kadare, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe, disa herë kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Ai është autor i disa romaneve të konsideruara si legjendë në letërsinë shqipe si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i përkthyer të paktën në tetë gjuhë të botës, “Muzgu i perendive të stepës”, “Koncert në fund të dimrit”, por edhe i një serie poezish, përmbledhjesh, novelash, esesh, etj.

Kadare është nderuar me titullin e larte “Nderi i Kombit”, ndërsa bën pjesë në Akademinë Franceze, ndër 12 anëtarë-shok të huaj të kësaj Akademie dhe Akademinë e Berlinit.

Ai e kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin “Gorki” të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën “Drita”, e më pas drejtoi revistën “Les letres albanaises”.

Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ’60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.

Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.

Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 40 gjuhë të huaja, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar. Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë, i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975).

E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Dimri i madh” (1977).

Por edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve ’60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
“Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Endërr industriale” (1960), “Shekulli im” (1961), “Poemë e blinduar” (1962), “Përse mendohen këto male” (1964), “Shqiponjat fluturojnë lart” (1966), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976), “Shqipëria dhe tri Romat”, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.

Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me “motin e madh”, të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar.

Përgjithësisht vepra e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj.

Ismail Kadare në vitin 2005 ka fituar çmimin “The Booker Prize Man”, është dekoruar nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Në vitin 2009 u nderua me Çmimin e madh spanjoll “Princi i Asturias për Letërsi”.

Vepra të Kadaresë
Frymëzime djaloshare – 1954
Shekulli im – 1961
Gjenerali i ushtrisë së vdekur – roman- 1963
Përse mendohen këto male – 1964
Dasma – 1968
Motive me diell – 1968
Kështjella – roman – 1970
Kronikë në gur – roman – 1971
Koha 1976
Dimri i madh – roman – 1977
Ura me tri harqe – 1978
Prilli i thyer – 1980
Gjakftohtësia – përmbledhje novelash – 1980
Koha e shkrimeve – 1986
Koncert në fund të dimrit – 1988
Vepra Letrare – 1981-1989
Dosja H – 1990
Piramida – 1992
Shqipëri – 1995
Pallati i ëndrrave – 1996
Dialog me Alain Bosquet – 1996
Spiritus – roman- 1996
Kushëriri i engjëjve – ese- 1997
Poezi – 1997
Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë – ese- 1998
Tri këngë zie për Kosovën – triptik – 1998
Ikja e shtërgut – tregim – 1999
Qorrfermani – roman – 1999
Vjedhja e gjumit mbretëror – tregime – 1999
Ra ky mort e u pamë – ditar për Kosovën, artikuj, letra – 2000
Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) – biseda – 2000
Breznitë e Hankonatëve – 2000
Bisedë përmes hekurash – 2000
Elegji për Kosovën – 2000
Lulet e ftohta të marsit – roman – 2000
Unaza në kthetra – 2001
Eskili, ky humbës i madh – 2001 (ribotim)
Qyteti pa reklama – roman – 2001
Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut – roman – 2002
Pasardhësi – roman – 2004
Identiteti evropian i shqiptarëve – 2006
Hamleti, princi i vështirë – Sprovë – 2006
Mosmarrëveshja- 2010
Çlirimi i Serbisë prej Kosovës – 2012. (B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 16 December 2012 15:30

Londër – Ismail Kadare është Kafka i këtij brezi”, shkruante dje “The Indipendent”, duke e vlerësuar letërsinë e tij si komedi të zezë, të padepërtueshme dhe të thjeshtë më tej deri në pikën më të errët.

Gazeta prestigjiozja risillte në vëmendje sërish, temën e shumëdebatuar të Kadaresë para 1990-ës, pa harruar t’i japë notë maksimale letërsisë së tij. Çështja e zgjatur në lidhje me qëndrimin e tij politik në Shqipëri gjatë viteve të Enver Hoxhës, disident apo i lumtur me regjimin, është gjithnjë interesante, njofton Koha ditore.

Kadare është më shumë i shqetësuar për natyrën e tregimit dhe rrjedhshmërinë e gjuhës sesa për politikën. Puna e tij ka lëvizur në kohë, që nga Egjipti i lashtë e deri në vitet post-Hoxha, por romani i ri i tij e kthen atë në temë, edhe pse nuk është fiks koha e librit të tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që mori jetë në vitin 1960 dhe ‘shqetësohej’ për riatdhesimin e trupave italiane të vdekur në tokat shqiptare.

