Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 18:06

Tiranë – Ish- ministri i Ekonomise, Dritan Prifti, reagoi lidhur me raportin e  ekspertëve shqiptarë,  që e konsideruan videon “Meta -Prifti” si jo origjinale.

“Videoja që u bë nga ora kamer ishte origjinale dhe kjo është një provë e padiskutueshme. U njoha me vendimin e ekspertëve dhe mendoj se ata mbrojtën Ilir Metën para Gjykatës “, tha Prifti.

Në vazhdim të reagimit të tij, ish- ministri Prifti kërkoi realizimin e një ekspertize te re të videos së  tij. Tre ekspertë shqiptarë, publikuan sot në një seancë në Gjykatën e Lartë,  rezultatin e ekspertizës për videon Meta -Prifti, që e konsideron videon jo autentike.  

Ekspertiza e videos u urdhërua nga Gjykata e Lartë, për llogari të procesit në ngarkim të ish -zv/kryeministrit Ilir Meta, i akuzuar për ‘korrupsion’.  

Procesi ndaj Metës nisi pas publikimit në media të video- përgjimit,  ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Prifti, në një bisedë për disa tendera te ministrisë.
    

Ndryshe nga ish-ministri Prifti, zoti Meta e ka konsideruar videon si të manipuluar dhe një shantazh për dëmtimin e imazhit të tij.

 
Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 15:17

Tiranë – Gjykata e Lartë shtyu për të hënën e ardhshme seancën në ngarkim të ish- zv/kryeministrit Ilir Meta.

Seanca e parashikuar për t’u zhvilluar sot u pezullua pasi ekspertët Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri, të ngarkuar nga Gjykata për të bërë ekspertizën e video- përgjimit ndaj Metës, nuk kanë arritur të realizojnë të gjitha procedurat e ekspertizës.

Ekspertët shqiptarë pritet të dalin në një konkluzion të qartë për videon nëse është ose jo autentike.  Konkluzioni i tyre pritet të publikohen javën e ardhshme në seancën e radhës.

Konstatimet e eksperteve që kanë ekzaminuar orën-kamera, kompjuterin lap-top dhe një USB, ku pretendohet se gjendet videoja, do të jenë vendimtare për çështjen ndaj ish zv/kryeministri Meta.

Kjo për shkak se pala mbrojtese pretendon se video është një montim, përkundër pretendimit të organit te akuzës.

Ish- zv/kryeministri Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga prokuroria, pas publikimit në media të një video, ku ai shfaqej me ish -ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie.

 
Lajme Shqip Friday, 21 October 2011 13:22

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, për shkak të shpifjeve të botuara sërish gjatë ditëve të fundit në gazetën “La Republica” do të angazhojë një studio ligjore në Romë për të hapur një proces tjetër gjyqësor ndaj kësaj gazete.

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Ardit Çela, tha sot në një konferencë për shtyp se, “kjo gazetë jo-serioze, e cila është dënuar edhe më parë për shpifje dhe manipulime ka guxuar përsëri të fabrikojë një të ashtuquajtur intervistë të z. Ilir Meta, me qëllim interesash të luftës së brendshme politike në Itali”.

Çela u shpreh se, “Z. Meta jo vetëm që nuk e ka dhënë apo autorizuar një intervistë të tillë, por një personi që e ka telefonuar atë në emër të gazetës këtë javë, i ka bërë të qartë se do të pranonte të jepte një intervistë për La Republica, vetëm pasi kjo e fundit të kishte botuar vendimin e Gjykatës, që dënon gazetën.

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI konfirmoi edhe një herë, në emër të z. Meta, se drejtuesi i gazetës “L’Avanti”, z. Lavitola, të cilin sikurse ka deklaruar më parë, z. Meta e njeh prej kohësh si përfaqësues të medias italiane, ka qenë i pranishëm në një konferencë shtypi gjatë vizitës zyrtare të z. Meta në Romë, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z. Frattini, është përshëndetur me z. Lavitola, ashtu si me shumë gazetarë të tjerë italianë dhe shqiptarë, në hollin e ambienteve të konferencës.

