Lajme Shqip Thursday, 24 April 2014 11:49

U komentua nga mediat e gjithë Europës thënia e pak muajve më parë të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi në lidhje me Adnan Januzajn.

“Unë dhe drejtuesit e federatës kemi bërë të pamundurën për ta kontaktuar, por problem është babai i tij, i cili nuk kthen qoftë edhe një përgjigje normale. Për batutë, më kollaj më duket të lidhem me Papa Françeskun sesa me Abedin Januzajn. Nuk e di se çfarë do të bëhet, por në lojë janë futur tashmë edhe Turqia, Belgjika dhe Anglia. Ne nuk kemi pasur asnjë kontakt, ndaj nuk di të them nëse duhet të kemi shpresa se ai mund të luajë për ne apo jo”, deklaronte javë më parë De Biasi.

Dhe në fakt, tekniku ka pasur të drejtë, pasi konfirmimi erdhi ditën e djeshme teksa Januzaj zgjodhi kombëtaren e Belgjikës. I pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me këtë zgjedhje, De Biazi deklaroi: “Zgjedhje logjike për atë, duke qenë se është lindur në atë vend. Të vjen keq për faktin se nuk ishte i qartë që në fillim. Ushqeushpresa false ose ishte shumë i paqartë në atë çfarë donte. Gjithsesi, qëndron ende fakti që i ati nuk iu përgjigj qoftë edhe një mesazhi dhe ca më pak telefonatave. Dhe kjo e fundit nuk ka nevojë për asnjë koment”, është shprehur italiani.

Tekniku i kishte shkruar edhe një letër babait të Adnan Januzajt, duke i kërkuar një takim, por ky i fundit nuk ktheu asnjë përgjigje. Por, nuk duhet harruar se për të sjellë Januzajn te Shqipëria u investua edhe zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili deklaroi se kishte nisur “sulmin” për ta bindur talentin shqiptar që të vishej kuqezi, por kjo nuk u realizua.