Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 14:28

Romë – Mbi dhjetë tërmete më të dobëta janë regjistruar në pjesën verilindore të Italisë, e cila dje ishte goditur nga një tërmet i fuqishëm gjatë së cilës jetën e humbën të paktën 16 persona, ndërsa rreth 350 janë plagosur.

Sipas informatave më të reja të shërbimeve sizmologjike tërmeti i djeshëm ka qenë me një intensitet prej 6,0 ballëve sipas shkallës së Rihterit. Në informatat e djeshme thuhet se tërmeti ka qenë me fuqi prej 5,8 ballëve.

Epiqendra e tërmetit, që ndodhi rreth orës nëntë, ka qenë në afërsi të vendit Mirandola në 40 kilometra në veriperëndim të Bolonjës dhe në 60 kilometra në lindje të Parmës, me thellësi prej 9,6 kilometrave nën sipërfaqen e tokës. Pas këtij, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe tre tërmete me fuqi prej 5,0 dhe 5,4 ballëve.

Ekipet e shpëtimit edhe sot vazhduan të punojnë në pastrimin e rrënojave. Sipas mediave italiane gjatë tërmetit janë shkatërruar qindra objekte dhe është shkaktuar dëm i madh material.

Më shumë dëme ka në rajonin e Modenas, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit të fuqishëm prej para dhjetë ditëve, përderisa në Mantova u rrënua këmbana e bazilikës Santa Barbara. “Pasojat e tërmetit do të jenë afatgjata dhe nuk mundemi të konkludojmë se do të vijë deri te tërmetet më të fuqishme”, deklaroi drejtori i Instututit kombëtar italian për gjeofizikë dhe vullkanologji, Stefano Gresta.

Sipas mediave italiane, gjatë tërmetit rreth 14.000 persona mbetën pa shtëpitë e tyre. Në dhjetë ditët e kaluara në këtë pjesë të Italisë janë regjistruar të paktën 800 tërmete më të dobëta.

Tërmeti i djeshëm ishte më i fuqishmi në Itali pas atij me intensitet prej 6,3 ballëve sipas shkallës së Rihterit në qytetin Akuila në pjesën qendrore të vendit në vitin 2009, gjatë së cilës jetën e humbën rreth 300 persona, ndërsa dhjetë mijë mbetën pa kulm mbi kokë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 20:30

Romë – Të paktën 15 persona e kanë humbur jetën, katër deri pesë rezultojnë si të zhdukur, ndërsa disa dhjetëra persona janë lënduar gjatë tërmetit me intensitet prej 5,8 ballë sipas shkallës së Rihterit që e goditi sot verilindjen e Italisë, njoftoi Mbrojtja civile italiane.

Origjina e tërmetit është lokalizuar në rajonin Emilia Romanja. Lëkundja është ndjerë edhe në qytetet Milano dhe Bolonja, ku punonjës të sektorit publik janë evakuar nga ndërtesat, ndërkohë që në zona të tjera ka pasur shembje të pallateve të vjetra. Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 40 kilometra në veri të Bolonjës dhe 60 kilometra në lindje të Parmës, në një thellësi prej 9,6 kilometrash.

Lëkundja është regjistruar në orën 09:03 me orën lokale dhe përveç dy qyteteve të mësipërme, është ndjerë kryesisht edhe në Modena, si dhe në rajonin e Venetos. Tërmeti i sotëm vjen pas atij 6-ballësh të 20 majit, kur shtatë persona u vranë dhe shumë ndërtesa u shembën. Tërmeti është ndier edhe në Venecie, Vinçenca, Firenca dhe Bolcano, si dhe në disa pjesë të të Austrisë.

Për shkak të serisë së sotme të tërmeteve, Asociacioni italian i futbollit e anuloi ndeshjen miqësore në futboll ndërmjet reprezentacioneve të Italisë dhe Luksemburgut, që duhej të luhej sonte në Parma. Rajonin e goditur nga tërmeti sot pasdite e vizitoi presidenti i Itlaisë, Xhorxho Napolitano, i cili shfaqi bindje se populli do t’i tejkalojë sfidat nga kjo katastrofë elementare. Kryeminsitri italian, Mario Monti në konferencën për shtyp në Romë deklaroi se vendi duhet të bëjë gjithë çka është në fuqinë e tij për normalizim sa më të shepjtë të këtij rajoni “të posaçëm, tejet të rëndësishëm dhe produktiv”.

Lidhur me tërmetin, foli edhe Papa Benedikti XVI, i cili deklaroi se është thellësisht i pikëlluar nga lajmi për viktimat dhe se lutet për prehje të shpirtërave të tyre. Ekspertët në deklarata për mediumet italiane pohojnë se tërmetet janë pasojë e dukurisë së çarjes së re ndërmjet pllakës tektonike afrikane dhe asaj apenine. Tërmeti paraqet goditje serioze plotësuese për Itali9në e cila viteve të fundit është goditur nga kriza e thellë ekonomike, për ç’arsye Qeveria ndërmori masa drastike për kursim.

Tërmeti i sotëm është më vdekjeprurësi në historinë më të re italiane pas goditjes në Akuilla në vitin 2009, me ç’rast jetën e humbën rreth 300 persona. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 07:15

Romë – Kryeministri italian Mario Monti shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe premtoi ende ndihmë për të pësuarit nga tërmeti që e goditi pjesën veriore të vendit.

Monti deklaroi se është me rëndësi vitale që të ripërtërihen disa nga pjesët më ekonomike produktive të Italisë.

Gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, që do të zgjasë 60 ditë, Mbrojtja civile do ta koordinojë pastrimin e rrënojave, ndërsa mjetet për financim të rajonit do të rriten për 50 milionë euro.

Të paktën shtatë persona e humbën jetën dhe mijëra janë detyruara që t’i braktisin shtëpitë e tyre, pasi tërmeti me intensitet prej gjashtë ballëve sipas shkallës së Rihterit e goditi Italinë të dielën.

Qeveria e Montit po humb gjithnjë e më shumë popullaritet për shkak të masave të ashpra për kursime për tejkalimin e krizës ekonomike. Më herët sot kryeministri italian ishte fishkëlluar gjatë kohës së vizitës në qytezën Sant Agostino, qyteti më rëndë i goditur nga tërmeti katastrofik. (LajmeShqip.com)