Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 14:29

ELBASAN – Kisha Ortodokse e Pavarur Kombëtare Shqiptare bëri të ditur sot se Kisha Ortodokse kërkon ndryshimin e Kushtetutës shqiptare. Sipas Kishës Ortodokse të Pavarur, këshilli i i së cilës drejtohet nga At Nikolla Marku, ndryshimi do të bëhet në kapitullin ku sanksionohet besimi fetar.

“Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare, kërkon ndryshimin e kushtetutës në kapitullin ku sanksionohen besimi fetar dhe të drejtat e ushtrimit të tij në Shqipëri. Komunitetet fetare nuk mund të bëjnë marrëveshje me qeverinë, kur në krye të komuniteteve mund të jenë partner të huaj apo subjekte jashtë kombit Shqiptar”.

At Nikolla Marku bën thirrje që besimtarët të bojkotojnë cdo ceremoni fetare apo meshë ku flitet greqisht, ndërsa politikanët ta bojkotojnë Janullatosin më meshën për Pashkët Ortodokse.

“Besimtaret ortodoks shqiptar, të bojkotojnë cdo ceremoni fetare apo meshë ku flitet në greqisht, përjashtuar fshatrat me popullsi minoritare greke jo autoktone. Drejtues të shtetit, si dhe deputetë e drejtues partish, t’a bojkotojnë Anastas Janullatosin në kremtimin e Pashkëve Ortodokse me 5 Maj 2013. Anastas Janullatos është shovinist grek, në shërbim të antishqiptarëve në të kaluarën si Sebastionos, Napolon Zerve dhe tani Agimit te zi, Grek. Duhet ta dinë të gjithë këta përfaqësues të popullit, në nivele të ndryshe se, Anastasi përdor në dëm të kombit shqiptar, fenë, ekonominë dhe politikën, pavarësisht se Janullatos është në grahmën e tij të fundit ku perendia i ka caktuar edhe vendin e prehjes në Greqi”.

Madje më tej, At Nikolla Marku propozon që Janullatos ti hiqen gjithë nderimet e bëra nga krerët shqiptarë.
“Anastas Janullatosit ti hiqen titujt qe ka dhene zoti Topi president dhe Edi Rama ish kryetar bashkie Tirane. Keto tituj u takojne shqiptareve dhe jo grekeve antishqiptare.
Kisha Serbe, te ndale thirrjet e saja drejtuar shtetit Serb me date 6 prill 2013 per te mos njohur pavarsine e Kosoves. Veprimet e kishes Serbe, jane veprime luftnxitese ne Ballkan dhe sidomos ndaj kombit Shqiptar”.

Në vëmendje të Kishës Ortodokse të Pavarur nuk ka mbetur dhe rezoluta came.
“Veprimi i deputetit Dule ne komisionin e jashtem parlamentar, ku shqyrtohej rezoluta per shqiptaret e Camerise, ishte i qarte ne favor te genocidit Grek ndaj shqiptareve te Camerise. Bijte dhe bijat e kombit Shqiptar nuk jane rrugace. Rrugac dhe i shitur tek armiqte e kombit Shqiptar eshte vete Dulja me papune e tije Janullatos dhe dallkaukun Vasil Bollano. Per veprimin e fundit te Dules dhe disa anti shqiptare ne te kaluaren, Kisha Ortodokse Kombetare Shqiptare e ckisheron, deri ne reformimin e shpirtit te tije ne dobi te shtetit ku jeton”.(Lajmeshqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 14:47

Tirane – Gjatë meshës së fundit të mbajtur në Katedralen “Ringjallja” në Tiranë, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas iu përgjigj sulmeve që sipas tij po kryhen mbi Kishën Ortodokse. Sipas kryepeshkopit, është një listë e gjatë e emrave të atyre që sulmojnë Kishën, me mënyra nga më të ndryshmet.

Ai vërejti se metodat e sulmeve që i bëheshin Kishës Ortodokse në kohën e persekucionit të madh, nuk janë harruar, edhe pse në vend ka demokraci. 

