Lajme Shqip Sunday, 17 June 2012 22:53

Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preleminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Kaçanikut.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Ilazi, ka fituar me 52.92 për qind të votave. Me këtë rezultat, PDK-ja siguron mandatin e kryetarit pa pasur nevojë për balotazh, ka konfirmuar Daka.

Paraprakisht edhe koalicioni i organizatave organizatave joqeveritare D4D dhe INPO kishte publikuar rezultatet e para, sipas të cilave kandidati i PDK-së, Besim Ilazi ka fituar me 53 për qind të votive.

Ai pasohet nga kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 20 për qind, i Vetëvendosjes me 16.5 për qind, i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 5.3 për qind dhe i Aleancës Kosova e Re, me 5 për qind. Në bazë të ligjit, kryetari i komunës mund të zgjidhet në raundin e parë nëse kalon 50 përqindëshin.

Të dielën në Kaçanik ka udhëtuar edhe kryeministri Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, i cili ka përgëzuar kryetarin e ri të të kësaj komune. Ndryshe, procesi i votimit është zhvilluar normalisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë nga ora 07:00 e mëngjesit dhe janë mbyllur në orën 19:00 të mbrëmjes.

Kryetarja KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa probleme. Kurse, shqetësuese mbetet dalja e ulët e qytetarëve në votime. Ajo ka theksuar se procesit të votimit i janë përgjigjur rreth 36 për qind e votuesve. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 17 June 2012 10:00

Kaçanik -Të dielën qytetarët kaçanikas do të votojnë për ta zgjidhur kryetarin e ri të Komunës. Derisa subjektet pjesëmarrëse në garë të shtunën e kanë respektuar heshtjen elektorale, shoqëria civile u ka bërë ftesë votuesve që të dalin masivisht në zgjedhje.

“Një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në votime do të thoshte një legjitimitet më i madh për kryetarin që do të zgjidhet”, ka theksuar Rina Demiri, zëdhënëse e OJQ-së INPO, pas performansës me moto: “Qytetar, qeverisja fillon nga Ti – Voto!”. Aja ka thënë se vota e lirë e gjithësecilit është me rëndësi për zhvilllimin e demokracisë në rrafshin lokal dhe në atë shtetëror. “Pjesëmarrja në votime është njëra ndër format e përmbushjes së obligimit moral të qyetarëve karshi vetvetes dhe karshi shoqërisë”, ka nënvizuar Demiri.

  Komisoni Komunal i Zgjedhjeve në Kaçanik ka thënë t’i ketë bërë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt votimi. “Ndërkohë te ne ka ardhur edhe materiali i ndjeshëm i zgjedhjeve (fletëvotimet, vulat dhe listat e votuesve)”, ka theksuar Artan Mezraja, zyrtar ekzekutiv i KKZ-së, të shtunën. Ai ka rikujtuar se në listën e votuesve figurojnë emrat e 31.473 qytetarëve kaçanikas me të drejtë vote. “Qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësi të votojnë në 42 vendvotime të 16 qendrave të votimit”, ka thënë Mezraja. Është thënë votuesit do të kenë mundësi të votojnë për njërin nga pesë kandidatët në garë: Shukri Luta (31, “VV”), Besim Ilazi (32, PDK), Sahit Bela (33, LDK), Kjani Berisha (34, AKR) dhe Tahir Çaka (35, AAK).

  D4D&INPO dhe “Demokracia në veprim” do ta monitorojnë procesin e sotëm të votimit. “Vëzhgues do të kemi në të gjitha vendvotimet, sikundër edhe një ekip mobil vëzhguesish”, ka thënë Valmir Ismaili i D4D-së. Ai ka pohuar se do të monitorohet edhe procesi i numërimit të votave. Ndërkaq, “Demokracia në veprim” ka thënë se do ta monitorojë vetëm procesin e votimit nga hapja e deri në mbyllje të vendvotimeve. “Do ta kemi nga një vëzhgues vullnetar në çdo qendër votimi dhe një ekip mobil vëzhguesish”, i ka thënë KD-së Besnik Ramadani i “DV”-së. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 20:48

Prishtinë -Presidentja e Republikës së Kosovës,  Atifete Jahjaga mori sot vendim që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të Komunës së Kaçanikut të mbahen më datë 17 qershor 2012.

Vendimi u mor duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, si dhe në marrëveshje me partitë politike dhe Komisionin Qendror Zgjedhor.

Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Kaçanikut, në përputhje me këtë vendim dhe ligjin në fuqi. (LajmeSh     qip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 15:10

Kaçanik- Xhabir Zharku ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës të Kaçanikut dhe nga ai i kryetarit të Degës të PDK-së në Kaçanik vetëm pak ditë pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për fuqizimin e aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin ai është dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të detyrimit.

“Jam i detyruar të jap dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës dhe nga posti i kryetarit të Degës të PDK-së në Kaçanik, jo nga dëshira ime, por nga vendimi i padrejtë politik i EULEX-it…”, ka thënë Zharku në një takim përshëndetës me stafin politik dhe administrativ të Komunës.

Gjykata Supreme e Kosovës, ditë më parë, kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë kundër kryetarit të Komunës së Kaçanikut Xhabir Zharku.

Edhe komuna e Kaçanikut pritet që brenda 45 ditësh të shkojë në zgjedhje të parakohshme. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 09:01

Prishtinë  – Gjykata Supreme në Kosovë shpalli fajtor kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun për veprën penale, në të cilin ai  duhet të vuajë dënimin prej 3 vjet e gjysmë burg.

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur të heshtë nga ky fakt edhe pasi ky konfirmim i Supremes e ka çuar në dy numrin e kryetarëve komunalë të dënuar nga radhët e Partisë Demokratike. Më parë ishte shpallur fajtor edhe kryetari  i Ferizajt Bajrush Xhemaili. Pas konfirmimit të dënimit ai ka dhënë  dorëheqje nga posti i kryetarit.   

Edhe tre kryetarë të tjerë komunash po nga PDK-ja janë duke u hetuar, njofton KTV. Shoqëria civile e quan të frikshëm faktin që kryetarët e komunave po dënohen për vepra kriminale. (LajmeShqip.com)