Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 09:34

Juventus është kthyer në finalen e Kupës së Italisë që i mungonte prej vitit 2004 dhe do të tentojë të fitojë këtë trofe për të 10-tën herë në historinë e klubit. Por bardhezinjve u është dashur të djersijnë jo pak për të arritur këtë objektiv përballë Milanit që nuk është dorëzuar dhe ka luftuar deri në minutën e fundit, duke e çuar takimin në kohët shtesë. 

Juventus kishte fituar ndeshjen e parë ë Milano me rezultatin 2-1 dhe vinte më i qetë para kësaj sfide duke patur në dispozicion dy rezultate në krahasim me kundërshtarët. Për më tepër, bardhezinjtë gjejnë edhe golin e avantazhit në minutën e 28-të me Del Pieron, i kthyer mes titullarëve për këtë sfidë të rëndësishme. Milani reagon vetëm në pjesën e dytë, atëherë kur Alegri vendos të largojë nga formacioni Ibrahimoviç në një gjendje jo të mirë fizike, për të aktivizuar Maksi Lopez.

Manovra e teknikut të kuqezinjve funksionon pasi kryesuesit e kampionatit italian janë më ë rrezikshëm dhe gjejnë menjëherë golin e barazimit me një gjuajtje me kokë të Mesbah. Më pas ka shumë dominim territorial për kuqezinjtë, por Juventus mbrohet mirë. Për këtë arsye, goli mund të vinte vetëm falë një gjesti të bukur teknik individual dhe ashtu ka qenë kur Maksi Lopez ka dhuruar një perlë të repertorit të tij duke shënuar me një gjuajtje me të djathtën në hyrje të zonës bardhezi.

Rezultati 2-1 çon skuadrat në kohët shtesë, por aty Juventus duket menjëherë që dëshiron të mbyllë këtë ndeshje sa më parë. Zgjidhjen e gjen Mirko Vuçiniç, padyshim lojtari më i mirë në fushë në të gjithë takimin, i cili në minutën e 6-të të shtesës së parë gjen rrjetën me një gjuajtje nga jashtë zonës, të pakapshme për Amelian. Minutat e mbetura janë thjesht administrim për bardhezinjtë pasi Milani nuk ka forcën për të reaguar dhe dorëzohet përballë Juventusit që tashmë ka mundësinë të luajë për fitoren e trofeut të parë që pas epokës së “Calciopoli”. (LajmeShqip.com)