Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 11:45

Tiranë – Sot sërish ballë për ballë Ilir Meta e Dritan Prifti, dikur miq dhe bashkëpartiakë, e sot njëri akuzues e tjetri i akuzuar.

Në Gjykatën e Lartë të Tiranës, po mbahet seanca e radhës gjyqësore në ngarkim të ish-zv/kryeministrit e ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, i cili, sipas Prokurorisë, akuzohet për korrupsion aktiv.

Video-përgjimi do të jetë tema e sotme, për të cilën do të dëshmojë Dritan Prifti. Gjykata e Lartë kishte vendosur që të kryhet një ekspertizë e re për videopërgjimin duke rrëzuar ekspertizën e mëparshme. Ekspertiza e videopërgjimit konsiderohet nga prokuroria si prova themelore e saj. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 12:47

Tiranë – Dy ditë pas akuzave të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta ndaj Prokurorisë për shkelje ligjore, ka reaguar sot Prokurorja e Pergjithshme, Ina Rama.

Pas një aktiviteti në fushën e drejtësisë, Kryeprokurorja Rama iu përgjigj interesimit të medias lidhur me çështjen kundër ish-zv/kryeministrit Meta, duke theksuar se prokuroria nuk ka shkelur asnjëherë proceduarat.

Duke i konsideruar akuzat ndaj prokurorisë si retorikë politike, Kryeprokurorja Ina Rama theksoi se “e kemi lënë çështjen të zgjidhet në sallën e gjyqit”.

Dy ditë më parë, në një konferencë shtypi, ish-zv/kryeministri, Ilir Meta, akuzoi institucionin e prokurorisë për shkelje proceduriale e ligjore lidhur me çështjen penale të ngritur ndaj tij për “korrupsion”.

Zoti Meta, duke akuzuar prokurorinë, tha se ajo ka funksionuar si një celulë politike ekstremiste për dëmtimin e tij dhe forcës politike që ai drejton.

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 13:24

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, përshëndeti sot vendimin që Gjykata e Lartë mori një ditë më parë, një vendim që, sipas tij, krijon mundësinë për gjykimin në themel të çështjes së video-përgjimit Meta-Prifti.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se vendimi i djeshëm i trupit gjykues, krijon mundësinë për transparencë të plotë dhe maksimale të të gjithë këtij procesi, i cili, sipas tij, ka patur si qëllim dëmtimin e forcës politike që ai drejton.

“Prokuroria nuk ka patur si qëllim të zbardhë këtë çështje, por ka vepruar si një celulë politike ekstremiste, për të dëmtuar personin tim dhe forcën politike që drejtoj ,vetëm për arsye elektorale”, u shpreh ai.

Duke vënë në dukje se organi qëndror i akuzës gjatë këtij procesi ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe procedurave, Meta theksoi se “dje u konfirmua që të gjitha ekspertizat ndërkombëtare, të bëra nga ana e prokurorisë janë të pavlefshme, sepse janë të paligjshme”.

Ai u shpreh se nëpërmjet tri ekspertizave të kryera nga prokuroria, është shkelur ligji dhe kodi i Procedurës Penale, duke dëmtuar në mënyrë të qëllimshme një proces, ku ajo kishte për detyrë të zbatonte ligjin dhe të zbardhte të vërtetën.

“Kjo tregon njëkohësisht se edhe kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit tim është bazuar në një ekspertizë të paligjshme dhe të pavlefshme. Kjo tregon se Prokuroria, që kërkon rritje të buxhetit të saj në Kuvend, ka shpërdoruar disa dhjetëra mijëra dollarë për ekspertiza qëllimisht të paligjshme dhe të pavlefshme”, nënvizoi kreu i LSI-së.

Ish-zv/kryeministri nënvizoi se organi qëndror i akuzës, me veprimet e saj, edhe politike, ka kryer edhe disa vepra penale në gjithë këtë proces ndaj tij.

“Dhe unë ndaj saj do të shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar dhe evropian për të fituar të drejtat jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, pasi ky është një problem social”, deklaroi Meta.

Duke vënë në dukje se shumë qytetarë i kanë treguar për raste ku prokuroria ka abuzuar me të drejtat e tyre, Ilir Meta e cilëson të domosdoshme një reformë serioze për Prokurorinë e Shtetit.

