Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 17:05

Tiranë – Vlerësimi i vjeshtës i Komisionit Evropian karakterizohet nga një gjuhë mjaft pozitive për Shqipërinë, veçanërisht lidhur me rezultatet e dialogut politik pozitë-opozitë për votimin në Parlament të disa reformave. Por nuk lihet mënjanë nënvizimi i sfidave me të cilat përballet vendi, për gjyqësorin, korrupsionin, administratën publike, pronat apo pavarësinë e institucioneve. Ndërsa zgjedhjet e ardhshme vlerësohen si një test i rëndësishëm.

Një javë para publikimit, Top Channel siguroi projekt-dokumentin e brendshëm të Komisionit: përmbledhjen e përvitshme të raport-progreseve që hartohet për vendet anëtare dhe Parlamentin Europian nën titullin ‘Strategjia e Zgjerimit’.

“Marrëveshja politike e nëntorit 2011 mes shumicës qeverisëse dhe opozitës shënoi fundin e një periudhe të gjatë ngërçi politik që rridhte nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kjo marrëveshje u bë për adresimin e reformave parlamentare dhe zgjedhore dhe për krijimin e klimës politike me përpjekje të përbashkëta për reforma në fusha të tjera. Si rezultat, bashkëpunimi dhe dialogu politik është përmirësuar shumë duke mundësuar progres në fushat e reformave kryesore. Zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në përputhje me Kushtetutën, por procesi politik që mbështolli zgjedhjet nuk i ndihmoi dialogut ndër-partiak pozitiv që kishte nisur në nëntor. Pavarësisht nga episodet e shkurtra të retorikës konfrontuese mes qeverisë nga njëra anë, dhe opozitës dhe institucioneve të shtetit nga ana tjetër, si dhe pas një ngadalësimi të përkohshëm të reformave, marrëveshja politike është zbatuar plotësisht”, thuhet në dokument.

‘Strategjia e Zgjerimit’ është ende një projekt-dokument dhe formulimet nuk janë përfundimtare. Në përmbledhjen për ecurinë e Shqipërisë, vërehen pjesë reformash ku nënvizohet që “priten për t’u konfirmuar”, para se të përfshihen apo jo në vlerësimin zyrtar të 10 tetorit.

“Shqipëria ka shënuar progres të mirë drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim në BE, duke dorëzuar një numër reformash lidhur me prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit. Në përgjithësi, Shqipëria ka vijuar të zbatojë pa pengesa Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe të luajë një rol konstruktiv në rajon. Dialogu ndërpartiak mundësoi arritjen e një progresi të mirë në fushën e reformave kyçe politike, si miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, emërimi i Avokatit të Popullit dhe procesi i dëgjimit dhe votimit në Parlament për emërimet në gjykatat e larta, duke çuar në përmbushjen e prioriteteve kyçe përkatëse. Koordinimi i mirë i procesit të integrimit të BEsë nga qeveria dhe bashkëpunimi efektiv i opozitës mundësuan një farë progresi në zbatimin e reformës në drejtësi, duke reformuar sistemin e imuniteteve të zyrtarëve publikë dhe të gjykatësve dhe me futjen e reformave për Gjykatën e Lartë. Progres u arrit gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, politikave anti-diskriminim, përmirësimit të trajtimit të të paraburgosurve, si edhe për reformën e pronave dhe për të drejtat e gruas”, thuhet më tej.

Pas vlerësimeve pozitive, në pjesën përmbledhëse të projekt-dokumentit të brendshëm të Komisionit, vijojnë sfidat e detyrimet për vendin.

