12
 
Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 11:39

Mitrovica – Sot mbushën 97 vjet nga rënia legjendare e atdhetarit të shquar, strategut popullor dhe organizatorit të udhëheqës së lëvizjeve për çlirim e bashkim kombëtar Isa Boletini. Megjithatë, vepra e Boletinit është nderuar në çdo kohë.

Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit.

Boletini, i lindur në vitin 1864, në fshatin Boletin, Mitrovicë. Ai ishte i pashkolluar, me një nam të madh për guximin dhe arritjet, ku bashkë me Idriz Seferin përbënin një kombinim që u shndërrua në mit ndër bjeshkët e Kosovës, Hero i Popullit.

Mbiemri origjinal i familjes Boletini ashtë Maksutaj nga fisi Shalë i vendosur ne Isniq pranë Deçanit, dhe me vonë migruan drejt fshatit Boletin në Kosovën veriore, prej nga morën dhe mbiemrin. Bëmat e tij u bënë legjenda, dhe arratisjet e tij nga turqit e serbët përralla.

Kurse, vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, njeriut që shpalli Shqipërinë të pavarur, ishin xhandarët malazezë të urdhëruar nga qeveria e këtij vendi, kurse ata që e prenë në besë ishin disa diplomatë francezë. Ishte janar i vitit 1916, pikërisht koha kur trupat austriake pushtonin Malin e Zi, pothuaj pa hasur në asnjë rezistencë.

Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913. Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët afrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral. Pikërisht këtu nis edhe plani për ekzekutimin e shqiptarit të madh.

Njerëz të Boletinit kishin vënë re një lidhje të çuditshme të diplomatëve francezë me ata malazezë në Shkodër, por kjo do u vinte në mendje më pas. Gjithsesi Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”.

Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujte ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq, duke u mbajtur gjatë gjithë kohës nën survejim.

Thyerja e frontit malazez nga austriakët në të njëjtën periudhë kohe dënon me vdekje përfundimisht Isa Boletinin. Ushtarët malazezë e shoqërojnë atë bashkë me njerëzit më të afërt në Danilograd dhe më pas në Podgoricë.

Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, duket urdhri për vrasjen e Boletinit dhe njerëzve të tij nuk mund të shtyhej më tej. Ekzekutimi i besohet një njësie ushtarake që kishte për qëllim mbajtjen e rregullit në qytet, deri në dorëzimin e tij trupave austriake. Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit.

“Nja 80 xhandarë kishin zënë pritë në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike. Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit të kasnecit, po ktheheshim për në shtëpi, te axha (Isa), patrulla në krye të urës, që po priste ardhjen e axhës, na ndali. Kur oficeri urdhëron ndalimin, xhandarët me pushkët gati të qëllojnë pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”. Por që tre vëllezërit nuk kanë mundësi të lajmërojnë Boletinin për vendimin e malazezëve, pasi me përdhunë, nën kërcënimin e armëve mbyllen në një shtëpi dhe mbahen të bllokuar. Në këtë kohë Isa Boletini, vet i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës pa e dalluar se edhe nga pas krahëve xhandarët e mbyllën udhën që të mos kishte asnjë mundësi daljeje.

“Një oficer komandues u kërkon shqiptarëve të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton: Jo besa! S’ja kam dorëzue, as Krajlit, as Mbretit. Dhe nxjerr armën. I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi. Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar. Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, rrëfen i mbijetuari.

Trupat e Isa Boletinit dhe njerëzve të tij u vendosën fillimisht në një dhomë të prefekturës, ku u bë edhe identifikimi. Varrimi u bë në Podgoricë dy ditë më pas me pjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve banorë të zonës. Nasuf Dizdari nga Shkodra mbajti një fjalim para se arkivoli i Boletinit të futej nën dhe. Gjithsesi askush nuk besonte për vrasjen e Boletinit, pasi nuk ishte hera e parë që lajmet e bënin të vrarë.

