Lajme Shqip Wednesday, 05 June 2013 23:55

 

Xhabir Hamiti kryetar i Kuvendit të BIK-ut i njohur si kundërshtues i kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërrnava ka reaguar sot ndaj deklarimeve të Hoxhë Irfan Salihut.

Hamiti ka deklaruar se predikime të tilla të nuk bën të përseritën në të ardhmën.

 “Nuk mund të mos e bëjë publike qëndrimin tim distancues ndaj fjalorit jo të matur të Irfan Salihut, imam në Prizren”, thuhet në postimin e Hamitit në rrjetin social Facebook.

Hamiti ka deklaruar se nëse në shoqëri ka devijime  amorale atëherë faji është i të dyve gjinive dhe jo vetëm i femrave.

“Fjala e butë, e shoqëruar me urtësi dhe argumente, është më e thellë dhe më depërtuese sesa, çdo formë dhe mënyre tjetër e shprehjes! Urojë që raste të tilla të mos përsëriten më , jo vetëm nga Irfani, por nga asnjë predikues yni fetar!”,thuhet në reagimin e Hamitit.

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 18:57

Grupi i Grave Deputete të Parlamentit të Kosovës kanë reaguar ndaj deklarimeve të Hoxhë Irfan Salihut imam në xhaminë Suzi Zerri në Prizren.

Deputetet kanë vlerësuar se Hoxha nga Prizreni ka përdorur gjuhë denigruese, poshtëruese, fyese e të pamoralshme.

“Ky diskurs nuk mbështetet as mbi vlerat universale që ka krijuar njeriu, as mbi vlerat e besimit islam, e as mbi vlerat kombëtare shqiptare.”, thuhet në një komunikatë për media të Grupit të Grave Deputete.

Sipas tyre Irfan Salihu ka denigruar figurën e gruas, nënës e vajzës duke poshtëruar në atë mënyrë që i hapë rrugë nënshtrimit e pabarazive shoqërore.

“Kjo gjuhë e këtij hoxhe, por edhe e disa udhëheqësve të tjerë fetarë në Kosovë është gjuhë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen në Kosovë, në lidhje me unitetin e shoqërisë, mund të shkaktojë përçarje dhe urrejtje”, thuhet në komunikatë.

Deputetet kanë kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës që të distancohet nga deklaratat e imamit të Prizrenit.

Hoxha nga Prizreni në një ligjëratë të tij në xhami  flet për virgjinitetin e femrave, duke porositur të rinjtë që femrat të cilat janë jo të virgjëra, të mos i martojnë, duke i quajtur femrat me emra si “kurva, meçka”.

Hoxhë Irfan Salihu, gjatë ligjëratës së tij e cila është mbajtur në xhaminë Suzi Zerrini në Prizren, ligjeratën e tij e nis me një rrëfim duke iu referuar një “bisede që ka dëgjuar nga i vëllai, se një prind i ka blerë vajzës së tij një paketë kondoma”.

Hoxha, i cili njëherit është edhe prijës (imam) në xhami, thotë se rinia shqiptare “është duke bërë punë të flliqta”, mirëpo në ligjeratën e tij në fjalë, më shumë flet për gjininë femërore.

Ai vazhdimisht porositë të rinjtë, përkatësisht gjininë mashkullore që të jenë të “pamëshirshëm” përballë femrave që siç shprehet hoxha, “e kanë humbur moralin e tyre”.

Hoxha vazhdimisht flet për moralin, duke iu referuar virgjinitetit të femrës. Në këtë mënyrë sipas tij, ato femra të cilat nuk janë të virgjëra, nuk kanë moral.

“Këto rrospija dhe kurva…çdo femër që ban akt intim pa kurorë, sipas dispozitave islame është kurvë”, thotë ai në njërën prej fjalive të tij përgjatë ligjërimit.