“Shqipëria duhet të ndërtojë mbi këtë progres duke patur parasysh sfidat e rëndësishme që ka përpara, të shpejtojë reformën e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me përfundimin e reformës së administratës publike dhe të reformës për pronat, si dhe për forcimin e institucioneve të pavarura. Vëmendje më e madhe për zbatimin kërkohet ende, veçanërisht sa i përket kushteve të jetesës së komunitetit rom. Vazhdimi i dialogut politik për reformat mbetet i nevojshëm për funksionimin e qetë dhe për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të vendit. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 do të përbëjnë një test të rëndësishëm të Kodit të ri Zgjedhor dhe të angazhimit të vazhdueshëm ndërpartiak për reforma. Ruajtja e ritmit të reformave, me fokus të veçantë mbi zbatimin e ligjeve dhe të politikave në fushën e shtetit të së drejtës, do të jetë thelbësore”, thuhet në pjesën përmbledhëse.

Projekt-dokumenti nuk përmban ende asnjë formulim mbi rekomandimin përfundimtar të Komisionit për dhënien apo jo të statusit kandidat për Shqipërinë. Ai është objekt ndryshimi deri në momentin e publikimit zyrtar. ‘Strategjia e Zgjerimit’ publikohet më 10 tetor, e shoqëruar nga raport-progreset individuale për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. (T.Ch)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 15:07

TIRANË- ‘Dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”…Zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, pritet një garë e egër, përparimi për shtetin e së drejtës i pakët”, janë disa nga pikat që përfaqësuesi i OSBE në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka nënvizuar në raportin për Shqipërinë të prezantuar sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, 20 shtator 2012. 

Në përgjithësi, përfaqësuesi i zyrës së OSBE në vendin tonë thekson se klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë.

“Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të PS në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor, të Avokatit të ri të Popullit”.

Por, sic theksohet në raport, gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh.
“Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”.”

ZGJEDHJET 2013-DO JENË TË EGRA
E ndërsa bën analizën për 12 muaj që u lanë pas, ambasadori Wollfarth në raport bën dhe një parashikim për vitin 2013. Në fokus, thekson ambasadori, do të jenë zgjedhjet parlamentare. Klima? E egër, Fitorja? Qeveria e re nuk do të arrijë të konstituohet para seancës së parë plenare.

“Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut.

Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re” 

NISHANI DO VIHET NË QENDËR TË DEBATEVE
Ambasadori i OSBE në vendin tonë parashikon gjithashtu se Presidenti nuk do t’u shpëtojë debateve politike.
“Ka gjasa që ai të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit”.

BEFASI ZGJEDHJA E DISA MINISTRAVE
“Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit, ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur”, nënvizon raporti i OSBE për Shqipërinë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
Raporti vë në dukje se ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor.
Duke përshkruar këtë proces, Wollfarth thekson se mbi të gjitha procesi ishte kushtetues edhe pse nuk coi në një konsensus.
“Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik”.

REFORMA ZGJEDHORE
Zyra e OSBE në vendin tonë përshëndet arritjen e një marrëveshje ndërpartiake në Kuvend, por nuk harron bllokimin që i solli politika kësa reforme.
“Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike”.

Rëndësi sipas Wollfarth, tani ka zbatimi në praktikë. “Theksi duhet vënë tashmë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. 

REFORMA PARLAMENTARE
“Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar”.

SHTETI I SË DREJTËS
Zyra e OSBE në Shqipëri thekson se hezitimi për të vepruar në përputhje me ligjin sjell dobësi të institucioneve shtetërore. Klientelizmi, thekson raporti është kërcënimi në vazhdim. “Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues”. 

VENDIMET E GJYKATAVE-GËRDECI DHE PËRGJIMI META-PRIFTI
Gjyqi i Gërdecit nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimit e gjykimit të drejtë. Kështu citon raporti üër Shqipërinë në OSBE. “Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë”.

Ambasadori i OSBE theksoi në veçanti, kohëzgjatjen e tepruar të gjyqit. “Shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si aktori kryesor që mund të ndreqë rrethana të tilla, vazhdimisht nuk veproi”, ndërsa raporti shton se shqetësim ishte mosparaqitja në gjyq e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

“Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”.

Kurse në lidhje me gjyqin e përgjimit Meta-Prifti, OSBE thekson shpalljen të pafajshëm të ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Meta si dhe rrëzimin e provave. “Në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 16:05

Tiranë (PLOTESUAR 18 SHTATOR, 18:40)- Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët.