Po kështu nuk u besua dhe një komunikatë zyrtare e ushtrisë austriake, që jepte lajmin e vrasjes së tij “gjatë një përpjekjeje me malazezët”. Eshtrat e tij u transportuan në Boletin me 25 shtator 2004.(K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 14:51

Prishtinë – Artisti mitrovicas, Tafil Peci, ka marrë çmimin e parë me punimin në grafikë “Xhamadani i Isa Boletinit”, në ekspozitën gjithëkombëtare “Kadri Kadriu”, që është hapur në Mitrovicë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Peci ka marrë këtë çmim në një konkurrencë të fortë, ku kanë marrë pjesë 40 krijues të artit pamor nga komuna të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Në hapje të ekspozitës në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”, Skënder Idrizi në emër të jurisë profesionale, e cila përbëhej edhe prej Nagip Berishës e Shefqet Abrazhdës, i përshëndeti të pranishmit dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e madhe.

“Gjithë këto piktura, grafika e skulptura që u ekspozuan këtu na japin të kuptojmë se kemi krijues të artit që dëshmohen me shumëllojshmëri temash e mjeshtri pune artistike”, tha ai, bëri të ditur sot zyra e shtypit e komunës së Mitrovicës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur 2 javë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 16:59

Mitrovicë -Në qendër të Mitrovicës, është bërë zbulimi i shtatores së heroit kombëtar Isa Boletinit. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm krerët më ta lartë të institucioneve nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës e Maqedonia. Zbulimi i shtatores së Isa Boletinit u bë në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, me këtë rast, ka thënë se kjo është një ditë e madhe për Mitrovicën, Kosovën, por edhe mbarë popullin shqiptar, pasi që heroi kombëtar u kthye në atdheun e vet në Mitrovicën e Minatorëve.

Ai ka pohuar se të gjithë shqiptarët ku do që jetojnë në Mitrovicë, Prishtinë, Shkup, Preshevë, Tiranë, Ulqin, e diasporë jetojnë me mendje, shpirt dhe sy të drejtuara kah Mitrovica.

“Jemi sot këtu në qytetin heroik të Mitrovicës për ta ngritur përjetësisht shtatoren e gjeneralit të Pavarësisë së Shqipërisë komandantit, Isa Boletinit. Kremtimi i njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe atmosfera festive e përhapur kudo që jetojnë bashkatdhetarët tanë është e natyrshme, legjitime dhe meritore, si për çdo komb të botës së civilizuar”, ka thënë Thaçi.

Në emër të familjes Boletini, ka folur nipi i heroit, Isa Boletinit, Gazmendi, i cili ka falënderuar të gjithë ata që kanë bërë çmos që gjyshi i tij të kthehet prapë në Mitrovicë.

Para të pranishmëve kanë folur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ai i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati.

Shtatoren e ka punuar skulptori nga Durrësi, Idriz Balani. Ajo është e gjatë 3.65 metra dhe kap koston prej 60 mijë eurosh.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 November 2012 20:00

Prishtinë – Në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, shtatorja e heroit kombëtar, Isa Boletini, do të zbulohet në 24 nëntor në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, në sheshin që mban emrin e tij.

Nën përkujdesjen e kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, në manifestim do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Kosovës, të Shqipërisë, si dhe shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 26 October 2012 13:08

Prishtinë – Eshtrat e Isa Boletinit janë çuar në Londër për t’iu bërë analizën e ADN-së. Lajmi bëhet publik nga gazeta “Koha ditore” në Prishtinë.

“Vitin e kaluar Komuna e Mitrovicës kishte dështuar të mbante premtimin që një ceremoni solemne për rivarrimin e tyre të organizohej më 28 nëntor. Tashti është planifikuar që kjo të organizohet këtë vit përderisa mbetjeve mortore po u bëhen analiza të ADN-së në një institut londinez”, shkruante gazeta në kuadër të një artikulli ku nipi i heroit rrëfen udhëtimin e tij në Podgoricë, në vendin ku Isai dha jetën.

