Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 11:19

Prishtinë – Ai nuk pajtohet që kombi ynë është me fat të munguar dhe të hidhur. Ai e quan kombin shqiptar si fitimtar që sot zë rrënjë të vjetra në Evropë, e nuk është radhitur në mesin e maratonës së popujve e kombeve që u dorëzuan e u zhdukën nga faqja e dheut.

Ismail Kadare, autori më i madh i letrave shqipe thotë se të gjitha kombet kanë humbje dhe nuk është e vërtetë që nuk janë të pavdekshme. Kombet vdesin, por të gjallë si shqiptarët duhet të ndihen krenarë, thotë Kadare.
Fituesi i dy çmimeve prestigjioze letrare “Man Booker Prize” dhe “Prince of Astoria” të hënën në mbrëmje ka marrë çmimin ndërkombëtar “Ali Podrimja”, çmim ky i ndarë nga Universiteti AAB në nder të figurave që i dhanë kontribut madhor letrave dhe kulturës shqiptare.
“Që kombi shqiptar është gjeografikisht në Evropë, ky është fakt. Kjo nuk ka të bëjë me mburrje apo me luks. Ne i ngjajmë Evropës ndoshta si pikënisje me ashpërsi, e ndoshta do të përfundojë me butësi”, thotë Kadare, kur merr çmimin e kujton bisedat e vjetra me dy miqtë e tij që sot nuk janë dhe kanë braktisur atë, Ali Podrimën e Azem Shkrelin.
Vetë Kadare do të donte që këtë çmim mos ta pranonte kurrë në jetën e tij. “Jam i prekur thellësisht, sepse ikja e parakohshme e Ali Podrimës ma jep mua këtë çmim. Kjo festë nuk do të ndodhte po të ishte ai gjallë, dhe unë nuk do ta merrja çmimin. Ky titull ka burim një hidhërim, humbjen e një miku tim të shtrenjtë”, shton Kadare./Zëri/

 
Lajme Shqip Monday, 01 July 2013 13:54

Tiranë – Ndërsa hija e komunizmit ndihej kudo, në studion e tij, në tryezën e tij të punës, ku dhjetëra letra të bardha visheshin me histori, Kadare mundohej të shmangej prej saj. Përmes shkrimit ai mund të kalonte kufijtë dhe diktaturën, por kjo mund të ndodhej vetëm në ato letra të bardha që ruheshin me aq kujdes nga autori. Ishte viti 1984, vetëm një vit para se udhëheqësi komunist Enver Hoxha të ndahej nga jeta, kur ai nisi të hidhte në letër historinë e një kineasti, që jetonte në një vend komunist, që ndryshe nga kolegët e tij kishte mundësinë të udhëtonte në Paris. Për tre vjet (deri në vitin 1986), Kadare përfundoi një nga romanët më të bukur të shkruar ndonjëherë për filozofinë e vendeve që kanë jetuar në diktaturë, rrëfyer përmes historisë së një artisti të dështuar. Romani “Hija” kishte kaluar të gjitha caqet dhe rregullat e realizmit socialist, dhe as që mund të mendohej se mund të botohej ndonjëherë në Shqipërinë e asaj kohe, madje mund të ndodhte e kundërta: nëse ai dorëshkrim zbulohej, fati i shkrimtarit mund të vihej në dyshim. Dhe pse e dinte këtë të fundit, Kadare nuk e grisi dorëshkrimin, ashtu si nuk e ndali frymëzimin teksa me orë të tëra ndërtonte ngjarjet që ndiqnin udhëtimin e personazhit të tij nga Parisi në Tiranë. Përpara fuqisë së shkrimtarit, ai kishte dorëzuar fatin e tij, pa menduar për rrezikun. Në atë studio ai donte të ndihej i lirë, duke harruar se përtej dritares, apo derës së apartamentit, diktatura ishte po aty, dhe se ai libër që e shkruante me aq dëshirë, mund të mos botohej kurrë. Titulli fillestar i romanit ishte “Tre K” dhe ashtu si vetë Kadare ka treguar në botimin që libri pati në vitin 2003, pas 17 vitesh nga koha kur e kishte shkruar, ai është shkruar në të njëjtën kohë me romanët “Vajza e Agamemnonit” dhe “Ikja e Shtërgut”. “Të destinuara për të mos u botuar, për shkak të përmbajtjes, dorëshkrimet e tyre u nxorën nga Shqipëria dhe u depozituan në një bankë të Parisit, pjesërisht prej autorit e pjesërisht prej presidentit të shtëpisë botuese ‘Fayard’, Claude Durand, ardhur në Shqipëri enkas për nxjerrjen e tyre jashtë kufirit”, thotë Kadare. Botuesit i ishte dhënë një urdhër që ta botonte menjëherë në rast “aksidenti” që mund t’i ndodhte shkrimtarit. Në njëfarë mënyre, vepra kishte kapërcyer kufirin e ferrit në vend të autorit të saj. Meqenëse nxjerrja e dorëshkrimeve origjinale ka qenë e ndaluar me ligj, për të shmangur rrezikun, autori, gjatë daktilografimit i ka bërë disa retushe të sipërfaqshme veprës, duke e paraqitur si përkthim nga shkrimtari gjerman Zigfrid Lenz. Për këtë, mjaft emra të personazheve e të mjedisit, u zëvendësuan me emërtime të botës gjermanike. Në vitin 1992, në një takim ndërkombëtar shkrimtarësh në Oslo të Norvegjisë, Zigfrid Lenz, i njoftuar për ngjarjen, shfaqi publikisht kënaqësinë e tij, që pa e ditur as vetë, i kishte huajtur emrin e vet për t’i shërbyer si mbrojtje një kolegu të largët në vështirësi. Në frëngjisht, romani u përkthye nga Jusuf Vrioni dhe u botua prej “Fayard” më 1994-n, gati 8 vjet pas izolimit të tij në bankë. Libri do të vlerësohej menjëherë nga kritika franceze, e cila e quan Kadarenë si një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët. Në Perëndim, tregimtari zbulon në mënyrë graduale se nuk i përket në të vërtetë botës së të gjallëve, se është “i ngrirë” nga vdekja, mbretëria e së cilës shtrihet në Lindje. Koha e shkurtër dhe kushtet e qëndrimit, ankthi i kthimit nuk i japin ngrohjen e shpresuar: atij i duhet të niset për t’u mbyllur në vendin e tij, për t’u futur në arkivolin e tij, si personazhet e baladave të lashta (kujtojmë Kostandinin dhe motrën e tij Doruntinën, rreth të cilëve kjo temë bëhet gjithnjë e më e pranishme gjatë gjithë faqeve të librit). Ky roman është romani i kapërcimit të kufirit të pamundur: kapërcim i vdekjes, ëndërr rimishërimi-aspirata që kanë pushtuar njerëzimin që nga origjina e tij. Përveç kësaj, ato trajtohen këtu me dekorin e jetës moderne: avionë, kafene, kabare, ambasada, mbrëmje mondane, rrugë, dhoma hoteli, telefon etj., duke ruajtur dimensionin tragjik të skemave tregimtare të dikurshme, kur heronjtë ngriheshin nga vendi i të vdekurve në kthetrat e një shqiponje dhe jo në bordin e një fluturimi ajror Tiranë-Paris… Tema e izolimit të një vendi të shtetasve të tij, të artistit dyfish të vetmuar, trajtohet këtu me një dimension thuajse kozmik madhështor, ku përmenden dhe nota biblike./Shqip/LSH/