“Kemi një prokurori që kryen veprime të paligjshme, që shkel ligjin dhe procedurat, që e mban veten mbi ligjin dhe gjithmonë i çon çështjet të dëmtuara në gjykata dhe mundohet të dalë e larë nga këto çështje”, theksoi ai.

Në përfundim, kreu i LSI-së konfirmoi se do të marrë pjesë në të gjitha seancat e ardhshme gjyqësore ndaj tij.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi një ditë më parë që video-përgjimi mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit t’i nënshtrohet edhe një herë riekspertimit për të vërtetuar autenticitetin dhe më pas trupi gjykues do të vendosë nëse do të merret apo jo si provë në procesin gjyqësor.

 
Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 18:37

Tiranë – Gjykata e Lartë vendosi sot të marrë në shqyrtim gjyqësor çështjen penale në ngarkim të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.

Ky vendim vjen pak ditë pasi, vetë Meta, nëpërmjet një memo-je, dorëzuar në këtë Gjykatë,  deklaronte tërheqjen nga disa kërkesa paraprake të tij, duke kërkuar shqyrtimin e çështjes kundër tij, të ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë kërkesat paraprake të paraqitura një seancë më parë nga përfaqesuesit ligjorë të Metës për shpalljen e pavlefshme të hetimeve të prokurorise dhe mospërdorimin në proces të video-përgjimit ndaj Metës.

Në atë seancë, Petrit Serjani, avokati i Ilir Metës, kërkoi që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorisë,  me pretendimin se janë të kundraligjshme. Avokati Serjani listoi një sërë shkeljesh që, sipas tij, ishin kryer nga prokuroria, ndër të cilat, zhvillimin e hetimeve ndaj Metës në kohën kur ai ishte me imunitet si deputet në  Kuvendin e Shqipërisë. “Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit”, tha avokati, duke kërkuar pushimin e çështjes. Gjithashtu, avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjshme.

Ndërkohë,  Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj Metës, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të rrëzojë si të pabaza kërkesat e avokatëve të Metës për pavlefshmëri të hetimeve, pasi, siç deklaroi ai, hetimet ndaj Metës janë të vlefshme.

Ish-zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vetë Meta e ka cilësuar videon, e realizuar nga ish-ministri Prifti, si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.

 
Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 10:07

Tiranë – Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i kërkon Gjykatës së Lartë gjykim të plotë të çështjes, që lidhet me vidio regjistrimin e një bisede, mes z.Meta, në atë kohë ish-zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për afera korruptive.

 

Përmes një Memoje, avokatët e z. Meta,  Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, i kërkuan të dielën Gjykatës së Lartë, të detyruar edhe nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej tyre, z. Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm për nxjerrjen e së vërtetës, por edhe çertifikimin e saj, deklarojnë se heqin dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga “Deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet.

Memoja thekson se, “me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht. Gjithsesi, vlerësimin e këtij fakti, pra regjistrimin pa emër të kësaj çështje, në regjistrin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërinë hetimore të organit të prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij”.

“Për sa i takon kërkesave të tjera paraprake që lidhen me aktet e ekspertimit, dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin, dhe provat materiale të marra në të njëjtën formë, ripohojmë se u qëndrojmë dhe mbi pranimin e tyre, presim me besim vendimin tuaj të datës 11.06.2011”, thuhet në kërkesën e avokatëve të z. Meta, drejtuar Gjykatës së Lartë Tiranë.

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 02 July 2011 10:20

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta priti dy reportertët e Këshillit të Evropës, senatorin çek Tomas Jirsa dhe deputetin moldav Grigore Petrenco.
Pas takimit me delegacionin e KiE-së, Meta deklaroi për mediat se “gjatë bisedës me dy reporterët e u fol për situatën politike në vënd,  duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit”, ndërsa vuri në dukje se vendimet e gjykatës dhe të institucioneve janë të padiskutueshme.
“Ndamë mendime të përbashkëta për rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve. Vendimet e gjykatave janë të padiskutueshme,, theksoi kreu i LSI-së,  ndërsa e cilësoi  me rëndësi realizimin e reformës së re zgjedhore.
“Gjatë këtij takimi , diskutuam edhe për realizimin e reformës zgjedhore.Së bashku me dy reporterët e KiE-së ndamë mendimet për një përfshirje në kodin zgjedhor edhe të problemeve që u krijuan gjatë zgjedhjeve të këtij viti”, nënvizoi Meta, duke u shprehur se “ekspertiza e Komisionit të Venecias është e mirëpritur”.

