Lajme Shqip Monday, 26 November 2012 15:44

Prekaz – Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vizituar sot Kompleksin Memorial ”Adem Jashari” në Prekaz dhe ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.

Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi tha se zhvillimet e fundshekullit të kaluar në Kosovë, janë rezultat i përpjekjeve 100-vjeçare të gjeneratave të ndryshme, sukses ky i sublimuar falë formimit të lëvizjes kulmore ushtarake çlirimtare të popullit shqiptar, të udhëhequr nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

Kryetari Krasniqi tha se i gjithë kombi shqiptar, e në mënyrë të veçantë pjesa e shqiptarëve të Kosovës, po e feston 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe falë kësaj sakrifice të madhe që është bërë në këto troje, për lirinë e të gjithë shqiptarëve të kësaj hapësire, e jo vetëm të saj. Prandaj, shtoi Krasniqi, kjo është një ngjarje që na bën të ndihemi krenarë për lavdinë e brezave.

“Vijmë këtu për t’i nderuar, për t’i kujtuar dhe për t’i falënderuar ata që na mundësuan që 100-vjetorin e pavarësisë ta festojmë të lirë, të pavarur dhe sovran në trojet tona”, u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Pas homazheve, kryetari Krasniqi vizitoi edhe familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari i saj, Rifat Jashari.

Kryetari i Kuvendit, gjithashtu, mori pjesë edhe në manifestimin që u organizua me rastin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.(K.P)

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 17:48

Prekaz – Aktivitetet për nder të shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, tashmë kanë filluar. Mirëpo një aktivitet i radhës dhe mjaft atraktiv, është edhe udhëtimi i një grup kalorësish, të cilët me veshje kombëtare nisën udhëtimin për në vendin historik, Vlorën e Ismail Qemajlit, nga Kulla e Jasharajve në Prekaz. Ky udhëtim parashihet të zgjatë tetë ditë, ku kalorësit do të rrugëtojnë nëpër shtigjet të cilat i kanë kaluar Isa Boletini me delegatët nga Kosova, para 100 vitesh, me destinacionin e fundit Vlorën më 28 Nëntor.

Grupi do të ketë disa ndalesa nëpër disa nga vendet historike të trojeve shqiptare dhe do ta shpalos kohë pas kohe edhe flamurin kombëtar gjigant me 3050.95 m. gjatësi. Njëri nga kalorësit është edhe përfaqësuesi i HIB Petrol – Hotel Emerald. Ky udhëtim ishte ide e Enver Raqës, Hysni Sadikajt, Artan Mjekiqit, Jeton Gashit, Agron Ivanit dhe Fatmira Gjonin, e në bashkëpunim me Shoqatën e Turizmit Alternativ të Kosovës dhe të disa sponzorëve. Me rastin e këtij manifestimi, HIB Petrol Corporata, se bashku me njësinë e saj Emerald Hotelin, ka sponzoruar shpenzimet e udhëtimit të kalorësve si dhe blerjen e batanijeve për kuaj. Në këtë event, janë ftuar edhe 50 fëmije nga SOS Kinderdorf, të cilët janë sjell në Prekaz me ndihmën e autobusit të hotelit Emerald.

 
Lajme Shqip Tuesday, 20 November 2012 16:22

SHKUP- Shtatorja e ngritur e Adem Jasharit në fshatin Radushë të Sarajit të Shkupit ka nxitur debate në mediat maqedonase.

Mediat maqedonase kanë raportuar se shtatorja e Adem Jasharit paraqet një provokim, pasi ajo është vendosur në një tank të Armatës së Maqedonisë, të mbetur nga konflikti i vitit 2001.