 

 
Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 13:44

Prishtinë – Ai kishte kritikuar ashpër Ibrahim Rugovën në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, por shumë vjet më vonë, shkrimtari i madh shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, e pranon se koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës.

“Është e vërtetë që i kam kritikuar Rugovën dhe Demaçin. Ju tash mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritiken që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi së e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq“, kështu ka thënë Kadare javën e kaluar gjatë një pritjeje në Këln.

Ai së bashku me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare, ishin ftuar me iniciativën e Luan Krasniqit së bashku me Asociacionin Shqiptar për Kulturë dhe Integrim, transmeton “Zëri”.

Në një ambient të mbushur me shqiptarë, Kadare u pyet rreth raporteve të tij me Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin.

Duke iu drejtuar të pranishmëve ai dhe tha se autori i romanit “Krushqit janë ngrirë”, i cili me këtë libër, përmes botimeve në gjuhën angleze dhe frënge, i bëri të njohura në shkallë planetare, qysh në vitin 1983, kërkesat e studentëve për Republikën e Kosovës tha se “kishte qenë ëndrra ime ta takoj presidentin e Kosovës”.

Sa i përket Demaçit, Kadareja tha se ai e ka tepruar pa dyshim me kritikat ndaj tij, mirëpo Demaçi, megjithatë, gaboi për Rambujenë.

Teksa pritej me kureshtje nga të pranishmit të shpalosë qasjen e tij për gjendjen e shqiptarëve, ai që e kishte ftuar Kadarenë, Luan Krasniqi në fjalën e tij, në shqip dhe në gjermanisht, tha se më lehtë e ka pasur në ring se të mbajë një fjalë para Kadaresë.

Megjithëse rrjedha e fjalës së tij brilante e dëshmoi të kundërtën, fjalët e tij e impresionuan jo vetëm publikun, por edhe vetë Kadarenë. Kampioni i dyfishtë evropian foli për rrugën që e çoi atë deri te takimi i tij i parë me Kadarenë në Tiranë vitin e kaluar, në shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Fillimisht, tha ai, gjithçka pikënisjen e ka në Berlin, në takimin e tij në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë me ambasadorin, Vilson Mirdita. Pasi mori serinë e veprave të tij në 20 vëllime, botim i “Onufrit“ të Tiranës, ai lexoi shumë vepra të shkrimtarit shqiptar, por libri “Mbi krimin në Ballkan“ ishte një lekturë tronditëse për të.

Luan Krasniqi tha më tej se idetë dhe mendimet e Kadaresë vazhdimisht e përcjellin dhe se për të është një nder i madh që të bëjë diçka për veprën e tij. Luan Krasniqi i impresionuar nga Kadare ishte ai që e ndihmoi botimin në gjuhën gjermane të librit-intervistë të Ismail Kadaresë “Çlirimi i Serbisë prej Kosovës“, vitin që shkoi.