 
Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 14:20

Tiranë – Gjykata e Lartë ka shtyrë për datën 11 korrik seancën e radhës për çështjen ndaj ish-zv/kryeministrit, Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata e Lartë u njoh me kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me çështjen penale të ngritur ndaj ish-zv/kryeministrit Meta.

Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, kërkoi zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj Metës, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë t’i rrëzojë si të pabaza kërkesat e avokatëve të Metës për pavlefshmëri të hetimeve.

Sikurse deklaroi prokurori Sheshi, hetimet ndaj Metës janë të vlefshme. Sipas tij, hetimet kanë nisur pas konstatimit të autenticitetit të video-përgjimit ndaj tij.

Një seancë më parë, Petrit Serjani, përfaqësues ligjor i Metës, kërkoi që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorisë ndaj zotit Meta me pretendimin se janë të kundraligjshme.

Avokati Serjani, listoi një sërë shkeljesh që sipas tij,  ishin kryer nga prokuroria, ndër të cilat, zhvillimin e hetimeve ndaj Metës në kohën, kur ai ishte me imunitet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. “Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit”, tha avokati, duke kërkuar pushimin e çështjes.

Avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjshme, ndërsa i konsideroi si  të papërdorshme deklarimet e ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, si autori i videos kundër zotit Meta.

Me dëgjimin e palëve, Gjykata e Lartë u tërhoq për vendim, të cilin pritet ta shpallë në 11 korrik 2011.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vetë zoti Meta e ka cilësuar videon si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.

 
Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 12:28

Tiranë – Portali LajmeShqip.com sjellë ekskluzivisht dokumentin, në të cilin, përmes avokatëve të tij, Petrit Serjani dhe Gëzim Velshnja, ish-zv/kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka kundërshtuar, me argumentet e tij, mënyrën e ngritjes së akuzës nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë.

Në Kërkesën për “Konstatimin e Shkeljeve Ligjore gjatë fazës së hetimeve paraprake”, adresuar Trupit Gjyqësor të Rrethit në Tiranë, avokatët e Metës e kontestojnë, duke e argumentuar si të paligjshëm, të gjithë hetimin ndaj tij, të bërë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë.

Avokatët e kontestojnë mënyrën e nisjes së hetimeve, përmes emisionit “Fiks Fare”, “shpërputhjen e bisedës” në video me atë që sqarohej në titrat poshtë ekranit në këtë emision” dhe vetë mënyrën se si ka denoncuar Dritan Prifti, duke përgjuar me një kamerë të fshehtë, të cilën e denoncon, siç pretendon Meta, jo për t’i shërbyer drejtësisë, por në një moment tjetër kohor, për interesa të tjera.

Gjithashtu, Meta e konsideron të paligjshëm këtë denoncim, nga fakti se është pikërisht Dritan Prifti që është i përfshirë në një aferë tjetër dhe në një denoncim tjetër, sipas tij.

Kërkesa e ish-zv/kryeministrit Meta, për ta konstatuar të paligjshëm të gjithë hetimin e Prokurorisë ndaj tij, renditë edhe argument të tjera, me të cilat, sipas tij organi i akuzës ka bërë shkelje të rënda ligjore, që nga fillimi.

Procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës ka nisur në Tiranë dhe, që në senacat e para, ish-zv/kryeministri e ka quajtur atë një proces të montuar politik.

Portali Lajmeshqip.com, e përcjellë në vijim dokumentin e plotë të kërkesës së Ilir Metës, adresuar këto ditë Trupit Gjyqësor të Rrethit në Tiranë. (Lajmeshqip.com)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Portali LajmeShqip.com sjellë ekskluzivisht dokumentin, në të cilin, përmes avokatëve të tij, Petrit Serjani dhe Gëzim Velshnja, ish-zv/kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka kundërshtuar, me argumentet e tij, mënyrën e ngritjes së akuzës nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 14:54

Tiranë – Lideri I LSI-së, Ilir Meta, në një prononcim për mediat, duke iu referuar seancës gjyqësore të një dite më parë të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, adresoi akuza ndaj Prokurorisë duke e cilësuar procesin e tij “si politik”.