“Makinacionet dhe fabrikimet e segmenteve të caktuara për të manipuluar të vërtetën, me qëllim dëmtimin e figurës së z. Frattini, janë të papranueshme për z. Meta, pasi z. Frattini ka dhënë një kontribut të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, duke qenë njëkohësisht arkitekt i Udhërrëfyesit të këtij procesi të rëndësishëm”, tha Çela.

“Gjykata italiane në tre vendimet e saj e dënon gazetën italiane La Republica me 50,000 euro për t’iu paguar z. Ilir Meta për shpifje ndaj personit të tij, si dhe detyron këtë gazetë të kërkojë falje publike, të botojë vendimin e Gjykatës, si dhe të paguajë të gjitha shpenzimet legale të seancave gjyqësore”, theksoi Çela duke shtuar se disponon 3 vendimet, atë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Romës, atë të Gjykatës së Apelit, si dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës së Kasacionit të këtij viti”.

 
Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 10:59

Tiranë – Ish-Ministri i Energjitikës Dritan Prifti deklaroi gjatë një interviste në News 24 se ka rreth 60 video përgjime që ka kryer në zyrën e tij me Metën e njerëz të tjerë, por do t’i publikojë kur të vijë koha pasi frikësohet për jetën e tij.

Prifti shprehet se këto ditë prokuroria ka nxjerrë fakte se ekziston dhe një video-përgjim i tretë përveç 2 të tjerave. Prifti bën të ditur se në këtë video të tretë në duart e prokurorisë shfaqet botuesi i “Gazeta 55”, Fahri Balliu teksa kërkon favore.

“Është një video e tretë, aty shfaqet botuesi i ‘Gazeta 55’, Fahri Balliu që më kërkon favor. Z Balliu ka ardhur shumë herë në zyrën time, unë e njoh prej vitesh, ai është një mik i z.Meta, hallexhi z Balliu. Të gjithë që vinin në zyrën time vinin për ndonjë hall. Por kjo video është një sekret hetimi, dhe unë nuk flas dot më gjatë pasi Prokuroria e ka shpallur me vendim të vecantë sekret hetimi, por theksoj se ndodhia aty është interesante. Balliu ofroi diçka dhe kërkoi dicka. Tani për cfarë ishte i interesuar, ai interesohej për gjithë sektorët. Mund të them se kishte disa probleme ligjore për të zgjidhur Balliu, unë nuk ja zgjidha, ja zgjidhi më pas Meta”.

I pyetur sesa video ekzistojnë vërtet, Prifti pranon se ka shumë të tilla.

“Janë shumë video. Po përmend Presidentin Nikson, ai bëri 62 video me takimet që bënte në zyrë, dhe unë jam aty afër atij numri. Janë regjistrime që kam bërë me familjen e Metës, njerëz të tjerë që vinin me takonin, ka shumë emra të njohur që vinin më kërkonin favore, janë të gjitha pjesë e një historie të frikshme që u zhvillua gjatë kohës që isha në qeveri”.

Ish-ministri i Energjitikës rrëfeu se videot janë të ruajtura jashtë vendit. “ I kam ruajtur në 2 vende, jashtë vendit. Shfaqen persona që kërkonin gjëra të jashtëligjshme, bënin oferta të jashtëligjshme”.

Më tej, Prifti komentoi marrëdhëniet me kryesocialistin Edi Rama që i cilësoi të mira, ndërsa cilësoi Berishën të paaftë. Prifti theksoi se PS eshte partia qe duhet te qeverise ne te ardhmen.

 
Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 18:53

Tiranë – Ora e murit në të cilin ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti e mbante në zyrën e tij për të përgjyar takime që ai zhvillonte, vazhdon të prodhojë video të tjera përveç atyre që njihen tashmë siç është përgjimi Meta-Prifti i publikuar në media shqiptare, video “Prifti-Beqiri” ku ish-zëvendësi i Priftit shfaqet duke i dhënë një shumë të konsiderueshme eurosh pikërisht shefit të tij aso kohe Dritan Prifti dhe e fundit… “Prifti-Pronari i një televizioi privat?”.

