12
 
Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 18:14

Vëzhgimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ka raportuar për një tërmet në pjesën juglindore të Iranit, afër kufirit me Pakistanin, me intensitet prej 7.8 shkallësh.

Nga ana tjetër, Qendra Sizmologjike e Iranit tha se intensiteti ishte 7.5 shkallë.

Raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 86 kilometra në juglindje të qytetit iranian, Khash.

Televizioni shtetëror i Iranit ka raportuar se së paku 40 vetë e kanë humbur jetën, por ka shqetësime se numri i personave të vdekur mund të jetë më i madh.

Zyrtarë të Pakistanit thonë se së paku 5 vetë e kanë humbur jetën përgjatë kufirit në pjesën jugperëndimore të këtij vendi.

Tërmeti është hetuar edhe në rajon, ndërsa ka raporte se janë dridhur ndërtesat prej Dubait e deri në Nju Delhi.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 16:51

Kairo – Rojet e sigurisë arritën të kapin një burrë që tentoi të qëllonte me këpucë presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.

Ngjarja ndodhi ndërsa presidenti po vizitonte një xhami në kryeqytetin egjiptian, Kajro.

Video tregon momentin kur një burrë thërret “frikacak” dhe qëllon.

Sipas BBC, nuk dihet cili ishte motivi, por disa raportime flasin për një sirian, të zemëruar nga mbështetja që i jep Irani qeverisë së vendit të tij.

Lideri iranian po merrte pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku përfshihen 57 vende myslimane.

Jashtë xhamisë kishte edhe protestues të tjerë që mbanin postera kundër mbështetjes që i jep Irani regjimit të Sirisë.(T.O/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 30 October 2012 12:35

Iran – Sipas Agjensisë Zyrtare “IRNA”, anijet, të cilat përfshijnë edhe një kryqëzor e transportues, u nisën nga Irani gjatë shtatorit.

 

Mbërritja e tyre në Port Sudan vjen gjashtë ditë pasi disa shpërthime shkatërruan një fabrikë armësh në afërsi të kryeqytetit Khartoum.Qëllimi i vërtetë i misionit të këtyre luftanijeve, të shoqëruara nga tre helikopterë ushtarakë mbetet i paqartë për mediat ndërkombëtare.

 

Pas shpërthimit, Sudani ngriti në OKB një padi kundër Izraelit, të cilin shteti afrikan e fajëson për realizimin e goditjes nëpërmjet depërtimit të disa gjuatësve luftarakë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se fabrika me armë operohej nga Irani, i cili dërgonte një pjesë të armëve në Liban, për të furnizuar organizatën terroriste të “Hezbollah”-ut dhe disa lëvizje të tjera militanteske palestineze.

 

Izraeli nuk është shprehur rreth bombardimit të supozuar të ndodhur në Sudan.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 20:53

Teheran – Policët anti-protestë dhe demonstruesit u përballën në kryeqytetin e Iranit, Teheran, pasi disa ditë radhazi zhlerësimi galopant të monedhës kanë krijuar pakënaqësi të shumta në vend.

Gaz lotsjellës u përdor për të shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve ndezën goma makinash dhe kazanë plehrash.

Pjesëmarrës në protestë thanë për mediat ndërkombëtare se shumë të tjerë u arrestuan nga policia.

Qendra e manifestimit ishte përpara Bankës Qendrore të Iranit, ku me mijëra kërkuan dorëheqjen e guvernatorit dhe thirrën me slogane anti-qeveritare.

Monedha vendase e rialit ka humbur rreth 30% të vlerës ndaj dollarit në një javë, pasi qeveria shpalli disa masa, me synimin e mbrojtjes së monedhës, por që dhanë rezultate të kundërta.

Që prej ashpërsimit të sanksioneve si rrjedhojë e ambicieve bërthamore të Iranit një vit më parë, riali ka regjistruar një inflacion prej pothuajse 100%.

Një ditë më parë, në një përpjekje për të qetësuar pakënaqësinë popullore, Presidenti Ahmadinejad fajësoi perëndimin për inflacionin galopant, duke vlerësuar se ndaj shtetit të tij ka nisur “një luftë e vërtetë ekonomike”.

Presidenti autoritar shtoi se pavarësisht sanksioneve dhe vështirësive ekonomike, “Irani nuk do të nënshtrohet dhe do të vazhdojë të ndjekë programin bërthamor, siç ka të drejtë të bëjë çdo shtet sovran”.

Megjithatë, sipas ekspertëve, ky inflacion tregon se bllokada ekonomike imponuar për shkak të programit bërthamor të Teheranit është duke goditur ekonominë vendase edhe më fort nga sa ishte parashikuar.

Një inflacion i tillë i lartë e bën më të vështirë importin e mallrave të huaja, duke rritur çmimet për njerëzit brenda Iranit, kryesisht për ato prodhime që importohen apo lënda e parë e të cilave vjen nga jashtë.