Kryepeshkopi Anastas përmendi trajtimin që i është bërë Kishës dhe klerikëve të saj nga arti, si edhe përpjekjet për të paraqitur si klerik ortodoks shqiptar, një njeri që sipas tij nuk është klerik dhe nuk njihet nga asnjë kishë. 

“Kohët e fundit sulmuan Kishën Ortodokse nën maskën e artit; u përpoqën të bëjnë qesharakë jo vetëm klerikë priftërinj, por edhe shenjtorë. Më parë një regjisor bëri një film me gënjeshtra dhe e transmetoi edhe jashtë vendit, gjoja për të nderuar vendin tonë dhe pa që kishte reagim të qartë të ortodoksëve, edhe nga Korça edhe nga Berati. A thua se Shqipëria nuk ka probleme si droga, korrupsioni, vjedhjet e trafiku, që arti i tyre të merret me Kishën Ortodokse…”, u shpreh ai. 

“Eshtë edhe një plan tjetër, të cilin duan ta çojnë përpara”, vijoi kryepeshkopi, “të nxjerrin si shembull të klerikut ortodoks shqiptar, një person që nuk është as klerik dhe as me dinjitet. Asnjë Kishë në botë nuk e pranon atë si klerik”. Ai theksoi se fakti që njerëz që nuk kanë idenë nga Kisha ortodokse bëjnë leksione të së drejtës kanonike, nuk fyen Kishën, por fyen aftësinë e të kuptuarit të popullit shqiptar.

Anastas tërhoqi vëmendjen se po shkatërrohet harmonia fetare në Shqipëri. “Dhuratën më të madhe në Shqipëri duan ta shkatërrojnë, dhe këtu e kam fjalën për harmoninë ndërfetare. S’mund të ketë harmoni fetare, kur persona të feve të tjera sulmojnë Kishën Ortodokse”, tha Janullatos.

Në përfundim të fjalës së tij Janullatos u shpreh se Kisha nuk trembet nga sulmet. “Le ta mësojnë të gjithë; nuk kemi frikë. Nuk do lemë që shenjtorët t’i shkelin me këmbë, se kështu shkelin të ardhmen e vetë Shqipërisë. Ne që besojmë, e dimë se me Perëndinë nuk tallet njeri dhe nuk e vë askush në lojë”, tha kryepeshkopi.

“Vëllezër, me qetësi dhe gjakftohtësi vazhdojmë të themi të vërtetën. E gjithë shoqëria e di se Kisha është punishte e ndershmërisë, e së vërtetës dhe e dashurisë. Sado që të duan të mbulojnë të vërtetën, ajo ka mënyrat e saj që të shfaqet dhe të shkëlqejë. Duhet të jemi të gjithë pohues dhe rrëfyes të së vërtetës. Nuk është thjesht detyrim, por është nderi ynë ta mbrojmë këtë të vërtetë”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e Kryepeshkopit Anastas

“Në vitet e persekucionit të madh ishte një metodë konkrete, që donte ta bënte fenë qesharake dhe që t’i drejtonte njerëzit të jetonin jashtë kishës. Ishte përpjekja për të paraqitur priftërinjtë si njerëz jomoralë, apo që nuk janë patriotë, siç ishin ata, që në të vërtetë shkatërruan Shqipërinë dhe e çuan në fund të Evropës në shumë drejtime. Kishim shpresë se me ardhjen e demokracisë metodat e vjetra do të harroheshin. Por të gjithë e dimë se s’u bë revolucion që në këtë vend të vinte demokracia dhe shumë nga protagonistët e dikurshëm, kanë edhe sot fuqi, para, mjete televizione, që ata shprehen. 

Pamë kohët e fundit se këta ranë dakord të sulmojnë Kishën Ortodokse nën maskën e artit; u përpoqën të bëjnë qesharakë, jo vetëm klerikë priftërinj, por edhe shenjtorë. Edhe Hoxha kishte respekt për Shën Kozmain, por gjoja-patriotët e ditëve të sotme duan të bëjnë qesharakë edhe shenjtorët. Njerëz të komuniteteve të tjera fetare, duke pasur traditë familjare të tillë, gjoja përpiqen të mbrojnë Kishën Ortodokse. Meqë këtë e bëjnë në mënyra të shumëllojshme, ne nuk besojmë se ata bëjnë pjesë në ndonjë komunitet fetar, por ngelen ateistë. Kanë bërë një gabim; nuk jemi në kohën e persekucionit kur ne ortodoksët kishim frikë se na çonin në burg apo internime. Jemi të lirë në demokraci, kemi forcën e votës sonë dhe kemi miliona miq në botë që kanë influencë. 