Më herët, nipi i Isa Boletinit, Gazmendi, është shprehur për Radio Dukagjinin se “kur në vitin 1998 po përgatitej bartja e eshtrave të Isa Boletinit (nga Mali i Zi drejt Kosovës), “ato fillimisht u lanë me kemikalie për të mos kundërmuar gjatë kalimit të kufirit me Malin e Zi, prej nga do të hynin fshehurazi në Kosovë”. Por, sipas Gazmendit, ishin pikërisht këto kemikalie që ndikuan në mospasjen mundësi të identifikimit të eshtrave përmes analizës së ADN-së që bëhet në Kosovë.

A ka dyshime se eshtrat që janë identifikuar si të heroit Isa Boletini të mos jenë të tijat? Kjo mbetet ende e paqartë, por kërkesa për tu bërë atyre analizën e ADN-së, i shton më shumë këto dyshime. Për më tepër, kur eshtrat janë zhvarrosur, në varrin që pretendohej se gjendej Isai, shkruhet vetëm “Boletinac”. Emri mungonte për shkak të gurit të thyer.

“Koha ditore”, shkruan se në vizitën që ka bërë në Podgoricë nipi i Isa Boletinit, Gazmendi, ai është shoqëruar drejt vendit ku kishin qenë të varrosur trimat kosovarë dhe komandanti i tyre, gjyshi i tij. Ai vend, dikur në Titograd sot Podgoricë, tashmë është shndërruar në park. Aty nuk ka asnjë shenjë që dëshmon se për vite me radhë ka qenë vendi ku janë prehur eshtrat e heroit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Hoxha Idriz Demiri nga Podgorica ka treguar se në vendin që sot është park, dikur kanë qenë varrezat e myslimanëve në Podgoricë, ku gjithashtu ishte varrosur edhe heroi.

“Ishte një vendim i drejtuesve të Podgoricës që ai vend të shndërrohej në park dhe kjo edhe ndodhi. Ndërkohë, ne bëmë krejt çka mundëm në atë situatë për të mundësuar zhvarrimin e eshtrave të Boletinit”, ka thënë ai. Mulla Demiri, i cili kishte qenë kryetar i Bashkësisë Islame në Podgoricë, përkujton se në vitin 1998, Muhamet Shukriu e Remzi Murati kishin shkuar nga Kosova dhe me ndihmën e tij kishin marrë eshtrat e trimit shaljan. “Për të identifikuar varrin e Isait na ka ndihmuar plaku Ahmet Jonuzi, i cili e kishte mbajtur mend vendin.

Në bazë të orientimeve të tij kemi gjetur një gur varri ku kishte mbetur vetëm mbishkrimi ‘Boletinac’, por jo edhe emri, meqë guri ishte thyer”, ka thënë Demiri. Familjarët e Isa Boletinit të shoqëruar nga imami Demiri kanë vizituar edhe vendin ku ishte organizuar prita për trimat kosovarë, në afërsi të lumit Ribnica.(K.D)

 
Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 11:57

TIRANE (PLOTESUAR 12 TETOR, 15:30)- Kryeministri i vendit Sali Berisha në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare sëbashku me autoritetet më të larta të Kosovës, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit shqiptar Ali Ibra (Neza) në Gjakovë në qendër të këtij qyteti. 

Ndërkohë, në mesditë axhenda e  kryeministrit shqiptar u zhvendos në Deçan, ku mori pjesë në përurimin e shtatores së Isa Boletinit si dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit.

BERISHA NDEROHET ME TITULLIN ‘QYTETAR NDERI’ I DEÇANIT
Ora 14:00 Kryeministri Sali Berisha, në vijim të vizitës së tij sot në Kosovë, ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të bustit të heroit Ia Boletini, në fshatin Isniq, të komunës Deçan.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi inagurimin e bustit të Isa Boletinit si një ngjarje të madhe për Kosovën, për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo ku janë. 

“Sot ne inaugurojmë shtatoren e tij këtu në Isniq, vendin që shërbeu për Isa Boletinin si toka për Anteun, vendin ku ai merrte fuqi dhe frymëzim për betejat e tij të mëdha për Shqipërinë dhe për Kosovën. Sot me këtë gjest i kthejmë burrit të madh të kombit një copëz të nderit të madh që na la mbrapa, të nderit që la për çdo shqiptar”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij. 

