12
 
Lajme Shqip Friday, 14 February 2014 12:53

Këto ndryshime lidhen me kohën e shlyerjes së kredisë si pasojë e vonesave të proçedurave të prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit, ku nuk u realizua disbursimi i kredisë sipas afateve të parashikuara tek marrëveshja e parë.

Proçedurat e prokurimit të kontratave për zbatimin e projektit kanë përfunduar në dhjetor 2013. Marrëveshja e parë u miratua me ligjin nr.10248, datë 11 mars 2010 për projektin “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë” nëpërmjet huas prej 42 milionë euro. 

Shlyerja e kredisë prej 42 milionë euro në këtë projektligj parashikohet të kryhet me afate të përcaktuara brenda 8 viteve, nga 30 qershor 2016-30 dhjetor 2024. 

OST, si kompani që do të kryejë veprimtaritë e transmetimit të energjisë elektrike, dispeçerimit të sistemit elektroenergjetik dhe operimin e tregut të energjisë elektrike, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV Shqipëri – Kosovë, përfshirë investimet në pajisjet e tensionit të lartë. 

Ndërtimi i linjës 400 Kv e interkonjeksionit Tiranë-Prizren parashikohet të përfundojë në vitin 2015. Shqipëria shton në tre numrin e tyre për shkëmbimin e energjisë me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian, duke rritur pozicionin strategjik në shkëmbimin e energjisë elektrike. 

Për ndërtimin e linjës 400 Kv të interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë dy kompani, “Dalekovod” nga Kroacia dhe “Energoinvest” nga Bosnja kanë nisur përgatitjet për të filluar punën në terren. Projekti në total kap vlerë 75 milion Euro, financim i qeverisë gjermane përmes bankës KfW. 

Linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë është me rëndësi strategjike, pasi Shqipërisë, që importon energji elektrike për të plotësuar nevojat, i mundëson qëndrueshmëri importi dhe shfrytëzim optimal të burimeve të saj energjetike plus atyre të Kosovës. Por vlera shkon përtej Shqipërisë dhe Kosovës, pasi realizimi i projektit i shërben rajonit dhe më gjerë.

Ndërtimi i linjës 400 Kv Tiranë-Prishtinë përmirëson sigurinë me kosto efikase të furnizimit me energji elektrike në Shqipëri dhe përmbush kushtet për një treg të integruar të energjisë në Evropën Juglindore. 

Si lidhje me Kosovën, linja krijon kapacitete eksportimi duke kursyer shpenzime përmes operimit të përbashkët të kapaciteteve të gjenerimit. Kjo mundësi kontribuon në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në sektorin e energjisë elektrike.

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 January 2014 15:29

Së shpejti pritet të nisin punimet për ndërtimin e “autostradës energjitike” Shqipëri-Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në një konferencë për shtyp. Ai theksoi se, ka nisur tashmë zbatimi i projektit më të rëndësishëm mes dy shteteve shqiptare. “Kontrata është nënshkruar dhe tenderimi ka përfunduar. Tani pritet vetëm disbursimi i parave dhe nisja e punimeve”, është shprehur Gjiknuri.

Ndërkohë në muajin dhjetor të 2013-ës Kosova dhe Shqipëria nënshkruan kontratën për ndërtimin e “autostradës energjetike”. Ndërtimi i linjës interkonjektive 400 kV ndërmjet dy vendeve do të ofrojë ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme dhe do të mundësojë që të dy operatorët të punojnë bashkërisht, si një sistem shpërndarës dhe do të ofrojnë përfitime të ndërsjella për konsumatorët e të dyja vendeve, shkruan shekulli.

I pyetur në lidhje me devijimin e lumit Radika, Gjiknuri u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase për këtë çështje dhe çdo informacion i tillë është spekulim politik.

“Nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase, por ka vetëm një marrëveshje kufitare për trajtimin e ujërave. Çdo gjë tjetër është spekulim.  Nuk e di se kush e nxit këtë, kur edhe ministrat maqedonas thonë se nuk ka asnjë projekt të tillë, por vetëm një projekt-ide.  Nëse do të kishte një projekt në lidhje me ujërat, do të mbanim një qëndrim në interesin e vendit  dhe sipas ligjeve ndërkombëtare”, u shpreh Gjiknuri.

 
Lajme Shqip Saturday, 22 December 2012 16:53

Tiranë – Qeveria shqiptare ka vendosur të anulojë zyrtarisht tenderin e shumëpërfolur të linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

Top Channel zotëron dokumentat zyrtare ku konsulenti njofton kompanitë private se Qeveria e ka anuluar lotin e parë të tenderit. Vendimi është komunikuar një ditë më parë. Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi i saj për të mos anuluar tenderin pavarësisht presioneve të forta që pati nga banka gjermane KFW, e cila financon projektin.
Saga e tenderit ka nisur që në mars të vitit të kaluar kur Qeveria zhvilloi tenderin për ndërtimin e linjës. Formula e paracaktuar e vlerësimit nxorri fituese mnjë kompani kroate, por sapo KFW njoftoi fituesin Qeveria bllokoi procesin, pasi çmimi i fituesit ishte 8 milionë euron më i lartë se vendi i dytë. Bllokimi u kundërshtua nga banka gjermane, e cila i kërkoi qeverisë të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës dhe të mos e anulojë tenderin, por pa rezultat.

Që nga ajo kohë mes Qeverisë dhe KFW ka patur një sërë letërkëmbimesh mbi këtë konflikt. Muajt e fundit banka gjermane, pranoi anulimin e tenderit, por në këmbim të disa kushteve, ku më kryesori ishte ai që Qeveria, saktësisht Ministria e Financave të pranonte rezultatin e tenderit të dytë, cilido të ishte ai.

Por, Ministria e Financave, në rolin e huamarrësit nuk e pranoi dhe ka vendosur prishjen e tenderit në mënyrë të njënashme, çka duket se do rrezikojë financimin e tij nga banka gjermane, e cila më parë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nëse Qeveria nuk pranon kushtin.

Me këtë vendim ndërtimi i linjës rrezikon të mbetet i bllokuar edhe për disa vite të tjera. Opozita ka akuzuar në më shumë se një rast se bllokimi është i qëllimshëm nga Qeveria për të favorizuar sipas saj monopolin serb në tregun shqiptar të energjisë.(T.CH)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 July 2012 17:20

Tiranë – Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate ‘Dalekovod’. Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se i çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dyte.

Qeveria tentoi të zëvendësonte fituesin për ta lidhur kontratën me kompaninë boshnjake “Energoinvest”, qe hasi bllokaden e KFW-së.  Banka gjermane ende nuk ka marre nje pergjigje se çfare do te beje qeveria shqiptare ndaj se fundimi i kërkon në letrën e radhës drejtorit të OST-se, Arben Ibroja dhe dhe ministrit të Financave Ridvan Bode, të marrin një vendim përfundimtar nëse do e pranojnë  fituesin e tenderit. KFW i rikujton edhe një herë qeverisë shqiptare se tenderi  ishte transparent dhe në përputhje të plotë me rregullat e rëna dakord më parë nga Operatori shqiptar i transmetimit, ai i Kosovës si dhe nga vete banka.

“Në këtë kontekst do të donim të nënvizonim faktin se nëse qeveria shqiptare do të vendosë ritenderimin e linjës, kostot e saj do të jenë edhe më të mëdha nga tenderi i parë,” thuhet në letrën e fundit që dy drejtues të lartë të bankës gjermane i dërgojnë ministrit të financave Bode dhe drejtorit të OST. 