Ajo që është dhuratë e madhe në Shqipëri duan ta shkatërrojnë, dhe këtu e kam fjalën për harmoninë ndërfetare. Çfarë harmonie mund të kemi, kur persona të feve të tjera sulmojnë Kishën Ortodokse? Unë nuk njoh ndonjë ortodoks që shkroi apo sulmoi komunitetet e tjera fetare. Është bërë një listë e gjatë dhe nuk mund të përmendim as emrat e atyre që sulmojnë Kishën Ortodokse. Më parë një regjisor bëri një film me gënjeshtra dhe e transmetoi edhe jashtë vendit, gjoja për të nderuar vendin tonë dhe pa që kishte një reagim të qartë të ortodoksëve, edhe nga Korça, edhe nga Berati. A thua se Shqipëria nuk ka probleme si droga, korrupsioni, vjedhja, trafiku, mashtrimi që arti i tyre të merret me Kishën Ortodokse.

Është edhe një plan tjetër, që duan ta çojnë përpara; të nxjerrin si shembull të klerikut ortodoks shqiptar një person që nuk është as klerik, por as me dinjitet. Asnjë kishë në botë nuk e pranon atë si klerik, por ata që janë të feve të tjera përpiqen ta paraqesin si përfaqësues të Kishës Ortodokse. Njerëz që nuk kanë idenë nga Kisha Ortodokse na bëjnë leksione të së drejtës kanonike. Kjo nuk na fyen ne. Ata duan të fyejnë aftësinë e të kuptuarit të popullit shqiptar dhe vetveten, sepse duken se sa mendjevegjël janë ata vetë. Janë 42 persona, peshkopë, priftërinj, dhjakë, murgjër, që iu thonë këtyre personave që duan të na japin leksione, se nuk janë më pak inteligjentë dhe patriotë, se ata që na sulmojnë. 

Ne nuk kemi mjetet, gazetat, TV që të përgjigjemi. Shkruajnë ata diçka, ne përgjigjemi, ata nuk i botojnë reagimet tona. Ata iu bëjnë censurë shkrimeve tona, sepse janë të rinisë komuniste të viteve të kaluara. 

Ne disponojmë vetëm të vërtetën. Le ta mësojnë të gjithë: nuk kemi frikë fare. Të mos përpiqen të krijojnë fobira dhe as nuk do lëmë t’i shkelin me këmbë shenjtorët, se kështu ata shkelin të ardhmen e vetë Shqipërisë. Në fund, themi se këta persona nuk besojnë te perëndia. Ne që besojmë, e dimë se me Perëndinë nuk tallet njeri dhe nuk e vë askush në lojë. Ju lutem të gjithëve; të jemi të gjithë trima, të jemi pohues të së vërtetës. Të mos lejojmë njerëz të ndryshëm të vijnë në shtëpinë tonë e të na japin leksione. Vëllezër, me qetësi dhe gjakftohtësi vazhdojmë të themi të vërtetën. E gjithë shoqëria e di se kisha është punishte e ndershmërisë, e së vërtetës dhe e dashurisë. Sado që të duan të mbulojnë të vërtetën, ajo ka mënyrat e saj që të shfaqet dhe të shkëlqejë. Duhet të jemi të gjithë pohues dhe rrëfyes të së vërtetës. Nuk është thjesht detyrimi, por është nderi ynë ta mbrojmë këtë të vërtetë”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 19:18

ELBASAN- 11 priftërinj ortodoksë të Elbasanit kanë sulmuar sot, At Nikolla Markun, i cili është bërë i njohur edhe për mbarë opinionin publik nga kritikat e vazhdueshme që lëshon për Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Priftërinjtë ortodoksë elbasanas dhe besimtarë të kishës së “Shën Thanasit” akuzojnë At Nikolla Markun për uzurpim të Kishës ‘Shën Maria’, e cila është një monument kulture me vlera të jashtëzakonshme.