Ai theksoi se ishte Prizreni dhe Kosova që mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet me frymëzimin e vendosmërinë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
“Pas Kongresit të Berlinit vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e shqiptarëve si nocion politik dhe më pas asgjësimin e tyre tërësor, por kjo nuk ndodhi se pas Lidhjes së Prizrenit u mblodh Beslidhja e Pejës dhe më pas ishin kuvendet e shumë burrave e trimave të tjerë, që tronditën ‘të sëmurin e Bosforit”, u shpreh Berisha. 

Kryeministri vlerësoi luftën heroike të Kosovës, si edhe progresin e saj gjatë këtyre viteve. “Lufta e Kosovës ishte një luftë heroike. Kosova ka ndërtuar më shumë se çdo vend tjetër në këto pesë vite shtet”, u shpreh kryeministri. 

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Berisha u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, dhënë nga këshilli komunal, ndërsa nderoi kujtimin e luftëtarëve të UÇK-së në memorialin kushtuar UÇK-së, në Gllogjan. Ai zhvilloi një vizitë në familjen Haradinaj, si dhe vendosi buqeta me lule edhe pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku.

JAHJAGA: ISA BOLETINI, PRIJËS I PËR LIRI
Presidentja e Kosovës, Atifiete Jahjaga, vlerësoi sot se “Isa Boletini ishte prijës i kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi dhe për ta bërë Shqipërinë shtet të përparuar dhe demokratik”. Këto komente ajo i bëri me rastin e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit, në Isniq të Deçanit.

“Eshtë nderim për brezin tonë që po i respektojmë të parët tanë, që po e vlerësojmë sakrificën e bërë ndër shekuj për ruajtjen dhe zhvillimin e kombit tonë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale”, tha mëtutje Atifete Jahjaga.

Sipas saj, Isa Boletini, “së bashku me ideologun e pavarësisë, Hasan Prishtina, dhe me babanë e shtetit, Ismail Qemajli, dhe me shumë atdhetarë dhe intelektualë të brumosur dhe me idetë atdhetare dhe me idetë përparimtare të Evropës, e vunë në lëvizje historinë, i kthyen sytë e botës kah shqiptarët”.(LajmeShqip.com)

***************************************

TIRANË – Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në Gjakovë, në Kosovë në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare. 

GJAKOVË, PËRUROHET SHTATORJA E ALI IBËR NEZA
Ora 10:00 Kryeministri Berisha i shprehu Kuvendit Komunal të Gjakovës falënderimin për ftesën për të marrë pjesë në nderimin e një prej figurave të shquara të kombit shqiptar, të periudhës së Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibër Nezaj, shtatorja e të cilit, vendoset sot, në qendër të Gjakovës.

“Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar”, tha Kryeministri Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, Lidhja e Prizrenit ka mesazhin e përjetshëm të bashkimit të shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet, ndërkohë apeloi që të vijohej puna për bashkimin e shqiptarëve në Europë.

“Ne sot jemi të lirë dhe po në këtë frymëzim, ne ecim të bashkuar drejt një qëllimi të madh, integrimit tonë në Bashkimin Europian. Sikundër, siç është provuar në mënyrën më të përsëritur, në çdo rrethanë, ne jemi një dhe do të mbetemi një komb. Ne kemi pësuar gjatë historisë, padrejtësi ndër më të mëdhatë. Atëherë, kur ishim kombi më i madh i Ballkanit, u vërsulën mbi ne barbarisht, por, ne prapë sot jemi të lirë e të vendosur të qëndrojmë të lirë në trojet tona, të vendosur të punojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për bashkimin tonë, në të gjitha vlerat e mëdha të kombit e të Europës”, theksoi Kryeministri Berisha. . ”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 October 2012 12:48

Deçan – Të premten, më 12 tetor 2012, Komuna e Deçanit do të jetë nikoqire e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, në një sërë akitivitesh në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar.

Kjo ngjarje, në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar, organizohet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, z. Rasim Selmanaj. Me këtë rast, kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, do t’i ndahet titulli: Qytetar Nderi i Komunës së Deçanit.

