12
 
Lajme Shqip Wednesday, 20 March 2013 18:44

Beograd – Ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i njohur për prirjet e tij ultranacionaliste, ka pranuar së fundmi se ka prejardhje myslimane.

Pohimin ish-shefi i diplomacisë serbe, aktualisht president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e ka bërë në një ceremoni ku gjyshërve të tij nga Bosnja u është dhënë medalja për ndihmën dhënë hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjyshërit e Jeremiç, Nurija dhe Delveta Pozderac, myslimanë nga Bosnja, kanë marrë medaljen “I drejti mes kombeve”, që u jepet nga shteti izraelit personave që kanë treguar sjellje të guximshme ndaj Holokaustit.

Nga ana e tij, Jeremiç ka shprehur entuziazmin dhe mirënjohjen e tij për këtë nderim që u është bërë parardhësve të tij, të cilët kanë shpëtuar hebrejtë nga kampi i përqendrimit në Jasenovac të Kroacisë, ku kanë humbur jetën rreth 700 mijë persona.

“Jam jashtëzakonisht krenar për prejardhjen time dhe parardhësit e mi, të cilët në Luftën e Dytë Botërore kanë ngrtur zërin kundër krimeve, egërsia e të cilave ka qenë e pashoqe në histori”, ka thënë Jeremiç, i cili deri më sot e kishte mbajtur të fshehtë prejardhjen e tij.

Pranimi i prejardhjes myslimane përbën në pamje të parë një ndryshim thelbësor për Jeremiç, i cili ka përfaqësuar për 5 vjet diplomacinë e Serbisë, një vend i njohur për krenarinë ortodokse.

Gjithashtu, Jeremiç është i mirënjohur për deklaratat e tij ekstremiste pro-serbe, pavarësisht përpjekjeve për t’u shfaqur si një lider politik modern dhe ndryshe nga ata të epokës së Sllobodan Millosheviç. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 15 February 2013 19:24

BEOGRAD – Vuk Jeremiç, aktualisht president i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, u përjashtua nga Partia Demokratike serbe për shkak të refuzimit të lënies së mandatit parlamentar, ashtu siç është përcaktuar në statutin e kësaj partie.

Me propozim të presidentit të ri të Partisë Demokratike, kryetarit të bashkisë së Beogradit, Dragan Gjilas, të gjithë ish-ministrave të Partisë Demokratike u ishte kërkuar të linin mandatin e deputetit.

Në ndryshim nga deputetët e tjerë, Vuk Jeremiç dhe ish-ministri i Bujqësisë, Dushan Petroviç refuzuan ta bënin këtë veprim dhe u përjashtuan. Për Petroviçin masa e marrë ishte bërë publike para disa ditësh.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 10 February 2013 14:08

TIRANË -Shoqëria Civile shqiptare i kërkoi sot nepërmjet një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, që të ndërhyjë për të marrë masa ndaj Presidentit të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së Vuk Jeremic.

Në letër kërkohet që zoti Jeremiç të kërkojë falje publike e zyrtare si dhe të japë dorëheqjen nga posti i tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pasi lejoi që në një koncert të mbajtur me nismën e tij në OKB lejoi të luhej një pjesë muzikore nga “Marshi mbi Drin”, kolonë muzikore që shërbeu si himb ndaj masakrave në Srebrenicë.

Ky reagim vjen si pasojë e një incidenti sipas Shoqërisë Civile të ndodhur më 14 Janar.
“Në datën 14 Janar 2013, ditën e parë të Vitit të Ri tradicional ortodoks, me nismën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ish-ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremic, u mbajt një koncert në Sallën Plenare të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së. Por, në vend të Marshit të Paqes, në këtë koncert u interpetua pjesa muzikore “Marshimi mbi Drin”, një kolonë muzikore që shërbeu si himn i ushtrisë dhe kriminelëve serbë gjatë genocidit serb ndaj popullit në Bosje, dhe vecanërisht gjatë rrethimit dhe masakrës famëkeqe të Srebrenicës.

Ky veprim i Vuk Jeremicit, shkaktoi një indinjim të thellë në mesin e popujve që kanë qene viktima të genocidit serb dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi ndjesë publike dhe zyra e tij njoftoi se ai personalisht nuk kishte dijeni se çfarë përfaqësonte kjo pjesë muzikore dhe se në kujtesën e popujve të Ballkanit ajo lidhje me masakrat etnike të ushtrisë serbe.