Më tej banka i bën të ditur qeverisë se nëse opsioni i saj i vetëm është ritenderimi, ajo do ta pranojë anulimin e tenderit të parë vetëm kundrejt disa kushteve. Kushti i parë i vendosur nga gjermanët është ai që anullimi i tenderit të kërkohet nga të dy palët e përfshira, si OST-ja shqiptare ashtu dhe operatori i transmetimit të Kosovës duke shpjeguar dhe arsyet përkatëse. Por pala kosovare e ka cilësuar tenderin si të rregullt duke i pranuar  rezultatet e tij, çka mund të rrezikojë të shtyjë vonesat pafund të ndërtimit të linjës.

Kushti i dytë i kërkuar nga KFW është që të dy operatorët e sistemeve të transmetimit të bien dakrd për metodën që do përdoret për vloerësimin e kostove që ka procesi i ritenderimit. Gjithashtu një tjetër kusht është ai i moscënimit të standardeve teknike. “KFW nuk mund të bëjë kompromis në këtë cështje dhe të lejojë uljen e standardeve teknike”, thuhet në letër. Ndërsa kushti i fundit lidhet me garancitë që banka kërkon nga qeveria shqiptare se nuk do të bllokojë sërish edhe një tender të dytë të mundshëm. “Ne kërkojmë një deklaratë zyrtare nga pala shqiptare, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe OST, ku të pranohet se procesi i ritenderimit do të zhvillohet sipas standardeve të KFW-së do të pranohet nga OST pavarësisht kostos së fituesit”.

Kjo deklaratë është e nevojshme përpara se të rihapen procedurat për një tender të dytë, theksohet në letrën që dy drejtuesit e lartë të bankës gjermane i dërgojnë palës shqiptare. Këto parakushte thuhet në letër, i janë bërë të njohura edhe kryeministrit Sali Berisha nga vetë ambasadorja gjermane në Shqipëri në datën 7 maj të këtij viti. Në fund duke bërë të ditur se ky vendim i KFW për parakushtet i është komunikuar edhe qeverisë gjermane banka nxit edhe një herë OST dhe Ministrinë e Financave të marrin vendimin përfundimtar për të vazhduar më tej bashkëpunimin e ngushtë.

Nderkohe deputeti i Partise Socialiste Artan Gaci thote se ritenderimi favorizon monopolet serbe. (T.Ch)

 
Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 14:18

Tiranë -Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) deri tani nuk ka konstatuar ndonjë problem madhor në OST. Kështu është shprehur sot në media Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit,  Bujar Leskaj, lidhur me çështjen e tenderit të linjës së interkonjeksionit Tiranë -Prishtinë, ku opozita ka lëshuar akuza për korrupsion kundër qeverisë.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias për çështjen, Leskaj tha se “në këto momente një ekip i Kontrollit të Lartë të Shtetit është në OST dhe në praktikat dhe standardet e saj, KLSH  prononcohet kur gjithë praktika evadohet, pra kur ne bëjmë raportin përfundimtar të kontrollit”. “KLSH në OST është në një kontroll të përvitshëm, në një kontroll normal pune. Këto janë kontrolle që një departament i posaçëm në KLSH  i organizon në krye të një ose dy vjet dhe në kohën e duhur do të kemi prononcimin zyrtar”, tha Leskaj, duke shtuar se deri më tani grupi i punës nuk ka konstatuar ndonjë problem madhor.

Leskaj, iu përgjigj interesit të medias edhe për marrëdhëniet e bashkepunimit mes KLSH dhe prokurorisë në luftën kundër korrupsionit, duke shprehur optimizmin e tij se këto marrëdhënie do të ecin në rrugën e duhur. 

Zoti Leskaj me cilësinë e kreut te KLSH nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të 6 organizatave jo fitimprurëse të angazhuara në luftën kundër korrupsionit, me lëvizjen “Alternativa Civile”, drejtuar nga Mentor Kikia, me ‘Qendren për Transparence dhe Informim te lirë’, drejtuar nga Sami Neza, me “Transparency International ne Shqiperi’, drejtuar nga Lutfi Dervishi, me ‘Institutin per Demokraci dhe Ndërmjetësim”, drejtuar nga Sotiraq Hroni dhe ‘Levizjen Evropiane në Shqiperi’, drejtuar nga Gledis Gjipali.