Po sot, Kuvendi hodhi poshtë me 60 vota pro, 63 kundër dhe 6 abstenim nismën e PS-së për ndryshimet kushtetuese. Menjëherë pas votimit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se pas 10 viteve përpjekjesh, Kuvendi arriti të vendoste një prej standardeve evropiane të kërkuara prej kohësh.  Ajo e cilësoi ditën e sotme, si një dot të mirë, ndërsa ftoi deputetët që nesër të votojnë edhe ligjin për Gjykatën e Lartë.

Në seancën e sotme Kuvendi miratoi edhe disa ligje të tjera të rëndësishme, si ai për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH për asistencën sociale.  Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për kontrollin e pasurive të të zgjedhurve dhe nëpunësve, i ndryshuar. (LajmeShqip.com)

***************************************

Tiranë (PLOTESUAR 18 SHTATOR, 17:20)- Pasi falenderoi opozitën për konsensusin ndaj asaj që ai e quajti si “përpjekje shumëvjeçare” e demokratëve për të hequr barrierat për organet hetimore, pra imunitetin, kryeministri hodhi një lumë akuzash ndaj ish-presidentit Bamir Topi, ish-nënkreut të KLD-së Kreshnik Spahiu për afera korruptive gjatë kohës kur ishin në detyrë.

“Drejtësia nën drejtimin e Topi tuaj dhe ‘faqeziut’ ishte në periudhën më të errët të saj. Flisni me gjykatësit dhe do të shihni që transferimi i një gjyqtari nga Durrësi në Tiranë ishte një aferë korruptive prej 500 mijë eurosh”, deklaroi Berisha duke akuzuar më pas edhe opozitën se ka patur nën kontroll drejtësinë nëpërmjet ish-presidentit Topi dhe ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Deklaratave të kryeministrit Berisha, i replikoi kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi. Zoti Ruçi akuzoi kryeministrin për uzurpim të sistemit të drejtësisë dhe se paketa e tyre synon ta çlirojë këtë sistem nga politika.

Kreu i socialistëve në parlament akuzoi mazhorancën për lidhje me Ilir Xhakjan, vrasësi i cili pak ditë më parë në Shijak, ekzekutoi Komisarin e Policisë. Ruçi tha se Xhakja është shfrytëzuar për të mbledhur vota nga mazhoranca në kohë fushate.

“Ilir Xhakja, që deri dje e përdorje për të mbushur shportën elektorale, sot mundohesh t’ia faturosh opozitës. Më kot mundohesh. Ai guxoi ngriti dorë në mes të ditës ndaj uniformës së shtetit sepse ju e mbrojtët”, tha Ruçi. (LajmeShqip.com)

*****************************************************

TIRANE – Pak përpara votimit të draftit aq të rëndësishëm dhe të përfolur, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, në një kohë kur PS ka rënë dakord ta votojë draftin, kryeministri Berisha e cilësoi këtë ditë si finalizimin e një lufte shumëvjeçare dhe një kapitull të ri për shqiptarët.

Sipas Berishës, mazhoranca nuk e ka humbur asnjëherë durimin për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe ka bërë të gjitha lëshimet e nevojshme, në mënyrë që të arrihej një draft konsensual i pranuar nga të gjitha palat.

“Për mua personalisht kjo është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme, është finalizimi i një beteje shumëvjeçare për realizimin e këtij akti madhor kushtetues, nga i cili theksoj nuk përfiton asnjë forcë politike, nuk mund të ketë kredibilitete individuale, nga i cili fiton qytetari, rendi kushtetues i Shqipërisë, Kushtetuta e vendit e cila bëhet një dokument më i drejtë më i barabartë për qytetarët e saj.”- u shpreh kryeministri.

Më tej shefi i qeverisë theksoi se mbetej i vendosur për ta përmbyllur çështjen e imunitetit me të gjitha mënyrat, duke përfshirë edhe zhvillimin e një referendumi, pavarësisht se do të shkonte kundër dëshirës së tij.