Por ndërkohë, vetë Jeremic, ideatori i futjes së kësaj pjesë muzikore, jashtë programit zyrtar të koncertit në OKB, nuk ka kërkuar asnjë ndjesë publike e madje përmes një deklarate i ka cilësuar reagimet e shoqatave për të drejtat e njeriut dhe atyre kundër genocidit si dashakeqe fyerje për popullin serb.

Koncerti i 14 Janarit në OKB shkaktoi një reagim të shoqërisë civile në Bosnje dhe Kosovë, të cilët iu drejtuan përmes peticioneve Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, që të ndërhyjë për të marrë masa ndaj Presidentit të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Vuk Jeremic.

Këtij reagimi civil e qytetar i është bashkuara edhe shoqëria civile shqiptare.

Organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me mbështetjen e mbi 50 organizatave të tjera në Shqipëri, si dhe një grupi gazetarësh, i është drejtuar me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përmes të cilës kujton se këto veprime të zotit Jeremic nuk janë të shkëputura, por të paramenduara. Në letrën e drejtuar, zotit Ban Ki Moon kujtohet se Vuk Jeremici, deklaratën e parë që bëri sapo u zgjodh në krye të AP të OKB-së ishte: Tashmë Kosova do të njihet nga OKB-ja, vetëm po të kalohet mbi kufomën time”.

Jeremic cilësohet në këtë letër si përfaqësuesi i rrymave më të errëta nacionaliste në Serbi dhe ai është një turp për vetë Kombet e Bashkuara.

Letra është e firmosur nga drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia dhe përmes zyrës së Kombeve të Bashkuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në datën 9 Shkurt ka mbërritur në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Z.Ban Ki Moon.

BalkanWeb publikon letrën e plotë

Drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Moon

I nderuar Shkëlqesi

Eshtë kënaqësia jonë Shkëlqesia Juaj, që T’ju shprehim konsideratat tona më të larta për rolin, punën dhe sukseset që Kombet e Bashkuara kanë arritur nën udhëheqjen tuaj. Ne veçanërisht vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm të Kombeve të Bashkuara në lidhje me paqen dhe stabilitetin, si dhe për forcimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtësisë.

Për fat të keq, ky rekord shembullor arritjesh është dëmtuar seriozisht nga presidenti në detyrë i Asamblesë së Përgjithshme, z Vuk Jeremiç. Që në fillim të marrjes së detyrës, z Jeremiç ka promovuar dhe ka krijuar situata të shumta, të diskutueshme dhe përçarëse, të cilat kanë kulmuar me koncertin e organizuar në 14 Janar 2013, ku pjesa famëkeqe “Marshi mbi Drin” është luajtur në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ky akt i shëmtuar është fyes dhe ofendues jo vetëm për popullin martir të Bosnjës dhe Hercegovinës, por të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët ishin viktima të luftërave të përgjakshme nga forcat serbe gjatë procesit të vështirë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila kulmoi me gjenocidin në Srebrenicë, krime këto që janë kryer pikërisht nën meloditë e “Marshi mbi Drin”. Ky akt i pashembullt, i cili në realitet fyen tërë botën, krijon një njollë të rëndë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ajo na zemëron edhe më tej, kur në vend që të kërkonte falje publikisht për këtë akt pështirë, i cila është e vështirë që të pranohet edhe për popullin serb, z Jeremic, si një fanatik i përkushtuar ideve nacionaliste të Millosheviçit, vazhdon të refuzojë të marrë përgjegjësi, ashtu siç Qeverisë së Serbisë vazhdon të bëjë hije e kaluara, duke vazhduar të mos kërkojë falje për gjenocidin, masakrat dhe dhimbjet që i ka shkaktuar popujve në rajon, boshnjakëve, shqiptarëve e kroatëve.