Një vend me 75 milionë banorë, Irani nuk është i vetmjaftueshëm në prodhimin ushqimor apo farmaceutik, duke bërë që edhe çmimet për ushqimet dhe barnat të pësojnë rritje të dhimbshme për iranianët e thjeshtë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 20:00

Fjalimi i Ahmadinejad-it ishte i fundit në OKB para se ai të largohet nga pushteti në vitin e ardhshëm.

Të martën, presidenti amerikan Barack Obama tha se “koha nuk është e pakufizuar” në lidhje me zgjidhjen e krizës së programit bërthamor të Iranit përmes diplomacisë.

Obama tha se SHBA respekton të drejtën e kombeve për të pasur qasje në energjinë bërthamore për qëllime paqësore, por, një Iran i pajisur me armë bërthamroe sipas tij “do të kërcënonte eliminimin e Izraelit, sigurinë e shteteve të Gjirit dhe stabilitetin e ekonomisë globale”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 20:00

SHBA – Presidenti amerikan Barak Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha masat  e nevojshme për të mos lejuar Iranin të zotërojë armë bërthamore. Presidenti Obama foli sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku dënoi gjithashtu dhunën që u përhap kohët e fundit në vendet myslimane, si reagim ndaj një videoje që vinte në lojë profetin Muhamed.     
 
Në fjalimin para udhëheqësve botërorë, Presidenti Obama tha se Iranit ka “ende kohë dhe hapësirë” për të negociuar mbi programin e tij bërthamor, por ai shtoi se “ajo kohë nuk është e pakufizuar.”

“Të jetë e qartë: një Iran me armë bërthamore nuk është një kërcënim që mund të kontrollohet. Do të kërcënonte eliminimin e Izraelit, sigurinë e vendeve të Gjirit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë botërore.”

Zoti Obama, në fjalimin e tij, dënoi dhunën që u përhap kohët e fundit në vendet myslimane, si pasojë e filmit të publikuar në internet.

“Nuk ka fjalë që mund të justifikojnë vrasjen e personave të pafajshëm. Nuk ka video që mund të justifikojë një sulm kundër një ambasade. Nuk ka sharje që paraqet justifikim që njerëzit të djegin një restorant në Liban, apo të shkatërrojnë një shkollë në Tunis, apo të shkaktojnë vdekje dhe shkatërrime në Pakistan.”
 
Presidenti amerikan e filloi fjalimin e tij duke i bërë homazh ambasadorit amerikan në Libi, Chris Stevens që ishte njëri nga amerikanët që u vra nga dhuna në Bengazi. Presidenti Obama tha se ambasadori mishëronte më të mirën e Amerikës dhe theksoi se sulmi ndaj amerikanëve në Libi ishte sulm ndaj Amerikës.
 
Zoti Obama u shpreh edhe në lidhje me konfliktin në Siri midis forcave kryengritëse dhe Presidentit të vendit Bashar al-Assad.

“Në Siri e ardhmja nmuk duhet t’i takojë një diktatori që masakron popullin e tij. Nëse ka një çështje për të cilën duhet të protestohet sot në botë, është një regjim që torturon fëmijët dhe hedh raketa në godina me apartamente. Dhe ne duhet të vazhdojmë angazhimin për të garantuar që ajo që filloi si lëvizje qytetarësh për të drejtat e tyre të mos përfundojë në një cikël dhune sektare”.

Presidenti Obama do të qëndrojë shkurtimisht në New York për Asamblenë e OKB-së dhe nuk do të ketë takime të veçanta me udhëheqës botërorë, pasi i rikthehet fushatës presidenciale. Ai flet sot edhe në takimin  e Nismës Globale Clinton të ish-Presidentit Bill Clinton.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 12:38

Teheran – “Izraeli është në fazën e fundit para sulmeve ndaj Iranit”,  ka theksuar burimi, duke shtuar se Izraeli as nuk mundë ta paramendojë se me çfar force do ti përgjigjet këtyre sulmeve Irani. 

Gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh megjithate nuk beson se Izraeli do të sulmojë pa aleatin e vet më të fortë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Por, nëse Amerika vendosë të përkrahë planin izraelit për sulmin ndaj Iranit, Hejizadeh ua tërheq vërejtjen se Teherani do t`i hakmerret edhe Tel Avivit edhe  Uashingtonit. “Teherani definitivisht do ti sulmojë bazat ushtarake amerikane në Bahrein, Katar dhe Avganistan… në regjion nuk do të ketë vend neutral”- ka thënë ai. 

Deklarata e general Brigade Amir Ali Hajizadeh, vjen pas deklaratës së njeriut të parë të Gardës Revolucionare të Iranit, Muhamed Ali Jafari, i cili ka deklaruar se lufta ndërmjet Izraelit dhe Iranit  më në fundë do të ndodhë, duke mos spekuluar me datën dhe vendin e fillimit të kësaj lufte. 

“Strategjia mbrojtëse e Iranit mbështetet në supozimet se kjo do të jetë luftë masovike kundër koalicionit global me Amerikën në krye. Nëse cionistët sulmojnë Iranin, do të jetë ky rast historik për Revolucionin Islamik që të shlyeje nga historia  gjeografike botërore”-ka thënë zëvëndës komandanti i Gardës Revolucionare, Hosein Salami. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 09:07

TEHERAN- Burime nga Garda e Revolucionit në Iran, trupat elitare të regjimit, njoftuan sot testimin e raketave të reja tokë-ajër me rreze mesatare veprimi, të projektuara për të rrëzuar një avion armik në një distancë prej 50 kilometrash.