Klerikët kërkuan ndërhyrjen e strukturave shtetërore për mbrojtjen e kësaj kishe, e cila sipas tyre po shkatërrohet nga një prift jo i ligjshëm, si At Nikolla Marku. Sipas tyre, At Nikolla Marku kërkon të fshihet pas retorikave nacionaliste boshe.

I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i At Nikolla Markut i cili shprehet se është një klerik i respektuar, ndërsa reagimin e 11 priftërinjve të kishës së “Shën Thanasit” ia atribuon Janullatosit.

“Jam një klerik i respektuar dhe i ligjshëm që u shërbej me devotshmëri e dashuri besimtarëve. Nuk më vjen i papritur sulmi i fundit i cili duket qartë se ishte i mërëorganzuar dhe i dirigjuar nga plaku Anastas Janullatos. Ajo që më vjen keq është se ende nuk po e kuptojmë se përse po xhindoset kaq shumë dhe kaq keq plaku Janullatos. Ajo që dimë të gjithë për të si uzurpator i kishës ortodokse ai po e manifeston hapur në të gjitha aspektet së fundi. Plaku Janullatos gjithmonë nuk i ka reshtur përpjekjet për të çuar ujin në mullirin e armiqve të ortodoksëve shqiptarë. Si një klerik me reputacion do bëj të gjitha përpjekjet për të mos e lejuar plakun Janullatos të nëpërkëmbë ortodoksinë shqiptare”, thotë ai.

Marku shton më tej se ai është veshur prift nga Sinodi i Kishës Ortodokese të Maqedonisë, ndërsa shprehet se ka mbështetjen e të gjithë besimtarëve

“Jam veshur klerik në mënyrën më të ligjshme të mundshme nga Sinodi i Kishës Ortodokese të Maqedonisë dhe kam mbështetjen e të gjithë besimtarëve ortodoksë elbasanas dhe këtë besim të tyre nuk mund të zbehin akuzat e një atyre që përdor plaku i xhindosur Janullatos. Nisur nga deklaratat e bëra prej inaçorëve të këtij kalibri përfitoj nga rasti që ti bëj thirrje të hapur plakut Janullatos që të heqë dorë nga nxitja e urrejtjes dhe përçarjes mes vëllezërve ortodoksë sepse kjo do ketë pasoja të rënda për të dhe të gjithë ata që kanë marrë përsipër një mision të tillë të tij kaq banal dhe të paskrupult. Plaku Janullatos nuk mund të ketë kurrë shansin që të nxisë luftën fetare mes vëllezërve ortodoksë shqiptarë”, tha ai.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 02 January 2013 15:04

Athine – Me një artikull tepër fyes, acarues dhe urrejtje-ndjellës, në faqen zyrtare të partisë së tyre, neonazistët e Agimit të Artë, provokojnë edhe njëherë jo vetëm shqiptarët e thjeshtë, por në tërësi kombin shqiptar.

Duke u nisur nga kërkesa e Aleancës Kuq e Zi, që i ka kërkuar publikisht kryepeshkopit shqiptar Janullatos të largohet nga Shqipëria në mënyrë paqësore, ata i dalin në mbrojtje kreut të Kishës Autoqefale shqiptare, pavarësisht se feja dhe besimi ortodoks konsiderohen të vlefshme prej tyre, vetëm kur nuk bëhen pengesë për dogmën që ata përfaqësojnë.

Epitetet e shëmtuara, që mbjellin urrejtje, fillojnë që prej titullit të artikullit, i cili i cilëson shqiptarët si një komb kaçakësh të trembur e të leckosur, që po kërcënon kryepeshkopin Anastas, duke përfituar nga dobësitë dhe disfatizmi i qeverise së dordolecëve të Athinës, me kërkesa të pabaza dhe të egra për Çamërinë shqiptare.

