Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 17:04

Shkup – Pesë dosje të ish-funksionarë të lartë shtetëror sot do të shqyrtohen nga Komisioni Shtetëror i Lustrimit në Shkup.

Anëtarët e këtij komisioni vazhdojnë mbledhjet e rregullta, pas një jave, pasi që u kërkua kohë për shqyrtimin e disa dosjeve dhe dokumentacioneve të personave që janë në procedurën e lustrimit, bën të ditur INA. Vëllimi i madh i dokumenteve ka bërë që komisioni të zhvillojë punën me tempo të ngadaltë.

Nga Komisioni për Lustrimin nuk janë dhënë detaje se cilët ish-funksionarë janë në fazën e lustrimit, por jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për një ish-ministër dhe një akademik aktual në Maqedoni, të cilët dyshohen se kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete në të kaluarën.

Në Maqedoni deri tani 29 veta, funksionarë aktual dhe ish-funksionarë janë shpallur si spiunë të shërbimeve sekrete në të kaluarën. Një pjesë e tyre janë tërhequr nga jeta politike dhe postet zyrtare, por shumica prej emrave të publikuar si spiunë kanë nisur procedura gjyqësore për të kundërshtuar vendimin e komisionit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 15:00

Shkup – Komisioni ka shqyrtuar dhe verifikuar dosjet e pesë ish-funksionarëve, tre prej të cilëve pritet të shpallen se ka qenë spiunë dhe se dëshmitë ndaj tyre janë të bazuara në fakte dhe dokumente të deponuara nëpër institucionet përkatëse si shërbimi sekret dhe arkivat e Maqedonisë.

Vendimi për shpalljen e emrave të tyre pritet të bëhet gjatë javës së ardhshme dhe se ky vendim pritet të përkrahet nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Bëhet fjalër për persona që kanë qenë bashkëpunëtor gjatë sistemit të kaluar, por edhe pas pavarësimit të Maqedonisë. Nga Komisioni i Lustrimit deri tani janë lustruar 29 persona, të cilët kanë rezultuar se spiunë në të kaluarën. (INA)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 10:34

SHKUP- Komisioni për lustrimin në Maqedoni pritet që të verifikojë figura të tjera politike dhe ish-funksionarë të lartë shtetërorë, se a kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete në të kaluarën.

Sipas njoftimeve të këtij komisioni, raporton INA, në mbledhjen e djeshme janë shqyrtuar dhe lustruar gjashtë ish-funksionarë të lartë shtetëror, tre prej të cilëve kanë rezultuar se nuk kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete, ndërsa për tre të tjerët dosjet janë lënë në shqyrtim dhe plotësim me dokumente të tjera shtesë.

Ndërkohë, bëhet e ditur se javën e ardhshme në shqyrtim do të jenë dosjet e tre ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë, të cilët do të lustrohen si përgjegjës për dhënien e urdhrave për ndjekje të qytetarëve dhe dyshimeve për bashkëpunim me shërbimet e tjera sekrete. (INA)

 
Lajme Shqip Friday, 10 August 2012 18:30

Shkup – Këshilltari komunal i komunës së Bogovinës nga radhët e BDI-së, Isak Ajrulli dhe këshilltari komunal i Gazi Babës në Shkup nga radhët e VMRO-DPMNE, Kiril Plastirov janë dy ish-spiunët e zbardhur nga komisioni për dosjet.

Sipas këtij komisioni, këto dy këshilltarë komunal kanë qenë bashkëpunëtor të fshehtë të shërbimeve sekrete. Ajrulli kishte spiunuar studentët e Tetovës, të cilët në ndeshjet e hendbollit kishin thirrur parulla “Rrofë Shqipëria, rroftë Enver Hoxha”, ndërsa aktori Kiril Plastirov kishte nisur bashkëpunimin që në vitin 1963 duke spiunuar rrjete të nacionalistëve maqedonas.

Sipas dosjes së Ajrullit i ditëlindjes 1954 nga fshati Sedllarcë i Tetovës, ai ka funksionuar me pseudonimin “Zenit” nga viti 1976, kishte marrë detyra për të raportuar për funksionimin e studentëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare të asaj periudhe, por edhe si profesor i punësuar në shkollën e mesme “Mosha Pijade” në Tetovë. Ai aktualisht po kryen detyrën e këshilltarit në komunën e Bogovinës në rajonin e Tetovës. (INA)

09:33 – Sot do të publikohen emrat e spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të shërbimeve sekrete në të kaluarën në Maqedoni. Komisioni për lustrimin të hënën solli vendim dhe verifikoi vendimet lidhur me shpalljen e emrave të rinj të spiunëve, por publikimi do të ndodhë të premten.

Kryetari i Komisionit të lustrimit, Tome Axhiev deklaroi se emrat e dy funksionarëve aktual do të bëhen publike sipas procedurës ligjore që ditën e premten, pas kalimit treditor të afatit ligjor.