“Ju falënderoj jo se ju po votoni, por se dua të jem i hapur dhe i sinqertë. Referendumi, do shkoja kundër dëshirës sime, por për këtë çështje madhore unë kisha vendosur të shkonim drejt referendumit, pasi e konsideroja një çështje themelore jashtë tagrit tonë, kisha besim se shqiptarët do ta votonin. Kjo u shmang dhe për këtë ju falënderoj.”- vijoi Berisha. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 18:19

Bruksel -Presidenti Bujar Nishani është njohur sot me vlerësimin e Brukselit mbi progresin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Brukseli zyrtar është shprehur me nota pozitive për progresin e Shqipërisë, por ka theksuar se 12 prioritetet mbeten kërkesë e vazhdueshme dhe vetëm nëse plotësohen ato, Shqipëria merr statusin. Në takimet që Nishani kreu sot në Bruksel me presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian u theksua roli i politikës në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt BE.

Rompuy
Shqipëria ka ende mundësi të marrë statusin kandidat për në BE, por gjithë progresi varet nga vete Shqipëria në përmbushjen e 12 kritereve të përcaktuara nga KE. Ka qenë, kjo deklarata e presidentit të BE, Van Rompuy në konferencën për shtyp me presidentin Bujar Nishani sot në Bruksel. Rompuy theksoi se dialogu politik i qëndrueshëm dhe konstruktiv mbetet esencial për suksesin e Shqipërisë. “Shqipëria mund të arrijë ende progres në objektivin e saj për 2012-ën, Komisioni Europian do të vlerësojë situatën në Tetor, ndërsa Këshilli Europian do të diskutojë në muajin Dhjetor të këtij viti. 

Ndaj tani është e rëndësishme që reformat politike të vazhdojnë. Inkurajoj qeverinë dhe opozitën që të shfrytezojnë bashkarisht këtë moment për të arritur rezultate konkrete në përmbushjen e 12 kritereve. Sundimi i ligjit përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet thelbësor, dhe vlerësoj angazhimin e presidentit për reformën në gjyqësor.

Angazhimi i vazhdueshëm dhe një dialog politik i qëndrueshëm e konstruktiv janë esenciale për suksesin e Shqipërisë”. Nga ana e tij, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se Shqipëria është e vetëdijshme për arritjet e deritanishme dhe sfidat që e presin përpara në rrugën e integrimit europian.

Kanë mbetur pak javë përpara se KE të japë raport progresin. Unë e informova presidentin Rompuy për progresin e arritur deri më tani në implementimin e marrëveshjes politike të Nëntorit dhe 12 kritereve kyçe, me rishikimin e kuadrit ligjor për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjykatësve, reformën në sistemin gjyqësor, sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi arritur plot, siç jemi të vetedijshëm për sfidat që na presin, për të konsoliduar më tej arritjet e deritanishme.

Nishani theksoi se mbetet i angazhuar personalisht për të ndihmuar që të gjitha palët të jenë të angazhuar në këtë proçes. Presidenti shtoi se, Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, ndërsa perspektiva europiane mbetet instrumenti më i mirë për të inkurajuar frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore 

Barroso-Nishani: Progresi i Shqipërisë po ndodh
Pas takimit me presidentin Bujar Nishani, presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso përgëzoi progresin që ka arritur Shqipëria në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.

Në konferencën e përbashkët me zotin Nishani, të mbajtur në Bruksel, Presidenti Barroso theksoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat për në BE. “Jam i bindur dhe kam besim se Shqipëria do të krijojë mundësitë për të kaluar fazën e ardhshme. Bëj thirrje për të vazhduar konsensusin mes palëve për integrimin e vendit. Në bazën e këtij progresi të arritur deri tani Shqipëria mund të kërkojë shpërblim, por natyrisht duhen vazhduar përpjekjet. Progresi i Shqipërisë në të vërtetë po ndodh. Dhe progresi i saj në 2012-ën është më se i mundshëm ashtu siç është mëse i mundshëm edhe statusi kandidat këtë vit.”- deklaroi Barroso.