Më pas, në artikull thuhet se kombi shqiptar është krijuar nga italianët dhe mbështetet sot nga faktori sionist amerikan. Shqipëria quhet prej tyre një mbeturinë e perandorisë osmane në tokën e lashtë greke të Ilirisë, ndërsa pohohet se Lëvizja e Nacionalistëve Grekë do të vendosë rendin, për sa u përket fqinjëve, që mburren me 100 vjet të historisë së tyre. Mjafton të teshtitet Greqia, që të heshtë dhe goja e shqiptarit të fundit në botë, thuhet shprehimisht në shkrim.

Sipas artikull-shkruesit, herën e fundit që ushtria greke çliroi Vorioepirin në 1940, nuk takoi asnjë ushtri shqiptare, por vetëm disa kaçakë në arrati, që ndiqnin nga pas ushtrinë italiane dhe që shquheshin veçse për dezertim dhe shmangie nga betejat, ndaj nacionalistët grekë kanë me se të mburren për të parët e tyre, kurse shqiptarët jo.

Duke përfunduar, shkrimi propagandistik nuk pranon që Agimi i Artë është parti simotër me Aleancën Kuq e Zi, ndërsa trumbeton me krenari se do të vijë koha që, me emocion dhe gëzim të veçantë, do të inagurohet krijimi i degëve të kësaj partie në Korçë, Himarë, Delvinë dhe Tepelenë, duke kënaqur, sipas anëtarëve të tij, kërkesën e helenizmit luftarak për Vorioepirin. (T.CH/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 15:43

TIRANË – Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë për Krishtlindjet. 

“Zoti i drejtoftë zemrat tuaja në durimin e Krishtit”, shprehet Janullatos, në mesazhin e tij. “Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar, ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Sigurisht, kur flasim për durimin e krishterë, nuk nënkuptojmë përballje pasive, një lloj qëndrimi stoik, një formë nirvane, heqje dorë nga përgjegjësitë dhe kërkesat e drejta, indiferencë për aksion social”, thuhet në mesazhin e tij.

Sipas Janullatus, durimi i krishterë nuk përbën dobësi karakteri. Përkundrazi, ngjason me fuqinë e frenave që mbron nga aksidentet, që garanton sigurinë e udhëtimit. “Me anë të durimit, njeriu përdor më mirë fuqitë e tij intelektuale dhe sentimentale. Durimi i bashkuar me këmbënguljen e paqtë, çel kalime në shumë rrugë pa krye: në marrëdhëniet familjare, në krizat e shëndetit, në vështirësi të ndryshme ekonomike, gjatë procesit të edukimit, në hulumtimin shkencor, në përpjekjet krijuese. E udhëheq njeriun drejt pjekurisë. Të gjitha sa nxirren në pah në këto ditë kremtuese, vëllezërit e mi, paqja, dashuria, shpresa dhe durimi që theksuam ditën e sotme, janë gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu siç ndërlidhen në trupin tonë organet jetësore, sistemi nervor, i qarkullimit të gjakut dhe ai muskulor. Secili ndërvaret, mbështet dhe fuqizon tjetrin. Pra durimi nuk është aspak i veçuar dhe autonom.

Ai ftoi të gjithë besimtarët t’i luten Zotit fort, në këto festa të Krishtlindjeve që të orientojë mendimet tona drejt kësaj forme durimi, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë edhe me zemrat tona. “Të na orientojë drejt “durimit të Krishtit” të paqtë, të fortë, rrezatues, të paepur. Dhe “dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë vitit të ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara”, thuhet në mesazhin e tij.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 23:15

Tiranë-Në një mesazh urimi Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos tha se, kremtimi i Pashkës i fton të gjithë në një lëvizje vetjake për të dalë nga korrupsioni, gënjeshtra, mashtrimi, fenomene që ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore.
“Çdo vit kremtojmë solemnisht dhe me entuziazëm të shenjtë, të kremten e të kremteve. Kjo e kremte ka si pikënisje eksodin historik të izraelitëve nga skllavërimi i gjatë në Egjipt drejt lirisë. Ky eksod u dha frymëzim, durim dhe shpresë edhe popujve të tjerë në kohë të vështira robërie, për të hedhur tej zgjedhën e huaj dhe për të shkuar drejt një realiteti të ri shoqëror e politik”.

