Lajme Shqip Sunday, 22 June 2014 17:10

Expressen.se i kushton një reportazh familjes Tafili, e cila jeton e fshehur në perëndim të Suedisë, për shkak të gjakmarrjes me familjen Pjetrushi. Por familja Tafili rrezikon të rikthehet në Shqipëri. Enti për Emigrimin nuk ka pranuar kërkesën për azil, ashtu siç nuk ka pranuar as kërkesa të ngjashme të familjeve të tjera shqiptare. Sipas këtij Enti, familja duhet të riatdhesohet dhe autoritetet shqiptare duhet ta mbrojnë atë. 

Aktualisht, familja e vëllait të Admir Tafilit, së cilës mbrëmjen e Vitit të Ri iu plagos rëndë djali i tyre 12-vjeçar, qëndron e fshehur në një banesë në Suedi. Ata kanë apeluar çështjen në Gjyqin për Emigrim me qëllim që të shqyrtohet edhe një herë rasti i tyre, pasi kanë frikë se nëse do të kthehen në Shqipëri do të jenë viktima të gjakmarrjes. 

Gazetarët suedezë sjellin dëshminë jo vetëm të Arbenit, (emri jo i vërtetë), i djalit 13-vjeçar, i cili ka ende shenjën e operacionit që i ka shpëtuar jetën, pas të shtënave me armë që i prekën mëlçinë, mushkëritë, veshkat, fshikëzën dhe zorrën. Gazetarët përcjellin edhe dëshminë e Prel Pjetrushit, por dhe të Admir Tafilit, i cili nga qelia e burgut 302 tregon se nëse kishte arritur të fuste në qeli gjashtë armë, atëherë ngre pyetjen çfarë mbrojtje i jep shteti familjes së tij nëse kthehet. 

REPORTAZHI I EXPRESSEN.SE
Nata e Vitit të Ri, pak para orës 17:00 
Krismat e fishekzjarreve tashmë dëgjohen mbi qytet. Arbeni dhe kushëriri i tij shëtisin në drejtim të vendit ku familja është fshehur në Boras. Djemtë janë nisur nga një tunel afër stacionit të autobusëve Kisha Boda, kur kushëriri 12-vjeçar bërtet: “Vrapo! Ai do të të vrasë!” 
Një person i armatosur me pistoletë i afrohet, drejton armën drejt Arbenit, që është më i gjati nga djemtë. Arbeni vrapon në drejtim të Kisha Bodas. Në vrapim e sipër ndjen plumbin që i përshkon trupin. Rrëzohet. Vrasësi e mbërrin, por pistoleta ngec. Kushëriri i Arbenit i hidhet në fyt vrasësit, një burrë 25 vjeç me mjekër dhe që kishte veshur një jelek reflektiv. Goditet me pistoletë në kokë. Arbeni ia del të ngrihet dhe ta shohë në fytyrë personin që e sulmoi. 

“E doni celularin tim?”, e pyet Arbeni. 
Ai i përgjigjet: ”Po”. Arbeni shikon se burri ikën, por kthehet me shpejtësi prapa. Sulmi nuk kishte mbaruar. Pasi kishte gjuajtur celularin, vrasësi ishte kthyer mbrapa me një thikë në dorë për t’i dhënë fund jetës. 

“Nuk mund të vrapoja. Kisha dhimbje tepër të mëdha. U përpoqa të fshihem prapa disa shkurreve, por ai më mbërriti dhe më goditi në qafë me thikë, në anën e majtë”, tregon Arbeni.

Dërgohet me plagë të rënda në spitalin e Borasit dhe më pas në spitalin universitar Sahlgrenska në Goteborg. Sot Arben Tafili ngre fanellën dhe tregon vragën në bark. Organet e brendshme ishin dëmtuar nga tre plumbat e pistoletës. Mëlçia, mushkëritë, veshka, fshikëza dhe zorrët ishin dëmtuar. Dhe, jo vetëm kaq! 

Në anamnezën e tij nga spitali i fëmijëve, Astrid Lindgren, mjeku shkruante se djali kishte ”plagë të shumta në fyt dhe gjoks”. Arben Tafili qëndroi gjashtë javë në spital dhe mbijetoi. “Unë besoja se do të vdisja”. 

Prill 2014: Takimi fshehtas me familjen 
Është prilli i vitit 2014. Kanë kaluar tre muaj nga dita e vrasjes së mbetur në tentativë. Familja nuk do që gazetarët të shkojnë në shtëpinë e tyre. Kanë frikë se mos zbulohet banesa, por dhe nuk kanë besim. Prej 10 vitesh jetojnë në arrati në Evropë, tre nga këto vite si azilkërkues e pastaj të fshehur si persona pa dokumente. 

Admir Tafili: “U arratisa se mora vesh se gjakmarrësit kishin gjetur vendndodhjen e nipit tim”! 
Admiri tregon se kishte vrarë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit për fajin e këtij të fundit. 

Në verën e 2011-ës kur kishin dalë me leje nga burgu, kishin kontaktuar në telefon me Prel Pjetrushin, i cili kishte ardhur nga SHBA-të dhe i kërkuan që t’i thoshte të vërtetën për vrasjen e babait të tyre, përndryshe do t’i vriste vëllain e tij më të madh. Sipas Admir Tafilit, shefi i policisë refuzoi, prandaj i vrau dy nga vëllezërit. 