“Sistemi i ri i mbrojtjes quhet Ra’ad (Bubullima) dhe testimi ishte një sukses”, theksuan burimet.

“Raketat Taer-2, të përdorura në sistemin Ra’ad janë prodhim vendas dhe janë më të avancuara se raketat ruse, Buk”, theksoi agjencia iraniane e lajmeve, Fars.

Liderët izraelitë kërcënojnë rregullisht qendrat bërthamore iraniane, me pretekstin se duan të ndalojnë Teheranin të mos pajiset me armë bërthamore.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 11:20

Teheran – Kreu i Agjencisë Bërthamore të Iranit ka thënë të hënën se “terroristët dhe sabotuesit” mund të kenë infiltruar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), në përpjekje për të penguar programin atomik të Iranit.

“Terroristët dhe sabotuesit mund të kenë infiltruar agjencinë dhe të marrin vendime të fshehta. Ne duhet të informojmë Shkëlqesinë e tij, drejtorin e përgjithshëm, dhe kolegët e tij në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Fereidoun Abasi-Davani.

Ai ka thënë se “sabotuesit kanë pasur në shënjestër dy objekte të rëndësishme bërthamore në Iran, duke bombarduar linjat e energjisë drejt tyre”. Në konferencën e ANEB-it në Vjenë, Davani ka thënë se linjat e energjisë në kompleksin Fordov janë ndërprerë më 17 gusht nga shpërthimet.

Sipas tij, linjat drejt objektit Natanc janë ndërprerë po ashtu. Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe vende të tjera druajnë se Irani mund të përdorë uraniumin e pasuruar për armë bërthamore – gjë që hidhet poshtë nga Teherani.

Komentet e Davanit vijnë një ditë para takimit në Stamboll të shefes për politikë të jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, dhe të kryenegociatorit të Iranit për çështje bërthamore, Saed Xhalili. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 16:55

Milano  – Siç kumtoi gazeta italiane “Koriere dela Sera”, Silverstejn, i cili tani më e ka marrë nofkën  “Xhulian Asanzhi izraelit”, pohon se planet parashikojnë “agresion të koordinuar të bazuar në kiber sulm pa precedent, me të cilin për disa minuta tërësisht do të jenë të vdekur interneti, telefonat, radiot, televizionet, komunikimet satelitore dhe kabllot optike në objektet strategjike të Iranit”.

Sipas Silverstejn, qëllimi i hapit të këtillë është që autoritetet izraelite të mos kenë idenë se çka po ndodh në vend.

Plani ka disa faza, me ç’rast në fazën e parë duhet të “hidhen nga rreshti” infrastruktura iraniane dhe bazat raketore nëntokësore në Horamabas dhe Isfahan. Sipas pohimeve të parashtruara në dokumente, parashikohet edhe paralizim i plotë i elektrocentraleve iraniane përmes shkaktimit të lidhjes së shkurtër me ndihmë të municionit nga fibër karboni, e cila do të duhej transformatorët t’i bëjë tërësisht të pavlefshme.

Pas kësaj do të pasonte faza e dytë në të cilën mbi forcat nëndetare irabiane në Gadishullin Persik do të gjuheshin dhjetëra raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrave, të cilat do të kishin mbushje konvencionale.

Në fazën e tretë cak i sulmeve raketore do të ishin sistemet komanduese dhe kontrolluese, qendrat shkencoro-hulumtuese, por edhe shtëpitë e personave të cilët janë të kyçur në zhvillimin e programit bërthamor iranian.

Pas sulmeve të këtilla mbi territorin e Iranit do të dërgohej satelit izraelit TekSar, i cili do të duhej të bëjë xhirime për vlerësim të dëmeve të shkaktuara. Nëse vërtetohet se “ndonjë punë ka mbetur e papërfunduar”, do të angazhihen aeroplanë izraelitë me stelt teknologji, të ciltë do të “kryenin punën”.

Qëllim i i planit të këtillë, sipas Silverstejn, është që të shkaktohet goditje e rëndë e kapaciteteve iraniane për prodhimin e armëve bërthamore, por edhe të pamundësohen kontrasulme iraniane mbi territorin e Izraelit.

Pohimet e këtilla janë parashtruar në internet faqen izraelite “Tikun Olam”, që në përkthim do të thotë “Ta përmirësojmë botën”. Silverstejn pohon se dokumentet që i publikon janë pjesë e materialeve të dedikuara për ministrat izraelitë dhe oficerë të lartë ushtarakë, të cilët janë pjesë e të ashtuqujturës Kabineti i sigurt, i cili me rregullore i miraton vendimet më të rëndësishme të vendit.

“Koriere dela Sera” përkujton se javët e fundit janë përorcuar spekulimet se Izraeli përgatitet për sulm mbi Iranin para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA në fillim të nëntorit. (LajmeShqip.com)

12