Lajme Shqip Friday, 29 November 2013 13:08

Prishtine- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi as këtë vit nuk e ka gjetur ‘çelësin’ e Kullës së Jasharëve. Ai të enjten ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, mirëpo nuk është ndalur në Odën e Jasharëve, ashtu siç kanë vepruar shumica e liderëve të partive politike në vend, të cilët pas homazheve te varri i komandantit legjendar Adem Jashari kanë vizituar Odën e Jasharëve, shkruan gazeta Tribuna.

Në fakt, kryeministri Thaçi ka kohë që i ka ndalë vizitat në Odën e kësaj familjeje për shkak të raporteve gjithnjë e më të ftohta me pasardhësit familjes, sinonim i luftës dhe rezistencës së popullit të Kosovës. Kjo ftohje e raporteve thuhet se ka ndodhur për shkak të mospajtimit që familja Jashari ka rreth zhvillimeve politike në vend.

Përfaqësuesi i familjes, Murat Jashari, në një intervistë të mëhershme për gazetën, i pyetur për marrëdhëniet me kryeministrin, pati thënë se Thaçi i ka humbur çelësat për të hyrë në familjen Jashari. Pavarësisht se nuk e ka vizituar familjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, kryeministri Thaçi, pasi ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ka deklaruar se sakrifica e familjes Jashari ia solli lirinë Kosovës.