Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 18:10

Mitrovicë, 12 gusht – Të premten në shtëpinë e familjes së të zhdukurit Imer Fejzullahu, në Mitrovicë, kanë qëndruar Kryetari i Komunës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga nënkryetari Rizah Haziri dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Kuvendit të Komunës, Behxhet Bala.

Imer Fejzullahu, i zhdukur dhjetë ditë më parë ka qenë pjesëtar i UÇK-së, i punësuar në Kompaninë “Ujësjellësi Rajonal”, ndërsa Portali LajmeShqip.com, e kishte dhënë se pari lajmin për zhdukjen e tij.

Kryetari Kastrati ju ka thënë familjarëve të Imerit se ka ardhur për të ndarë bashkë me ta brengat dhe shqetësimet në këto ditë të vështira për shkak të zhdukjes së  mistershme të familjarit të tyre.

Ai ka thënë se ndonëse gjatë këtyre nëntë ditëve ende nuk ka asnjë gjurmë dhe informatë për fatin dhe vendndodhjen e tij, shpreson se Imeri do të gjendet shëndoshë e mirë.  Po ashtu, ai ju ka premtuar familjarëve se do jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e organeve të  rendit për t’u informuar se si po shkojnë hetimet dhe se do t’i inkurajojë ata dhe pjesëtarët e FSK-së që të vazhdojnë me kërkimin e Imerit.

Raportohet se kryetari Kastrati, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të komunës që të ndihmojë familjen Fejzullahu për të gjitha kërkesat eventuale që ajo ka. Kështu, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Kuvendit të Komunës, ka ndarë 500 euro si ndihmë për të zbutur problemet që familja ka në këto ditë të vështira.

Familjarët e Imerit, thanë se ata nuk kanë qenë në konflikt dhe nuk kanë pasur asnjë problem me askënd, se nuk i kanë kurrfarë borxhi kurrkujt dhe se djali i tyre Imeri nuk ka treguar kurrfarë shenjash shqetësimi, prandaj edhe nuk  kanë asnjë përfytyrim se çka ka mundur të ndodh me të.

 
Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 10:57

Mitrovicë – Bashkëpunëtorët e Portalit LajmeShqip.com, kanë konfirmuar se prej nëntë ditësh është zhdukur një punëtor i Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë.

Emri i punëtorit të zhdukur është Imer Fejzullahu, rreth 40 vjeçar, zhdukjen e të cilit e ka konfirmuar edhe policia edhe menaxhmenti i Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës.

Bëhet e ditur se Fejzullahu është zhdukur në vendit e quajtur Te Tuneli, në kohën e tensioneve dhe kriminalitetit të shfrenuar të strukturave mafioze serbe në ato ditë, në veri të Mitrovicës, të cilat u ndihmuan dhe mbështetën vazhdimisht nga pjesëtarë të sigurimit shtetëror serb.

Për fatin e shqiptarit të zhdukur, nuk dihet ende asgjë. (LajmeShqip.com)