Cfarë përmban video mes Priftit dhe Pronarit të televizionit privat?

Burime të Gjykatës së Lartë bëjnë me dije për Lajmeshqip.com se video është zbuluar në orën e murit (videoregjistruese) që Prifti mbante në zyrën e tij dhe aty shfaqet Prifti me një nga pronarët e një televizioni privat shqiptarë i cili ka gjithashtu edhe një biznes pijesh energjike dhe alkoolike në Shqipëri.

Video mesa duket ka të tjera fakte kompromentuese korruptive për të cilat prokuroria e Tiranës dhe ka nisur një hetim i cili deri tani është mbajtur i fshehur për publikun dhe është zbuluar rastësisht gjatë seancës së radhës të gjykimit të çështjes Meta-Prifti. Detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e kësaj video, Lajmeshqip.com do të sjellë gjatë ditëve në vazhdim.

 
Lajme Shqip Friday, 23 September 2011 17:59

Tiranë – Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e prokurorisë për largimin e tre ekspertëve të zgjedhur nga Gjykata për të realizuar ekspertizën e video-përgjimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme kërkoi largimin e tre ekspertëve, me pretendimin se ata nuk disponojnë njohuritë e nevojshme për ekspertizën e videos. Por, pretendimi i prokurorisë, nuk e ka bindur Gjykatën, e cila vendosi rrëzimin e kësaj kërkese.

Një seancë me parë, Gjykata e Lartë caktoi ekspertët Ardian Pollo, Artur Rahmani dhe Ermal Beqiri për të realizuar ekspertizën e video-s ndaj Metës. Tre ekspertët, e  ngarkuar nga Gjykata e Lartë, do të  japin përgjigje për një sërë pyetjesh që lidhen me video- përgjimin,  ndër to, mbi autenticitetin e saj.

Gjykata e Lartë vendosi që t’u japë kohën e nevojshme eksperteve për të realizuar ekspertizën e videos ndaj Metës.

Ish- zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit pas publikimit ne media të një video- përgjimi, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së ekonomisë.

 
Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 14:56

Tiranë – Gjykata e Lartë caktoi tre ekspertët që do të bëjnë verifikimin e video-përgjimit ndaj ish zv/kryeministrit Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar të premten 16 shtator, kjo Gjykatë caktoi pedagogët e informatikës dhe elektronikës, perkatesisht  Ardian Pollo, Artur Rrahmani dhe Ermal Beqiri për të bërë ekspertimin e video-përgjimit ndaj Metës.

Fillimisht, si pjesë të grupit të eksperteve u caktua pedagogu Dritan Zoto, por pas kundërshtimit të prokurorit të çështjes, Gjykata vendosi zëvendësimin e tij me ekspertin Artur Rrahmanin.

Kundërshtimi i prokurorit kishte të bënte me faktin se eksperti Zoto ishte shprehur në media për çështjen.

Në seancë, Gjykata rrëzoi kërkesat si të prokurorisë, ashtu edhe të palës mbrojtëse për të përfshirë në grupin e ekspertizes,  dy ekspertë të huaj.

Disa seanca me parë, Gjykata e Larte vendosi ribërjen e ekspertimit të videopërgjimit ndaj Metës pasi shpalli të pavlefshëm akt-ekspertimin e  kryer nga dy ekspertët të huaj, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ish -zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media të një video,  ku ai shfaqej me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.

 
Lajme Shqip Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 16:41

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) Ilir Meta, dy javë më parë është kërcënuar me vdekje.

Policia ka marrë nën mbrojtjen kreun e LSI, pas kërcënimeve në adresë të tij ditët e fundit. Që prej 15 ditësh kreu i LSI është nën mbikqyrjen e forcave RENEA pas denoncimit në Policinë e Shtetit për kërcënime, transmeton BalkanWeb.

Bëhet e ditur se kreu i LSI është kërcënuar me jetë përmes mesazheve telefonike. Mesazhet thonë burimet e policisë i kanë ardhur kreut të LSI nga telefona jashtë vendit dhe po hetohet lidhur me origjinën e tyre.

Një grup prej 7 pjestarësh të forcave RENEA e shoqërojnë Metën në cdo lëvizje që ai bën. Aktualisht Ilir Meta po pushon tek Gjiri i Lazlit me familjen dhe po mbrohet nga efektivat e RENEA-s që janë pozicionuar jashtë ambienteve në të cilat ai pushon në shërbim 24 orësh.

Ambienti ku aktualisht po pushon Meta është nën mbikqyrjen e kamerave të sigurisë.

Prej kohesh Ilir Meta është në një proces gjyqësor pas publikimit të një video me ish-vartësinë të Dritan Prifti.

 
Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 15:28

Tiranë – Gjykata e Lartë e ka shtyrë për në 9 shtator seancën e radhës ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta.

Në seancën e zhvilluar sot, trupi gjykues deklaroi se nuk i ka gjetur ende specialistët të cilët do të realizojnë ekspertizën auto-vizive të video-përgjimit ndaj Metës.

Relatori i çështjes, Arjan Dvorani, pohoi se, Gjykata i është drejtuar disa strukturave dhe subjekteve për ekspertë, por ende nuk ka marrë informacion prej tyre. Riekspertimi i video-pergjimit ndaj Metes u vendos disa seanca me pare, kur Gjykata e Lartë shpalli të pavlefshëm akt-ekspertimet e kryera nga dy ekspertët të huaj lidhur me ketë video.

Ish-zv/kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën për korrupsion nga Prokuroria e Përgjithshme, pas publikimit në media pak muaj më parë të një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë kundër tij, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë. Vetë zoti Meta e ka cilësuar videon, e realizuar nga ish-ministri Prifti, si një manipulim dhe shantazh ndaj tij.

 
Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 15:40

Tiranë – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta reagoi sot pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë për tërheqjen e një prove të kërkuar nga prokuroria e cila ka të bëjë me kasetën e përgjimit Prifti-Beqiri.

Në një prononcim për mediat, Meta deklaroi se “tërheqja e të vetmes provë origjinale që kishte organi i akuzës, dëshmon marrëdhënien e pengmarrjes së prokurorisë me përgjuesin tim”.

Duke vënë në dukje se është e drejtë e gjykatës për të marrë vendime të tilla, kreu i LSI-së theksoi se “gjykata vepron mbi bazën e procedurave, por nuk mund të kërkojë Prokuroria sepse nuk është interesi i saj që të tërheq një provë, aq më tepër që të tërheq të vetmen provë origjinale që është kjo. I vetmi filmim origjinal që ekziston për këtë çështje, në atë që ka administruar Prokuroria dhe Gjykata është kjo provë. Kjo tregon qartë që kemi marrëdhënie pengmarrje mes Prokurorisë dhe përgjuesit tim, Dritan Prifti”, u shpreh Meta.

Sipas tij, organi qendror i akuzës ka tërhequr të vetmen provë të qartë me zë dhe me figurë dhe po përdor standarde të dyfishta.

Duke deklaruar se ky është një gjyq i prokurorisë kundër Ilir Metës, kreu i LSI-së u shpreh se “i vetmi dëshmitarë që ka prokuroria është i pavlefshëm nga ana juridike përveçse edhe morale, sepse është i pandehur”.

Ai shtoi se Prokuroria është duke favorizuar Priftin me qëllim që ky i fundit të vazhdojë të mashtrojë.

Në përfundim Ilir Meta, shprehu bindjen se ky proces megjithë shkeljet e rënda që kanë ndodhur që nga nisja e hetimeve, do të shërbejë si një analizë jo thjeshtë për të vlerësuar padrejtësitë apo shkeljet por për të goditur një herë e mirë në mënyrë ligjore gjitha lojrat politike ku përfshihet apo mund të përfshihet organi i akuzës.