Sipas mediave maqedonase, vendosja e këtij busti është një provokim, pasi që në ceremoninë e vendosjes së tij kanë marrë pjesë personalitete të larta qeveritare të udhëhequr nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkohë, vendosja e kësaj përmendoreje ka nxitur edhe debate nga analistët shqiptarë, të cilët kanë shprehur reagimet e tyre lidhur me ngritjen e kësaj shtatore në fshatin Radushë dhe jo në Shkup, si dhe rreth formatit të kësaj shtatoreje. (Ina)

 
Lajme Shqip Friday, 31 August 2012 14:29

Prekaz (PLOTESUAR 31 GUSHT, 15:30)– Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vizituar sot Familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, në Prekaz. Ai është pritur nga Rifat Jashari. Me ta përfunduar bisedën në kullë, për media presidenti Nishani ka deklaruar: “Është emocionale të shohim se si sakrificat e mëdha dhe sublime që u bënë nga komandant Adem Jashari, nga të gjithë luftëtarët që ranë për liri, sot janë kthyer në një realitet, i cili na motivon për të ecur të gjithë përpara nga e ardhmja dhe nga zhvillimi”.

Murat Jashari, ndërkaq, tha se ishte ndjenjë e veçantë që te kemi mysafir presidentin e Shqipërisë në 100 vjetorin e shpalljes se pavarësisë. “Kërkuam qe në këtë 100 vjetor shqiptarët të jenë më stabil politikisht, më të qëndrueshëm ekonomikisht dhe që t’iu kthehemi vlerave tona dhe vetvetes, sepse duke u kthyer në bazament ecja jonë do të jetë më e sigurt”, tha Jashari.

Ai në fund ka porositur shqiptarët kudo që janë, që në ketë 100 vjetor  dhe ne të bëjmë vepra kapitale, në mënyrë që brezat që vijnë të na kujtojnë edhe neve, ashtu siç ne i kujtojmë brezat e mëparshëm. (LajmeShqip.com)

*************************************************

Prishtinë – Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në ditën e dytë të vizitës në Kosovës ka mbajtur një ligjëratë në një Universitetin AAB, në të një vend të rëndësishëm zuri reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi si një nga betejat më vitale që duhet të fitohet me çdo kusht.

“Beteja për drejtësi më vitale që duhet ta fitojmë me çdo kusht, institucionet e Drejtësisë sa më shumë të mbetet të pavarura aq më shumë objektive do jenë”- theksoi në fjalën e tij Presidenti shqiptar.

Nishani vlerësoi përpjekjet e rilindasve shqiptarë në ringjallen e shtetit shqiptar në 100 vjet, ndërsa shprehu nevojën për formimin e arsimit me standarde evropiane, i cili i shërben dijes, rritjes së standardit të jetesës dhe mirëqenies, nëpërmjet modernizimit, dixhitalizimit dhe kërkimit shkencor.

“Jetojmë në kohë globale dhe është e domosdoshme të kapim kohën globale të dijes, të formojnë arsimin me standarde evropiane. Për të qenë kompetitivë në botën e dijes ju jeni më të vetëdijshëm për sfidat që dija dhe shkenca duhet të përballojë për të përgatitur mësues që ta bëjnë Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë shqiptarët konkurrues anembanë botës”-vijoi presidenti Nishani i cili shtoi se niveli i zhvillimit shkencor përcakton zhvillimin e një vendi.

Duke iu referuar bashkëpunimit mes dy vendeve Nishani tha se infrastruktura moderne që kemi ndërtuar lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të bashkëpunimit intensiv në të gjitha fushat. Për këtë ai iu referua Rrugës së Kombit në sajë të së cilës është rritur 11 herë qarkullimi i njerëzve dhe 5 herë qarkullimi i mallrave, duke krijuar unifikim të tregut.

“Ka ende shumë vend për rritjen, zgjerimin dhe intensifikim e shkëmbimeve tregtare, krijimin e tregut energjetik, unifikim i teksteve shkollore. Shkëmbi tregtar 140 milionë euro në vit është ende i ulët”- vijoi ai.