Jozyrtarisht mësohet se janë dy emra të ish-bashkëpunëtorëve, njëri prej të cilëve është këshilltar në këshillin e Bogovinës dhe kuadër i BDI-së, ndërsa tjetri nga radhët e VMRO-DPMNE në komunën e Gazi Babës. Komisioni i Lustrimit në bazë të ligjit të ri për lustrim deri tani ka publikuar emrat e 23 spiunëve, kryesisht të UDB-së në të kaluarën. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 08 August 2012 16:45

Shqiptarët janë radhitur në vendin e tretë si spiunë dhe bashkëpunëtor të shërbimit sekret jugosllav UDB gjatë periudhës së socializmit.

Kjo bëhet e ditur sot në një shkrim në të përditshmen maqedonase “Dnevnik”, ku nënvizohet se gjatë sistemit të kaluar, shqiptarët janë radhitur në vendin e tretë si spiunë, menjëherë pas serbëve dhe kroatëve në Ish-Jugosllavi.

Gazeta shkruan se ky fakt ndërlidhet edhe me të dhënat e fundit të Komisionit të Lustrimit në Maqedoni ku nga 23 funksionarët e lustruar, tetë prej tyre kanë dalë shqiptarë.

Gjithashtu bëhet e ditur se një numër i madh i viktimave shqiptare janë spiunuar kryesisht nga bashkëkombasit e tyre bashkëpunëtor të shërbimit sekret, transmeton ina.

UDB aktivitetin e saj kryesor gjatë sistemit të kaluar e kishte përqendruar tek shqiptarët dhe zhvillimin e situatës të ndërlidhur me statusin e tyre në Kosovë, dhe në ish-republikat e tjera jugosllave.

Analistët politik kanë theksuar për gazetën se për shërbimet sekrete në agjendë ka qenë diaspora shqiptare dhe shoqatat e tyre.

Ndërkohë, edhe dy funksionarë aktual janë shpallur spiunë, njëri është shqiptar.

Bëhet fjalë për dy funksionarë lokal në nivel të komunave në Maqedoni, me ç`rast njëri është shqiptarë dhe anëtar i BDI-së, i punësuar si këshilltar në komunën e Bogovinës.

Personi tjetër i shpallur është këshilltar komunal në Gazi Babë të Shkupit, nga radhët e partisë VMRO-DPMNE. Për ta theksohet se kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete gjatë periudhës së viteve të 70-ta. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 05 August 2012 20:33

Shkup – Zgjerohet lista e personave të shpallur nga Komisioni për Verifikimin e Fakteve si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Gazetarë, ish-deputetë, ish-gjykatës, ish-kryetar komunash, ish-drejtorë të drejtorive dhe të tjera profile të personave janë identifikuar se kanë pasur lidhje dhe kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete të shtetit, njofton Zhurnal.

Mustafa Spahiu (gazetar), Hisen Shaqiri (gazetar) dhe Rexhep Zllatku, janë tre emrat e rinj të shqiptarëve që janë gjetur në listën e bashkëpunëtorëve krahas nëntë personave të tjerë që janë shtuar në mënyrë plotësuese së fundmi, si Trendafil Ivanovski (ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese), Milenko Gaber (ish-drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor në Berovë), Gjorgji Përcullovski (ish-kryetar i Komunës Berovë), Mihail Andreev (ish-drejtor), Kiro Leonid (ish-drejtor), Branko Temov (ish-anëtar i Këshillit Drejtues), Petar Cellakoski (ish-drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Manastir) dhe Kiro Dojçinovski (ish-deputet).

Komisioni për Verifikimin e Fakteve ka paralajmëruar se do të vijojë më tej lustrimin e ish-funksionarëve që më pas të kalojë edhe në atë të funksionarëve aktualë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 04 August 2012 02:39

Shkup – Komisioni për Lustrimin në Maqedoni ka publikuar në faqen zyrtare emrat dhe dosjet e personave që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Në mbrëmje u publikuan emrat dhe dosjet e 11 personave që kanë qenë ish-spiunë dhe se në mesin e tyre janë edhe katër ish-funksionarë dhe personalitete publike shqiptare.

Personat e shpallur si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete në të kaluarën janë: Sllobodan Ugrinovski, Zoran Jovanovski (anëtar i këshillit komunal në Rosoman), Vlladimir Millçin (regjisor dhe kryetar i Institutit Shoqëri e Hapur – Soros), Faredin Miftari ( Drejtor i burgut), Sejfedin Haruni (ish-deputet dhe kryetar i PPD-së), Jordanço ]evrevski (dekan i Fakultetit të Arteve dramatike), Nikolçe Babovski (kandidat për deputet), Vangel Gagaçev (ish-gjykatës), Kosta Ballabanov, Shaban Shehu dhe Mahi Nesimi.

Në faqen e Komisionit të Lustrimit janë shpallur vendimet që konfirmojnë këto persona si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete në të kaluarën, kryesisht bashkëpunëtor të UDB-së jugosllave, por gjithashtu janë shpallur edhe dokumente dhe dosje plotësuese.

Komisioni për Lustrimin në të ardhmen në bazë të Ligjit të ri gradualisht do të publikojë emrat e bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete në Maqedoni. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 27 July 2012 11:35

Shkup- Gjatë ditëve të ardhshme do të bëhen publike emrat e spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-shërbimeve sekrete në Maqedoni.