“Dje ka nisur një proces politik i cili është i tillë për shkak të shkeljeve të qëllimshme të bëra nga institucioni i prokurorisë i cili nuk ka patur dhe nuk ka si qëllim për të zbardhur të vërtetat, por zvarritjen e këtij procesi dhe mbajtjen peng të imunitetit tim”, deklaroi kreu i LSI-së.

Sipas tij, organi i akuzës e keqpërdori këtë çështje kryesisht  për arsye të zgjedhjeve të 8 majit edhe pse prokuroria ka patur të gjithë kohën për të ecur pëpara në këtë hetim.

Meta vuri në dukje se “vetëm dy ditë para 8 majit prokuroria më komunikoi se isha marrë i pandehur ndërkohë që ajo ka qënë në mënyrë të njëanshme pikërisht në krahun e anti-ligjit”.

Duke e cilësuar këtë proces si të pavlefshëm, kreu i LSI-së theksoi se “nuk ekzisiton asnjë provë materiale e ligjshme jo në kuptimin procedurial por në kuptimin thelbësor pasi edhe nga ekspertiza e bërë nga prokuroria në mënyrë të paligjshme del qartë se kemi të bëjmë me mungesë të provave orgjinale dhe me një kasetë të montuar”.

Më tej, Meta deklaroi se çështja e videos do të ndiqet edhe më tej nga ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa konfirmoi edhe pjesmarrjen e tyrë në seancat gjyqësore.

“Ata kanë konfirmuar vullnetin e tyre për të marrë pjesë në këto seanca për të treguar që ajo video që qytetarët kanë parë, është një manipulim total sidomos përsa i takon tirtrave, shifrave dhe gjithë atyre pjesëve të thurura me aq kujdes vetëm për të dëmtuar dhe kompromentuar figurën time”, nënvizoi Meta.

Githashtu kreu i LSI-së përshëndeti mesazhin e dhënë një ditë më parë nga ministrat e Jashtëm  të BE-së për vlerësimin e zgjedhjeve të 8 majit si dhe apelin drejtuar forcave politike për të respektuar institucionet dhe vendimet e tyre lidhur me çështjet e zgjedhjeve.

“Mesazhi më i  rëndësishëm është që pas përfundimit të këij procesi të nisë puna për reformën zgjedhore dhe që e gjithë politika shqiptare të përqëndrohet në përmbushjen e 12  pikave të prioriteteve të bëra të qarta nga KE dhe BE”, përfundoi Ilir Meta.

 
Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 14:26

Tiranë – Në Gjykatën e Lartë u zhvillua sot seanca e parë për çështjen penale ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion.

Duke folur në seancë, Petrit Serjani, përfaqesues ligjor i Metës, kërkoi që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorise ndaj zotit Meta me pretendimin se janë të kundraligjshme.

Sipas tij, prokuroria ka realizuar hetime ndaj Metës që në kohen kur ai ishte me imunitet si deputet në  Kuvendin e Shqiperisë.  “Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit”, tha avokati.

Avokati Serjani kërkoi papërdorshmërinë e videos Meta -Prifti, me argumentimin se është siguruar në rrugë të kundraligjëshme. Ndërkohë që, të papërdorëshme u konsideruan nga mbrojtesi ligjor edhe deklarimet e ish- ministrit te Ekonomisë, Dritan Prifti, si autori i video-s kundër zotit Meta.

Pas prezantimit te kërkesave të mbrojtjes, përfaqësuesi i Prokurorisë se Pergjithshme, Bujar Sheshi, kërkoi kohë që të njihet hollësisht me to, për të shfaqur me pas qëndrimin e prokurorise.

Me ketë  zhvillim, Gjykata vendosi të shtyjë seancen në daten 27 qershor 2011.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta  është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehte kundër tij,  ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vete zoti Meta e ka cilësuar videon si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.