Akti aktual i zotit Jeremiç nuk është i izoluar dhe aksidental, por një veprim i menduar dhe paramenduar mire. Ai është vijim i deklaratave të tij famekeqe, në kohën kur sapo mori detyrën në një mënyrë shumë të diskutueshme, si Kryetar i Asamblesë së Përgjithshme. Në një keqpërdorim flagrant dhe mosrespektim të mandatit të tij si President i zgjedhur i Asamblesë së Përgjithshme, z Jeremiç do të shpallte se: “Për sa kohë Serbia kryeson OKB-në, anëtarësimi i Kosovës në OKB, do të ndodhë vetëm kur të kalohet mbi kufomën time”. Në vend që të linte mënjanë retorikën nacionaliste dhe të dhunshme, siç ka bërë çdo kryetar i AP, Z. Jeremiç përforcoi bindshëm idenë se ai ishte krenar të përfaqësonte linjën me agresive të nacionalizmit dhe mendimet e zeza që mbizotëroinë ende në disa qarqe politike në Serbi. 

Shkëlqesia Juaj,

Tmerret e luftërave nga forcat serbe ndaj boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve, njerëzit në Ballkan vazhdojnë ti ruajnë ende të gjalla në kujtesën e tyre. Mijëra njerëz vazhdojnë të jetë të zhdukur dhe nuk kanë ende një varr, ndërsa shumë zyrtarë të lartë të ushtrisë serbe që kanë kryer këto krime janë ende të lirë. Veprimet e zotit Jeremiç, tani në pozicionin e Kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme, ngrejnë edhe me më urgjencë çështjen, që bota ka nevojë të njohë dhe pranojë plotësisht atë që forcat serbe kanë bërë në fund të shekullit të 20-të, të njohë dhe pranojë masakrat më të mëdha që bota ka parë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke rritur përpjekjet e veta në forcimin e drejtësisë ndërkombëtare, ne mendojmë se nuk duhet të tolerohet që, pas këtij akti të urryer që ka ofenduar shumë njerëz dhe që dëmton rëndë reputacionin dhe imazhin e Kombeve të Bashkuara, zoti Jeremiç të vazhdojnë të kryesojnë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në emër të shoqërisë civile dhe intelektualëve në Shqipëri, ne ju kërkojmë juve Shkëlqesi që, në përputhje me mandatin që të gjitha shtetet anëtare Ju kanë besuar, të ndikoni që zoti Jeremiç të kërkojë falje publike e zyrtare dhe të japë dorëheqjen nga posti i tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Akti i largimit të Z. Jeremic jo vetëm do të korrigjojë njollën e krijuar në reputacionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe do të shërbejë si një shembull për të gjithë ata ekstremistë dhe nacionalistë agresivë, të cilët përpiqen të abuzojnë dhe shpërdorojnë detyrat e larta që u besohen.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 31 January 2013 13:05

Beograd – Ish-shefi i diplomacisë serbe dhe kryesuesi aktual i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq thotë se Kosova “është larg nga OKB-ja”. Sipas tij, nuk ka mënyrë që ajo t’i përafrohet OKB-së, “derisa për këtë nuk vendos Serbia”, ka thënë Jeremiq mbrëmë për Televizonin publik serb (RTS).

Ku bëhet fjalë për krahasimin e Kosovës me Palestinën, e cila ka realizuar statusin e shtetit joanëtar – të vëzhguesit, Jeremiq thekson se ky krahasim nuk ka justfikim, sepse AP e KB mori vendimin për Palestinën vetëm pasi për këtë vendosi Këshilli i Sigurimit.

“Do të ishte mirë sikur pa vendimin e KS të KB Prishtina ta provojë këtë, sepse kjo do të përfundonte në atë mënyrë që për 10 vjet do ta ‘shtynte’ shqyrtimin për këtë. Unë do të doja që ata të provojnë, sepse jam i sigurt se Prishtina atëherë seriozisht do t’i përkushtohej bisedimeve me Beogradin,sesa që po bën tani”, ka thënë Jeremiq.

Sipas tij, “pavarësinë e Kosovës po e sforcojnë fuqitë botëtore, por ne jemi përcaktuar për politikën e cila me rezolutën e re ka realizuar një kontinuitet dhe, për befasinë e shumëkujt, kjo shtetësi në hapësirë ndërkombëtare nuk është ringjallë”, ka thënë Jeremiq.