Kryetari i Komisionit të Lustrimit, Tome Axhiev deklaroi se pas tre ditëve do të bëhen publike emrat e bashkëpunëtorëve të ish-shërbimeve sekrete.

Ai theksoi se publikimi i emrave në faqen zyrtare të Komisionit të Lustrimit është në përputhje me Ligjin e ri për hapjen e dosjeve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare brenda komisionit kanë kundërshtuar një vendim të tillë të komisionit, duke kërkuar që procedura e publikimeve të ndërpritet deri në një vendim dhe deklarim të Gjykatës Kushtetuese.

Me ligjin e ri të miratuar nga maxhoranca të gjithë bashkëpunëtorët e shërbimeve të kaluara sekrete, kryesisht shumica prej të cilëve dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimit sekret ish-jugosllav UDB do të publikohen në opinion me emër dhe mbiemër. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 17 July 2012 20:28

Shkup – Në Maqedoni që prej ditës së sotme ka hyrë në fuqi Ligji i ri për lustrimin. Ligji parashikon hapjet e dosjeve sekrete si dhe bërjen publike të bashkëpunëtorëve të Shërbimeve Informative Sekrete Shtetërore të Maqedonisë.

Agjencia e lajmeve INA bën me dije se gjithashtu do të jenë transparente edhe dosjet dhe dokumentet zyrtare të gjithë ish-spiunëve.

Me ligjin e ri përfshihet periudha kohore deri në vitin 2006, përkatësisht deri në kohën kur është aplikuar Llgji për akses të lirë në informata. Ligji i ri detyron që të përfshihen në procesin e lustrimin edhe personat që kanë përfituar kapitale në ndërmarrjet shoqërore më pas të privatizuara.

Nga ligji përjashtohen gazetarët, klerikët, shoqatat joqeveritare dhe anëtarët e partive politike nuk kanë detyrime për të dërguar deklarata pranë Komisionit të Lustrimit. Lustrimi i tyre do bëhet vetëm në baza vullnetare.  (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 19:38

Shkup – Komisioni për verifikim të fakteve, akoma nuk i ka verifikuar deklaratat e 42 akademikëve të ASHAM-it prej të cilëve katër akademikëve, plotësisht do t’u kontrollohen dosjet. Sipas informacioneve jozyrtare mes atyre katër akademikëve ka edhe prej nacionalitetit shqiptar, por nga Komisioni nuk konfirmojnë por as nuk e mohojnë me arsyetimin se nuk janë të autorizuar të japin informacione të tilla.

Kryetari i Komisionit për lustrim Tome Axhiev ka thënë se javën e ardhshme sërish do të ketë seancë për shqyrtimin dhe verifikim e deklaratave të akademikëve nga ASHAM-ja dhe atëherë do të dinë se a do të jenë ndonjëri prej tyre i lustruar.

“Nga e hëna do të realizojmë seancë në të cilën do të shqyrtohen deklaratat e akademikëve. Akoma nuk kemi verifikuar asnjë deklarate, akoma janë në përpunim të dhënat që i kemi për ta”, ka thënë Axhiev.

Ai ka shtuar se kontrollimi i deklaratave të ish dhe funksionarëve aktual udhëhiqet në mënyrë paralele,  ndërsa mu këtë e theksojnë si problem anëtarët e komisionit të cilët janë të propozuar nga ana e opozitës.

Përplasjet mes anëtarëve të komisionit akoma zgjasin. Tani më një muaj dy prej anëtarëve të propozuar nga opozita, Janakie Vitanovski dhe Bllagoja Geshovski e bojkotojnë punën dhe nuk marrin pjesë në seancat, ndërsa arsye për këtë gjë e cekin numri jo realë të deklaratave të kontrolluara për të cilat thonë se nga ish funksionarët janë verifikuar rreth 5.000 në krahasim me deklaratat e funksionarëve aktual që janë 150 në periudhë prej muajit mars të këtij viti.

Edhe Çedomir Damjanovski akuzoi kryetarin Tome Axhiev se nuk ka punuar ligjshëm dhe e keqpërdorë pozitën.  Damjanovski paralajmëronte edhe padi por një ditë pas ndryshoi mendjen dhe vendosi që luftën kundër Axhievit ta udhëheqë nëpër mediume.

Deri më tani, Komisioni për verifikim të fakteve konfirmoi se bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete është ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trndafill Ivanovski i cili ishte i lustruar në prill këtë vit, vetëm dy muaj para pensionimit të tij. Rasti i dyti ishte Sllobodan Ugrinovski, këshilltar i Qytetit të Shkupit  dhe lideri i Lidhjes së Majtë Titiste.

Ai paralajmëroi dorëheqje nga funksioni i tij si këshilltar por, siç tha atëherë, për arsye personale.  Të lustruar ishin edhe ish gjykatësi i Gjykatës Supreme, si dhe dy bartës të listave zgjedhore të zgjedhjeve të fundit nga koalicioni opozitar dhe rasti i fundit me profesorin Vlladimir Millçin i cili zbatoi proces gjyqësor kundër vendimit të Komisionit. (LajmeShqip.com)