Një vend të rëndësishëm gjatë ligjëratës së kreut të shtetit shqiptar zuri edhe procesi integrues rajonal, ku sipas tij shqiptarët duhet të shohin nga e ardhmja dhe do jenë të bashkuar një ditë në BE.

“Pa harruar të shkuarën, duke falur ne shohim drejt të ardhmes duke respektuar e mos harruar dhimbjet e të shkuarës dhe rruga e vetme pa alternativë janë fqinjët me të cilët na ndan e shkuara, po na bashkon e ardhmja. Dialogu mbete arma më e fuqishme për të luftuar për të ardhmen tonë. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm, e cila është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan”-nënvizoi Nishani.

Ai tha se çështja e statusit është e mbyllur dhe se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës, ndërsa çdo tentativë për hapjen e tyre kthen kohën mbrapa dhe cenon të ardhmen. Sipas tij vendimi i GND hapi kapitullin e shtetit të Kosovës sovrane dhe të pavarur.

Gjithashtu Nishani u shpreh se Shqipëria ka një politikë të jashtme të balancuar në shërbim të paqes dhe stabiliteti në rajon.

Thaçi pret Nishanin: Bashkëpunimin ekonomik

Zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, bashkëpunimi ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe procesi i integrimit evropian të dy vendeve kanë qenë temat në fokus të takimit mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa po qëndron në Kosovë, në vizitën e tij të parë në këtë cilësi, gjatë takimit më Thaçin, Nishani ka theksuar se, forcimi i marrëdhënieve të gjithanshme ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë është në interes strategjik të të dyja vendeve.

Në të njëjtën linjë, kryeministri Thaçi theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe do të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët, duke u fokusuar në bashkëpunimin ekonomik.

“Suksesi i Kosovës në këto 4 vite e gjysmë të shtetësisë së saj është meritë e përkushtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, i unitetit politik dhe qytetar për të çuar përpara proceset zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, prioritet kryesor vazhdon të mbetet përshpejtimi i agjendës së integrimit të Kosovës në BE dhe në NATO – theksoi kryeministri Thaçi.

Gjatë takimit, kryeministri Thaçi i ka bërë një ekspoze të të arriturave të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë deri në periudhën e tanishme, kur edhe zyrtarisht po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 17:46

Prishtinë – Në ditën e parë të regjistrimit, anëtarë të Komisionit Komunal për regjistrim në Skenderaj, regjistrues e kontrollorë e kanë nisur punën e tyre me familjen Jashari në Prekaz, të cilët janë pritur nga Murat Jashari.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, shprehu mendimin se procesi i regjistrimit është shumë i rëndësishëm kur dihet fakti se nga viti 1981 nuk ka pasur regjistrim të popullsisë dhe të ekonomive familjare.

“Dihet se gjatë gjithë këtyre viteve e sidomos gjatë viteve të 90 dhe deri pasluftës, janë bërë shumë lëvizje të qytetarëve, qoftë në mërgatë apo edhe nëpër vende të ndryshme. Ka ndodhur edhe lufta dhe shkatërrimet e saj, andaj regjistrimi është jetik për rifillimin e një jete të re, për rifillimin e një shteti të ri”, ka thënë Jashari, duke shtuar se është e rëndësishme të dihet saktë numri i qytetarëve dhe ekonomive familjare.

Ai ka uruar që ky proces i rëndësishëm të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

 

Një ndër familjet e para që ua ka hapur dyert regjistruesve të popullsisë në komunën e Deçanit është edhe ajo Haradinaj, në Gllogjan. Kryefamiljari Hilmi Haradinaj, duke i mirëpritur regjistruesit, ka thënë se kanë pritur shumë mirë këtë proces të rëndësishëm për vendin.

“Pas pavarësisë së vendit, kjo është ngjarja e dytë më e rëndësishme për Kosovën, ngase pas tri deceniesh do të dihet për numrin e sakët të popullsisë dhe nivelin e zhvillimit”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kreu i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.