Nga ana e tij Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani theksoi edhe një herë angazhimin e politikës shqiptare, por edhe të tijin personal, për të vazhduar reformat kyçe në përmbushjen e 12 kritereve të përcaktuara nga Komisioni Europian. Presidenti Nishani përmendi një serë arritjesh që janë bërë deri tani, si miratimi i Kodit Zgjedhor, miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar dhe ligji antimafia, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 15:05

Tiranë – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste të opozitës vendosi të hënën që të votojë “pro’ draftit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, në seancën e Kuvendit, që pritet të mblidhet të martën (ora 11:30).

Sot u mblodh konferenca e kryetarëve, e cila vendosi për mbledhjen nesër të parlamentit, ku pritet të shqyrtohen dhe draftet për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga maxhoranca dhe opozita.  

Kjo nismë e PD-së nuk arriti të miratohej në parlament në seancën e 6 gushtit, pasi opozita refuzoi të japë votën e saj, duke e kushtëzuar atë me miratimin më parë të draftit të propozuar prej saj që synonte një reformë në zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të larta të drejtësisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 09 September 2012 13:23

TIRANË- Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker ka dhënë një mesazh të qartë për politikën shqiptare në mbyllje të vizitës së tij në Tiranë. 

Në takimin e fundit të tij, me kryesocilistin Rama, Reeker është shprehur se javët në vazhdim janë kritike për Shqipërinë dhe aspiratat e saj. Kalimi i ligjit për heqjen e imuniteti, miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë por edhe atij të Reformës Parlamentare, për SHBA, sic tha Reeker, është rruga në të cilën duhet të ecë Shqipëria. “Falenderoj Ramën që më takoi të dielën. Jam tejet i kënaqur që e vizitova Shqipërinë, takova një sërë njerëzish dhe dëgjova larmishmëri pikëpamjesh si dhe ndava me këta njerëz pikëpamjet për të ecur përpara. Besoj se kam pasur takime shumë konstruktive këtu në Tiranë. Në zgjedhjet e ardhshme sic e kam thënë, Washingtoni do ju ndjekë nga shumë afër, presim të zhvilloni zgjedhje demokratike, të keni institucione demokratike. Mund të them se javët e ardhshme janë kritike, për të demonstruar arritjet e reformave. Parlamenti ka mundësinë e tij që të mund të ndikojë në mënyrë pozitive progres raportin e BE, kalimi i ligjit të Gjykatës së Lartë, imuniteti, rregullorja e Kuvendit tregojnë hapat e rëndësishëm për të ardhmen e saj”, tha i dërguari i SHBA. 

Reeker theksoi ndër të tjera se me Ramën ka diskutuar edhe në lidhje me “marrëdhëniet e forta dypalëshe Shqipëri-SHBA,, për integrimin euroatlantik të vendit, përparimin e bërë që gushtin e shkuar, si dhe zgjedhjet si në SHBA, por edhe këtu në vendin tonë”, tha ai.

Ndërsa kreu i PS, Rama gjatë fjalës së tij para selisë rozë, e cilësoi vizitën e të dërguarit të SHBA, si konfirmim të vëmendjes e respektit për Shqipërinë. “Ishte kënaqësi e veçantë të mirëprisnim në selinë tonë një përfaqësues të Departamentit të Shtetit. Ne çmojmë vizitën e tij si shprehje të vëmendjes respektit dhe miqësisë që lidh popujt dhe vendet tona”, tha Rama.