Jeremiq ndodhet në Beograd ku pritet të përjashtohet nga Partia Demokratike me të cilën është në konflikt për shkak se refuzon t’ia dorëzojë mandatin e deputetit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 09:50

Bosnje – Shoqata “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës”, kanë dërguar një letër të hapur kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremicit dhe nënës së tij, Sena, për shkak të skandalit që e ka shkaktuar me organizimin dhe ekzekutimin e këngës luftënxitëse “Marsh na Drinu” në ambientet e OKB-së. “Jemi të indinjuara se ju zotëri Vuk, si bir i nënës Sena dhe nip i Sadetes dhe Sherifit, në selinë e organizatës më të madhe botërore, propagandoni fashizëm serb, në atë mënyrë duke sjellë korin dhe orkestrën që ekzekuton marshin serb”, u theksua në letër.

Shoqata “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës”, kanë dërguar një letër të hapur kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremicit dhe nënës së tij, Sena, për shkak të skandalit që e ka shkaktuar me organizimin dhe ekzekutimin e këngës luftënxitëse “Marsh na Drinu”, në koncertin e mbajtur në ambientet e Kombeve të Bashkuara në New York, me rastin e festës së Vitit të Ri serb.

”Ne nënat, gratë, bijat dhe motrat e 10.000 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, që i vranë gjakpirësit serbë pikërisht nën tingujt e këngës “Marsh na Drinu, jemi të indinjuara se ju zotëri Vuk, si bir i nënës Sena dhe nip i Sadetes dhe Sherifit, në selinë e organizatës më të madhe botërore, propagandoni fashizëm serb, në atë mënyrë duke sjellë korin dhe orkestrën që ekzekuton marshin serb, nën tingujt e së cilit që nga Lufta e Parë Botërore derdhet gjaku i myslimanëve nga kjo anë e lumit Drina. Kompleksin që keni ju për shkak të prejardhjes tuaj sepse jeni me prejardhje mysliman dhe për shkak të të cilit dëshironi të bëheni ma serb se patriku, mos tentoni ta shëroni dhe ta mjekoni mbi viktimat tona, mbi të vdekurit tanë, që u vranë bashkëkombësit tuaj serbë vetëm e vetëm pse ishin mysliman. Mos na shkaktoni dhimbje shtesë neve të mbijetuarve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”, i shkruan nënat e Srebrenicës kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në letrën e hapur, që e transmetoi Agjencia “Anadolia”.

Shoqata “Nënat e enklavës së Srebrenicës dhe Zhepës”, përkujton Jeremicin se Serbia, me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është shpallur fajtore dhe përgjegjëse për mos-pengimin dhe parandalimin e gjenocidit, ndërsa ushtria dhe policia e entitetit serb për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në kryerjen e këtij gjenocidi mbi popullatën e pafajshme boshnjake.

“Që më 1914, “Marsh na Drinu” është simbol vdekjeje për boshnjakët e Porinjës, , ndërsa për radikalët serb (pjesëtarët e forcave paramilitare të Sheshelit), në të dy anët e lumit Drina është këngë e preferuar. Kombet e Bashkuara, me Asamblenë e Përgjithshme të së cilës ju kryesoni, kanë shprehur dhe dërguar një ndjesë për shkak të ekzekutimit të këngës “Marsh na Drinu”, duke sqaruar se Kombet e Bashkuara janë koshiente se ndjenjat e disa njerëzve janë prekur e lënduar me ekzekutimin e kësaj këngë luftarake (luftënxitëse)”, theksohet në letër.

Nënat e Srebrenicës në letrën e tyre pyesin Jeremicin se a është i vetëdijshëm se ka fyer boshnjakët me atë që e ka sjellë në OKB këngën “Marsh na Drinu”.

Letër të ndarë përplot emocione ato i kanë dërguar edhe nënës së Vuk Jeremicit, Sena Jeremic, duke e porositur se biri i saj ka prekur thellë ndjenjat dhe plagët akoma të pashëruara e të freskëta të nënave, motrave, grave dhe bijave të gjenocidit në Srebrenicë, që i kanë lënë pa të afërmit e tyre.