Në të njëjtën ditë, Kryeministri Berisha do ta bëjë zbulimin e Shtatores së Heroit Isa Boletini, në fshatin Isniq të Deçanit, ngjarje që ndodhë po në kuadër të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar. Aktivitetet në kuadër të kësaj pritjeje, do të zhvillohen sipas agjendës në vijim:

12:00 – Kryeministri Berisha do të bëjë homazhe në Kompleksin Memorial të UÇK-së, në Gllogjan;

12:45 – Kryeministri Berisha do të pritet në Komunën e Deçanit, nga Kryetari i Komunës, z. Rasim Selmanaj;

13:00 – Në ambientet e Komunës së Deçanit do të zhvillohet ceremonia i ndarjes së Çmimit Qyetar Nderi i Deçanit për Kryeministrin Sali Berisha;

14:00 – Në fshatin Isniq të Deçanit, Kryeministri Berisha do ta bëjë zbulimin e Shtatores së Heroit të Kombit, Isa Boletini.

Në fund të aktivitetit, do të ketë një program të pasur kulturor-artistik, me emrat më të shquar të muzikës shqipe. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 16:07

Tiranë – Jemi në 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar dhe ai që erdhi nga Kosova me qindra luftëtarë trima për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, sot i ka eshtrat në një thes të vjetër, në një nga xhamitë e qytetit të Mitrovicës, në Kosovë. Këtë skandal, e pohon nipi i tij direkt që jeton në Tiranë, i cili mban të njëjtin emër me heroin tonë kombëtar. “Shekulli” bëri një vizitë në shtëpinë e Boletinëve. Në kontaktin e parë, sa hapëm derën e apartamentit në një nga pallatet në zonën e Bllokut, ndjejmë erën e Pavarësisë. Ky është viti i tyre.

Teksa bisedojmë me Isën 82-vjeçar, dhe gjendemi të ulur në kolltukun e sallonit, prapa nesh “na shoqërojnë” kryelartë Isa dhe Ismali Qemali, ditën e ngritjes së flamurit, 100 vjet më parë. Duket sikur po na vëzhgojnë ndërsa u hedhim herë pas here vështrimin  fotografive të tyre në mur. Nuk ka se si të mungojnë në shtëpinë e nipit të Isa Boletinit, fotot e 28 nëntorit të vitit 1912. Kanë një ngjashmëri të habitshme, sytë, balli, vetullat…

Isa ynë, mban veshur pantallona xhins e atlete të bardha. E rrallë kjo mënyrë të veshuri për një moshë kaq të thyer. Sa herë që ulet me miq dhe të afërm, nuk mundet kurrsesi, të mos bisedoj edhe për 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Pa dyshim mes kontribuesëve më të shquar,  është edhe gjyshi i tij. Ndërsa rreshton gjithë meritat e Isës, është gati të ulëras, kur kujton që eshtrat e tij, prej shumë vitesh nuk kanë gëzuar as respektin më minimal për një luftëtar të shquar të Shqipërisë, nuk kanë një varr, ku të prehen.

“Gjyshi im ishte njeri që  donte Shqipërinë natyrale, atë të parëve tanë, luftoi dhe dha gjithçka për të, pasurinë, gjakun e tij, të fëmijëve dhe nipërve”. Kështu e nis fjalën pinjolli i familjes Boletini. Flet gjithë pasion për të parët. Aq sa mban shtrënguar fort pas vetes, librat që janë shkuar për të. “Is Boletini, është i vetmi Rilindas dhe atdhetar, për të cilin janë shkruar 16 libra”, -shprehet ai me krenari.