Marrëveshjet synojne kontribute dhe aktivitete të përbashkëta, pjesëmarrje reciproke ne workshope, konferenca etj për luftën kundër korrupsionit dhe  parandalimin e tij si dhe rritjen e transparencës publike. Marrëveshjet e bashkëpunimit të firmosura sot, parashikojne mundesine e shkrimit të projekteve të përbashkëta në këtë drejtim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 13:50

Tiranë – Ambasadorja gjermane në vendin tonë iu përgjigj interesit të mediave në lidhje me akuzat e përhapura ditët e fundit, për afera korruptive në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri.

Sipas ambasadores Holtkemper, Banka gjermane KFW ka punuar në mënyrë korrekte. Qeveria gjermane ka reagur përmes ambasadores së saj në Tiranë, në lidhje me skandalin e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë një aktiviteti për përvjetorin e qendrës së Gjermanishtes, ambasadorja gjermane Carola Holtkemper e ka cilësuar si shumë korrekt qëndrimin e bankës gjermane KfW në lidhje me projektin.

“ Nuk mund të japim informacione për tenderat që janë në vazhdimësi e sipër. Për ne, ky tender është ende në zhvillim. Banka gjermane KFW ka punuar në mënyrë korrekte”, tha Holtekemper për mediat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 19 April 2012 14:27

Tiranë – Ministri i Financave, Ridvan Bode, iu përgjigj të enjten, gjatë punimeve të seancës plenare të Kuvendit, akuzave të opozitës për korrupsion në anullimin e tenderit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kw Tiranë-Prishtinë.

“Lidhur me debatin për tenderin për ndërtimin e linjës 400 kw të intekonjeksionit Tiranë-Prishtinë, sqaroj se çmimi i ofruar nga kompania e parë në krahasim me atë të vendit të dytë është 24 % më e lartë. Me të drejtë nëse do ta pranonim si fituese këtë kompani do të na ngriheshin akuza për korrupsion”, tha ministri Bode.

Sipas Bodes, akuzat e ngritura nga opozita e implikojnë atë. “Këtë tender e kemi marrë ne, por në një tender ku diferenca ndaj garuesve është 24 për qind çdo kush ka të drejtë të pyesë. Ne parandaluam një rast korruptiv. Dhe në vend që opozita, në vend të thoshte faleminderit, të paktën duhet të heshtete. Si ka mundësi që kërkoni këtë. Nuk është ndershmëri kjo. Pasi ne kemi të drejtë të akuzojmë edhe për interesa okulte nga opozita shqiptare”, theksoi Bode.

“Banka gjermane KfW duhej të njoftonte me ligj kompaninë shqiptare për përzgjedhjen e kompanisë fituese, por në fakt nuk e ka njoftuar”, tha Bode. Gjatë punimeve të seancës plenare kur po diskutohej p/rezoluta për “Autoritetin e Konkurrencës”, deputetët e PS-së akuzuan sërish qeverinë për bllokimin e projektit Tiranë-Prishtinë.

Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, kërkoi nga institucionet investigimin e kësaj çështje, pasi, sipas tij, kjo i kalon kufijtë e një tenderi. Ai ka theksuar se bllokimi i linjës së interkonjeksionit nuk kanë të bëjë me interesat kombëtare, por me interesat korruptive të qeverisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 18 April 2012 13:44

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama i bëri sot thirrje qeverisë të heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të projektit strategjik të linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

“Në emër të opozitës shqiptare i bëj thirrje kryeministrit ta heqë postbllokun e korrupsionit nga rruga e realizimit të këtij projekti strategjik dhe të mos e damkosë me një tjetër damkë turpi qeverinë e këtij vendi dhe Shqipërinë, që ka interes për këtë projekt”, u shpreh Rama, në një komunikim me mediat.

Reagimi erdhi pas akuzave të kryeministrit Berisha për atë që ky i fundit e cilësoi klikë të mafias, lidhur me debatin që pasoi zbatueshmërinë e projektit në fjalë.

