Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 17:52

Ish-trajneri i kombëtare shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, është diagnostikuar me një formë leucemie dhe do të shtrohet në spitalin e qytetit të Zajçevës. Mediat kroate kanë dhënë lajmin, që sipas tyre vetë Kuzhe e ka mësuar në javën e kaluar, ndonëse bëhet e ditur se pas kontrolleve të para mjekësore është qartësuar se situata nuk është aq alarmante sa mendohej fillimisht.

Sapo lajmi është përhapur në mediat kroate, kanë qenë të shumta mesazhet e solidaritetit për ish-trajnerin e kombëtares shqiptare të futbollit, duke qenë të gatshëm edhe ta ndihmonin trajnerin kroat. Por fatmirësisht, është mësuar se ai nuk është në situatë kritike, ndërsa do të qëndrojë në spital për disa ditë për t’iu nënshtruar testeve më specifike.

Kuzhe ka qenë një nga trajnerët e huaj më të suksesshëm me kombëtaren shqiptare të futbollit, ndërsa arriti të çonte Shqipërinë deri në vendin e 50-të në renditjen Botërore të FIFA-s. Por edhe gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë ai kishte probleme shëndetësore, pasi rrezikoi jetën me një hemorragjie cerebrale duke qëndruar për shumë kohë i shtruar në një nga spitalet e kryeqytetit shqiptar. Ai episod mendohet se ka qenë një nga shkaqet pse drejtuesit e FSHF vendosën të mos rinovonin me trajnerin kroat, edhe pse ky i fundit kishte mbështetjen e plotë nga tifozët e kombëtares. (LajmeShqip.com)