Sipas liderit të opozitës, në këtë takim, “Konfirmuam bazën solide të partneritetit dhe qëllimet e përbashkëta për perspektivën e vendit dhe të rajonit, lidhur me familjen europiane. Së treti u fokusuam tek perspektiva demokratike dhe europiane e vendit, shprehëm idetë për progresin e vendit, qoftë në drejtim të BE, qoftë në drejtim të standardeve demokratike”, shtoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 13:12

Bruksel – Në muajin tetor Shqipëria do të përballet për të tretën herë me publikimin e raport-progresit të Komisionit Evropian, i cili do të shprehet nëse vendi i ka përmbushur 12 prioritetet kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE. Peter Stano, zedhenes i eurokomisionerit Stefan Fule ne nje interviste per Deutsche Welle thekson se KE po ndjek me vemendje cdo hap te progresit dhe reformat qe po behen ne vend ne kuader te integrimit.

Z.Stano, a do ta marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?

Peter Stano: Në njëfarë pike Shqipëria do ta marrë statusin, kur të përmbushë prioritetet dhe kriteret që kërkohen. Pyetja nuk është nëse Shqipëria do ta marrë atë, por kur do ta marrë. Dhe në këtë moment, nuk mund t´ju them diçka më të saktë, vetëm se në momentin kur kushtet të plotësohen, kriteret të përmbushen, kur Shqipëria të dorëzojë të gjithë prioritetet kyçe, vetëm atëherë Komisioni Evropian do të jetë në gjendje të rekomandojë statusin kandidat për Shqipërinë.

A janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian një vit më parë, apo do të jetë sërish një shans i humbur?

Peter Stano: Muajin e ardhshëm Komisioni Evropian do të publikojë raportin vjetor. Progres-raportet janë shumë të mira, objektive dhe një vlerësim shumë i ndershëm për secilin shtet që është në këtë proces, të performancës së secilit shtet që do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, kështu që muajin e ardhshëm ne do të japim vlerësimin tonë se si ka ecur Shqipëria në përmbushjen e kritereve të nevojshme, si është punuar për realizimin e 12 prioriteteve kyçe të dhëna nga Komisioni Evropian herën e fundit.

Cili është mendimi juaj për çështjen e kufizimit të imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e lartë? Komisioni Evropian kërkoi heqjen e tij. A e vonon mosmarrjen e statusit mosmiratimi i tij në Parlament?

Peter Stano: Në lidhje me rëndësinë e çështjes së imunitetit unë mund t´i referohem asaj çka Komisioneri Stefan Fyle diskutoi me ministrin e ri të Jashtëm shqiptar Panariti gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel. Komisonieri tha se rishikimi i sistemit të imunitetit do të ishte një hap i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.

Në këtë takim, z.Fyle ka përmendur nevojën për dialog konstruktiv për reformën parlamentare, e cila nuk është realizuar ende, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes së nëntorit. A mendoni se në Shqipëri ka një vullnet politik për bashkëpunim?

Peter Stano: Nuk ka lidhje me atë se çka besojmë ne, por ka lidhje me atë që politikanët në vend janë në gjendje të arrijnë. Dhe Komisioni Evropian, Komisioneri Fyle vazhdon t´u përsërisë partnerëve shqiptarë se ajo që është e rëndësishme dhe që Brukseli do të shohë është zbatimi i plotë i marrëvëshjes politike të arritur në nëntor 2011. Kjo do të thotë që të vijohet konsensusi, dialogu dhe puna politike e të gjitha partive politike në axhendën evropiane në mënyrë konsensuale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe siç tha edhe Komisionieri (Fyle) Shqipëria ka një perspektivë të vërtetë për progres drejt Evropës, duke i ofruar vendit dorëzimin e prioriteteve kyçe. Pra, një nga gjërat më të rëndësishme është se si po vihet në jetë marrëveshja politike e nëntorit dhe sigurisht që nga Shqipëria pritet zbatimi i plotë. Sepse kjo nuk është diçka që i duhet Brukselit. Kjo është shumë e rëndësishme për vendin, për progresin e vendit dhe nga i cili nuk do të përfitojë Brukseli por Shqipëria, dhe mbi të gjitha, që të përfitojnë qytetarët shqiptarë.

Lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet kyçe të kërkuara nga Komisioni Evropian. Si e vlerësoni punën e bërë deri tani në këtë drejtim?