“Berisha foli për klikën e mafias duke akuzuar si zëdhënës të mafias KFW-në, gazetën “Zëri” dhe natyrisht edhe opozitën. Nuk di nëse tek mafia ai fut edhe partinë e koalicionit të tij. Kjo është çështje që i takon ta zgjidhin me njëri- tjetrin. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që të besojë se banka që përfaqëson shtetin gjerman të jetë mafioze dhe Saliu të jetë qelibari”, tha Rama, ndërsa shtoi se bllokimi i projektit është haptazi kundër interesit kombëtar dhe publik.

“Se sa të pastra janë duart e qeverisë së Saliut kjo duket nga qindra kilometra larg, por duke parë nga afër gjithë dokumentacionin e procesit të bllokuar të realizimit të linjës 400 kw me Kosovën, të vret syrin qëndrimi arbitrar i qeverisë shqiptare”, u shpreh Rama.  (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 20:15

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u përgjigj sot, në konferencën për shtyp, në lidhje me shkrimin e publikuar dje nga gazeta kosovare “Zëri”, sipas së cilës, shefi i qeverisë shqiptare ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë.

Sipas Kryeministrit, ky shkrim ishte një krizë e radhës e mafies së dëshpëruar. “Mafia nuk ka atdhe, atdheu i saj është shpella ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka sy, vetëm fytyrën e krimit, nuk ka moral”, u shpreh kryeministri Berisha, duke theksuar se linja e interkonjeksionit e Kosovën do të bëhet, por në përputhje të plotë me ligjin, rregullat dhe interesin e qytetarëve shqiptarë.

 Shefi i qeverisë theksoi se, ministrat dhe kabineti qeveritar janë gardianët e interesit publik, por pavarësisht dëshirave, ligjet mbeten ligje dhe nuk mund të preken.

Sipas kryeministrit, “oferta që përmend Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta tjetër për të cilën drejtuesi i OST-së, mendon se duhet të fitojë. Ministria e Financave nuk pranon një borxh prej 10 milionë dollarë më shumë për shkak të preferencave që tregojnë për një kompani apo për një tjetër”.

“Unë di që ka patur një ankesë në Këshillin e Ministrave. Ai ka bërë kontrollin dhe ka marrë vendimin që i’a ka përcjellë autoritetit kontraktues”, tha Kryeministri. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 April 2012 16:06

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi qeverinë për bllokim të projektit për linjën e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist, Rama deklaroi se PS do të thërrasë kryeministrin Sali Berisha në një interpelancë urgjente në parlament, për të dhënë shpjegime për këtë projekt.

“Berisha duhet të përgjigjet publikisht, pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjikpër Shqipërinë dhe Kosovën; pse qeveria dhe Berisha nuk i kanë dhënë përgjigje financuesit prej një viti dhe pse qeveria e ka parë të udhës të sillet në kundërshtim me normat etike e ligjore në kushtet e një bashkëpunimi me një donator të rëndësishëm për një çështje kaq të rëndësishme sa çështë pavarësia energjetike e Kosovës”, tha kryetari i PS-së.

Rama tha se nuk ka mundësi që Berisha të mos jetë në dijeni të shfaqjes së turpshme, madje e ka akuzuar se ai është regjisori i kësaj shfaqje të turpshme, që i qëndron si njollë jo qeverisë së tij, por gjithë vendit. “Kjo linjë do ishte drejt përfundimit, ndërkohë që bllokimi i saj mban peng politikën e Kosovës, por sjell dëm dhe në bashkëpunimin me një donator të fuqishëm, si Gjermania”, nënvizoi Rama. 

Ai kërkoi veprim të menjëhershem të projektit që çliron Kosovën nga monopoli me Serbinë sa i takon linjës së furnizimit me energji, ndërsa i ka kërkuar kryeministrit Berisha të sqarojë arsyet e bllokimit. (LajmeShqip.com)

12