“Vëllai më i vogël ngriti një pistoletë kur unë u pozicionova para makinës. Fillimisht qëllova mbi të, pastaj ndaj tjetrit”, thotë ai. 

“E përdora Kanunin, pasi kisha provuar të marr ndihmë nga shteti. Shteti s’bëri gjë. Po të kishte një sistem funksional drejtësie në Shqipëri, s’do të kishte nevojë për kanunin. Fajtori do të dënohej dhe kështu s’do të kishte problem. Kjo që po ndodh tani është katastrofë”, thotë Admir Tafili. 

Një muaj para se të ndodhte tentativa e vrasjes së nipit të tij në Boras, Admir Tafili kishte arritur të fuste brenda në qeli dy pistoleta dhe katër kallashnikovë. Kishte vendosur të arratisej pasi kishte mësuar se familja Pjetrushi kishte rënë në gjurmë të vendit ku jetonte familja e vëllait dhe kishte porositur vrasjen. 

“Ua tregova autoriteteve në Shqipëri, por djali i vëllait tim u plagos”, thotë ai. 
I pyetur si kishte arritur të fuste brenda gjithë ato armë përgjigjet: “Shqipëri është kjo! Nëse unë ia dal t’i fus gjashtë armë në burg, më thuaj atëherë çfarë mbrojtje shteti i Shqipërisë u jep familjes time kur të dalin jashtë”? 

Kontakti me familjen e Prel Pjetrushit: Nuk jemi familje kriminelësh 

Nëpërmjet Facebookut marrim kontakt edhe me Prel Pjetrushin. Ai hedh poshtë përfshirjen e tij në tentativën e vrasjes së nipit të Tafilit. 

”Admir Tafili ka qenë një kriminel i kërkuar, pasi më kishte plagosur mua dhe pasi kishte vrarë vëllezërit e mi. Ai dhe familja e tij më akuzojnë mua për gjithçka. Admir Tafili është në gjak me katër familje për vrasjet që i ka bërë babai i tij”. 

Kur i shkruaj se familja Tafili frikësohet për jetë për shkak të gjakmarrjes në rast se kthehen në Shqipëri, ai përgjigjet: “Ne nuk jemi familje kriminele siç është familja Tafili”. 

Ai refuzon t’i përgjigjet pyetjes nëse do të pajtohet. 

Jeta e fshehtë në Suedi 
Në Suedi familja Tafili jeton e fshehur me ndihmën e familjeve suedeze të cilat e kuptojnë situatën e tyre. Kjo familje thotë se rrezikojnë të vriten nëse ata kthehen në Shqipëri. Megjithatë, gjyqi ka vendosur që të gjitha familjet të dëbohen. Për momentin vetëm për Arbenin, prindërit dhe dy vëllezërit e tij është shtyrë dëbimi nga Suedia. Dy familje tjera me të njëjtin problem kanë marrë leje qëndrimi. 

“Sinqerisht kjo është për të ardhur keq. Rrallë më ka ndodhë të paraqes materiale kaq të pastra. Unë kam menduar për çdo boshllëk të vogël, por prapë jam anashkaluar”, thotë avokati i kësaj familjeje, Fredrik Almer. 

Apeli ne Gjyqin për Emigrimin 
Familja apelon vendimin në Gjyqin për Emigrim. Ata kërkojnë që të merret parasysh se autoritetet shqiptare nuk mund t’i mbrojnë. 

Sipas Admir Tafilit, vrasësi gjendet në Shqipëri. Burimet në Suedi thonë se një person me prejardhje nga Shkodra është i etiketuar në hetime si vrasësi i mundshëm. 

“Të kthehesh atje, është njësoj sikur të presësh një dënim me vdekje”, thotë babai i Arbenit, gjyshja, por edhe anëtarët e tjerë të familjes të cilët mendojnë të vazhdojnë jetën të fshehur në Suedi. 

Shefi i komunës Rrethina Shkodër, Luan Harusha, thotë haptazi se ata nuk mund të kthehen në Shkodër. 

“Unë nuk mund ta garantoj sigurinë e tyre. As kryeministri nuk mundet. Atëherë do të duhej të kishim nga një polic para çdo shtëpi, ditë dhe natë”. 

Arbeni flet vetëm suedisht 
Arbeni dhe kushëriri i tij që e shpëtoi në natën e Vitit të Ri, jetojnë në dy banesa të ndryshme dhe mund të takohen vetëm në shoqërimin e të rriturve, për shkak të frikës se mos po rikthehet vrasësi. 

“Nuk e di nëse dikush vjen prapë të më vrasë apo jo”, thotë ai. 

Kur ai gjendet jashtë shtëpisë flet vetëm suedisht për të mos u identifikuar. Ndërsa, policia vazhdon hetimin për ngjarjen. 

“Këto raste janë tepër të vështira”, thotë Thomas Ahlstrand, zëvendësshef në odën e prokurorisë ndërkombëtare në Göteborg që drejton hetimin.