Ngjarjet në “Rënien e qytetit të gurtë” (titulli shqip: ‘Darka e gabuar’) ndodhin në kohën e luftës, pas rrethimit italian. Fqinjët italianë i kishin kërkuar Shqipërisë që së bashku me Abisininë të bëhej pjesë e perandorisë së Musolinit, dhe bashkë me trupat gjermane (invazorë? pushtues? çlirimtarë?) të shtyheshin në jug të Ballkanit për të mbushur vakuumin.

Ndërsa tanket mbërrijnë në Gjirokastër, vendlindja e Kadaresë, populli dëgjon thashetheme se i diplomuari në Gjermani, Dr. Gurametoja i madh, po argëton mikun e tij të viteve studentore, kolonelin von Schwabe që drejton kolonën Wehrmacht. Besnikëritë pësojnë baticë-zbaticë. Ka një darkë. Muzika që luhet në gramafon, “Vdekja Schubert dhe Maiden”, e shpon tejpërtej qytetin që prej shtëpisë së Dr.Gurametos. Pengjet janë liruar pjesë-pjesë, por komandanti gjerman nuk do të diskutojë për të burgosurin e vetëm hebre. Rreth mëngjesit, në mënyrë misterioze, koloneli dhe njerëzit e tij janë larguar. A është arritur një marrëveshje? Cilado të jetë arsyeja, fati i Shqipërisë ka marrë një kthesë, duke e çuar atë larg Rilindjes e Iluminizmit të Evropës Perëndimore, e madje duke e shtyrë më shumë anës “aziatike” dhe drejt kampit të bolshevizmit sovjetik bashkuar edhe ideve maoiste. Për momentin, interesat monarkiste, nacionaliste dhe komuniste janë goditur nga një vakuum më shumë ontologjik sesa politik.

E pikërisht këtu, Kadareja duket qartë “Kafkian”. Veprimet duket se kanë mungesë të dukshme qëllimi… Identiteti është i rrëshqitshëm dhe i rastit. Thashethemet kanë më shumë qëndrueshmëri se sa faktet. Janë të mprehta, të lehta dhe thellësisht shqetësuese. Kjo të çon drejt një arsyetimi politik; kjo ideologji nuk është as fisnore, as e lidhur domosdoshmërisht me interesin vetjak apo altruizmin. Përkthimet e mëhershme në anglisht të Kadaresë janë bërë nga tekstet franceze. Ndërsa ky version i John Hodgson është përkthyer nga origjinali në shqip. Kjo është një histori mrekullisht misterioze, e treguar mjeshtërisht. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 29 November 2012 08:13

TIRANE-Intervistë e gazetës “New York Daily News” me shkrimtarin e shquar shqiptar Ismail Kadare, botuar edhe në gazetën “Illyria”, në New York. Kadare thekson se keto 100 vite pavaresi kane qene shekulli më i rëndësishëm e njëherësh më dramatiku në historinë e shqiptarëve. “Kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën… si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull”, thekson shkrimtari.
 
Zoti Kadare, a mund ta filloj duke ju përgëzuar për nominimin tuaj të radhës për Çmimin Nobel për Letërsi. Duke qenë se ky nuk është nominimi juaj i parë, madje një prej të shumtëve, si e shihni këtë proces?
Mendoj se nominimi për çmimin “Nobel”, qoftë edhe i përsëritur, është një kënaqësi për çdo shkrimtar. Ndërkaq, dihet se të gjithë të nominuarit humbin (nuk fitojnë), me përjashtim të fitimtarit. Megjithatë kjo nuk përbën ndonjë arsye për t’u mërzitur.

A ka ndryshuar ndjesia juaj ndaj kandidimit, nga i pari deri te ai i tanishmi?
Kjo varet nga rasti. Për shembull, unë kam qenë kandidat për herë të parë në kohën kur vendi im, Shqipëria, ka qenë jo vetëm një vend komunist, por një vend stalinist, më i ashpri në Europë. Dihej se në një vend të tillë ky çmim nuk do të pranohej kurrsesi. Kështu që gëzimi im ka qenë i përzier me shqetësimin e refuzimit të detyruar.

Çfarë mund të ndodhte?
Më 1958, kur shkrimtari rus-sovjetik Pastërnak, fitoi çmimin “Nobel”, kundër tij shpërtheu një fushatë armiqësore në Bashkimin Sovjetik. Kam qenë student për letërsi në Moskë në atë kohë. Instituti ynë merrte pjesë në fushatë. Ditën studentët dilnin në miting kundër Pastërnakut, kurse natën ëndërronin “fatin” e tij. (Domethënë ta fitonin atë çmim “borgjez”, pastaj të bëhej ç’të bëhej.) Pastërnaku u kërcënua nga shteti: në qoftë se nuk e refuzonte çmimin, do të dëbohej nga vendi i tij. Kurse po të ndodhte kjo në Shqipëri, nuk do të kishte dëbim, por shumë më keq: burg ose pushkatim.
Këtë ngjarje e kam përshkruar në njërin nga romanet e mia të hershme, që titullohet: “Muzgu i perëndive të stepës”.

Duke parë librat tuaj të shumtë duket se Shqipëria ka qenë burimi juaj i frymëzimit për shumë dhjetëvjeçarë por në kontekste të ndryshme…
Kështu thuhet zakonisht, por mendoj se kjo nuk është fort e saktë. Subjektet e veprave të mia kanë të bëjnë me një pjesë të madhe të globit tokësor: nga piramidat e Egjiptit te muri kinez. Kjo nuk është ndonjë veçanti e imja. Një pjesë e shkrimtarëve nuk e njohin kufizimin gjeografik apo historik. Letërsia e ka përmasën globale në natyrën e vet. Pavarësisht nga koha apo vendi ku prodhohet, ajo synon aty për aty gjithë botën dhe gjithë kohërat. Me fjalë të tjera, mund të thuhet se kur një popull arrin të krijojë letërsi ose art të çmuar, ai nuk e shfrytëzon për vete, siç bën me pasuritë e tjera, ta zëmë naftën (më falni për krahasimin), por ia fal si dhuratë gjithë njerëzimit. Mendoj se kjo është një nga veçantitë më të mrekullueshme të artit. Falë kësaj mrekullie, Shekspiri, për shembull, i përket po aq Anglisë e gjuhës angleze, sa gjithë botës. E kështu me radhë, gjithë gjenitë e njerëzimit.

Kush apo çfarë ju ka influencuar më së shumti në formimin tuaj letrar?
Ndikimet e mia më të ndjeshme kanë qenë nga ai që mund të quhet “krahu i zymtë i letërsisë botërore” (Dante, Shekspiri, Kafka). Pastaj nga pjesa antike e saj, kryesisht tragjedisë greke, dhe, pa dyshim, nga tradita shqiptaro-ballkanike.

Çfarë mendoni për festën e 100-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë?
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë së shtetit të tyre, shqiptarët mund të thonë se ky ka qenë shekulli më i rëndësishëm e njëherësh më dramatiku në historinë e tyre. Shkëputja nga Perandoria Osmane, dalja nga komunizmi dhe rikthimi në kontinentin mëmë, Europën, mund të përcaktohen si tri ngjarjet themelore të këtij kombi.
Të gjitha këto ndodhën brenda këtyre 100 viteve. Dhe mendoj se nuk janë pak.

Si e gjen ky përvjetor sot kombin shqiptar?
Gadishulli i Ballkanit, në të cilin bën pjesë Shqipëria, njihet sot si një nga zonat më të shqetësuara të Europës. Ndonëse pranohet njëzëri si zanafilla antike e qytetërimit europian, kjo biografi e fisme nuk e ka shpëtuar dot nga cilësimi si gadishull problematik, me të cilin Europa e Bashkuar ka vite që detyrohet të merret.
Është një gjë pozitive, që të gjithë popujt e gadishullit kanë një synim të përbashkët: hyrjen në Europë. Mirëpo kjo dëshirë bashkuese, nuk mjafton, për fat të keq që ata ta kapërcejnë përçarjen e tyre proverbiale. Kam pasur rastin të theksoj se janë tre popuj në Ballkan prej të cilëve varen shumë gjëra: grekët, shqiptarët dhe serbët. Janë fqinjë shekullorë, ndonëse identitetet, gjuhët, madje alfabetet i kanë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, kjo nuk përbën asnjë arsye që të përligjë mungesën e harmonisë midis tyre. E thashë këtë për të ardhur te mendimi se, në qoftë se nga këto tre kombe, njëri prej tyre, kombi shqiptar, ka jo një, por dy shtete në Ballkan, Shqipërinë dhe Kosovën, e shoh këtë faktor si përgjigje të dyfishtë që ka ky komb për vendosjen e harmonisë dhe paqes në gadishull.

Që kur veprat tuaja u përkthyen së pari në frëngjisht dhe pastaj në anglisht, ato kanë mbërthyer vëmendjen e elitës letrare si edhe atë të lexuesve të thjeshtë në mbarë botën.

Çfarë konsideroni si më të rëndësishmen në këtë sukses tuajin?
Përkthimi dhe vlerësimi i veprës sime në Perëndim, në fillim të vitit 1970, ka qenë ngjarja më e befasishme dhe unikale në jetën time si shkrimtar. Ndoshta këto fjalë duken të tepruara, por unë do t’jua shpjegoj përse. Ky ishte një paradoks për një shkrimtar të njohur të një vendi stalinist, shteti më antiperëndimor i Europës, nga të gjitha pikëpamjet. Pyetja “përse?” do të bëhej nga të gjithë, e në radhë të parë nga vetë Shqipëria komuniste. Përse na e pëlqejnë këtë shkrimtar armiqtë tanë? Pyetja do të bëhej në një tjetër sens nga njerëzit liberalë në Shqipëri, nga lexuesit perëndimorë, nga unë vetë.
Nuk isha përfaqësues i ndonjë lëvizjeje kundër regjimit (një gjë e tillë as që përfytyrohej në Shqipëri), as disident i shpallur, i burgosur etj. Isha thjesht një shkrimtar. Nga ky botim dhe nga ky vlerësim në Perëndim, kisha bërë një zbulim të madh: mundësitë e mrekullueshme të letërsisë. Duke qenë në një vend që konsiderohej si një burg i madh, kisha shkruar letërsi që pëlqehej, që çmohej në botën e lirë. Shkurt, kisha bërë letërsinë që duhej. Kisha hyrë në klubin e letrave europiane. Me fjalë të tjera, kisha ndërruar kohë: nga koha e rendit stalinist kisha hyrë në kohën universale të artit. Ishte sikur të kapje të ardhmen, ta prekje, të jetoje në të. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 14:51

Vjenë – Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë, festave dhe gëzimeve u shtohet edhe  një lajm i mirë. Sipas ekspertëve austriakë, në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit, bën pjesë edhe romani i Ismail Kadaresë “Prilli i Thyer”.

Ekspertët austriakë, me kryeredaktoren e Bibliotekës Nacionale, Johanna Rachinger, për çdo javë japin sqarime për veprën dhe autorin e njërit prej tyre, ku mes “Ujkut të Stepës” të Herman Heses, “100 vjet vetmi” të Gabriel Markezit, “Plakut dhe Detit” të Ernest Heminguejit, spikat edhe vepra e Kadaresë, njofton Fitim Dika.

Në shpjegimin që i bëhet autorit dhe veprës, theksohet jeta kulturore e shqiptare e veriut dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, si dhe forca stilistike e autorit për ta shfaqur këtë zakon të vjetër në një vepër.
Po ashtu theksohet se vepra që e bëri autorin të famshëm është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por romani më i mirë i tij mbetet pa diskutim “Prilli i Thyer”. Gjithashtu, vihet në pah se edhe pas rënies së diktaturës  dhe në vitet e fundit, shkrimtari shqiptar ka shkruar romane me vlerë, mes të cilëve vlerësohet sidomos “Aksidenti”. 

Ajo që nxjerrim nga kjo është interesante se disa shkrimtarë që kanë marrë Çmimin Nobel për letërsi nuk gjenden në mesin e 100 veprave më të mira të 100 vjetëve të fundit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 20:50

TIRANË – Çmimi “Nobel” për letërsinë, ku është kandidat edhe shkrimtari Ismail Kadare, pritet të ndahet në datën 11 tetor, pas publikimit të datave të ndarjes së këtij çmimi, sipas fushave përkatëse.

Sipas parashikimeve, vendi i parë ‘luhet’ mes shkrimtarit kinez Mo Yan dhe atij japonez Haruki Murakami. Në këtë renditje paraprake, shkrimtari Ismail Kadare mbante vendin e katërt. Akademia Suedeze si çdo vit e shpall më vonë datën, por duke iu referuar traditës, gazetat kanë shkruar se ceremonia do të zhvillohet ditën e enjte, që i takon data 11 tetor. 

Për të disatën herë, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është kandidat për këtë çmim që këtë vit ka vënë në garë 46 emra shkrimtarësh. Vitin e kaluar, fituesi i çmimit më të madh në letërsi ka qenë poeti suedez Tomas Transtromer.

Ndarje e çmimeve “Nobël” do të fillojë në datën 8 tetor, kur do të ndahet çmimi për mjekësinë dhe do të përfundojnë në 15 tetor me çmimin për ekonominë. (LajmeShqip.com)