Shumë herë e ka vizituar vendlindjen e gjyshit dhe të të atit, fshatin Boletin afër qytetit të Mitrovicës. Ajo kullë, ka qenë një bazë e madhe e patriotizmit edhe në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës nga serbët në vitet 1998-1999. “Kullën e vjetër të fisit tonë, e kam ringritur pikërisht mbi ato themele që ka pasur. Tre herë është djegur kulla e Boletinëve, nga serbët dhe turqit. Shumë djem të rinj e patriotë kanë dalë nga ky fis, por ai që u shqua mbi ta, ishte Isa Boletini”. Emri i tij lidhet fort me kryengritjet e mëdha shqiptare kundër pushtimit turk, në vitet 1908-1912, pa harruar që ka rrëmbyer pushkën që me Lidhjen e Prizrenit. Por mbi të gjitha Isa, do të njihet si personi që vendosi të kontribuojë për Shqipërinë e pavarur. Besnik ndaj Ismail Qemalit, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Isa Boletini futet triumfator në qytetin e Vlorës, bashkë me 105 djem të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre, vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur, se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin plakun e Vlorës, të paktën fizikisht pasi në bisedat e shumta me Ismail Qemalin, Isai kishte dhënë besën se jeta e tij dhe e luftëtarëve që drejtonte, do ishin për Shqipërinë e lirë. Dhe në fakt, nuk e shkeli kurrë atë besë të dhënë. Ai nuk dorëzohej, nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54-vjeçare, fitoi të drejtë të quhej “bac”, një titull që nuk meritohej lehtë në ato kohë. (Sh.O)

 
Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 08:47

Shkup – Në Shtëpinë Memoriale të Nënës Terezë u zhvillua meshë në gjuhën shqipe për nder të Kolë Bojaxhiut, babait të Nënë Terezës, themelues i korit “Zani i Maleve”.

Posta e Maqedonisë tek Libraria e Çarshisë promovoi pullën postare “Zani i Maleve”, ndërsa në mbrëmje në organizim të Shoqatës së Motoristëve “Dardanians MC” nga Shkupi mbahet defile e anëtarëve të familjeve kryengritëse të cilët do të ndalen te sheshi Skënderbeu për të vijuar me një iftar të hapur te Xhamia e Murat Pashës në orën 19 e 45.

“Organizojmë këtë festë për nder të 100 vjetorit të çlirimit të Shkupit, ku po ashtu do të nderojnë familjet, trashëgimtarët e familjeve që kanë bërë çlirimin e Shkupit, siç është familja e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit dhe shumë familje të tjera dhe duke përfunduar ku do të përfshihen diku 30 familje që janë të veçuara për kontributin e tyre kombëtar në këtë 100 vjetor dhe për të cilët ne u jemi mirënjohës dhe do t’ju ndajmë mirënjohje”, tha ditë më parë kryetari i Komunës Çair, Izet Mexhiti.

Manifestimi në nder të 100 vjetorit të çlirimit të Shkupit do të përmbyllen me një koncert madhështor, ku do të marrin pjesë këngëtar të njohur shqiptarë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 30 June 2012 15:15

Prishtinë – Në Shalë të Bajgorës,  në veri të Kosovës, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbahet sot,  një manifestim popullor kushtuar 100 vjetorit të Kuvendit të Kurillovës .

Pikërisht, më 30 qershor të vitit 1912 në Majën e Vesekofcit, Isa Boletini ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar, para se të shkonte për të ngritur Flamurin e Pavarësisë me në krye Ismail Qemailin në Vlorë.

Manifestimi në Vesekofc është organizuar nga tre komuna kosovare – Mitrovica, Vushtrria dhe Podujeva, nën patronatin e kryetarëve të tyre. Vesekofci është fshati më verior i komunës së Vushtrrisë, ku është trekëndëshi i kufijve të tre komunave organizatore të festës.

Sipas organizatorëve, në manifestim janë të ftuar personalitete të njohura nga fusha e politikës, shkencës dhe kulturës nga viset shqiptare, përfshirë historianë nga Tirana e Prishtina, ndërsa do të flasë dhe përfaqësuesi i familjes së heroit kombëtar Isa Boletini.
Pjesë e festës do jetë edhe ngritja në shtizë e Flamurit Kombëtar aty ku u ngrit para 100 vitesh, si dhe programi nga Ansambli artistik i këngëve dhe valleve i Mitrovicës. (LajmeShqip.com)

12