Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 23:40

Olimpiku i Marsejës ka marrë një fitore minimale 1-0 përballë Interit duke rritur shanset për kualifikimin e mëtejshëm në Ligën e Kampioneve, falë edhe momentit  negativ që po kalojnë italianët në këtë periudhë. Në një ndeshje shumë të mërzitshme, gjithçka është vendosur në minutën e fundit shtesë kur Andre Ajeu ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes pas zhvillimit të një goditje nga këndi. 

Situatën e Interit e ka bërë më të vështirë trajneri Klaudio Ranieri që ka zgjedhur një formacion të çuditshëm me Militon e Pacinin në stol, ndërsa Forlan e Zarate përbënin dyshen e sulmit me Shnajder pas krahëve të tyre. Nëse uruguaiani arrin të tregohet i lëvizshëm dhe kërkon në të gjitha mënyrat të krijojë rrezikshmëri, argjentinasi është thuajse inekzistent dhe nuk bën asnjëherë gjënë e duhur.

Nga ana tjetër, Deshamp zgjedh një rreshtim 4-2-3-1 me Brandao si sulmues të vetëm, por e ka të vështirë të ndërtojë aksione në pjesën e parë. Pjesa e dytë është edhe më e mërzitshme, pasi edhe Interi duket i kënaqur me barazimin dhe nuk është se bën shumë për të rrezikuar portën kundërshtare.

Për të vendosur ndeshjen mendojnë vëllezërit ganezë Ajeu. Vëllai i vogël, Xhonatan, i futur në fushë si zëvendësues është a që frikëson mbrojtjen zikaltër duke bërë që Interi të kthehet prapa për të mbrojtur barazimin. Ndërsa vëllai i madh, Andre, fiton goditjen e këndit nga e cila më pas do të shënojë edhe golin me kokë në minutën e 93-të të takimit.

Kjo goditje pritet të jetë shumë e rëndë për Interin që po kalon një periudhë shumë negative, ndërsa trajneri Ranieri thuajse e ka të sigurt shkarkimin nga detyra. (LajmeShqip.com)