Kryepeshkopi Anastas tha se, ne të krishterët, në vazhdën e 20 shekujve që kaluan, kremtojmë në çdo Pashkë kalimin vendimtar të gjinisë njerëzore “nga vdekja në jetë”, çlirimin nga mëkati.
“Në të kremten e Pashkës, Kisha jonë nuk na fton thjesht në një mallëngjim sipërfaqësor, që përkëdhel ndjenjën fetare, por në një dalje jetike: nga plogështia shpirtërore në vigjilencën e frymës. Duke kremtuar Pashkën, ftohemi në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati shumëformësh dhe shpesh i vështirë për t’u dalluar”, u shpreh Kryepeshkopi Anastas.
“Sipas terminologjisë së sotme kjo do të thotë dalje nga korrupsioni, gënjeshtra, mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore duke minuar kohezionin e popullit. Do të thotë zgjedhje e vendosur e së vërtetës dhe e ndershmërisë. Dalje nga indiferenca për hir të drejtësisë. Mobilizim që të mbizotërojë e drejta në ambientin tonë dhe më gjerë në shoqërinë tonë”, tha Kryepeskopi Anastas.
Pashka, vijoi ai, na fton gjithashtu të kalojmë nga egocentrizmi ynë në vëllazërim me të tjerët. Lodhja, mosbesimi, shija e hidhur e jetës sonë të përditshme na shtyjnë shpesh në egocentrizëm. Është detyrë urgjente dalja nga kulla “e unit”, që të takojmë të tjerët me mirëkuptim dhe respekt. “Pashka, le të përqafojmë me gëzim njëri – tjetrin”. T’u japim të tjerëve falje, dhembshuri dhe dashuri jo të shtirur. “Le t’i falim të gjitha në dritën e Ngjalljes”.
Në përshëndetjen “Gëzuar Pashkët”, që mbizotëron mes nesh gjatë këtyre ditëve, përmblidhet ftesa për një dalje shpëtimtare: Nga hipokrizia në të vërtetë dhe drejtësi. Nga izolimi i egocentrizmit tonë, në solidaritetin aktiv. Nga shkurajimi dhe frika, në shpresë dhe gëzim paqësor. Nga besimi i pakët, në besim të ndërgjegjshëm.
Pashka shkëlqimprurëse na fton për një dalje vendimtare nga ajo çka jemi në atë që Zoti i ngjallur dëshiron të bëhemi: njerëz që do të shijojmë dashurinë e Tij dhe do ta rrezatojmë atë. Gëzuar Pashkët, vëllezërit e mi! Krishti u Ngjall! (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 20:00

Tiranë-Besimtaret e krishterë në Shqipëri do të festojnë ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës dhe dashurisë njerëzore.

Besimtarë katolikë do të kremtojnë mesnatën duke u gdhirë 25 dhjetori, lindjen e Jezu Krishtit në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë.

Ndërkohë që një mesazh urimi për besimtarët katolike, është përcjellë sot nga Imzot Rrok Mirdita, i cili kërkoi nga njerëzit të kenë besim në Zot.

“Qofshin këto Krishtlindje një mundësi e gëzueshme për të gjithë njerëzit për të takuar Zotin e tyre të vërtetë, e për të përjetuar gëzimin e pafund që sjell ky takim! Uroj nga Zemra Krishtlindje të gëzuara e një vit të Ri plot me bekime!”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.

 Edhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri do të festojnë ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës dhe dashurisë njerëzore.

Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, përmes një deklarate në media, ka uruar sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri!

