Lajme Shqip Saturday, 03 May 2014 14:16

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi, duke e quajtur atë gënjeshtar e mashtrues, shkruan “Tribuna”. 

Krasniqi i ka shprehur akuzat në adresë të Thaçit në faqen e tij në Facebook, ku ka shkruar:

“Shumë, shumë votkë paska pi baci i Kryeministrit! Kryeministër, mos i jep shumë dozë të Votkës bacit tand, zavendëskryeministrit të parë e ish-presidentit të bërë me votat e çlirimtarëve! A mos ishte ajo votka qe Millosheviqi i Moskës t’i percolli përmes Daçiçit për Bacin? Ju keni qenë në shtëpinë time Kryeminister, baci nuk ka qenë, por nëse besoni se vlen disa milionë, unë po të them se e ke rastin të fitosh shumë para. Eja merre 1 milion shtëpinë time e shitja bacës për disa milionë. Kurse unë prej ati 1 milioni nja 600.000 do t’ua jap pa asnjë hezitim te pastrehëve të Kosovës.”

Postimi vazhdon më tej:

“Sipas asaj që e keni vleresuar Ju, përveç ëe fitoni ju të pangishmit e Qeverisë, rasti është të fitojnë edhe do fakira dhe unë aspak. Nëse nuk doni me fitu shumë para se nuk besoni, atëherë me qëllim e keni mashtruar opinionin publik. Ndalni mashtrimet Ju të pangishmit e Qeverisë se gazi i Botës u bët’ o të mjerë! Nëse faji është i Nismës qe do t’u len’ me gishta n’gojë.”

“Për të tjerat çështje, ju treguat shpirtin tuaj të lig, tamam ashtu si jeni, psikopatë, mashtrues e genjeshtarë ordiner. Pasuria aske nuk e bënë njeri, as Ju. Mjerë vendi që i keni hypur në qafë!”, ka përfunduar Krasniqi postimin e tij në Facebook.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 20 April 2014 16:33

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka quajtur joserioze idenë se javën e ardhshme do të shpërbëhet Parlamenti derisa ka thënë se s””ka asnjë nismë të tillë. Veç kësaj, Krasniqi ka thënë se ende s””ka vendosur nëse do të votojë pro ose kundër themelimit të Gjykatës Speciale për dënimin e krimeve të luftës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se ende s’ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare për shpërbërjen e Parlamentit. Ai i ka quajtur joserioze deklarimet se Parlamenti do të shpërbëhet brenda javës së ardhshme.
“Me të thënë të drejtën nuk e kam shikuar shpërbërjen e Kuvendit dhe nuk e kam marrë shumë serioze”, ka thënë Krasniqi, për Express.

“Këto deklarimet s’besoj se kanë ndonjë bazë reale sa i përket shpërbërjes se Kuvendit”, ka shtuar ai.
Një ditë më parë, Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se Kuvendi do të shpërbëhet javën e ardhshme pasi të vendos për Gjykatën Speciale dhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Por, Shefi i Parlamentit, Jakup Krasniqi këto deklarata nuk i merr seriozisht duke thënë se më shumë po bëhen për efekt medial.
“Për javën e ardhshme s’ka asnjë kërkesë zyrtare. Do të thotë vetëm është mediatizuar se sa diçka që zyrtarisht është e iniciuar”, ka thënë Krasniqi.

Sa i përket votimit të Gjykatës Speciale, Kransniqi ka thënë se ende s’ka vendosur se a do ta jap apo jo vetëm pro saj.

Sipas tij, do të jetë në dorën e shumicës nëse do të votojnë pro themelimit të Gjykatës e cila do të merret me krimet e luftës.
“Nuk jemi përcaktuar ende. Unë vërejtjet e mia i kam dhënë publikisht dhe në takimet e pakta që kam pasur kohëve të fundit. Megjithatë, është shumica ajo që merr vendime”, ka thënë ai.

(Express)

 

 
Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 13:40

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi se formimi i Gjykatës Speciale, është më tepër kërkesë politike sesa gjyqësore, madje kjo çështje sipas tij, ka shumë të panjohura.