Peter Stano: Siç ju thashë, Komisioni Evropian do të paraqesë raport-progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat. Në këtë progres-raport do të vlerësohet se çfarë po bëhet, çfarë është bërë, çfarë është bërë shumë mirë, çfarë është bërë në mënyrë të tillë që ka hapësira për të bërë përmirësime. Komisioni Evropian po shikon me shumë vëmendje çdo hap që është bërë në këtë drejtim, sepse ju e dini që sundimi i ligjit, pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Prandaj ne shikojmë rezultatet në vendet që duan të anëtarësohen dhe kjo është arsyeja se pse ne e kemi vënë kaq shumë theksin në këtë fushë, që është pjesë e procesit të negociimit në kapitujt 23 dhe 24. Çka do të thotë që shtetet që aspirojnë të bëhen vende kandidate dhe të nisin negociatat duhet të jenëi gati ta trajtojnë këtë çështje shumë thellë që nga nisja e procesit. Komisioni po i ndjek shumë nga afër dhe me vëmendje të madhe se çfarë po bën Shqipëria në këtë fushë e më pas do t´i publikojmë mendimet tona në progres-raportin e muajit të ardhshëm.

Së fundmi z. Stano, duhet të presim për një raport pozitiv apo negativ të Shqipërisë në tetor?

Peter Stano: Unë nuk mund të shprehem para se të dalë progres-raporti. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë po e shohin se çfarë po bëjnë përfaqësuesit e tyre politikë. Qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë pret Bashkimi Evropian nga liderët kryesorë politikë, dhe qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë presin ata vetë nga liderët politikë. E kam fjalën, që qytetarët shqiptarë jetojnë atje, po i votojnë dhe po i ndjekin nga afër çdo ditë dhe unë mendoj se ata e kanë ndjesinë se si po performojnë liderët e tyre. Por siç thashë, muajin e ardhshëm publikohet raporti vjetor dhe progres-raporti është shumë objektiv dhe jep një vlerësim të ndershëm se çfarë është bërë, çfarë është bërë mirë, ku ka mangësira. Ne do të themi qartësisht se ku ka nevojë për t´u bërë më shumë. Nuk dua të flas para kohe, para publikimit të progres-raportit. Dua të inkurajoj çdo njeri që të presë për të, dhe në tetor gjithkush mund ta lexojë atë dhe se si i sheh Brukseli përpjekjet e bëra, në mënyrë që të përmbushet perspektiva evropiane. Sepse siç e thashë, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe në interes të politikanëve shqiptarë që të dorëzojnë sa më shpejt që të jetë e mundur të gjithë kriteret e nevojshme, si dhe plotësimin e 12 prioriteteve kyçe!

Peter Stano është zëdhënësi i komisionerit për zgjerimin, Stefan Fyle.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 19:30

BRUKSEL – Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, u prit sot në një takim nga Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në veçanti zhvillimet politike të kohëve të fundit si dhe ecuria e procesit të plotësimit të 12 prioriteteve të KE-së, ishin në qendër të diskutimeve gjatë këtij takimi.

Duke përshëndetur zhvillimet pozitive në Shqipëri, eurokomisioneri Fyle theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të progresit në përmbushjen e 12 prioriteteve të KE-së, veçanërisht ato që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Fyles, rishikimi i sistemit të imuniteteve do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Nga ana e tij, ministri Panariti rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e mazhorancës për të bashkëpunuar me opozitën në drejtim të plotësimit sa më të shpejtë të reformave kyçe, për të siguruar një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit dhe e vendeve anëtare për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

Ministri nënvizoi se mazhoranca ka vullnetin maksimal për gjetjen e zgjidhjeve brenda një kohe të shkurtër dhe për përfundimin e reformës parlamentare dhe çështjen e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, me miratimin e së cilës përmbyllim një nga prioritetet më madhore politikë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 08:25

Bruksel – Ndërsa klasa politike shqiptare vijon debatin për çështjen e imunitetit, kur ka mbetur vetëm pak kohë nga vlerësimi i BE-së, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino, bën apel për dakordësi mes palëve përpara tetorit.

