Lajme Shqip Saturday, 12 October 2013 12:44

 

Ballkani i Ri do të duhej të ishte diçka çfarë ka qenë Jugosllavia, respektivisht të jetë i hapur ndaj të gjitha anëve të botës, kurse Kosova, Shqipëria dhe Serbia të jenë në një union konfederate. Kështu tha dje Johan Galtug-themelues i institutit Norvegjez për Hulumtime Paqësore dhe themelues i disiplinës shkencore të studimeve të paqes dhe konflikteve.

 

Galtung, i cili ka marrë pjesë në Konferencën për Pajtim, Tolerancë dhe Siguri në Ballkan, e cila ka filluar dje në Beograd, ka thënë se kur bëhet fjalë për shtetet që dolën nga gërmadhat e ish-Jugosllavisë “është zgjidhur vetëm pozicioni i Sllovenisë, kurse Serbia, por edhe Kroacia, mbeten libra të cilat tek duhet të hapen”, transmeton “Danas”.

“Provokimi më i madh për Serbinë mbetet Lindja – Rusia, Kina dhe bota Islame…” tha Galtung.

 

Në pyetjen, se si duhet zgjidhur problemi mes Kosovës dhe Serbisë, Galtung tha se duhet të formohet një federatë brenda Kosovës, në të cilën serbët e ndarë në tre kantone, do të gëzonin një autonomi të shkallës së lartë.

 
Lajme Shqip Saturday, 28 September 2013 10:46

Plani i fshehtë i Sali Berishës për ta kthyer Shqipërinë në republikë të gjashtë të Jugosllavisë së re, ka provokuar intelektualët dhe figurat e politikës shqiptare. Firmosja e traktatit të fshehtë në 16 korrik, në Përzhno të Malit të Mal të Zi, pra pak ditë para zgjedhjeve të 23 Qershorit, për të kaluar Shqipërinë nën ombrellën e Serbisë, ka trazuar dhe indinjuar opinion publik. Ish shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën “Sot”, deklaroi se Unioni Ballkanik në Bashkimin Europian është artificial dhe sforcuar. Ai tha se Unioni Ballkanik është një sajesë që mund të pengojë integrimin e Shqipërisë.

 

“Krijimi i Unionit Ballkanik është shumë artificial. Mendoj se është e parakohshme. Nuk ka shembull që në Bashkimin Europian të marrin pjesë unione. Kjo është një sajim serb, i cili mund të pengojë integrimin e Shqipërisë. Qeveria “Berisha” nuk duhet ta mbështeste”, u shpreh Klosi. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, shprehet se Shqipëria duhet të injorojë Unionin Ballkanik dhe hyjë e vetme në Bashkimin Europian. Shehi deklaron se Shqipëria është shtet i pavarur dhe kurrsesi nuk duhet t’ia lejojë vetes të përfshihet në unione të tilla. “Shqipëria duhet të shkojë e vetme në BE. Shqipëria është shtet i pavarur. Shqipëria do të hyjë e para në BE dhe më pas të tërheqë me vete edhe të tjera komunitete”, u shpreh Shehi.

 

Shqipëria, drejt politikave globale

 

Shtohen zërat kundër krijimit të Unionit Ballkanik dhe sidomos përfshirjes së Shqipërisë në këtë bashkim. Ish deputeti socialist, Agim Leka, në profesion studiues, në një prononcim për gazetën “Sot”, thekson se Shqipëria duhet të ndjekë politikën e integrimit në familjen e saj evropiane. Sipas tij, grupimet rajonale asnjëherë nuk kanë sjellë gjëra pozitive, ndërsa në rastin e Shqipërisë do të pengonte proceset globale.  “Jam partizan i politikave globaliste dhe integruese. Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën që ka nisur drejt Bashkimit Europian dhe të marrë kartën e asocimit. Jam kundër grupimeve rajonale. Filozofitë provinciale sjellin pasoja dhe në proceset globale.

 

Koncepti i BE ka të bëjë me qytetërimin evropian”, u shpreh ish deputeti socialist. Studiuesi Leka thekson se Shqipëria i përket familjes evropiane, por për shkak të vonesave që lidhen me historinë, është vonuar në aderimin e saj në Bashkimin Europian. Megjithatë, Shqipëria do të vijojë rrugën e saj që ka nisur drejt integrimit si më të duhurën, pasi një gjë të tillë e kuptojnë edhe vetë politikanët tanë. “Ne kemi ndërprerë përfshirjen në qytetërimin Europian për shkak të sistemit diktatorial. Shqipëria në BE do të kthehet në identitet. Ky qytetërim u ndërpre për shkak të historisë fatale, këto 100 vitet e fundit. Vonesat janë historike dhe jo për faj të shqiptarëve”, u shpreh Leka. Pjesë e Federatës do të jenë Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Kjo e fundit, pritet të jetë koka e federatës së re, siç ishte edhe e federatës së vjetër, e cila u shkatërrua nga luftëra të përgjakshme.

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 September 2013 10:56

 

Një asamble parlamentare e përbashkët, një treg i përbashkët ekonomik, një sistem i edukimit dhe arsimimit, bashkëpunime në shumë fusha tjera, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është plani i nismës për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, e quajtur West Balkan Six – G6 (Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor), pjesë e së cilës janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Serbia, iniciativë kjo përmes së cilës synohet integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian.

Këtë dokument-strategji, të mbështetur nga komisionari për zgjerim, Stefan Fule, dhe e iniciuar këtë vit nga Mali i Zi, e ka siguruar gazeta “Zëri” në të cilën shpalosen detajet për bashkëpunimet ndërqeveritare mes tyre.

Për këtë nismë madhore, përmes së cilës synohet të përcaktohet perspektiva e ardhshme e Kosovës dhe e shteteve rajonale, do të takohen të enjten (nesër) në Neë York, ministrat e jashtëm të këtyre gjashtë shteteve në mesin e tyre edhe ministri Enver Hoxhaj, për të vendosur përfundimisht se a do të gjejë mbështetjen definitive.

Plani i kësaj nisme, i përpiluar nga Mali i Zi, por fillimisht i kaluar në duart e komisionarit, Stefan Fule, dhe Goran Svilanovic, sekretar gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, (të dy përkrahës të nismës), u është dorëzuar 6 shteteve në muajin prill të këtij viti, ndërkohë që ato kanë pasur një takim në qershor në Budvë të Malit të Zi ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Kosova.

Në transkriptin e këtij takimi të siguruar nga “Zëri”, mësohet se parimisht shtetet e kanë përkrahur si iniciativë.

 

Nesër takohen në New York

 

Mësohet se të ënjtën (nesër), ministrat e jashtëm nga gjashtë këto shtete do të takohen në New York.“Përfundimisht do të dihet në këtë takim, nëse do të përkrahet si nismë, ku përfaqësuesit e këtyre 6 shteteve do të votojnë për ta dërguar apo jo përpara këtë strategji”, thonë burime diplomatike.