Krasniqi i bëri këto komente në një takim me Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Arta Dade, kryetare. Pasi përshëndeti delegacionin, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet dy parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohen takime të shpeshta, por ka ende fusha të pashfrytëzuara për shtimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe shteteve.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zhvillimeve aktuale në Kosovë. Duke folur rreth çështjes së formimit të Gjykatës Speciale  për Krimet e Luftës në Kosovë, mes tjerash ai tha:” Formimi i kësaj Gjykate, është më tepër kërkesë politike sesa gjyqësore, madje kjo çështje ka shumë të panjohura”.

Në fjalën e saj, Arta Dade, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, theksoi se ky Komision ka përkrahur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo përgëzoi kryetarin Krasniqi për drejtimin e urtë të Kuvendit në të gjitha sfidat me të cilat është ballafaquar legjislativi.

Arta Dade pastaj i bëri një vështrim përpjekjeve që bëhen nga dy shtetet për bashkëpunim rajonal e integrim evropian, duke përmendur me këtë rast si një hap të rëndësishëm pranimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut 5, që është një shenjë e seriozitetit e të dy shteteve drejt integrimeve euroatlantike. Në këtë vështrim ajo theksoi:”Të dy shtetet duhet të jemi më të artikuluar në politikat e përbashkëta në kontekst të sfidave që paraqet siguria rajonale, e cila kërcënon herë-herë”.

Ndërkaq, duke vlerësuar zhvillimet më të ndjeshme aktuale në Kosovë, ajo tha:”Shprehim besim se pjekuria e klasës politike të Kosovës do të bëjë që të merren vendime në dobi të proceseve integruese”.
Bashkëbiseduesit vlerësuan lart bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet komisioneve përkatëse dhe institucioneve tjera nga të dyja shtetet./rtk/

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 April 2014 13:13

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka fajësuar institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare për çështjen e themelimit të tribunalit për krimet e pretenduara të luftës. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se institucionet vendore dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta konsolidojnë sistemin e drejtësisë.

“Faji është i politikes së Kosovës, sidomos i partive politike që kanë qenë gjatë gjitha këtyre viteve në qeverisjen e vendit dhe kanë udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë”, ka deklaruar kryeparlamentari Krasniqi.

Në këtë kontekst, Krasniqi ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk është fajtore se pse sot bisedohet dhe kërkohet të themelohet një tribunal i tillë. “E them me përgjegjësi se fajet e UÇK-së nuk mund të kërkohen pas 22 qershorit 1999, kur edhe është nënshkruar marrëveshja e demilitarizimit të UÇK-së. Sigurisht se as nuk mund të mohoj e as të konfirmoj se individë me pedigre kriminale nuk e kanë shfrytëzuar firmën e UÇK-së, por them me bindje se politika e UÇK-së ka pasur vetëm një qëllim fisnik: çlirimin e Kosovës”, është shprehur Krasniqi. 

Në këtë intervistë kryeparlamentari Krasniqi ka folur edhe për projektin e tij politik në kuadër të NISMËS për Kosovën, në të cilën ushtron funksionin e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Ai ka thënë se NISMA do të angazhohet për shtet të së drejtës, drejtësi sociale, politika të qarta zhvillimore e fiskale, arsim cilësor të reformuar dhe shëndetësi të planifikuar e të riorganizuar.

Krasniqi ka thënë se qytetarët kanë shumë arsye t’i besojnë NISMËS për Kosovën. “Qytetarëve ua ofrojmë përkushtimin dhe sinqeritetin, ua ofrojmë njerëzit e ditur dhe ekspertët. Qytetarëve nuk ua afrojmë mrekullitë fantastike të përcjella me mashtrime akrobatike”, ka deklaruar Krasniqi.

 
Lajme Shqip Friday, 04 April 2014 13:27

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi thotë se ende nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar që do të trajtohej nga Kuvendi sa i përket Tribunalit që do të gjykonte krimet e supozuara të UÇK-së

Ai ka kërkuar detaje të mëdha rreth kësaj kërkese. Këto deklarata kreu i Kuvendit Krasniqi i bëri pas takimit me homologun e tij shqiptar Ilir Meta i cili tha se cdo tentim për vënë në diskutim legjitimitetin e  luftës së Kosovës është i pa vend dhe i diskutueshëm. 

Thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha segmentet e jetës ishte në fokus të takimit mes kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. Zyrtarët komentuan edhe themelimin e një Tribunali të supozuar në Kosovë për UÇK-në. Kransiqi tha se Kuvendi nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar lidhur me këtë Tribunal.
 
“Ende nuk kemi pranuar asnjë dokument zyrtar lidhur me Tribunalin për UÇK-në. Kuvendi do të diskutoj për të vetëm në momentin kur të vijë kërkesa zyrtare. Ne do të kërkojmë detaje të mëdha rreth kësaj kërkese”. 
 
Edhe kryeparlamentari, Ilir Meta tha se Tribunali nuk mund të vë në diskutim luftën e UÇK-së.
 
Ndërsa kreu qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka specifikuar nëse do të themelohet ose jo një gjykatë për luftën e UÇK-së në Kosovë, por ka thënë se Kosova dhe Bashkimi Evropian do ta shkëmbejnë një letër këmbim me të cilin do të qartësohet edhe pozicioni i EULEX-it.
 
Ndryshe në të gjitha takimet ndërmjet kryeparlamentarit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe zyrtarëve në Prishtinë u tha se perspektiva e dy vendeve është evropiane.
 
Meta gjithashtu përgëzoi kryeministrin për kurajon e tij sa i përket dialogut me Serbinë, i cili ka qenë proces mjaft i vështirë por jetik për perspektivën evropiane të rajonit.
 
Ai gjithashtu është shprehur edhe për liberalizim sa më të shpejtë të vizave për kosovarët. Ndërkohë Meta ka bërë homazhe te varri i ish presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova dhe në kompleksin memorial në Prekaz./rtk/

 
Lajme Shqip Sunday, 16 March 2014 17:31

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka cilësuar si mashtrime deklarimet e zyrtarëve qeveritarë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet e saj në Kosovë, porse qytetarëve serbë u mundësohet votimi nëpërmjet pikave grumbulluese që i organizon OSBE-ja.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se qytetarëve duhet t’iu thuhet e vërteta.

“Po thuhet: Serbia s’po organizon zgjedhje, po grumbullon vota. A mund të grumbullohen votat pa zgjedhje? Çka t’i themi këtij mashtrimi të radhës? Veçse, mos ia fyni intelegjencën këtij populli se nuk është duke ngrënë barishta të hidhura. Vendime të hidhura po se po!!! Popullit t’i thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Genjeshtrat nuk pinë më ujë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

 
Lajme Shqip Monday, 03 March 2014 16:23

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, është shprehur se pa e kërkuar PDK-ja dorëheqjen e tij, ai nuk do të dorëhiqet pasi kjo do t’i krijonte vendit krizë institucionale.

Kurse, Adem Grabovci, kryetar i grupit parlamentar te PDK-së ka thënë se nuk e shohin të nevojshme ta kërkojnë dorëheqjen e Krasniqit.

Kuvendi i Kosovës të enjten nuk do të mbajë seancë për shkak të aktiviteteve që do të mbahen për Epopenë e UÇK-së me 5,6 dhe 7 mars.

Krasniqi i gatshëm të dorëhiqet, nëse e kërkon PDK,
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, është shprehur se pa e kërkuar PDK-ja dorëheqjen e tij, ai nuk do të dorëhiqet pasi kjo do t’i krijonte vendit krizë institucionale.

Kurse, Adem Grabovci, kryetar i grupit parlamentar te PDK-së ka thënë se nuk e shohin të nevojshme ta kërkojnë dorëheqjen e Krasniqit.

Kuvendi i Kosovës të enjten nuk do të mbajë seancë për shkak të aktiviteteve që do të mbahen për Epopenë e UÇK-së me 5,6 dhe 7 mars.

 
Lajme Shqip Thursday, 27 February 2014 12:11

Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi do të zyrtarizojnë partinë e re të premtën, në orën 17. Sipas burimeve të LajmeShqip, Limaj dhe Krasniqi janë përcaktuar që partia të ketë emrin “Nisma Qytetare për Kosovën”.

Në një ftesë që e ka siguruar LajmeShqip, në lidhje me ceremoninë e neserme, bëhet e ditur se takimi do të mbahet në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Aty do të marrin pjesë edhe ata emra të jetës politike të cilët pritet ti bashkohen subjektit më të ri politik nën udhëheqjen e Limajt dhe Krasniqit.

Gjithashtu bëhet e ditur se aty do të bëhen të ditura edhe objektivat e këtij subjekti politik. /Lajmeshqip/

 
Lajme Shqip Monday, 23 December 2013 14:41

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, më në fund ka vendosur që t’i thotë “dy-tri fjalë” rreth marrjes në pyetje të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga një prokuror i EULEX-it, nën dyshimin se është i përfshirë në krime lufte.Tri ditë pasi Krasniqi ka qëndruar disa orë në zyrat e këtij misioni, Thaçi ka shkruar në profilin e tij në Facebook se gjithçka që po bëhet me ish-luftëtarët e Zonës Operative të Drenicës janë betejat të padrejta gjyqësore, të bazuara në “fjalë të rrugëve”.

“Kam qenë me Ju gjithmonë dhe jam përkrah Jush edhe sot në betejat jo të drejta gjyqësore, në të cilat, po ballafaqohen z. Selimi, dhe z. Lushtaku, dhe së fundi edhe z. Krasniqi, që u sfidua nga një intervistim përndjekës bazuar si duket në thashetheme. Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Asnjë proces gjyqësor me argumente gjysmake nuk mund ta ndryshojë historinë. Duke qenë në anën e së drejtës dhe principeve, kemi qenë dhe do të dalim fitimtarë”, ka shkruar ai në Facebook/koha/ 

 
Lajme Shqip Friday, 20 December 2013 21:03

Për një orë e gjysmë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është rrëfyer para prokurorit të EULEX në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte në rastin që ka të bëjë me ‘Grupi e Drenicës’.

Krasniqi nga Kuvendi i Kosovës është sjell në Prokurorinë e EULEX, afër Fushë Kosovës i shoqëruar nga avokati i tij, Mexhid Syla.

Krasniqi pas përfundimit të deklaratës është larguar me vetura zyrtare të Kuvendit i shoqëruar nga policia e Kosovës. 

Avokati i tij, Mexhid Syla ka thënë se klienti i tij, Jakup Krasniqi është ftuar nga prokuroria për të dhënë disa sqarime siç i ka quajtur ai që kanë të bëjnë me rastin e Grupit të Drenicës.

“Normalisht arsyen ju pe dini z Krasniqi doli nga këtu e pat, një intervistë të shkurtër ku i dha disa sqarime rreth rastit që tashmë opinioni është i njoftuar, rasti penal që është duke u udhëhequr në Mitrovicë … në cilësinë e të dyshuarit normalisht, po për momentin janë dhënë ato sqarime, nuk ka vendim të gjykatës as anena as knena, por megjithatë është thirr për t`i dhënë disa sqarime… ende nuk ka vendim që ai është i dyshuar, nuk ka ende”, ka thënë avokati i Jakup Krasniqit.

Syla nuk ka hyrë në shumë detaje se për çfarë raste eventuale inkriminuese dyshohet klienti i tij.

“Ne jemi mësuar edhe ju më jeni bërë me këto gjëra për çdo ditë, është bërë modë te ne në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur dëshmitari A, dëshmitari B dhe as nuk mund ta identifikojnë zotin Krasniqi si person që ka qenë aty as përshkrimin tij se si duket z.Krasniqi, por për ato arsye meqë është përmendur emri i tij, hajde ta marrim t`i jep disa sqarime… Shiko për të tjera detaje më vonë, shohim iu thash janë disa sqarime që për momentin nuk ka nevojë të lëshohemi në detaje me tepër”, ka thënë avokati Syla. 

E vetmja që ka reaguar pas lajmit se Jakup Krasniqi është intervistuar nga Prokuroria e EULEX, ka qenë ministria e Integrimeve Evropiane. Vlora Citaku. 

Ajo ka shkruar në rrjetin social në Facebook se është tendencioze mënyra e EULEX si i trajton pjesëtarët e UÇK. 

“Pa shije dhe tendencioze mënyra se si EULEX trajton pjesëtarët e UÇK-së, edhe më pa shije konspiracioni dhe trillimet që prodhojmë ne si shoqëri!!!”, ka shkruar Vlora Çitaku./Kosovapress/