“Zonja Jeremic, me “Marsh na Drinu” djali juaj ka pirë gota vere në një atmosferë solemne, ndërsa fëmijët tanë duke dëgjuar këtë këngë, janë lutur për jetën e tyre, janë lutur tu falet jeta dhe kanë kërkuar shkas që të mbeten gjallë në këtë botë qoftë edhe për disa çaste. Mendojmë se na kuptoni si nënë. Mos u hidhëroni për shkak të kësaj letre të hapur, bëhuni fatlume. Sepse, ne jemi mijëra nënë në këtë botë që do të jepnin gjithçka nga vetja në këtë botë, nëse na ankohet një nënë tjetër për djalin e sajë. Lyeni me ngjyrë dhe erë trëndafili dhe ta keni shëndosh e mirë djalin tuaj”, shkruan Nënat e Srebrenicës, në letrën dërguar nënës së Vuk Jeremicit, Sena Jeremic.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 17:34

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se çështja e karriges për Kosovën në Kombet e Bashkuara është e tejdimensionuar dhe asnjëherë nuk është përmendur në bisedimet Beogard – Prishtinë.

“Çështjen e karriges së Kosovës në OKB e vendos pushteti në Prishtinë, pasi e dinë se procesi i pavarësisë pa këtë nuk është rrumbullaksuar”, tha Daçiq sot në qytetin Vërshac, dhe shtoi se “kjo çështje nuk mund të zgjidhet, nëse nuk diskutohet për pakon e tërë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.

Daçiq tha se “tash për tash, kjo temë nuk është përmendur në asnjë bisedë”.

Sipas tij, Serbia nuk është e gatsme të bisedoj për këtë temë “kalimthi” dhe se për Serbinë është e papranueshme që ajo të paraqitet në atë formë.

“Ne qëndrimin për Kosovën nuk do ta ndryshojmë”, tha Daçiq, dhe shpjegoi se “kjo është e vetmja gjë që Kosova nuk mund ta fitoj, ndërsa, me shumë gjasë, të gjitha të tjerat mund t’i fitojë” dhe Serbia nuk mund ta pengojë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 18 January 2013 16:17

SHBA – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun kërkoi ndjesë për këngën nacionaliste serbe të vendosur në sfond me rastin e marrjes së kryesimit të Asamblesë së Përgjithshme nga Vuk Jeremiç, ish-ministri i Jashtëm serb që fitoi në zgjedhje përballë rivalit letonez.

“Kombet e Bashkuara nuk ishin në dijeni për domethënien e këngës tek disa persona. Zoti Ban Ki Mun shpreh keqardhjen e tij të sinqertë për këtë gjë dhe sqaron se nuk ishte në dijeni se përse bëhej fjalë në këngë”, thuhet në deklaratën e lëshuar të enjten nga Martin Nesirky, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Incidenti lidhet me marrjen e detyrës së Vuk Jeremiç si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit të kaluar. Gjatë ceremonisë, në sfond u vendos kënga serbe “Mars na Drini (Marshi drejt Drinit), i njohur si himni i forcave serbe gjatë marshimit drejt qyteteve boshnjake.

Ndjesa mbërriti pas reagimeve nga politikanë dhe opinioni publik boshnjak që e cilësuan këtë një “provokim të rëndë që përdhos kujtimin e viktimave të genocidit serb”.

Megjithatë, pavarësisht ndjesës, mbetet ende e paqartë se si në një organizëm ndërkombëtar i shpëtoi censurës një këngë me përmbajtje të forta nacionaliste serbo-madhe. (T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 19:25

Beograd – Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të marrë pjesë në debatet e sesionit të 67-të të Asamblesë.

“Mendoni se do të lejonim dikë të marrë pjesë në debat, duke mos pasur të drejtë për të”, ka thënë Jeremiq për mediat serbe.

I pyetur nëse do të ketë diskutime rreth Kosovës, Jeremiq ka thënë se “Serbia do të jetë 12 muaj në krye të këtij mekanizmi” dhe “mund të diskutohet edhe për gjëra që nuk janë në rendin e ditës”.

Debati i përgjithshëm i sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të hapet të martën nga Jeremiqi.

Një delegacion i Kosovës, i udhëhequr nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, ndodhet në Nju Jork për të përcjellë punimet e Asamblesë në fjalë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 24 July 2012 08:10

Beograd – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka theksuar në Beograd rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e zgjidhjes me anë të kompromisit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka theksuar se të dy palët duhet të përparojnë më tutje me anë të dialogut në mënyrë që të avancohet jeta e njerëzve të zakonshëm dhe që bashkërisht të ecet drejtë të ardhmes evropiane të cilën e synojnë.