“Kapërcimi i të pamundurës nga ana njerëzore është mesazhi qendror i Krishtlindjeve dhe thirremi ta gëzojmë brenda realitetit të ashpër këtë përvjetor. Ne që vështrojmë me besim, birin dhe fjalën e Perëndisë të bërë njeri, e kemi se ai qëndron me ne dhe se shumë gjëra të pamundura nga ana njerëzore me fuqinë e Perëndisë bëhen të mundura. Vëllezër dhe motra të dashur, uroj që kjo bindje të fuqizohet brenda nesh gjatë kësaj periudhe festive, të na ngushëllojë e të na mbështesë në vitin që po vjen! Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri qoftë i mbushur plot me durim dhe paqe!”, tha kryepeshkopi Janullatos,  në mesazhin e tij të urimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 17:18

Tiranë – Filmi i regjisorit, Edmond Budina, “Ballkan Pazar”, që trajton në mënyrë ironike skandalin e zhvarrimeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ka ngjallur së fundi reagimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e cila e ka cilësuar atë si shpifje ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë.

“Ballkan Pazar” e pati premierën më 14 prill, ndërkohë që letra e Kishës Autoqefale, e zbuluar pak ditë më parë, mban datën 26 maj.

“Ky film është një shpifje e turpshme ndaj priftërinjve ortodoksë shqiptarë dhe për pasojë, fyerje e rëndë për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Filmi është në mënyrë ekstreme sarkastik, e duke kaluar çdo cak, i shfaq priftërinjtë si përdhosës varresh, matrapazë eshtrash njerëzore dhe familjet e tyre si imorale”, thuhet në letër.

Regjisori i filmit Budina, në reagimin e tij në një gazetë të përditshme, i ka krahasuar fjalët e klerikëve me ato të komisarëve komunist, ndërkohë që shprehet i kënaqur që ndër 145 firmat e klerikëve nuk ka qenë firma e Hirësisë së Tij, Anastas Janullatos. Kjo sipas Budinës tregon se, ka ditur të distancohet prej faktit që kjo është një vepër arti dhe jo një traktat politik.

“Ju e gjykoni një vepër arti, një film, ashtu sikundër gjykohej në periudhën e regjimit një vepër, propagandë e mirëfilltë”, është shprehur regjisori Budina.

Ky debat në lidhje me filmin “Ballkan Pazar” ka përfshirë disa artistë dhe intelektualë, ndër ta edhe shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili në një intervistë në një gazetë e cilësoi letrën e Kishës Autoqefale si një ndërhyrje të pastër të fesë në punët e kulturës dhe artit.

“Këto ndërhyrje i bëjnë dëm artit dhe zhvillimit të tij, por nga ana tjetër rrisin ndjenjën e zemërimit te artistët për të bërë vepra më të forta akoma”, është shprehur Agolli.

Shkrimtari tha se me kërkesat për ndalimin e kësaj apo asaj vepre arti, njerëzit e fesë janë bërë si Komiteti Qendror i Partisë së Punës, që kontrollonin e ndalonin çdo vepër që nuk u shkonte për mbarë.

Në letrën e Kishës Autoqefale cilësohet si e turpshme mbështetja e këtij filmi nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Në lidhje me këtë, Drejtori i saj, Artan Minarolli është shprehur se duhet të respektohet arti kinematografik, i cili nuk është akt informues, por ka edhe krijimtari artistike.

“Filmi u shfaq për disa javë rresht në rrjetin e kinemave ‘Imperial’ dhe nuk kemi marrë asnjë reagim nga ana e spektatorëve. Për kinemanë është i rëndësishëm spektatori, ndërsa interpretimet qoftë fetare, burokratike apo shtetërore janë të ndryshme”, ka thënë Minarolli në media.

Filmi “Ballkan Pazar” është një prodhim në bashkëpunim me Italinë, ndërkohë që distributori Mediaplex Italia ka marrë përsipër shpërndarjen e filmit në kinematë italiane, që prej datës 8 qershor.

Komedia “Ballkan Pazar” përcjell idenë e shit-blerjeve jo vetëm të eshtrave, por edhe të ndërgjegjeve dhe shpirtrave njerëzorë, një histori absurde që interpetohet nga aktorët: Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Laert Vasili, etj, ndërkohë që vetë regjisori Budina interpreton rolin e një prifti ortodoks. “Ballkan Pazar” pati premirën e parë në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje.