Lajme Shqip Tuesday, 16 July 2013 09:49

Bruksel- Brukseli vlerëson pozitivisht zhvillimet e fundit në Shqipëri, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit, por tërheq vëmendjen për të shmangur euforinë dhe gabimet e së kaluarës së afërt. Jelko Kacin, numri dy i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore në një prononcim për “Albanian Screen” tha dje se “shumica e re qeverisëse të punojë shumë për të ngushtuar të çarat që kanë ekzistuar gjithmonë midis opozitës dhe shumicës qeverisëse në Shqipëri”.

I pyetur se si duhen vazhduar këto zhvillime pozitive, në mënyrë që vendi të marrë sa më shpejt statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian, Kacin tha se shpreson që “Edi Rama do ta ftojë opozitën të punojnë së bashku për këtë qëllim”. Institucionet evropiane po ndjekin me vëmendje periudhën paszgjedhore dhe kanë bërë të qartë se tranzicioni i qetë dhe pa probleme i pushtetit është një test i dytë, po aq i rëndësishëm sa zgjedhjet. Kjo periudhë do të ndikojë shumë në konkluzionet e raport-progresit të Komisionit Evropian, të tetorit, si dhe në marrjen e statusit të vendit kandidat të BE-së, që pritet në samitin evropian të dhjetorit, shkruan BW.

Ndërkohë vetë ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi në një takim të zhvilluar pak ditë më parë me kryeministrin e zgjedhur, Edi Rama deklaroi mes të tjerash se “ajo që lipset tani është të ketë tranzicion të mirë drejt pushtetit. I cili do përqëndronte përpjekjet në axhendën e BE”, theksoi Sequi, duke shtuar mandej se në rast të një ecurie normale statusi i vendit kandidat për Shqipërinë do të ishte i mundur në muajin dhjetor.