Ban Ki-moon në kuadër të turneut nëpër vendet e rajonit në vizitën vet të parë në Serbi, ka theksuar se për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi esenciale promovimi i bashkëpunimit dhe pajtimit dhe i zgjidhjes së problemeve me anë të dialogut. “Kjo është me një rëndësi esenciale dhe parakusht në mënyrë që rajoni të shkonte drejtë Bashkimit Evropian. OKB është e përcaktuar për mbështetje rajonit”, ka deklaruar Ban, pas takimit me shefin e diplomacisë serbe në largim dhe kryesues i ri i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq.

Ban ka rikujtuar se para 20 vitesh ky ka qenë rajon i konflikteve, kurse sot po fokusohet në të ardhmen, kurse Jeremiq rikujtoj se Serbia para 20 vitesh ka qenë e përjashtuar nga OKB-ja kurse sot e kryeson Asamblenë e Përgjithshme, duke shtuar se “një periudhë e rëndë ka përfunduar dhe Serbia tash e kryeson trupin nga i cili është përjashtuar duka shtuar se do ta justifikojmë besimin që na është dhënë”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka shprehur kënaqësi për zgjedhjen e Jeremiqit në postin e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme, duke shtuar se kjo është përgjegjësi e madhe. “Jeremiqi në atë postë duhet të merret me çështjet me rëndësi globale dhe unë besoj se ai do të jetë në gjendje të përgjigjet në këto sfida globale”, ka rekomanduar Ban.

Ai ka vu në dukje se në këtë kontekst do të jetë me rëndësi të ngrihet mbi interesat kombëtare dhe ka rekomanduar se Jeremiq mund të llogaris mbështetjen e fuqishme të KB. Mirëpo Ban nuk e për mbushi premtimin e tij se pas takimit me Jeremiqin do ta komentoj deklaratën e tij se “Kosova mund të hyjë në KB vetëm mbi te të vdekur”, ashtu siç pat deklaruar para dy ditësh në Zagreb.

Ministri, Vuk Jeremiq ka deklaruar se Kosova është në përbërje të Serbisë edhe me Kushtetutë edhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, kurse gjatë kryesimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të sillet në harmoni me rregullat dhe procedurat e kësaj organizate.

Pas takimit me sekretarin Ban Ki-moon, Jeremiq duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse është bërë fjalë mbi aspiratat që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së është përgjigjur se pret nga të gjithë faktorët ndërkombëtar ta respektojnë “nëse jo Kushtetutën e Serbisë atëherë Rezolutën 1244”. “Kur është fjala për anëtarësimin e territorit rreth të cilit ekzistojnë mospajtime, ato rregulla nuk janë sa duhet të volitshme për territoret secesioniste, e sidomos për territoret që janë nën mandatin e OKB-së sikurse është rasti i Kosovës”, ka thënë Jeremiq dhe ka përsëritur se Serbia do të sillet në harmoni me ato rregulla.

“Lufta për mbrojtjen e tërësisë territoriale është detyrim yni kushtetues, politik, moral e historik të cilin, jam i bindur, do ta vazhdojë edhe qeveria e ardhshme” ka deklaruar Jeremiq. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 22 July 2012 14:40

Kroaci – Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, tha se deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë në largim, Vuk Jeremiq, për Kosovën, është “ndoshta e pamatur”, duke pasur parasysh funksionin e tij të kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ai u shpreh se qëndrimi i Kroacisë ndaj Kosovës është i definuar me faktin se Kroacia e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne dëshirojmë raporte të mira me të gjitha vendet në rajon dhe përpiqemi që marrëdhënie të tilla të ndërtojmë edhe me Serbinë”, tha Josipoviq dhe shtoi se “deklarata e Vuk Jeremiqit si ministër, ishte e pritur, sepse e tillë është politika e Serbisë ndaj Kosovës”.

Këto komente zoti Josipoviq i bëri mbrëmjen e së shtunës pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në Brione.

Zyrtari i lartë i OKB-së tha se deklaratën e Jeremiqit për Kosovën do ta komentoj pas bisedimeve me zyrtarët në Beograd.

“Statusi i Kosovës është i rregulluar në kuadër të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa deklaratën e Jeremiqit do ta komentoj gjatë vizitës në Serbi, pasi të bisedoj me të”, tha Ban Ki-moon.

Vuk Jeremiq, që është zgjedhur kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pati thënë se Kosova në OKB mund të hyjë vetëm nëse ai është i vdekur. (LajmeShqip.com)

12