Në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, Sannino kërkon nga politika shqiptare që të mos e shndërrojë çdo çështje në betejë, por të bëjë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit.

“Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë.”- u shpreh Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një konferencë në Bruksel. 

Sipas Sanninos, “Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problematike është fakti se çdo çështje kthehet në betejë nga klasa politike, dhe në fund ajo që mbetet është më tepër lufta politike se sa rezultatet.”

Brukseli i kushton rëndësi të veçantë heqjes dhe kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, dhe kjo reformë mund t’i sigurojë Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat në tetor.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet “Thembra e Akilit” për vendet e Ballkanit, që të përparojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 03 September 2012 13:02

Tiranë- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi në hapje të sesionit të ri kuvendor, ftoi maxhorancën të votojë paketën me amendimet kushtetuese që grupi parlamentar socialist ka depozituar në Kuvend.

“Kemi propozuar një paketë që nuk ka të bëjë me makiazhin e sistemit të drejtësisë, por me thelbin e tij. Ndaj kush do drejtësinë e pavarur le të votojë nismën tonë kushtetuese. Vota për propozimet tona është votë për barazi para ligjit dhe kjo është reforma reale që e bën drejtësinë të pavarur dhe transparente”, theksoi Ruçi, ndërsa ripërsëriti qëndrimin e opozitës për heqjen e imunitetit, duke e konsideruar këtë një çështje të mbyllur dhe për të cilën PS tha ai ‘nuk ka asnjë dilemë, pasi vota e saj është ‘PRO’.

Në fjalën e tij në Kuvend Ruçi theksoi se ky 100 vjetor i Pavarësisë e gjen vendin në udhëkryq, ndërsa akuzoi  maxhorancën se nuk i ka interesuar marrja e statusit, por kapja e institucioneve kushtetuese.

“Ky 100 vjetor e gjen vendin në një udhëkryq dhe me pikëpyetjen nëse do e marrim ftesën për statusin e kandidatit apo do të na refuzohet për herë të tretë. Maxhoranca ka dy muaj që kërkon të manipulojë opinionin për të justifikuar dështimin për herë të tretë duke fajësuar opozitën dhe Edi Ramën. Por, juve si maxhorancë ju interesonte presidenti noter i kryeministrit dhe kapja e institucioneve kushtetuese dhe jo statusi i kandidatit’, u shpreh ai.

Sipas tij 100 vjetori e gjen vendin me një ekonomi të rënduar dhe me një krizë ekonomike që përpiqet të fshihet, e gjen me një kriminalitet të shtuar dhe me korrupsionin që rritet me shifra galopante. Duke renditur disa nga problemet me te cilat përballet sot vendi, Ruçi risolli në vëmendje rizgjedhjen në mënyrë të njëanshme të presidentit të Republikës dhe kritikat e opozitës për vendimet e marra deri tani prej tij.

“Pa kaluar as një muaj nga marrja e detyrës së lartë, presidenti Nishani hodhi menjëherë tre firmat e para pa marrë shënjestër. Nuk mori nishan kur në krye të KLD-së zgjodhi një militant partie me performancë aspak dinjitoze për organet e drejtësisë; nuk mori nishan kur në krye të SHISH vendosi një drejtues me një kaluar të zezë që të rikujton kohën e SHIK të viteve ’92-’97 dhe sikur të mos majftonte kjo nuk mori aspak nishan kur në krye të FA Detare dekretoi ushtarakë të lartë të arsimuar për forca tokësore”, tha Ruçi. Në ditën e parë të sesionit të ri, vijoi Ruçi, opozita i kërkon presidentit të mos e shkrehë më pa marrë nishan. Ndaj dhe sot i themi presidentit se nuk është noter i kryeministrit, por noter i kushtetutës dhe garant i unitetit kombëtar. (LajmeShqip.com)